Milionerët e varfër

Opinione

Milionerët e varfër

Nga: Bekim Rexhepi Më: 24 shkurt 2015 Në ora: 15:02

Ka diçka që fillimisht duhet ta komentoj si realitet, e që ka të bëjë më shtrëngesat e mendjes së shëndoshë dhe lirisë së mbikëqyrur nga mafia e krimit dhe korrupsionit; prej nga del shija dhe dashuria për shtetin. Ndofta në këtë fotografi solidarizohej mania e ikjeve të fundit e shqiptarëve drejt Evropës?!

Për herë të parë që kam hasur milioner të vërtetë, ka qenë një ankand i pikturave në Munih të Gjermanisë. Ishin pesë piktura në shitje, të kolosëve të artit botëror, duke filluar me Goya, Gogen, Monet, Matis dhe Serov!.

Në këtë ankand pikturash, përpos milionerëve milioner, kishte edhe milioner të varfër! Milionerët milioner blinin pikturat, ndërsa milionerët e varfër, ishin vetëm pjesëmarrës dhe vëzhgues të këtij ankandi. 75.5 milionë duket se përfitoi ky ankand i pikturave, pikërisht nga milionerët milionerë. Gjithsejtë u shitën tri piktura, ndërsa të tjerat u shtyn në një termin tjetër të radhës.

Ishte sprovë për mua, të marrë pjesë në këtë ankand, madje vetëm si publik, pa pasur fare miliona, madje edhe pa qenë milioner i varfër. Në fakt isha i vetmi shqiptar, që pata fatin të merrja pjesë në një ankand pikturash me renome.

Qëllimi im, në këtë artikulli nuk ishte të merrem me ankandin e pikturave dhe me vlerat e tyre, por ajo që më ngacmoi ishte fakti që në këtë ankand hasa për herë të parë termin; “milionerët e varfër”. Pra, këta milionerë, ishin edhe të seleksionuar nga organizatorët e ankandit madje vetëm sipas kushtit të milionave që kishin. Këtë të vërtetë të seleksionimit e kuptova më vonë, nga një shokë i imi që kishte njohuri dhe komunikime të afërta me stafin e organizimit të ankandeve. Ndër të tjera kushti që mësova këtu për milionerët e varfër, ishte kuota e lartë e milionave, sanksionimi i tyre në kërkesën për blerje, nëse vet ata nuk e argumentojnë se kanë blerje zyrtare brenda një kohe të gjatë prej 10 viteve, dhe po ashtu nëse nuk e kanë kartelën e vizitave në ankande të tjera.

Milionerët e varfër, duket se janë shtuar këtyre pesëmbëdhjetë viteve të fundit edhe në Kosovë, për dallim nga ankandi i pikturave, ankandi i tyre është politika. Milionerët e varfër të Kosovës në vend të pikturave, blejnë poste dhe korruptojnë fatin e qytetarëve dhe të vendit të tyre. Milionerja e varfër, e radhës në listën e gjatë të shqiptarëve duket se është radhitur deputetja e PDK-së Blerta Deliu! Asnjëherë nuk do të pyes se si u pasurua në një vend me kaq mjerim ekonomik dhe se sa milionë ka arritur të ketë? Nuk është punë e imja kjo, vetëm të konstatoj gjendjen që tashmë është e faktuar para qytetarëve, këtë mund ta bëjë sepse është detyrë e secilit qytetar të ndershëm të këtij vendi.

Milionerët më të mëdhenjtë duket se janë në PDK, sepse këta arritën që të mbajnë pushtetin më gjatë, arritën që gjatë mandatit të tyre qeverisës të shesin dhe të privatizojnë ndërmarrjet e shtetit, hapën tenderë të gjithanshëm dhe nga ta u bënë shumë milionerë. Në Kosovë ka milionerë - milionerë dhe milioner të varfër, të cilët po pasurohen çdo ditë në kurriz të fatit të qytetarëve dhe vendit, kjo nuk besoj të ndodh diku kaq ashpër se sa në vendin tim, të quajtur Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat