Pse duhet të jemi indiferent nga konflikti i Zaevit me Gruevskin?

Opinione

Pse duhet të jemi indiferent nga konflikti i Zaevit me Gruevskin?

Nga: Shkruan Musa Lamallari (Tim Shkupi) Më: 1 shkurt 2015 Në ora: 18:48

Beteja politike mes Zaevit dhe “car Nikollës” po ashpërsohet. Flitet se jemi në fillimin e finales së saj. Disa dudumë të ashtuquajtur analistë, publicistë, politikanë shqipfolës, sehirbazë mediatik, që janë racë e regjimit të mëparshëm, por edhe të sotshëm, duan t’i tërheqin shqiptarët në luftën mes Zaevit dhe “car Nikollës, prandaj ngurruan me paraqitjet e tyre të tregojnë se kanë mbetur në segmentin vertikal të mendimit, në distancën mes fytit dhe barkut, ku ëndërrojnë vazhdimësinë e vasalitetit dhe privilegjeve meskine në Maqedoni, por pa Ali Ahmetin dhe Menduh Thaçin, por edhe pa statusin dhe ndarjen e Maqedonisë mes shqiptarëve dhe sllavo-maqedonëve.

Njëri prej tyre, me status facebook është Kim Mehmeti, por para tij në telekomandën e juaj në Shkup u hodh një bombë tjetër që vinte nga vendi ku figurojnë simbolet pagane të “Diana is Great”, “The Babylon is Great”, që i dolën në mbrojtje Zoran Zaevit. Ka edhe të tjerë. Në ditët në vijmë do të shtohen prej shqipfolësve eksponentët e tyre. Nëse vazhdon presioni jonë në rrjetet sociale, mediat dhe portalet alternative, mund të parandalojmë mashtrimet e reja që po na servohen në pjatat tona me artikujt ushqimor me afat të skaduar.

Çfarë duhet të bëjmë si shqiptarë? Duhet t’i kthehemi historisë dhe të mësojmë prej saj. Është e vërtetë se Ne, si shqiptarë, jemi të prekur shumë, jo vetëm nga konflikti i Zoran Zaevit dhe “car Nikollës” 2014-2015, por kemi qenë të prekur përgjatë gjithë historisë sonë të përgjakur, por që kemi qenë të prekur më shumë si shqiptarë dhe i kemi të freskëta, pa dyshim se janë luftërat ballkanike, lufta e parë, e dytë dhe projektet tjera jugosllave për shfarosjen e shqiptarëve, duke i shpërngulur me qindra e mijëra në të gjitha anët e botës dhe, së fundi, patëm konfliktin e vitit 2001, që u parandalua nga vet akterët e saj me një Marrëveshje të Ohrit, e cila afatin e realizimit e kishte në vitin 2005, por që nuk u realizua kurrë në Maqedoni. Prej asaj që thuhet, flitet, vërtetohet se nga kjo Marrëveshje është realizuar vetëm 30 për qind. Asgjë më shumë.

Në pyetjen se çfarë duhet të bëjmë si shqiptarë, patjetër e kemi të rrimë indiferent, të mos përzihemi, qoftë edhe atëherë kur kemi lajme dhe pseudo-lajme pompoze, bomba, të cilat na vijnë nga ata që me vite kanë shantazhuar, eksploatuar, dominuar, por edhe kanë viktimizuar shqiptarët e Maqedonisë, të marrim gjithçka me rezervë edhe kur ndonjë emër shqiptarë ka qenë pjesë e Teorive Mashtruese, pjese e konstruktit për t’i manipuluar dhe viktimizuar shqiptarët. Nuk duhet të nxitojmë të kapim gacat me duar dhe të bëhemi pjesë e konfliktit mes Zoran Zaevit dhe “car Nikollës”? Ky konflikt neve shqiptarëve nuk na sjellë asgjë si komb, por vetëm që mund të akomodon ëndrrat e disa honxhobonxhove se mund të ushqehen me mollën e ndaluar sikur u ushqyen Ali Ahmeti dhe përfaqësuesit e tij nën regjimin e LSDM-së dhe VMRO-së.

Ne jemi shqiptarë, si komb jemi pjesë e NATO-s, por pakëz aksidentalisht, por më shumë me injorancën tonë, si pasojë e asaj (në anglisht GREED) “TUTO ALBANESE TUTO KOMANDANTE” kemi legjitimuar krijesën artificiale FYROM ku jemi venduar si qytetarë të rendit të dytë, ku nuk kontrollojmë asgjë, as Presidentin, as Qeverinë dhe as Parlamentin, për institucionet tjera të sigurisë në FYROM as që bëhet fjalë. Ne mund të themi se kemi ministrin e drejtësisë në qeverinë e “car Nikollës” me emrin Adnan Jashari, por nuk duhet të harrojmë se kemi shumë të burgosur shqiptarë me raste të montuara, kemi procese të hapura gjyqësore kundër shqiptarëve që në fund dënohen me dënime drakonike, siç ishte rasti i fundit me dënim me nga dy vjet e gjysmë burg për protestuesit e 4 korrikut 2014 para hundëve të Adnan Jasharit.

Prandaj, pikat 6, 7 dhe 8 e planit opozitar shqiptarë të DSHM-së, janë pikat kryesore ku duhet të kemi përgjigjen tonë për konfliktin mes Zoran Zaevit dhe “car Nikollës”, mes LSDM-së dhe VMRO-së.

6. Sistemi gjyqësor në Maqedoni është një nga sistemet më të korruptuar në Evropë. As një reformë demokratike nuk e ka prekur sistemin e gjyqësorit prej pavarësimit të Maqedonisë. Shumë procese gjyqësore në fund kanë rezultuar si të montuara: rasti i pakistanezëve, rasti i Sopotit, rasti i Brodecit, ekzekutim pa gjyq i Harun Aliut, prandaj me të drejtë pyesim për rastin Monstra, ku është transparenca dhe ku janë provat dhe ekspertizat, për të cilat kanë paralajmëruar edhe të huajt.

7. Protestat e pakënaqësisë shqiptare në Maqedoni janë legjitime dhe e drejtë e jona është të protestojmë kur besojmë se duhet të ndryshohet sistemi, të zëvendësohet më një tjetër më të mirë. Patjetër protestat e shqiptarëve duhet t’i tregojnë botës se shqiptarët janë viktimë e regjimit unitarist të partive maqedonase LSDM dhe VMRO prej pavarësimit të Maqedonisë, përkundër orientimit të shqiptarëve pro NATO dhe BE. Maqedonia si shtet nga këto dy qendra shihet si shtet multietnik, por për 24 vjet rresht ka zhvilluar një sistem unitar në favor të elitave maqedonase, kurse për këtë ka kontribuar më së shumti Ali Ahmeti që nuk realizoi Marrëveshjen e Ohrit në vitin 2004. Kurse sot politika bllokuese e regjimit Gruevski-Ahmeti që nuk ka gatishmëri ta ndërtojë shtetin multietnik, të zgjidh çështjen e emrit, s’ka dyshim se diskriminimi i shqiptarëve po bëhet boshti i të gjitha problemeve dhe shumë i padurueshëm, që do zgjidhje të menjëhershme ose me dialog të sinqertë pasi na nxeh një diell, ose me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar.

8. Problemi në Maqedoni është politik, buron nga Kushtetuta. Sistemi politik i shtetit unitar nuk është kompatibil me realitetin etnik të shqiptarëve të Maqedonisë, prandaj duhet zgjidhje urgjente politike mes dy komuniteteve më të mëdha në këtë vend. Mungesa e deritanishme e vullnetit politik të partive LSDM dhe VMRO për të ndërtuar një shtet multietnik, ka margjinalizuar kërkesat e shqiptarëve, duke ua mohuar ndjenjën e sovranitetit në trojet e tyre etnike, prandaj protestat paqësore janë forma më e mirë për të shprehur revoltën në kushtet dhe rrethanat e demokracisë së zaptuar nga qeveria Gruevski -Ahmeti. Nuk guxojmë të lejojmë që protestat tona të udhëhiqen nga persona të paidentifikuar, me maska, persona që tregohen se janë të dhunshëm në protestë. Në asnjë mënyrë nuk guxojmë të lejojmë persona të frustruar, rryma fetare, elemente të radikalizmit islamik, persona me probleme të ndryshme të natyrës kriminale, të shkatërrojnë revoltën e pastër të Rinisë Shqiptare që ka filluar në Shkup.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat