Absurditeti shqiptar karshi serbëve!

Opinione

Absurditeti shqiptar karshi serbëve!

Nga: Jusuf Thaçi Më: 30 janar 2015 Në ora: 13:09

“Ne nuk kemi problem e nuk e urrejmë popullin serb, por kemi problem dhe urrejmë strukturat dhe politikat e shtetit të Serbisë (në Serbi e në Kosovë)”!

Ky është një qëndrim i një numri të madh të shqiptarëve, të cilin për vite e dekada nuk kam arritur ta kuptoj. Nuk kam arritur ta kuptoj jo për shkak të paaftësisë sime intelektuale, por për shkak të absurditetit të qëndrimit. Në fillim kam menduar se është një qëndrim thjesht hipokrit, vetëm në nivel deklarativ, por dita-ditës jam bindur se shqiptarët sikur e besojnë këtë qëndrim, pa e kuptuar absurditetin e tij.

Ja absurditeti:

Serbia ka kohë që nuk është monarki, por demokraci. Përfaqësuesit e popullit e udhëheqësit e shtetit zgjidhen nga populli serb. Udhëheqësit e shtetit serb që kanë urdhëruar vrasjen e qindra-mijërave njerëzve në Slloveni, Kroaci, Bosnjë e Kosovë janë zgjedhur po nga populli serb. Ata që kanë ekzekutuar masakra çnjerëzore, gjenocid e pastrim etnik në Kroaci, Bosnjë e Kosovë janë përkrahur e financuar po nga populli serb. Kleri kishtar i kishës ortodokse serbe që ka përkrahur e përkrahë aktivisht politikat shoviniste serbe zgjidhet po nga populli serb. Krahun e djathtë të Millosheviçit e të Sheshelit në krye të shtetit e të qeverisë së Serbisë i zgjodhi po populli serb.

Gjatë luftës së Kosovës, radhët e ushtrisë, milicisë dhe njësiteve paramilitare serbe përbëheshin po nga populli serb (kryesisht banorë të Kosovës), të cilët kanë kryer çdo gjë çnjerëzore kundër shqiptarëve në Kosovë (gjenocid, pastrim etnik, depërtim, masakra, vrasje, dhunime, poshtërime, tortura, djegie, plaçkitje, etj.).

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë (më shumë se 15 vite), Kosova, institucionet dhe qytetarët e saj shpenzojnë më shumë se gjysmën e energjisë duke u marrë me qejfet, hatret, provokimet, shantazhet, destruksionet, kërcënimet e sulmet e institucioneve e strukturave serbe (në Serbi e Kosovë), të cilat zgjidhen e përkrahen po nga populli serb (që jeton në Serbi e në Kosovë).

Edhe përfaqësuesit e udhëheqësit “legalë e legjitimë” të serbëve të Kosovës nëpër komuna, në kuvend e në qeverinë e Kosovës, të cilët edhe zyrtarisht e publikisht e kanë të deklaruar qëllimin e tyre për shkatërrimin e shtetit të Kosovë dhe urrejtjen e tyre ndaj qenies shqiptare, janë të zgjedhur po nga populli serb (që jeton në Serbi e në Kosovë).

Nëse unë jam gabim për atë që parathash, atëherë le të më demantojë dikush duke më treguar se sa protesta qytetare e gjithëpopullore janë organizuar nga serbët në Serbi e kudoqoftë ku jetojnë ata në Ballkan për të kundërshtuar e dënuar mizoritë serbe në luftërat në ish-Jugosllavi. Le të më demantojë dikush duke më treguar se sa nisma e presione qytetare e gjithëpopullore janë ndërmarrë nga serbët në Serbi e kudoqoftë ku jetojnë ata në Ballkan për t’i detyruar institucionet e tyre që të pranojnë krimet që kanë bërë, të kërkojnë falje për to dhe të kompensojnë viktimat e këtyre krimeve. Nëse nuk ka diçka të tillë serioze, e unë e di që nuk ka, atëherë kjo tregon se populli serb miraton atë bëjnë udhëheqësit e tyre, përkatësisht, udhëheqësit e serbëve bëjnë atë që dëshiron populli i tyre.

Pra, populli serb i urren popujt rreth vetes, e urren qenien shqiptare në përgjithësi, e shqiptarët e Kosovës në veçanti. Andaj, mos u frikësoni nga e vërteta e mos u vetëgënjeni! Serbët na urrejnë, por urrejtja është cilësi njerëzore, andaj unë e përligj atë, megjithëse nuk e mirëkuptoj! Pavarësisht kësaj, unë personalisht nuk i urrej serbët, jo pse ata nuk e meritojnë urrejtjen time e as pse nuk kam të drejtë ligjore e morale për t’i urryer ata si kundërpërgjigje ndaj urrejtjes së tyre karshi qenies time shqiptare, por unë nuk i urrej ata sepse jam më madhështor se ata. Por, fakti që unë i lejoj që ata të më urrejnë e unë nuk i urrej ata, nuk do të thotë se i toleroj ata të shkatërrojnë perspektiven e të ardhmen e kombit, shtetit, vendit, shoqërisë e fëmijës tim.

Andaj, duhet thënë shkurt e shqip disa gjëra:

1. Nuk është vetëm politika e nuk janë vetëm strukturat e institucionet serbe që na urrejnë ne shqiptarëve dhe duan të na zhbëjnë, por është edhe populli serb që i zgjedhë këta përfaqësues e udhëheqës të tillë. Andaj, mos e shfajësoni padrejtësisht popullin serb për një faj që ata vetëdijshëm duan të jenë përgjegjës për të.

2. Nëse serbët kanë një arsye për të na urryer ne shqiptarëve, atëherë shqiptarët kanë një milion arsye për t’i urryer serbët.

3. Nëse serbët kanë të drejtë të na urrejnë ne shqiptarëve, atëherë shqiptarët kanë edhe më shumë të drejtë t’i urrejnë serbët.

4. Institucionet dhe shqiptarët e Kosovës duhet t’i japin fund sa më parë tekanjoziteteve të serbëve që po na e marrin krejt energjinë dhe kësisoj po na e shkatërrojnë të ardhmen e fëmijëve tanë.

5. Serbët që e pranojnë dhe e duan Kosovën e shqiptarëve (ashtu siç historikisht ka qenë) mirëmbetëshin në Kosovë, ata që nuk pajtohen me këtë fakt mirëshkofshin në Serbi.

6. Paqja nuk arrihet me pelëshuarje nga ana e viktimës, por me ndjesë e llogari nga ana e agresorit. Lazdrimi i skajshëm i serbëve nuk po i udhëheqë ata drejt paqes, por drejt agresionit të sërishëm.

7. Në emër të stabilitetit e multi-etnicitetit bashkësia ndërkombëtare le t’i marrë serbët në vendet e tyre e le t’ua përmbushin qejfet, teket e ambiciet e tyre e le t’ua shërojnë urrejtjen, por jo në kurriz të të ardhmes së fëmijëve tanë.

8. Ndërkombëtarëve, “internacionalistëve”, “liberalëve”, “kozmopolitanëve” e “civilistëve” ju them që të mos i mbarësojnë drejt shkatërrimit shpresat e shqiptarëve të Kosovës duke i ushqyer ato me iluzione, e duke i fshehur e relativizuar problemet, sepse kësisoj do ta sillni në Kosovë pikërisht atë që me aq fanatizëm po provoni ta shmangni!

9. Serbët duhet ta dinë qartë, por edhe ndërkombëtarët e udhëheqësit tanë shqiptarë, se nëse ne shqiptarëve të Kosovës, për shkak të serbëve, vazhdohet të na gërditet liria e fituar me gjak, atëherë lufta na mbetet sakrifica më e vogël për ta bërë.

10. Ballkani dhe mendësia e popujve të tij nuk pranon shtete të imponuara multi-etnike. Kosova e Maqedonia janë eksperimente në prag të dështimit.

P.S.

1. Kur e përmenda popullin serb nënkuptova shumicën e tij, meqë e di që ka përjashtime, por në raport me shqiptarët përjashtimet janë të vogla.
2. Do të vazhdoj të jem në “agjërim verbal publik”, por ky ishte një sqarim i domosdoshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat