Pasojat e këqija nga ndërrimi i pushtetit

Opinione

Pasojat e këqija nga ndërrimi i pushtetit

Nga: Amir Rexhepi Më: 26 janar 2015 Në ora: 17:20

Në zgjedhjet lokale të vitit 2013, pati ndërrime të pushtetit në shumicën prej komunave në Kosovë. Konsiderohet që ndërrimi i pushtetit, është i shëndetshëm për demokracinë, por, te ne, jo edhe për punëtorët të cilët punojnë në ndërmarrje publike.
Pasi kryetarët marrin mandatin, ia nisin menjëherë me fshesë, fillimisht prej komunës, drejtorëve të kompanive publike, bordeve e deri te punonjësit më të thjeshtë siç janë pastruesit.

Kjo është e keqja e madhe, që na bën të frikohemi nga ndërrimet e pushtetit. Si arsyetohet shkarkimi nga puna i një pastruesi, të cilit me një rrogë simbolike i duhet të mbajë familjen.

Ne qytetarët, jemi dëshmitarë se me ndërrimin e pushtetit po ndërrohen të gjithë drejtorët e ndërmarrjeve publike, vërejmë se ne këto pozita po emërohen drejtorë nga partia që udhëheq Komunën.

Fundja, ani për drejtorët, po pse të shkarkohet një punëtor që pastron me fshesë, keto ditë pata rast ta takoja një mik dhe gjatë bisedës më tregoi se e kishin larguar nga puna. -Ma morën edhe fshesën,-më tha shumë i dëshpëruar.

Apeli im për kryetarët e komunave është: aman, mos i largoni punëtorët nga puna, çfarë faji ka një punëtor që u ndërrua pushteti, mos ua ndalni bukën e gojës!

Mjaft me hakmarrje, ndryshoni qasjen e udhëheqjes, bile me punëtorët e krahut!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat