Kuvendi i ringjalljes së LDK-së në Prizren

Opinione

Kuvendi i ringjalljes së LDK-së në Prizren

Nga: Shkruan: Petrit Hoxhaj Më: 25 dhjetor 2014 Në ora: 14:40

Ndodhemi në prag të mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor të Degës së LDK-së në Prizren, i cili pritet të mbahet këtë fundjavë. Procesi zgjedhor brendapartiak në nëndegë duke shikuar nga se afermi ka pasur vijueshmëri të kënaqshme dhe fatmirësisht nuk është evidentuar as edhe më i vogli incident. Mbarëvajtja e deritanishme e këtij procesi dëshmon një kulturë të lartë politike që e dallon elektoratin e LDK-së , dhe se shpreja e mendimeve në subjektin tonë politik është një vlerë e vecantë demokratike karshi partive tjera ku drejtuesit ushtrojnë diktat partiak si në shtete komuniste.Duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre zgjedhjeve në qendrën e dytë të Kosovës, monitorimi i procesit nga Kryesia Qendrore, ka qenë një vendim i drejt për një qasje më ndryshe të komunikimit tash e tutje nga Qendra me Degën dhe anasjelltas.

Gjithashtu vlen të theksohet fakti se është duke u zhvilluar edhe një garë e fortë ndërmjet kandidatëve që synojnë postin e kryetarit të Degës,me kandidatura të bëra publike për opinionin. Për herë të parë LDK në Prizrenin e pasluftës do të udhëhiqet nga një tjetër figurë, pas largimit nga skena politike e ish kryetarit shumëvjecar, Eqrem Kryeziu.

Kandidati që do të merr besimin e delegatëve duhet ta ketë parasysh faktin se para vetës do të ketë shumë përgjegjësi, por edhe sfida të jashtëzakonshme, për ta konsoliduar partinë e cila për 7 vite qeverisi suksesshëm dhe përgjegjshëm me Prizrenin. Njëra ndër sfidat kryesore mbetet unifikimi i bashkëveprimit të aktivistëve dhe zyrtarëve partiak , sepse humbjet e zgjedhjeve që nga 2007-ta e kanë lëkundur jo pak LDK-në e Prizrenit.Kryetari i ardhshëm duhet të përzgjedh një ekip të ekspertëve dhe veprimtarëve të devotshëm për ta riaktivizuar elektoratin e fjetur të partisë, por edhe për të vënë në funksion aktivistët e shumtë, për ti ndezur motorët për ta rikthyer besimin e qytetarëve, sepse vitin në vijim pritet të kemi zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar të Prizrenit.

Realisht, LDK është e vetmja forcë politike në Prizren që mund të ofrojë model qeverisës për komunën e degraduar nga korrupsioni, krimi, nepotizmi e shumë dukuri shqetësuese për qytetarët që I ka shkaktuar qeverisja e deritanishme e PDK-së dhe aleatët e saj me skandale nga më të ndryshmet. Një LDK e fuqishme do të thotë një e ardhme më e mirë për tërë Prizrenin, por edhe më gjërë. Gjithashtu, rol të fuqishëm në ringritjen e LDK-së duhet të luaj Forumi Rinor dhe organizma të tjetër brendapartiak. Nuk kam dyshim se tek të rinjtë e LDK-së në Prizren ka një potencial të jashtëzakonshëm për ti shtyrë proceset përpara, dhe për këtë është mundësia e përzgjedhjes së aktivistëve që kanë vullnet, dije dhe nuk hezitojnë asnjëherë të janë në shërbim të interesave partiake e qytetare. Besoj se të gjithë ne jemi të trishtuar nga keqqeverisja, por njëkohësisht kemi nxjerrë edhe leksione të shumta për të punuar si duhet për një të ardhme më të mirë për Prizrenin dhe Kosovën.Është koha të bashkohemi, duke i lënë anash inatet personale, sepse si parti jemi në një udhëkryq të madh,mund të fitojmë gjithçka, por edhe të humbim shumëçka.

Zgjedhjet janë të domosdoshme , sepse nga ato duhet të dalin kuadro plotë vullnet për të sjellur ndryshime pozitive, sidomos në këto kohë të vështira për popullatën kosovare. Të gjithë ata që nuk kanë vullnet për ndryshime dhe punë konkrete, duhet ti falenderojmë për kontributin e deritanishëm, sepse duhet të jemi realist dhe nuk duhet zhvlerësuar për asnjë moment sakrificën e madhe të shumë aktivistëve nëpër periudha të ndryshme kohore në LDK.Mosmirënjohja ndaj tyre është thikë pas shpine për elektoratin e LDK-së, dhe mendoj se për këtë arsye duke neglizhuar veprimtarinë e qindra ndoshta edhe mijëra aktivistëve, kemi humbur brigada të tëra anëtarësh dhe veprimtarësh të devotshëm.

Besoj se të gjithë ne i kemi identifikuar defektet që na kanë përcjellur 7 vitet e fundit, dhe me një mobilizim të përgjithshëm që nga përfundimi i Kuvendit Zgjedhor, duhet ti përvjelim mëngët për t’ia rikthyer dinjitetin e humbur në radhë të parë qytetarëve, ku shumica prej tyre mbështetjen dhe besimin e kanë në LDK. Uroj që Kuvendi Zgjedhor i Degës të kalojë në frymë të qetë dhe demokratike, pa tensione dhe kundërthënie të panevojshme, sepse një LDK e fortë do të thotë një e ardhme më e mbarë për Prizrenin dhe Kosovën. Punë të mbarë Kuvendit dhe lë të fitojë ai që merr besimin e shumicës, ndërsa të gjithë ne të japim kontributin tonë të cmuar për ti shërbyer qytetarëve duke rrespektuar vlerat e veprave jetësore të Prësidentit tonë historik, dr. Ibrahim Rugova…

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat