Me nostalgji për LDK-në, në 25-vjetor

Opinione

Me nostalgji për LDK-në, në 25-vjetor

Nga: Muhamet Hamiti Më: 22 dhjetor 2014 Në ora: 14:11

E kujtoj me nostalgji kohën e lindjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) para 25 vitesh. Nostalgjia është shtëpi e dytë, e ka thënë dikush.Tash që vetë jam në moshë gjysmëshekullore, ndiej që LDK-në e kam pasur shtëpi të dytë për gjysmën e jetës. Njeriu ka nostalgji edhe për kohë të rënda, do të thotë dikushi.
Me ngjyra nostalgjie, nëpër filtër kujtese, që edhe historinë e ndodhjeve reale e kthen në pamje me rreze fiksioni, LDK-ja më del para sysh si organizimi më autentik shqiptar në historinë moderne. E lidhur pashkëputshëm me mendimtarin Ibrahim Rugova, prijësin e saj historik dhe themeltarin e pavarësisë së Kosovës, Lidhja Demokratike ka qenë në dekadën e parë të ekzistencës së vet lëvizje demokratike, politike e kulturore për shtet të mëvetësishëm në kohën e përmbysjeve të mëdha të shekullit XX: të rënies së Murit të Berlinit, të fundit të Luftës së Ftohtë, të komunizmit, të shembjes së perandorive sovjetike e jugosllave.
Lidhjen Demokratike e krijoi fryma e ri-lindjes shqiptare në Kosovë, që pastaj u shtri edhe në Shqipëri, në tokat shqiptare. Rilindje e vështirë pas dekadash okupimi sllav e sundimi komunist në shekullin e kaluar.
Duke funksionuar si organizim gjithëpopullor – prandaj jo si parti, jo si pjesë, që është në natyrën e partisë politike – Lidhja Demokratike mori drejtimin e popullit shqiptar në Kosovë, ndërsa frymëzoi të tjerët përreth, në kohë trazimi e hutimi të madh, kur vendi kishte mbetur pa udhëheqje, qoftë edhe komuniste, e cila kishte firuar si fluskë sapuni kur ranë maskat e bashkim-vëllazërimit jugosllav dhe nxorën fytyrën e barbarisë serbe që shembëlleu në kollazh komunist-klerikal. Lidhja Komuniste e Serbisë e Millosheviqit u bë një me kauzën e Kishës Ortodokse Serbe. Çka bekoi patriarku fetar, e realizoi patriarku komunist: ’Ku ka varr serb është Serbi’, këndonin si në kor kleri komunist dhe ortodoks serb.
Lidhja Demokratike e Kosovës me shtrirje në çdo lagje, katund e qytet të Kosovës, mori mbi vete të shpëtonte popullin nga flaka e luftës që mund ta gllabëronte pamëshirshëm në fillim të viteve nëntëdhjetë, atëherë kur shpërtheu në Slloveni (për shkurt), në Kroaci dhe në Bosnjë me vite. Kosova nuk i shpëtoi luftës, as tragjedisë. Por u mbijetoi të dyjave falë urtisë së prijësit të vet, Ibrahim Rugovës, dhe LDK-së, e cila u bë edhe vetë pjesë e luftës çlirimtare, që identifikohet me UÇK-në, në fund të viteve nëntëdhjetë. Për fat të keq, përpos prej Serbie, aktivistë e figura të LDK-së u vunë në shënjestër edhe të shqiptarëve me ideologji dhe praktika marksiste-leniniste. Pse? Sepse LDK-ja mishëronte frymën demokratike, nacionale, që të dyja mallkime për ideologjinë e majtë, internacionale.
Lidhja Demokratike e Kosovës, bashkë me forcat e tjera politike në pluralizmin e sapolindur, me referendum popullor krijoi Republikën e parë të Kosovës më 1991, e vuri në baza demokratike me zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të majit të vitit 1992, dhe e bëri të njohur botërisht si entitet që ngrehu segmente të rëndësishme të shtetit (arsim, shëndetësi, kujdes social, informim; diplomaci e vetëmbrojtje, në bërthamë), si pushtet që kishte kontroll mbi popullin, natyrisht me pëlqim të tij, nëse jo mbi territorin, i cili ishte pushtuar ushtarakisht nga Serbia. Bota nuk e njohu Republikën tonë në rrafsh formal, por e njohu ’shtetin paralel të shqiptarëve’ si bazë të shtetit të mëvonshëm, të Republikës së Kosovës, që, mbas luftës sonë çlirimtare dhe të intervenimit ushtarak të NATO-s më 1999, pasuar nga një fazë kalimtare protektorati ndërkombëtar, sërish ide e hershme e Rugovës, u shpall në Kuvend më 17 shkurt 2008.
A është Republika e Kosovës sot ashtu siç e kishte ideuar prijësi Ibrahim Rugova? Si vend i hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë, siç thoshte Rugova, po. Si vend me lidhje të fuqishme me miqt perëndimorë, në radhë të parë me SHBA-të dhe vendet e BE-së, po. Si gjendje e demokracisë dhe e zhvillimit, jo assessi. Presidenti Ibrahim Rugova ka pasë udhëhequr fillimet e negociatave ndërkombëtare për statusin e Kosovës, për pavarësinë, në vjeshtën e vitit 2005. Për fatin e keq të tij dhe të Kosovës, ai shkoi nga kjo botë para kohe, në janar të vitit 2006. Si organizim i brendshëm, konstitucionalisht, besoj se Kosova do të ishte më shqiptare dhe më demokratike me Rugovën prijës të procesit për pavarësim të vendit.
Mos e kishim fyer Zotin që na e mori Rugovën herët? Apo ndoshta, jo: Ai e mori për ta kursyer figurën e tij nga zvetënimi i idesë që kthehet në realitet.
Mundet që pyetjet jehojnë brenda meje, apo më saktë në shtëpinë time të dytë, në nostalgjinë, që më ktheu këtu te LDK-ja e hershme dhe te fryma e saj burimore.
Për LDK-në pas Rugovës herë tjetër.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat