PDK-ja hoqi dorë nga rritja e pagave e mbi 80,000 qytetarëve që t’i mbajë pagat e 80 mujsharëve

Opinione

PDK-ja hoqi dorë nga rritja e pagave e mbi 80,000 qytetarëve që t’i mbajë pagat e 80 mujsharëve

Më: 22 dhjetor 2014 Në ora: 14:03

Deputetë të Kuvendit të Kosovës,

Nëse i kujtojmë fjalët e këtyre qeveritarëve në fushatën zgjedhore dhe i krahasojmë me shifrat e tyre për buxhetin, bëhet e qartë se ata karakterizohen përgjithësisht prej premtimeve revolucionare që pasohen me veprime që nuk janë as reformatore. Projektligji për buxhetin 2015 nuk dallon as në orientim e as në përmbajtje nga buxheti për vitin 2014. Ky mosndryshim është pozicionim politik i LDK-së se jo vetëm fjalët e premtimeve por edhe shifrat e shpenzimeve në të kaluarën paskan qenë në rregull. Në anën tjetër, PDK-ja hoqi dorë nga rritja e pagave të qytetarëve ne sektorin publik duke bërë koncesion me të vetmin qëllim që udhëheqja e saj t’i mbajë pagat e veta duke mbetur në qeveri. Pra, PDK-ja hoqi dorë nga rritja e pagave të mbi 80.000 qytetarëve që t’i mbajë pagat e nja 80 mujsharëve.

Kam shumë për të thënë për këtë buxhet që nuk premton gjë por do të fokusohem në tri çështje. E para, energjia. Në buxhetin për vitin 2015, për energjinë janë vetëm 4 pozicione, me ç’rast pjesa dërrmuese i dedikohet më parë pagave dhe mëditjeve të institucioneve si ZRrE-ja, ose për agjencione sesa për ndonjë projekt aktiv. Përpos pagave, mallrave dhe shërbimeve si dhe shpenzimeve komunale, Departamenti i energjetikës do të merret vetëm me efiçiencë. Nga tërë vlera e destinuar për këtë departament 1,460,000 euro ose 21.4% janë destinuar për efiçiencë. Mirëpo, duke marrë parasysh që 4,500,000 euro janë ndarë për kompensim të rasteve sociale shihet se nuk kanë edhe ndonjë punë të madhe, së paku sipas vlerave të angazhuara.

Për vitin 2015 kjo qeveri parasheh 4,500,000 euro për kompensimin e pagesave për rastet sociale të cilat janë vendosur në pikën buxhetore "Importi i Energjisë - Rastet Sociale". Duket se e tërë energjia për rastet sociale do të importohet?! Shtrohet pyetja: Pse është bërë ky kombinim dhe cili është kuptimi i tij?

Më tutje, Departamentit të Energjetikës iu kanë ndarë 200,000 euro si investime kapitale për çështjen e efiçiencës dhe burime të ripërtërishme të energjisë (BRE). Përveç kësaj është edhe një investim prej 1,260,000 euro për implementimin e efiçiencës e që është vazhdim nga viti 2014. Aty thuhet që këto para do të shpenzohen për zbatimin e masave të efiçiencës energjetike nëpër ndërtesat publike, mirëpo nuk është e qartë se për cilat ndërtesa mendohet dhe si erdhën te kjo shifër e caktuar për shpenzimet e nevojshme? P.sh. jepet hollësia për shpenzimin prej 5,000 euro për ujësjellësin në fushën sportive në Dragash, në komunën e Sharrit, por jo edhe hollësitë që e përbëjnë këtë 1,260,000 euro.

Ne kemi vërejtje të madhe që nuk janë inkorporuar edhe:

1. Investimi për projektin e fuzionimit të sistemit energjetik Kosovë-Shqipëri. Cilat do të ishin efektet pozitive nga fuzionimi i tillë?

2. Krijimi i fondit qeveritar për stipendimin e studentëve në vend dhe jashtë në bachelor, master, doktoratura dhe specializime profesionale për Elektroenergjetikë, Rregullim, Automatikë,TI, Makineri, Teknologji, Hidrologji, Xehetari, Mbrojtje të Ambientit, Fizikë, Kimi. Këtu duhet inkuadruar edhe bashkëpunimin shkencor në lëmitë e përmendura e sidomos në trajtimin e thëngjillit.

3. Do të duhej të trajtohet edhe :

* Projekti i vetëdijësimit të popullatës për kursim të energjisë elektrike, drurit, ujit, naftës dhe burimeve tjera energjetike

* Projekti për zgjerimin e ngrohjes qendrore me kogjenerim nëpër tërë Kosovën

* Projekti për zgjerimin e kogjenerimit për ujë të ngrohtë.

Ne raportin e ZRrE-së për vitin 2014 paraqitet një varfërim kadrovik dhe varshmëri e patolerueshme e ZRrE nga qeveria, posaçërisht ne domenin e pagave. Kësisoj, qeveria e ka futur nën zgjedhë dhe e kontrollon ZRrE-në. Pa marrë parasysh që tani ZRrE-ja përbëhet nga marionetat e qeverisë, dhe se nxjerrja e ZRrE-se nga dizgjinat e tyre nuk do të ketë efekte të mëdha, mendoj se dalja e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë nga buxhetimi i qeverisë dhe kthimi në formën fillestare të investimit do të krijojë ca parakushte për pavarësimin dhe heqjen nga vasaliteti i saj ndaj qeverisë. Në pikëpamje financiare kjo do të jetë kalim nga një xhep në tjetrin. Në një anë do të shkarkohet buxheti e në anën tjetër pjesa dërrmuese e obligimeve i bie prapë qytetarëve por në cilësinë e konsumatorit të energjisë elektrike te cilat edhe ashtu krijojnë të hyrat e operatorëve të cilët do të jenë klient të ZRrE-së.

Çështja e dytë që dua të theksoj është buxhetit të Serbisë për serbët në Kosovë e që bëhet përmes strukturave të saj po del të ketë qenë përafërsisht 300,700,000 euro për vitin 2014, ndërkaq nëpër media dhe OJQ serbe llogaritet 350 milionë euro ne vit. Pra, këto janë para që hyjnë në Kosovë. Deri diku e zbërthyer në linja të veçanta ajo është si në vijim:

Zyra për Kosovë: 43 milionë euro

Arsimi: 44 milionë

Shëndetësi: 130 milionë

Komunat: 30 milionë

Kultura: 500,000

Mediet: 450.000

Mbrojtja sociale: 530,000

Refugjatët: 1,2 milion

Qarqet apo rrethet:

* i Kosovës 140,000

* i Pejës 520,000

* i Mitrovicës 120,000

* i Anamoravës 420,000

Pyetja për qeverinë është: kur e ka përpiluar buxhetin 2015 kjo qeveri a e ka pasur parasysh që njëra pakicë është kaq shumë e privilegjuar tashmë? Sepse, kjo qeveri nuk po e kontrollon e as ndalon këtë financim selektiv që e bën shteti armik i Kosovës, Serbia, brenda Kosovës. Pra, meqë nuk e ndalon dhe nuk e kontrollon a e ka së paku parasysh apo po i mbyll sytë? Nëse është kjo e dyta, atëherë qeveria e Kosovës po bashkëpunon me Serbinë në diskriminimin e shqiptarëve dhe të pakicave joserbe në Kosovë.

Çështja e tretë është një krahasim i shkurtër me buxhetin e Shqipërisë në disa fusha. Interesante është rëndësia që kanë Shëndetësia dhe Arsimi ne Buxhetin e Shqipërisë, 12% dhe 15%, krahasuar me Kosovën, 3% dhe 4%. Po ashtu, Ministria e Brendshme shpenzon pjesë të madhe të buxhetit të Kosovës (11%), krahasuar me atë të Shqipërisë (7%), edhe pse në Shqipëri kohët e fundit kemi pasur aksione te mëdha të Ministrisë së Brendshme, si Lazarati, antidroga, etj. Ndërsa në Kosovë policia përdoret vetëm për te shtypur protesta, ose për t’i ruajtur punimet në Parkun cinik të Paqes në urën mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Në buxhetin e Kosovë, krijimi i ministrive me buxhet qesharak (nën 1%) tregon dëshirën për rehatim të individëve nëpër pozita e në pushtet, dhe njëkohësisht tregon se ato para do të përdoren thjesht për rroga të pushtetarëve e jo për ndonjë investim real, pra jo në të mirë të publikut. Ndërkaq, zhvillimi ekonomik dhe industrial, pra, shtylla e punësimit është një ndër sektorët më të lënë pas dore, siç duket nga buxheti i shpërndarë për të apo më mirë të themi, buxheti që mungon për këtë.

Ju faleminderit!/BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat