Fajdetë dhe kamatat e larta, marrin jetërat e njerëzve

Opinione

Fajdetë dhe kamatat e larta, marrin jetërat e njerëzve

Nga: Mr. Adem Lushaj Më: 21 dhjetor 2014 Në ora: 17:05

Marrëveshjet e përfitimit joproprocional, shpesh përfundojnë me kërcënime, shantazhe, tentim vrasje, e jo rrallë edhe me vrasje dhe vetëvrasje. Në Kosovë kontraktimi i përfitimit joproprocional, apo fenomeni i "dhënies së parave me fajde", është gjithnjë e më i shprehur. Sipas Policisë së Kosovës ky biznes ilegal fitimprurës ka shtrirje të gjerë edhe në Rrafshin e Dukagjinit, ndërkohë që sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, në grupacione të tilla janë të përfshirë edhe figura të njohura publike.
Personat, të cilët merren me këtë veprimtari joligjore, janë edhe persona publikë, që njihen nga qytetarët, ndërsa huamarrësit janë më tepër pronarë biznesesh të vogla, që kanë borxhe të mëdha, borxhe që duhen kthyer në afate të shkurtra, apo edhe persona të cilët humbasin sasi të mëdha parash, në lojëra të fatit. Mirëpo, kur këta persona që kanë marrë paratë në huazim me kamatë, (me fajde), e nuk mund të kryejnë obligimet që kanë, ndaj tyre pasojnë kërcënimet, rrahjet, tentimvrasjet, apo edhe vrasjet.
Edhe pse bankat ofrojnë forma të ndryshme kredish, për shkak të procedurave burokratike, të cilave u duhet nënshtruar në rast të tërheqjes së shumave të mëdha, sikurse edhe kamata e rritur për këto shuma, këta qytetarë janë të detyruar të trokasin në dyert e personave, që ofrojnë para të gatshme me kamata, duke marrë përsipër njëkohësisht edhe rrezikun e shumëfishimit të borxhit, që duhet kthyer në afate strikte. Në pamundësi të kryerjes së obligimit fillojnë kërcënimet, presionet e shantazhet, të cilat përfundojnë me konfiskimin e pasurisë, shuarje të biznesit e në mungesë të tyre, me qërim hesapesh, që shpeshherë përfundojnë me tragjedi.
Këtë fakt e pranojnë edhe zyrtarët e policisë të cilët thonë se kanë pasur raste të vrasjeve, pikërisht si pasojë e kontraktimit të përfitimit joproprocional. “Kemi pasur raste, kur huamarrësit në pamundësi të kthimit të borxhit kanë provuar të lëshojnë Kosovën, sikurse që kishte raste të vetëvrasjeve si pasojë e presioneve, shantazheve, kërcënimeve dhe detyrimeve, që kanë marrë viktimat nga personat, të cilët kanë dhënë fajde", tregon një zyrtar policor i cili kërkon të mos publikohet emri i tij.
Raste të tilla kanë ndodhur edhe në Deçan, edhe mu në qendër të këtij qyteti, siç janë rastet e tentim vrasjes, vrasjes dhe vetëvrasjes. Edhe pse kanë ndodhur këto raste fatale për qytetarët, raste të humbjes së jetës, kjo dukuri nuk është në rënie, por vazhdon të përhapët dhe personat fajde marrës dhe fajde dhënës, (nuk) janë të vetëdijshëm edhe për pasojat që mund ti kenë, ata dhe familjet e tyre. Ndaj, është koha që institucionet bankare të mendojnë për këtë fenomen të dëmshëm për shoqërinë tonë dhe të rishikojnë kamatat e kredidhenies dhe të pengojnë tregtinë e paligjshme, që do thotë edhe mbrojtjen e jetëve të njerëzve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat