De Rada - Lartësia madhështore e arbëreshëve

Opinione

De Rada - Lartësia madhështore e arbëreshëve

Nga: Agim Shehu Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 13:43

Po mbyllet dhe ky vit e bashkë me të dhe «Viti i De Radës». Asnjë emërtim tjetër nuk do qe më i saktë e më i denjë për këtë vit se ai i Njeriut të Madh të kombit Shqiptar, gjeniut të penës dhe viganit të mëndjes. Kjo iu vu në 200 vjetorin e ditëlindjes pasi Vepra e Tij ka përjetësinë sipër çdo kohe e brezi. Natyrshëm kur flitet për Të nënkuptohet tërë bota arbëreshe ku De Rada është maja më e lartë e saj. Te jeta dhe vepra e Tij lexohet në madhështinë më të lartë tërë bota arbëreshe ashtu si nga maja e malit më të lartë shihen më qartë vargmali dhe fushnaja mbi të cilat ai qëndron. Ai ka sa fatin edhe nderin që si rrallëkush të mbetet i njënjësuar me kombin e vet, harmonizim i vlerave më të ndritëshme të shqiptarëve. Ai hyri me ndërgjegje vetëflijimi në këtë mision ku, siç thotë vetë «poeti është dhe profet». Është kuptimplotë dhe emocionues gjykimi i tij si amanet për çdo bashkëkombas: «Edhe sikur të më falin botën, nuk u shërbejmë interesave të të huajve në dëm të kombit bij të të cilit jemi.» E më tej plotson: «Njeriu gjatë jetës së tij ndjek origjinën e fisit.» Këtë e motivon me gjykimin tjetër vënë në gojë të Skënderbeut te poema «Gjon Hyniadi» (e thënë kjo si këshillë atdhetarizmi për ne sot): «Nëse rrimë mënjanë, kjo do të thotë se vëndi ynë nuk është yni por i të huajve».

Zgjidhjen e fatit të Shqipërisë ai e kërkon që te rrënjët, te parardhësit pelazgë (në botimin e veprës së plotë ‘akademikët’ trupeshk të shtetit komunist ia hoqën studimin e thellë të tij për rrënjët tona pelazge). De Rada me kohë gjykoi me dhimbje që mungonin të dhëna të plota në historinë tonë, e shprehet megjithatë se duhet vazhduar kërkimi në një vatër tepër të vyer të historisë sonë të lashtë duke dalluar si profet atë që s’e dalloje dot si poet: «Dallojmë një fill të hollë i cili, megjithatë është këputur dhe lidhet ndoshta në një bashkësi të lashtë.» Më tej shton madhërisht: «Në rilindjen e bukur të popullit pelazg, nga të gjitha vëndet ku ndodhej i shpërndarë hidhte lule mbi flamurin e vet.» Flamurin tonë Kuqezi ai e ka në shpirt aq sa, dhe në poemën lirike të rinisë, Milosao me Rinën e krahasojnë njeri tjetrin me «Flamurin e Arbërit.» Kjo i shkon natyrshëm bashkëkombasve të tij fisnikë kur dhe gjykon: «Në botkuptimin e shqiptarëve fisnikëria qëndron në mirësinë, kështu bijtë e fisnikëve thuhet se janë lindur prej të mirëve.»

Ky Njeri kaq i Madh, pasi i kish thirrur kombit të vet dhe tërë historisë se «Erdhi Dita e Arbërit», për vete shiti dhe ca vreshta që kish për të botuar shkrimet e vdiq me një cironkë të thatë peshku në xhep. Ndërsa kur iu hap arkivoli për të fundit, sipër Tij lëvizi me nderim Perëndia: fryu një erë e ia mbushi trupin me lulet e bajames nën të cilën e patën ulur, si për ta mbuluar me pranverë përjetësie.

Duke qënë një arbëresh ai qe në të njejtën kohë një hapsirë Arbërie me përmasa të tilla që arrinte te çdo shqiptar i cili shqetsohej për kombin e vet. Janë brilante mendimi e bukurie letërkëmbimet me Elena Gjikën (Dora D’Istria), « magjistarja e bukur e fjalëve» siç e quanin. Ajo i shkruan që nga larg De Radës si e Madhja të Madhit: «…Dua t’Ju them se në Amerikë e kam marrë Letrën Tuaj, se kam pasur një udhëtim të mrekullueshëm në det, se jam fare mirë me shëndet dhe poeti i madh Longfellou që më ftoi para disa ditësh më premtoi se do të shkruajë së shpejti një poemë për Skënderbeun…» De Rada e vlerëson shumë lart veprën e saj (e kjo hyn në përpjekjet e tij që ‘të lidhë fijet e këputura’ të kombit të shpërndarë.) Me nderim të veçantë për të dy figurat e ndritëshme, Serembe te poezia «Elena Gjikës» shkruan: «Një nga Radanjt po këndon/ emrin tënd o Mbretëreshë…»
La Martini u mrekullua nga bukuria e Milosaos e i shkruan De Radës se «Poezia ka lindur në brigjet tuaja e atje duhet të kthehet.» E Serembe plotson: «Arbëri që prapa detit na kujton/ se na të huaj jemi te ky dhé...» Këtë shqetsim si detyrë atdhetarizmi – rikthim te rrënjët - e vuri në jetë arbëreshi i shquar Terenc Toçi. Më 1911 pasi shetiti kolonitë arbëreshe në Amerikën e Veriut e të Jugut kthehet në Shqipëri. Në Lezhë shpie si të ringjallur për luftën e Lirisë Flamurin e Skënderbeut, përkthen shqip «Shqipëria dhe Shqiptarët» të Vaso Pashës. Pyetjes «Kujt i përket ti» të një reviste Europe i përgjigjet: «Ne, të lindurit në Itali pas një fatkeqësie kombëtare nuk harruam as gjuhën, as traditat, as detyrat kundrejt Atdheut të parë…» (shteti komunist e pushkatoi).
Kanë kaluar 111 vjet që ahere e De Rada na vjen më i madh e më i çmuar, ku mbyllja e një përvjetori ndjell edhe më lart afrimin e përvjetorit tjetër të tij. Na afron po ashtu vlerësimin e madh për botën arbëreshe që lindi këtë gjeni.

Flitet për atë botë shkëputur gjatë shekujve nga trojet amtare si një yllësi e lirë që gjakun e kombit e ruajtën te drita e tyre (autori i këtij shkrimi mblodhi poezitë e shkruara me nderim nga poetë të çdo kohe për arbëreshët e i botoi në vëllimin «METAFORA E MALLIT.») Këto poezi ndoshta rrinë si një degë dafine mbi atë materie tonën, sa tokësore aq dhe gati hyjnore që duke pakësuar kombin dikur, larg tij i rritën hapësirën e emrit. Më tepër se një tërësi, këto janë poezi të zgjedhura të kohëve e brezave të ndryshëm, me nderim të veçantë për ta. Na ndan me ta një blu e ngushtë deti e na lidh një oqean shpirti. Jetuan si heronj në Atdheun e tyre, ikën si dramë dhe ndënjën vitrinë historie, ku kombi tek ata vërteton cilësinë e vet - prejardhje të perëndive pelazgjike.
Kanë shekuj që jetojnë me krenarinë se janë "gjak arbër", e me po aq dhimbje kur atë gjak e shohin aty këtu "të shprishur" nëpër botë! Ata qenë fidanët më vitalë këputur nga trungu i Shqipërisë. Është e natyrërëshme, u nis e iku së pari ajka e trimërisë dhe lulja e bukurisë, materia më jetësore e më e hijëshme e vëndit, që doemos qe në shenjë të parë të hakmarrjes osmane për ato që i kish bërë në luftrat me të. Për këtë, pa pasur udhë tjetër, iku t'i shpëtonte atij. Këtu janë dhe rrënjët e atij vitaliteti aq të ndritshëm të kësaj fare arbëreshe e cila trashëgoi veten kaq gjatë e kaq me dinjitet në "dhè të huaj" si rrallë gen tjetër në botë. U detyrohemi, pra, shumë dhe me këtë libër bëjmë sadopak!
Pothuaj gjithë kohërat ata kombit i dhanë aq shumë dhe kanë marrë aq pak prej tij! Megjithatë kjo nuk ka afruar as mëri në fisnikërinë gjenetike të tyre, as ndërprerje përkushtimi për atdheun e të parëve. Nga humanizmi dhe fisnikëria e genit pelazgo-ilir gjaku i tyre jetoi disi më lirshëm në klimën më të hapur të Europës. Kurse Dheu amë vazhdoi, pambarimisht gjatë dhe me ikjen e tyre, dramën e tij duke i paguar haraç të vazhdueshëm, herë njerit herë tjetrit, nga përplasjet e Lindjes me Perëndimin mbi trupin e tij në mes tyre. Edhe pse dha aq shumë për Europën, atë nuk e lanë as të mendonte si komb-amë dhe për vëllezërit e shpërndarë kudo në botë! E mbyllur brënda darës sllavo - greke ku një dorë të saj e shtrëngonte lindja tjetrën perëndimi mbi trojet e tij, gjithësesi Italia përpara qe ëndëra drejt perëndimit. Jo më kot dhe arbëreshët u derdhën andej, duke ndjekur udhën e diellit. Pas ikjes së tyre Arbëria ndjeu çastin e këputjes në shpirt të një meteori, dhe errësirën menjëherë pas saj. Mëmëdheu mbajti frymën: "Ku po më venë më të mirët"?!
Në çdo frymënarrje të ikjes ata degëzonin një krah shqiponje për të mbetur simbole fluturimi të prejardhjes. Dhe tek iknin këndonin këngë të tilla brilante të tyre: "Mirëmbrëma, Atdheu im/, po nis udhën e mërgimit!/ Nën çatinë e vëndit tim/ mbase më s'do kthehem kurrë/! Pemët e lulet me erë/ do ta vyshkin bukurinë/. Si një zjarr te fshatrat tona/ do ta kem mallin te gjiri/! Në një tjetër thonin me lot brënda këngës: "O ju malet tona plot lisa e pyje/, o çaire mbuluar gëmusha/, ti burim i bukur, moj luginë e hijëshme/, tani po ju lemë/ pa lënë dot kandilin përmbi varrin tuaj/! Kur lundrat u nisën dhe malet na humbën që nga sytë tanë/, gjithë luftëtarët psherëtinë thellë/ e gratë mallkonin - "O det, o lubi/, hapu e gëlltitna në gji!.." Ata ikën që vëndlindjes për të cilën vdisnin në luftë t'i pakësonin vdekjet, të bindur se do të riktheheshin një ditë për t'i prurë fitoren Atdheut, për të rifituar dhe veten e "humbur" përkohësisht larg tij.
Bashkësia e arbëreshëve duke qënë bijë shumë e çmuar e kombit, jo në pak drejtime është ngritur si mësuese e tij me aq shumë figura të ndritura që ka dhënë. Askund më mirë se te arbëreshët nuk pohohet thënia e lashtë se "Atdheu është i dashur jo se është i madh por se është yni"! Se "Atdheu bën pa çdo njerin nga ne, po asnjë nga ne nuk bën dot pa Atdheun"! Në ballin e arbëreshëve ndjehet adhurueshëm e përligjur thënia monumentale e Naimit: "Ti, Shqipëri më ep nderë..." Ndaj në çdo lindje fëmie të parë, emri të cilin ia vinin rotull për ta pagëzuar, i pari qe ai i Gjergj Kastriotit. Për të mos iu tharë kurrë degët gjenetikë, ata u zgjatën në kohë dhe u lidhën në rrënjët e origjinës, gjer te pellazgët. Kështu larg vëndit ngrinin sytë me mall të shihnin diku Skënderbeun për të mos e ndarë nga kujtesa. Nga vështrimi i tyre në ato lartësi lindën një De Radë e një Serembe, një Klement Albani, Garibaldi e Francesko Krispi, një Kamardë,Varibobë, Darë e Santori, një Dorsa, Skiro e Petrotta, At Belushi e Jozef Dioguardi, një Altimari. E, ndërthurur ndër ta, vetëtimat mes ylberësh, Axhezilao Milano, Mauro, Bandjera (Flamuri), Terenc Toçi...Diaspora e arbëreshëve në Itali dha për pesë shekuj treguesin më të madhërishëm të vitalitetit shqiptar. Ata, nga rastësia e kthyen në dëshmi se një akt të tillë mund ta bëjë vetëm një komb tek i cili jeton në një lashtësia me fisnikërinë, se e kaluara ushqen të ardhmen dhe e nesërmja nderon të djeshmen si prindi me fëmijën që i ngjan.
Për këta poetë shqiptarë të kësaj Antologjie që botojmë, me sa duket ndjeshmëria kombëtare do të qe e mangët nëse hapsira e motiveve të tyre një dritare nuk do ta kishte të hapur nga dritësia arbëreshe. Pa asnjë ftesë, pa asnjë lutje veç me zërin e gjakut! Kur kujton arbëreshët ke prekur diçka nga shpirti i të parëve. Tek ata ndoshta prekim pjesën më të bukur të shpirtit tonë shqiptar. Nëse imazhi i tyre na vjen si reze e ndritëshme, te poezia e tij çdo poet yni atë reze e ka hapur në spektër me ngjyrat e shpirtit të vet shqiptar.
Me këtë Antologji mendojmë se i shtojmë ca gërma drite kësaj pavdekësie.
Është vëndi ta pohojmë se te arbërshët e Italisë ne u bëjmë një rilexim të përbashkët fqinjëve që na rrethojnë, krahasuar me njeri tjetrin për qëndrimin e secilit ndaj shqiptarëve në shtetin e tyre. Sllavët në veri e grekët në jug, me një shovenizëm të zyrtarizuar zbatojnë tërë kohrat strategjinë e çdukjes së çdo gjurme shqiptare, me genocid të hapur apo pabesi asimilimi. Në të kundërt, arbëreshët në Itali edhe duke mos qënë aty në trojet e veta etnike e disi shkëputur nga toka amë, në tërësi u lejuan të rronin të lirë kaq gjatë në etninë e vet. Kjo është së pari dëshmi e fisnikërisë së popullit italian i cili rri i ngritur para kombit shqiptar si mik i ndershëm human dhe aleat i besueshëm. Kjo ndërgjegje njerëzore e popullit fqinj tejdetit, karshi shqiptarëve ka dëshmi të vazhdueshme në histori. Ajo superon dhe çdo lakmi e kapërcim prej pushtuesi tek tjetri që herë pas here na kanë bërë sunduesit. Duke qënë e keqe e të dy popujve, edhe popullit të tyre nuk iu bënë ndërgjegje shovene as nuk e helmuan gjatë kundër tjetrit. Arbëreshët ruajtën dhe zërin e tyre sa prej njeriu aq dhe prej Prometeu.
Pa hyjnizuar gjithëçka kur ende pengesat e djeshme me recidive të sotme i dinë më mirë të zotët, arbëreshët mbetën në fytyrën e vet të origjinës sepse këtë e ndjenin edhe brënda popullit të mirë fqinj ku kishin shkuar. Është e bukur e tepër domethënëse një letër arbëreshësh që tregon vajtjen e tyre në Itali e që ua dërgojnë njerëzve pas, në vëndlindje, që nga Specano Albaneze, 3 shtator 1860: "E dashura nënë, hoqëm shumë por gjetëm një shpërblim shumë të dashur...u pritëm nga një familje shumë e përzemërt, shumë e hijëshme. Thjeshtësia plot dashuri e saj nuk shprehet dot! Ne hymë kur sa kishin filluar të hanin darkë. U ngritën. Na afruan te tryeza dy karrike të tjera e nisën të ndanin me ne darkën, si të kishin takuar vëllezërit e një kohe të gjatë!.." Gjetkë përshtypjet jepen me një baladë popullore: "Ecim nga perëndimi/ drejt trojeve latine/; gratë e të huajve/ afrohen të na njohin /dhe zëmrën po ua mbushte/ një dashuri e fshehtë / dhe sytë ua njomte/ një lot i bukur shumë..."
Studjuesja Katerina Prigorni vlerëson: «Njerëz të përzemërt, me mikpritje si në lashtësi, pa nënkuptime e hilera, krenarë sidomos për prejardhjen historike.» Më tej N. Leoni shkruan: «Njerëz disi të ashpër si nga vëndi prej të cilit kanë ikur, me zjarrmi në fytyrën e tyre. Nga qepallat u del një dritësi e pandarë nga një melankoli e ëmbël, shënja kujtimi të një madhështie të lashtë të humbur.» E më poshtë: «Pak ose aspak të ngjashëm me mikpritësit, kanë mënçuri e zakone krejt të ndryshme. Krenarë nga shpirti, të patronditur nga ngjarjet e fatit…Ruajnë ende në shpirt kujtimin e përjetshëm të mundimeve që kanë hequr e kujtojnë vazhdimisht atdheun e humbur, trimërinë e lashtë të stërgjyshëve të tyre.»
Nga raca që binin dhe nga bëmat që treguan më pas tok me popullin vëndas arbëreshët e merituan atë mikpritje për virtytet, për trimërinë, për mëndjen e veçantë. Për tërë ato që bënë në ballë të luftrave për liri si të qenë në atdheun e tyre! Mjafton të përmëndim disa vlerësime për ta. Studjuesi Francisko Pal shkruan: "Shqipëria u bë në këtë periudhë të gjatë pengesë e vërtetë që ndalonte marshimin pushtues osman gjatë bregut lindor të Adriatikut, drejt Italisë, drejt Perëndimit". Kronisti Bukja shënon: "Malet e Himarës e të Vlorës qenë shkaku kryesor që shpëtoi Pulja dhe ajo mbretëri e Napolit nga rënimi shumë i madh dhe zjarri që u rrinte mbi kokë". P. Kupitori thotë: "Qenë arbëreshët që me 20 anije pajisur me topa kaluan heroin e popullit italian, Garibaldin, në fshehtësi nga Sicilia në Kalabri". Garibaldi nga ana e tij shkruan në kujtimet: "Hodha në sulm trimat kalabrezë të Paçes. Luftuan shkëlqyeshëm. Shqiptarët janë heronj dalluar në gjithë luftrat kundër tiranisë". Më tej i thotë kapedanit të arbëreshëve: "Këta shqiptarët tuaj janë luanë"! Kurse qeveria italiane e kohës dha mesazhin: "Bijtë trima të Epirit (Shqipërisë), pasardhësit e Skënderbeut, Marko Boçarit do shënojnë në mermer ditën kur patën nderin t'i shfaqin atë dëshmi dashurie çlirimtarit të Sicilisë dhe Napolit". De Rada më 14 qershor 1848 thërriste me zërin e poetit dhe flamurtarit të lirisë: "Kalabria është zgjuar e po ulërin si luaneshë. Kryengritja po bëhet me rregull të adhurueshëm. Me doemos do fitojmë pasi duam që të fitojmë"! Gazeta "Pararoja e Kozencës" më 28 shkurt 1897 shkruan vlerësimin adhurues të vëndasve: "Bijtë e këtyre kolonive të cilët jemi mësuar t'i duam për moralin e tyre krenar, për zgjuarësinë e tyre të hollë kanë luftuar bashkë me ne. Historia e Rilindjes italiane ka shkruar me gërma të pashlyeshme emrin e italo-shqiptarëve në faqet e viteve 1848 e 1860". Për shqiptarët arbëreshë kthyer fitimtarë, publicisti K. Pepe thotë: "Qe pamje për t'u admiruar thellë të sodisje ata trima që parakalonin madhërisht nëpër rrugët e Kozencës ato ditë të shënuara të lavdisë së saj".
E tillë, dashuria dhe afrimi me Italinë është harmoni historike kur fqinji ta di vlerën dhe ta çmon ndihmën që i ke dhënë edhe ti, pa përzier brënda këtij afrimi re ligësie e pabesie, si të tjerët rrotull Shqipërisë! Arbëreshët tanë mbeten urë e vërtetë për këtë fqinjësi të ndershme.
Edhe pas mbi 5 shekuj largimi, ata mbeten te dëshira e pashuar që degët të mos ndahen nga rrënjët. Këtë mall mbetur shpesh si ëndër e shprehin me ritin që fëmisës kur lind, fytyrën së pari ia kthejnë nga lindja, andej nga është Atdheu i të parëve që të mos e harrojnë. Por fatkeqësisht shpesh ‘mëma’ ka treguar mospërfilljen e njerkës edhe në vitet e ‘demokracisë’ (për arsye nga më të ndryshmet). Për këtë është kuptimplote sa dhe tronditëse thirrja drejtuar Atdheut-rrënjë nga figura e shquar arbëreshe At Anton Belushi: «Unë të thërres, Atdhe/ po ti më harrove edhe sot/ që je komb i pavarur e i lirë/. Unë të kërkoj, Mëmë-dhé/ po mollëzat e tua purpur/ i ke të zbrazëta vetëm për mua/…Mëmë…Atdhe, ku je!..»
Si bashkëkombas të pandarë ne e dëgjojmë me dashuri të thellë e po aq emocionues këngën-vajtim për dramën e tyre të arbëreshëve «Moj e bukura More…» Janë fjalë të derdhura me fije shpirti e të qëndisura me pika loti të tërë brezave të tyre. Sigurisht dhe tonat. Këtu do zgjatnim dhe një shtesë që e kërkon ngutshëm koha dhe fati i kombit ku arbëreshët kanë pjesën e tyre. Ata kryesisht janë nga Jugu, nga krahina e Labërisë që quhej Arbëri apo Himarë (siç e thotë dhe Çabej.) Veprat e De Radës jo pak herë vendosen në Himarë, te rrënjët e tyre. Vëndemri ‘Skutari’ i Milosaos (që studjues injorantë apo grekomanët e vendosin në Shkodër) është toponim në Himarë. Poemën De Rada ia kushton mikut të tij himariot Dhimitër Leka, komandant i regjimentit mbretëror të Napolit.
Këtë Himarë mëse shqiptaro-arbërore po e ‘sulmon’ gjer zyrtarisht gjarpëri grek si pjesë të saj, e drejt saj po zgjatin thonjtë shoveno-ortodoksë. Në Amerikë vepron Shoqata himariote greke duke shpallur: «Të përparojmë me çdo mjet, ruajtjen e statusit unik të Himarës si bastion i helenizmit dhe ortodoksisë e cila ka shpëtuar përmes shekujve…»
Në këtë gjëndje si heshtin drejtuesit e botës arbëreshe në Itali për vëndlindjen e kaluar të tyre ? Çvlerë të vërtetë kombëtare kanë tingujt, sado emocionalë «O e bukura More/ që kur të lashë më nuk të pashë…» kur sot koha u kërkon edhe këngën tjetër brënda kohe bie fjala: «O e bukura Himarë/, që kur të lashë, kush të ka marrë?!..» Dikur arbëreshë të shquar si Nilo Katalano me shokë, pa pyetur kërcënimet e klerit grek venin në Himarën e të parëve si misionarë të gjuhës dhe shkollës shqipe. Ç’i pengon krerët arbëreshë që, siç i këshillon De Rada, ‘të lidhin fijet e këputura’ në rrugët më të ndryshme të lidhjeve vëllazërore, që me dinjitetin e tyre të shquar atdhetar t’u japin edhe më tej një mësim të mirë shtetarëve e politikëve grekomanë të Shqipërisë zyrtare?! Ahere dhe kënga «…që kur të lashë më nuk të pashë…» do marrë tingull e shkëlqim të gjallë përjetësie me tingull të vërtetë kombëtar, në amanetin e De Radës së Madh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat