Fjalimi vjetor i Presidentes së Republikës së Kosovës në Kuvendin e Kosovës

Opinione

Fjalimi vjetor i Presidentes së Republikës së Kosovës në Kuvendin e Kosovës

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 12:12

I nderuar Kabinet qeveritar,
Të nderuar deputetë,
Ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,
Kam kënaqësinë të jem sot para jush për të përmbledhur të arriturat dhe sfidat që i kaluam si shoqëri dhe si shtet gjatë këtij viti që po e lëmë pas. Vij para jush jo thjesht për të përmbushur një obligim kushtetues, por e bindur më shumë se kurrë se demokracia jonë e brishtë do të forcohet vetëm me anë të besimit të fortë në institucionet që janë të mandatuara për të qeverisur me Kosovën;
Përmes përgjegjësisë dhe respektimit të plotë të mandateve kushtetuese të institucioneve, përfshirë edhe autonominë e tyre;
Të frymëzuar edhe nga aspirata e përfshirë në Kushtetutën tonë, për të krijuar një vend të qytetarëve të barabartë, me mundësi të barabarta për të sendërtuar potencialin e tyre dhe për të arritur mirëqenien në Republikën e Kosovës;
Dhe me përkushtimin e sinqertë ndaj vlerave që i kemi vënë në themelet e shtetit tonë, të atdhedashurisë në rend të parë, pa të cilën ne nuk do të arrijmë ta përmbyllim shtetformimin tonë.
Zhvillimet politike të gjysmës së fundit të këtij viti na kanë dëshmuar se ende mbesim larg realizimit të këtij vizioni për shtetin tonë dhe larg realizimit të synimeve tona të përbashkëta.
Në zgjedhjet e përgjithshme, të cilat u mbajtën në qershor, qytetarët e Republikës së Kosovës treguan shkallë të lartë të pjekurisë. Qytetarët iu përgjigjën ftesës për të kryer me përgjegjësi obligimin qytetar, për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në këtë Kuvend dhe për të na e besuar vendimmarrjen në emrin e tyre. Qytetarët e Kosovës, me maturinë e tyre, zhvilluan një proces të mirë zgjedhor, pa incidente dhe për herë të parë me gjithëpërfshirje etnike në tërë territorin e Kosovës, duke i dhënë besimin një procesi demokratik dhe duke e përforcuar bindjen e tyre se përmes votës i besojnë ndërtimit të një shteti, i cili i merr parasysh nevojat dhe dëshirat e tyre, për një udhëheqje që e sheh përfaqësimin dhe qeverisjen si përgjegjësi.
Në periudhën gjashtëmujore, e cila e përcolli këtë proces demokratik, ne zbuluam të metat e demokracisë tonë të re, sikur që identifikuam paqartësitë dhe mangësitë e një Kushtetute të aprovuar, por të paprovuar në jetë tonë politike. Por, nuk ishte vetëm procesi demokratik dhe Kushtetuta që i testuam me këtë rast.
Në ndërtimin e institucioneve dhe bllokada politike që e përshkoi procesin e konstituimit të këtij Kuvendi dhe të kësaj qeverie, u detyrova shpesh të bëj thirrje për të lënë anash interesat e ngushta individuale dhe partiake, armiqësitë që ishin më shumë personale sesa konceptuale.
Ishte rol i vështirë në një situatë të nderë, të polarizimit të skajshëm të skenës politike, plot tension dhe acarim. Por nuk kishte alternativë tjetër, sepse 4 vjet më parë, në këtë institucion të shenjtë, u betova se do të isha faktor i unitetit në Republikën e Kosovës, se do ta vendosja kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë mbi agjendat e politikës ditore. Në anën tjetër, unë kisha besim te një klasë politike, e cila ishte bashkuar sa herë që kishte rënë ora vendimtare për ta bërë Kosovën. Dhe se nuk do të vihej në pikëpyetje besueshmëria ndaj institucioneve që i krijuam vetë.
Humbëm shumë kohë të çmuar për t’i shtyrë përpara reformat aq të domosdoshme, që do ta bëjnë Kosovën shtet të sundimit të ligjit dhe vend të prosperitetit. Për të zhvilluar ekonominë, dhe jo për ta përgjysmuar rritjen tonë ekonomike, edhe ashtu të pamjaftueshme për t’i bërë ballë papunësisë dhe zhvillimit të përgjithshëm të Kosovës.
Këta gjashtë muaj, përpos që vumë në sprovë institucionet dhe Kushtetutën e Kosovës, këtë dokument bazë që i vë themelet e shtetit tonë dhe vlerat mbi të cilat i ndërtojmë këto themele, ne testuam rëndë edhe durimin e qytetarëve tanë. I sollëm ata pranë apatisë, që e sfidoi rëndë vullnetin tonë të përbashkët për t’u mobilizuar dhe për t’ia dhënë shtytjen e fundit konsolidimit të Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, këtë ëndërr për të cilën aq shumë sakrifikuam. Ua lëkundëm besimin qytetarëve të Kosovës se mund ta bëjmë shtetin dhe ua zbehëm ambicien për t’u bërë zot i vetes.
Derisa numëroj pasojat e krizës gjashtëmujore, të cilat u bënë të prekshme për të gjithë, përfshirë këtu edhe paralizën e agjencive të pavarura, duke rrezikuar kështu edhe funksionimin tonë si shtet, dua të besoj se nga kjo pikë e errët e historisë më të re të Kosovës, dolëm më të ndërgjegjësuar për pasojat e mëdha të veprimeve tona, të cilat padrejtësisht bien mbi qytetarin e Republikës së Kosovës.
Dolëm nga kjo situatë më të vetëdijshëm për mungesat dhe paqartësitë e sistemit tonë – të partive politike, të procesit tonë elektoral, të Kushtetutës, dhe dolëm më të fuqishëm për t’u përballur me reformat e domosdoshme, të cilat do të na sigurojnë funksionimin e institucioneve dhe zhvillimin e proceseve, që garantojnë barazinë e qytetarëve tanë para ligjit. Dhe uroj të kemi dalë të vetëdijshëm, se përgjegjësia bie mbi ne – dhe jo mbi faktorin ndërkombëtar – për të gjetur zgjidhje për problemet dhe dështimet tona.
Ky ndërgjegjësim i përgjithshëm politik dhe qytetar është e domosdoshme të na shërbejë për një qëllim të vetëm – pa humbur kohë ta rimëkëmbim besimin e qytetarit të Kosovës në shtetin e vet, në Republikën e Kosovës. Institucionet i kemi të konsoliduara, proceset janë të qarta. Tani na duhet një elan i ri, politik dhe praktik, për të implementuar zotimet e bërjes së shtetit.
Para nesh kemi shumë sfida institucionale dhe duhet të përmbushim shumë pritje qoftë të qytetarëve të Kosovës, apo të partnerëve tanë ndërkombëtarë, të cilët i kemi pasur pranë në çdo hap të shtetndërtimit tonë. Unë jam e bindur se ne nuk do ta zhgënjejmë asnjërën palë dhe se çdo ditë do të bëjmë ç’është e mundur t’i tejkalojmë dobësitë dhe të metat tona.
Nuk duhet të kërkojmë rrugën më të shkurtër. Pa humbur kohë, duhet t’i përmbushim obligimet tona. Vetëm atëherë do t’i kemi argumentet e qëndrueshme, që në qendrat vendimmarrëse ta shtyjmë përpara vizionin dhe agjendën e vetme që sot na bashkon të gjithëve – atë të krijimit të shtetit të qëndrueshëm dhe funksional për integrime euroatlantike.
Detyrat tona janë konkrete dhe të matshme. Edhe hapat për realizimin e tyre duhet të jenë po aq konkretë dhe të matshëm, sikur që e tillë duhet të jetë edhe përgjegjësia për përmbushjen e tyre, deri në instalimin e një kulturë institucionale të transparencës dhe përgjegjësisë, e cila nuk toleron neglizhencë, që përjashton nepotizmin e klientelizmin dhe që shpërblen profesionalizmin.
Deri në këtë pikë e kemi fajësuar tranzicionin dhe kaosin e pashmangshëm, që e përcjell një luftë dhe një shoqëri pas lufte. Që tani, e them sërish, detyrat tona janë konkrete dhe të matshme dhe pres nga ju një shkëputje nga praktikat e kaluara.
Skenat e të rinjve të papunë, që bredhin shesheve të qyteteve tona, qytete këto që gradualisht rrezikojnë të shndërrohen në qytete-fantazmë, apo skenat e radhëve të gjata për të blerë bileta njëdrejtimëshe drejt adresave fiktive dhe të paqena të shpëtimit, duhet të na e trazojnë shpirtin, të na lënë pa gjumë. Është përgjegjësi e jona të përballemi dhe të kërkojmë zgjidhje për nevojat e qytetarëve tanë.
Ne bartim përgjegjësi për ëndrrat e parealizuara dhe zhgënjimin e qytetarëve me shtetin e Kosovës.
Po aq sa është përgjegjësi dhe obligim yni që të sigurojmë mirëqenien e qytetarëve tanë, po aq është edhe përgjegjësi për të parandaluar veprimet e atyre që po provojnë të përfitojnë në kurriz të qytetarëve, përmes rrugëve ilegale, që i çojnë ata drejt një të ardhme të pasigurt.
Prioritet për qytetarin e Kosovës mbetet zvogëlimi i papunësisë dhe zhvillimi ekonomik, që do të sigurojë jetë më të dinjitetshme, një përmirësim të qëndrueshëm të standardit jetësor, i cili lë ende shumë për t’u dëshiruar.
Lehtësimi i konkurrencës së lirë dhe zhbërja e karteleve dhe monopoleve, mundësojnë rritje të qëndrueshme e gjithëpërfshirëse ekonomike, të mbështetur te frytet e iniciativës së lirë, të inovacionit dhe të hulumtimit e zhvillimit.

Nëse duam një shoqëri të lirë - e ky sigurisht se vazhdon të mbetet synim i yni kryesor - ne duhet të nxisim konkurrencën e lirë dhe të pamundësojmë koncentrimin e pushtetit në duar të një pakice, e cila pastaj keqpërdor sistemin, për t'ju siguruar favore të padrejta individëve dhe grupeve të caktuara të interesit. Kjo nuk është ekonomi e lirë e tregut, por ekonomi e elitave të vetëquajtura, që shndërrohen në pengesë të zhvillimit tonë të gjithmbarshëm.

Një shoqëri e lirë dhe demokratike, e bazuar në kushte të tregut dhe konkurrencës së lirë, nuk mund të ekzistojë e shkëputur nga ligji. Këtu barra e përgjegjësisë bie para së gjithash mbi institucionet politike dhe ekonomike, të cilat duhet të bëjnë punën e tyre, të krijojnë mekanizma nxitës e mbështetës për ekonominë, dhe, para së gjithash, të kujdesen për zbatimin e ligjit dhe krijimin e parakushteve për zhvillim gjithëpërfshirës ekonomik.

Politika duhet të jetë lehtësuese e zhvillimit dhe jo pengesë e tij.
Problemi i papunësisë zgjidhet me përkushtim serioz në të gjitha nivelet. Ne si shoqëri me potenciale të mëdha njerëzore e natyrore, duhet të ndërtojmë një vizion të qartë ekonomik, që duhet të jetë vizion gjithëpërfshirës, që definon rrugët dhe mënyrat për një zhvillim të mirëfilltë ekonomik, pjesë e të cilit duhet të jetë secili qytetar i Kosovës.

Për këtë duhet të kemi guxim për reforma strukturore. Duhet të gjejmë rrugët për të aktivizuar kapacitetet tona, qofshin ato prodhuese, apo shërbyese, në radhë të parë duke aktivizuar kapacitetet njerëzore të cilat ne i kemi.
Duhet adresojmë 52 rekomandimet e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, që janë një pjesë ende e papërmbushur e kërkesave të përgjithshme që u janë parashtruar institucioneve të Kosovës. Është e pakuptimtë që Kosova të jetë vendi më i izoluar në Evropë dhe lëvizja e qytetarëve të saj sot të mbetet peng i një sërë detajesh – për shembull të zbatimin e ligjit për financimin e partive politike, pajisjen me internet nëpër pikat kufitare, e deri te emërimet në Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës – që lehtë mund të përmbushen.
Në ditët dhe javët në vijim, përmbushja e këtyre kritereve dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, duhet të jetë prioritet i tërë angazhimit tonë, i secilit prej jush, i të gjitha institucioneve. Për një koordinim sa më efikas ndërinstitucional, do ta vënë në dispozicion Këshillin për Integrime Evropiane, një trup tashmë të dëshmuar për arritjen e domosdoshme të konsensusit shoqëror dhe institucionale për agjendën tonë evropiane. Unë jam e bindur që përmbushja e këtyre kritere jo vetëm që do t’iu mundësoj lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës, por do të përmirësojë efikasitetin e sistemit të cilin e kemi ndërtuar që një dekadë e gjysmë.
Në disa fusha ne tashmë kemi arritje, të cilat na rendisin përkrah aleatëve tanë në mbrojtjen e pakompromis të sigurisë tonë kombëtare. Nga kjo foltore, para një viti, kam paralajmëruar rrezikun që përbën ekstremizmi i dhunshëm për sigurinë e Kosovës. Kemi vepruar pa hezitim, sepse Kosova kurrë nuk do të bëhet vatër e ekstremizmit dhe strehë e terroristëve. Janë marrë masat që pengojnë aktivitetet terroriste, të cilat rrezikojnë sigurinë e qytetarëve të Kosovës dhe do të vazhdojmë të jemi të përkushtuar që Kosova të mos bëhet çerdhe e këtyre forcave të errëta regresive të cilat po tentojnë t’i lëshojnë rrënjët në shtetin e Kosovës.

Për t’u siguruar se i qëndrojmë besnik shtetit laik dhe lirisë fetare si e drejtë fundamentale e njeriut, ne na duhet një bashkëpunim me komunitetet fetare për një rregullim të mirëfilltë të veprimtarisë së tyre.

Të nderuar deputetë,

Agjenda jonë evropiane lidhet ngushtë me dy procese të tjera të brendshme që janë po aq të rëndësishme për qëndrueshmërinë tonë si shtet – rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe integrimin e komuniteteve pakicë në jetën institucionale dhe shoqërore të Republikës së Kosovës.
Të dy këto procese janë të lidhur me reforma të thella, të gjithmbarshme në shoqërinë tonë – reforma në shëndetësi, reforma në arsim, reforma në sistemin e drejtësisë. Sot kemi një prokurim publik jotransparent. Ngritja e numrit të gjykatësve dhe prokurorëve nuk është përkthyer në efikasitet të ndjekjes penale dhe gjykimit të rasteve. Janë mbi 2,000 lëndë që për vite me radhë qëndrojnë në sirtarët e organeve tona të drejtësisë. Një gjendje e tillë është e papranueshme, siç është e papranueshme ndërhyrja në autonominë e institucioneve të arsimit të lartë dhe të gjyqësisë, të cilat duhet të jenë shtyllat që rigjenerojnë vlerat tona dhe garantojnë përmirësimin dhe rimëkëmbjen e sistemit tonë.
Kur jemi betuar se Kosovën do ta bëjmë vend të gjithë qytetarëve të saj, ne kemi marrë përsipër t’i integrojmë të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Ua kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit edhe atyre që na kanë parë me dyshim. Në këto shtatë vjet, ne kemi dëshmuar aftësinë tonë që t’u qëndrojmë besnikë vlerave të cilat janë themeli i shtetit tonë dhe kemi dëshmuar vendosmërinë tonë që të punojmë bashkë me fqinjët tanë për të tejkaluar pengesat e bashkëpunimit.
Për ne, këto procese janë të pakthyeshme. Kemi luftuar shumë për lirinë dhe të drejtat tona - përfshirë këtu edhe liritë më bazike si liria e fjalës apo e drejta për jetë - dhe tani nuk mund të heqim dorë nga këto vlera, apo të tjerëve t’ua mohojmë ato.
Në këtë shtet të përbashkët, zgjidhjet do të jenë të përbashkëta, pa imponime dhe pa shtrëngim – zgjidhje që ruajnë rendin kushtetues dhe parimin e gjithëpërfshirjes.
Ovo je vreme integracija! Kada svi mi ravnopravni gradjani zajednicke zemlje tezzimo ka boljoj buduccnosti, integrisani u socialnom i institucinalnom zivotu Kosova. Ovo je vreme kada svi mi trebamo gledati interes nasih gradjana, unutar zajedniccke drzzave, koja tezzi integrisanje u Evropskoj Zajednici.
Kosova duhet të qëndrojë stoike edhe përballë sprovës së radhës që ndërlidhet me të kaluarën tonë të dhimbshme. Kuvendi i Kosovës ka mbështetur krijimin e Gjykatës Speciale, e cila do t’i adresojë akuzat për krime lufte që dalin nga raporti i Këshillit të Evropës të vitit 2010 dhe duhet sa më shpejt të përmbushë obligimin e vet për themelimin e saj si dëshmi që jemi shtet i ndërtuar mbi parimin e drejtësisë për të gjithë.
Krijimi i Gjykatës Speciale reflekton përcaktimin tonë për një proces të pavarur dhe të paanshëm që me kredibilitet i shqyrton këto akuza një herë e përgjithmonë. Kjo gjykatë do të merret me raste individuale dhe assesi nuk do të jetë një denoncim i betejës tonë të përbashkët dhe të shenjtë për liri dhe pavarësi.
E kemi për obligim që të bëjmë çmos që t’i kthejmë në tokën e Kosovës, pranë familjeve të tyre, mbi 1,600 qytetarë tanë të zhdukur që nga përfundimi i luftës. Kthimi i tyre nuk duhet të jetë subjekt i negociatave, por një detyrim shtetëror i qeverisë së Republikës së Serbisë dhe prioritet për ne që mos t’i lëmë këto krime në harresë, por të kërkojmë drejtësi për to. Që të mos lëmë derë pa trokitur në përpjekje për të qetësuar shpirtin e familjeve që janë në pritje të më të dashurve të tyre tash e 15 vjet.

Plagët e luftës kanë mbetur të hapura edhe për viktimat e dhunimeve. Dua të falënderoj legjislaturën e kaluar që këto viktima të kësaj torture i bëri kategori ligjore duke i inkuadruar në ligjin për viktimat e luftës. Siç e dini, në kuadër të Këshillit për rehabilitimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, është bërë një punë e madhe për të adresuar nevojat e kësaj kategorie përmes legjislacionit të nevojshëm, rehabilitimit shëndetësor, fuqizimit ekonomik dhe luftimit të stigmës. Kemi akoma punë për të bërë andaj nga qeveria e re dhe nga ju deputetë të nderuar pres që të vazhdojmë bashkëpunimin dhe trajtimin e dinjitetshëm të këtyre të mbijetuarve. Liria jonë nuk do të jetë e plotë pa lirinë e tyre.

Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Vendosmëria jonë drejt qëllimit përfundimtar është e palëkundur. Ndërsa shumë njerëz përgjatë dekadës së fundit në Evropë diskutojnë rreth qëndrueshmërisë së politikës së zgjerimit, Ballkani Perëndimor ka qenë i unifikuar në aspiratën për anëtarësim në BE, si agjenda e vetme që na bashkon të gjithëve.
Rajoni ynë shpeshherë u ka rezistuar ndryshimeve pozitive, por perspektiva drejtë BE-së është dëshmuar të jetë mjet efikas i transformimit të Ballkanit. Dhe unë besoj se ndodhemi në një çast delikat të ambicies dhe perspektivës evropiane. Ne si shtet, por edhe rajoni, sikundër edhe vetë BE-ja duhet ta avancojnë këtë perspektivë, si garanci e vetme e progresit të arritur dhe dëshmi e qëndrueshme se ne tashmë kemi mësuar nga e kaluara.
Institucionet e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuara për një dialog cilësor me Republikën e Serbisë, për të normalizuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe popujve tanë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Ne duhet ta zëmë vendin tonë të merituar në tryezat rajonale dhe globale, dhe në këtë vit që po e lëmë pas sukseset tona kanë qenë të pamohueshme. Duhet të vazhdojmë ta forcojmë subjektivitetin tonë në raport me fqinjët tanë dhe t’i normalizojmë marrëdhëniet të cilat po e mbajnë peng rajonin dhe mirëqenien e qytetarëve tanë.
Është me prioritet që çështjeve që i kemi trashëguar nga lufta e fundit t’iu gjejmë zgjidhje dhe qasja ime ndaj këtyre prioriteteve është pragmatike. Simbolika është e rëndësishme, por unë i jap prioritet zgjidhjeve dhe ecjes përpara.
Jam e sigurt në shtetësinë e Kosovës, në qëndrueshmërinë e kësaj shtetësie dhe nuk duhet t’i trembemi kurrë ballafaqimit me Beogradin. Përfaqësojmë vendosmërinë e më shumë se 2 milionë qytetarëve të vendit tonë, të cilët janë përcaktuar për Kosovën shtet dhe e kanë ndërtuar këtë shtet me shumë mund e sakrificë, për të qenë ajo shtëpi e të gjithëve.
Të nderuar deputetë,
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Është koha e fundit që vizionin tonë për Kosovën, i cili buron nga bindja dhe përpjekja e qytetarit tonë për të jetuar i lirë dhe me dinjitet, ta bëjmë të prekshëm për të gjithë qytetarët, pavarësisht orientimit partiak, përkatësisë etnike, fetare apo gjinore.
Kosova është e qytetarëve të saj, të cilët çdo herë i kanë dalë zot tokës së tyre, pavarësisht çmimit që është dashur të paguajnë dhe sakrificës që është dashur ta bëjnë, pa kërkuar dëmshpërblim dhe pa kërkuar t’u njihet sakrifica. Nga qytetarët e Kosovës kërkoj më shumë durim dhe angazhim për të na mbajtur përgjegjës për obligimet që i kemi marrë përsipër.
Në themelin e shtetit tonë e kemi një histori shumë domethënëse të bërjes së shtetit - kemi sakrificën individuale dhe kolektive për jetë më të mirë. Asnjë episod i kësaj shtetbërjeje nuk na lejon as më të voglin dyshim se ne nuk mund t’ia dalim. Mjafton të shikojmë për një çast Majlindën, e cila sot qëndron si një epitomë e pakontestuar e rrugëtimit tonë. Deri dje ajo e kishte të paqartë garën në lojëra olimpike, ndërsa që nga sot në Rio ajo e ka pothuajse të garantuar medaljen e artë.

Ju faleminderit!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat