Fatmir Lamaj: Përse duhet të hapen dosjet?

Opinione

Fatmir Lamaj: Përse duhet të hapen dosjet?

Më: 27 nëntor 2014 Në ora: 14:49

U bënë mbi 20 vjet që fjala “dosje” si nocion superposhtrues për të gjithë shqiptarët po sundon kërcenueshëm jetët tona si një hije e zezë e trasheguar frikshëm nga e kaluara. Dosjet ishin dhe mbeten prodhimi më monstrues i krimit komunist, të cilat kanë prodhuar dhe vazhdojnë të prodhojnë akoma krim. Dosjet ishin mekanizmi më pervers i diktaturës ne mbajtjen e pushtetit por ato vazhdojnë të mbeten si të tilla dhe në pseudodemokraci apo neokomunizmin e derisotëm. Berisha dosjet i përdori me shumë efikasitet në superpushtetin e tij të pamerituar duke bërë zap ndonjë të rebeluar që mundohesh të ngrinte pak zërin ndaj padrejtësive të shumta që bënte ai në adresë të atyre që e sollën në pushtet sipas skenareve oruellian ku “vëllai i madh” kontrollonte gjithçka nëpërmjet tyre. Kurrë një shoqëri nuk mund të jetë e lirë pa u çliruar më parë nga e kaluara e saj e përgjakur dhe poshtëruese, e cila në çdo cast e kamzhikos pa rreshtur ndërgjegjen e rënduar nga fajet pa faje.

Përse themi fajet pa faj? Sepse në jurisprudencën e çdo vendi demokratik është e konsakruar ligjerisht se çdo pohim i marrë nën dhunë është i papranueshëm juridikisht. Dhe ato dosje janë produkti më kriminal i diktatures komuniste. Ato janë krijuar në ambiente të errëta të sigurimit të shtetit nën torturat më çnjerëzore ku jo të gjithë arrinin t’i përballonin, nën kërcenimin për burg, për bukën e fëmijëve, për internimet në skajet me të largëta apo për gabime, dobësi dhe faje të sajuara. Këto dosje në vetvete pikojnë gjak, lot dhe pendesë të mëvonshme për të gjithë ata që kanë firmosur nën dhunë ndërsa për pjesën tjetër që vullnetarisht me ndërgjegje të plot hoqen nga morali i tyre, ato u kthyen në burim mirëqenie dhe pushteti. Duke njohur mirë përberjen e Parlamentit shqiptar nga 1991 e deri më sot, në krahun e vet pseudo të djathtë e deklaroi pa frikë se mbi 134 deputetë kanë qenë me dosje (se pa dosje Berisha s’të pranonte brenda rradhëve të tij), të cilët edhe sot gëzojnë në mënyrë të pamerituar privilegjet e ish deputetllëkut. Diktatura nëpër jet sigurimit të shtetit kishte ndërtuar mekanizmin e vet shkatërrues të jetës dhe personalitetit të çdo shqiptari, të cilin ajo e konsideronte armikun e vet dhe kalimin nëpër ingranazhet vdeksor të atij mekanizmi ishte shumë i vështirë gati mbinjerëzor dhe jot ë gjithë mund ta përballonin atë provë të tmerrshme. Më kujtohen sot fjalët e një japonezi të mbijetuar nga hedhja e bombës automike të Hiroshimës, kur vëllai i tij i vogël i kërkonte ndihmë nën rënkimin e plagëve dhe ai nuk e kishte ndihmuar dot. Dhe nën peshën e pendimit tha keto fjalë: “…Dhe unë isha njeri që doja të jetoja. Të gjithë ne që mbijetuam moralisht asaj kohes që prodhjonte veç vdekje poshtërim, kurrë nuk do të kemi ndjenjën e revanshit ndaj atyre personave që jo për faj të tyre kanë hedhur ndonjë firmë në ato dosje të qelbura, te cilat kanë qenë dhe mbeten plaga e pambyllur e kohës së lamë pas”. Çdo plagë kurrë nuk mund të shërohet pa nxjerrë më parë nga shtrati i saj i qelbësuar gjithë absesin e krijuar ndër vite. Në ato dosje është dhe një pjesë e jona, janë njerëzit tanë si dhe gjithmonë duhen mëshiruar për fatkeqësitë e ndodhura. Dosjet duhen hapur që një shoqëri e tërë të mos rrijë pezull për të kaluarën e vet duke u dergjur në moçalin e ankthit për të njohur një pjesë të vetvetes. Ato duhen hapur që të njohin vetveten dhe të tjerët për të mos u endur më në errësirën e dyshimeve dhe hamëndesimeve për këdo që na rrethon e kemi pranë. Ato duhen hapur që ai që më dënoncoi mua dhe shumë të tjerë i quajtur Dalan Luzi mos të kapërdiset më në Amerikë si një hero i kohës që kaloi dhe që ta marrin vesh e të jenë në dijeni të afërmit Gaspër Çuçisë se ai që e çoi drejt vdekjes ka qenë pikërisht ky person, të cilin sigurimi i shtetit enë ’90-ën e nisi nxitimthi tek i atii tij në Amerike.
Dosjet nuk janë më një sekret në Shqipëri, por ato mbeten gjithmonë një makth nga kthetrat e të cilit duhet të çlirohemi sa më parë. Zhelju Zhelev, presidenti i parë demokrat i Bullgarisë thirri shefin e shërbimeve sekrete dhe i kërkoi dosjen e vet . Ai ia solli dhe pas ndonjë muaji me nuhatjet e vet agjentutore konstatoi se Presidenti se kishte hapur fare dhe i thotë: “Zoti President, dosjen Tuaj ju se keni hapur fare”. Presidenti me qetësinë e tij i thotë: “Merre se nuk kam dëshirë ta hap atë paçavure, se kam frikë se mos gjej emrin e ndonjë miku që nuk dua ta humbas”. Mesazhi ishte i qartë, por më mirë është ta humbasësh atë mik që nuk ia vlen të jetë mik yt, por kurrë të mos e përbuzësh e urresh për një faj të detyruar. Bashkëjetesa me të keqen, sjell veçse të këqia. Hapja e dosjeve, është e vërtetë që fillimisht do të sjellë tronditjet e veta të pashmangshme por njëkohësisht do të prishi shumë ekuilibra negativë që deri më sot janë krijuar në dëm të të gjithë shoqërisë shqiptare, duke çmitizuar një herë e përgjithmonë pseudoliderët e krijuar në zyrat e sigurimit të shtetit. Hapja e dosjeve do të jetë do të jetë si heqja e vellos, mbas së cilës nuk do të shikojmë më nusen e bukur që kemi ëndërruar por atë shtrigën plagë që me magjitë e saj nxin çdo ditë jetët tona.
Dosjet janë gropa skeptike e bëmave dhe gjëmave që la pas diktatura komuniste dhe kjo gropë skeptike duhet të hapet një herë e përgjithmonë që mushkeritë tonë të mos helmohen çdo ditë nga era e saj e keqe. Ato duhet të hapen që ish spiunët e sigurimit të shtetit të mos trazoojnë më jetët dhe shpirtrat tanë të lodhur nga e kaluara e zezë, që ndonjë ish kryetar Bashkimesh profesionale të mos vetdeklarohet President i Unionit të Burgosurve Politik pa pasur asnjë ditë burg dhe internim, që ndonjë tjetër pseudo i persekutuar me partinë e tij të subvensionuar dhe të mbështetur nga Berisha, të mos flasin më në emër të shtresës të të persekutuarve politikë.
Si përfundim, dosjet duhet të hapen dhe sa më shpejt të jetë e mundur, pavarësisht nga klithmsat e atyre që do të jenë të detyruar të paguajnë çmimin e vet moral për të kaluarën e tyre, ndonëse ky çmim do të jetë i përbashket për të gjithë shoqërinë shqiptare.
Zoti Kryeministër! Me autoritetin që ju jep detyra dhe Ligji, hidhe këtë hap të guximshëm për ta shpëtuar një herë e përgjithmonë shoqërinë shqiptare nga kjo mënxyrë që la prapa diktatura komuniste duke pasur parasysh thënien e famshme të Monteskies: “Më mirë një fund i tmerrshëm se sa një tmerr i pafund”.

Nga Fatmir Lamaj
I Burgosur Politik

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat