Kosova e meriton Panteonin

Opinione

Kosova e meriton Panteonin

Nga: Xhavit Haliti Më: 25 nëntor 2014 Në ora: 16:48

Kam qenë i ri në moshë, por ende e mbaj mend titullin e një libri të akademik Rexhep Qosjes, “Panteon i rralluar”. Është një libër që më bëri të mundur kuptimin e emërtimit “Panteon”. Kuptova që duhet të ishte një tempull i shenjtë, një monument i ngritur për nderë të njerëzve dhe veprës së tyre me vlerë unikale në shërbim të një populli. U nisa nga një libër i hershëm për të mbërritur te një çështje që meriton të trajtohet dhe të zgjidhet në interes dhe nderë të Republikës së Kosovës. Duam që heroi ynë, Isa Boletini të prehet përfundimisht në atdhe në një varr ku të shkruhet me germa të mëdha emri i tij. Presim organizatorin, komandantin, politikanin, diplomatin, trimin emblematik të Kosovës. Duam që të prehet në tokën e tij mitrovicasi ynë, që i doli në mbrojtje Ismail Qemalit në Vlorë për të ngritur flamurin kombëtar të pavarësisë, që shkoi nëpër Evropë gjer në Londër, jo vetëm për Kosovën, por për mbarë shqiptarinë. Të prehet i qetë në vendin e tij heroi, që u vra pabesisht më 1916 në Podgoricë së bashku me djemë e nipa.
Këto vlerësime janë shumë pak, për këtë figurë të shquar të kombit shqiptar. Por, ne shqiptarët e Kosovës, vazhdojmë ta vlerësojmë fisin dhe krahinën dhe në disa raste bëjme tifozllëk mentalitetesh për figurat tona historike. Në këtë mentalitet fillon pengesa reale dhe e rëndësishme e mosformimit dhe e konsolidimit të shtetit. Kjo ndodh, sepse logjika fisnore dhe krahinore na ka lënë ende edhe pas 7 vjetësh pavarësi, pa një qendër zyrtare shtetërore të heronjve tanë, që bënë gjithçka, falën dhe jetën për atë që ne gëzojmë sot, pavarësinë. Bëhen dhe duhet të bëhen nderime për dëshmorët e luftës sonë çlirimtare nga Serbia, e kryesimbolin e saj, Jasharët. Por, simboli sa i fuqishëm dhe aktual nuk mundi ta plotësojë gjithë rrugën historike që na çoi në pavarësi.
Historia jonë nuk fillon e as mbaron me Isa Boletinin. Historia e Kosovës ka mjaftë figura me peshë e të shquara. Personaliteteve të shquar të Lidhjes së Prizrenit apo të Lidhjes së Pejës, mendoj se nuk iu dihen emrat nga shumëkush. Thuhet “gurë-gurë bëhet kalaja”. Shuma e përkushtimeve dhe sakrificave individuale bënë edhe një shtet. Vlerësimi i tyre nga ne dhe të tjerët mund të jetë difektoz. E, megjithatë kur çdo gur është në vendin e vet, kalaja bëhet më e qëndrueshme dhe shteti më i pranueshëm dhe më i besueshëm.
Është ngjarje e madhe rivarrimi i eshtrave të identifikuara të Isa Boletinit në Kosovë. Pesha e tyre është e papërfillshme, kurse simbolika peshon rëndë për staturën e një shteti të ri. Janë përdorur si simbole Skënderbeu, Nënë Tereza, Adem Jashari, Ibrahim Rugova etj. Historia jonë aktuale përmend edhe Azem e Shote Galicën, Hasan Prishtinën, Zef Kosharën, Hoxhë Kadrinë dhe heronjtë e Luftës së Dytë Botërore, që nuk janë të pakët.
Mendoj që Isa Boletini nuk është vetëm simbol, por është emblemë e figurë e shquar për çlirimin dhe bashkimin kombëtar dhe kontribues i fuqishëm në themelimin dhe njohjen ndërkombëtare të Shqipërisë. “Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia”, është një postulat i Isa Boletinit që tingëllon aq domethënës edhe në ditët e sotme. Shtetit në kosolidim i duhet krijimi dhe afirmimi i një Panteoni. Isa Boletini e meriton Memorialin! Po ku? Në vendlindje, në Mitrovicë? Në Prishtinë apo në Tiranë? Isa i angazhuar dhe i sakrifikuar për Kosovën, Shqipërinë dhe shqiptarizmën e meriton dhe e ka vendin për t’u prehur në Prishtnë, në kryeqendrën e shtetit, të cilit iu kushtua. Pritja dhe nderimi i tij në Prishtinë do të propozoja të shënonte edhe ngritjen e Memorialit të shenjtëruar shqiptarisht, të heronjve që dhanë gjithçka për Kosovën dhe Shqipërinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat