LDK bashkë me koalicionin nënshkroi edhe kapitullimin!

Opinione

LDK bashkë me koalicionin nënshkroi edhe kapitullimin!

Nga: Dren Dushi Më: 25 nëntor 2014 Në ora: 12:03

Blloku i formuar pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve ishte një shpresë e re për qytetarët e Kosovës. Ndonëse të ndarë në disa parti, shumica e qytetarëve të Kosovës që kishin votuar kundër PDK-së tani ishin bashkuar pas një iniciative të VV-së. Vetëvendosje sikur ndali përkohësisht rrjedhën e zakonshme të politikës shqiptare në Kosove. Duke i mbushur gushat e liderëve të të gjitha partive politike opozitare me pushtet vetëm që të ndalonte një Qeveri tjetër të tipit “pronto”, pjesë e së cilës tani do të jetë edhe LDK.

Fillimisht ky koalicion në mes të PDK-së dhe LDK-së para se të jetë koalicion politik, është koalicion biznesi. Bizneset e shumta të këtyre dy partive kanë nevoje për tenderë, dhe rrjedhimisht për pjesëmarrje në qeverisje. Nuk është vetëm BMW-ja e Kryeministrit Thaqi e blerë te djemt e Isa Mustafës tregues aktivitetesh biznesi të tyre, ndonëse ishte mbi 250 000 euro ajo veturë. Janë pothuajse shumica e bizneseve të Kosovës, si eksportuesit e mëdhenjë nga Serbia, nafta, kazinot, gurthyesit e shumë biznese super profitabile. Paratë e Kosovës tani janë në duart e oligarkëve, këtu qëndron problematika e ikjes së qytetarëve nga ky vend drejt kampeve në perëndim.

Por le të kthehemi te koalicioni “i domosdoshëm”. Me tu nënshkruar, filluan reagimet e shumëta të qytetarëve, megjithëse kishte shumë mllef, urrejtje, ndjenjën e të qenurit i tradhëtuar, gjykimi i tyre sikur dukej i ndikuar nga këto emocione të klasifikuara si vese njerëzore. Mirëpo me kalimin e ditëve, këtyre emocioneve revoltuese ju shtua dëshpërimi, si faze psiqike e njeriut ku njeriu ndjehet i pa fuqishëm, i dorëzuar, pikërisht siq na duan lidërët e biznesit. Se a kishin të drejtë shumica e qytetarëve që votuan kundër konceptit qeverisës nga PDK është tjetër çështje, por ata dhanë votën e tyre, LDK, VV, AAK dhe NISMA ishin katër parti politike që u votuan nga qytetarë me mendimin për një qeveri tjetër nga ajo që kemi. Njëra nga të cilat tradhëtoi elektoratin.

“Politika art i së mundshmes”

Gjendja dëshpëruese e krijuar ndër qytetarë, bënë që në këtë shoqëri të ketë shumë njërëz servil dhe të nënshtruar. Premtimet për ndonjë punë, pozitë për më të mëdhenjtë dhe tender për biznismenët bënë që këta servil të fillojnë edhe të interpretojnë shkencën e politikës duke përdorur thënien e famshme (që e mësuan) “politika art i së mundshmes”, po politika është “art i së mundshmes” por a nuk ishte e mundshme të mos gënjehet, të mos mashtrohet, të mos akuzosh dikë për korrupsion e kapje të shtetit dhe pastaj të bëhesh pjesë e tyre? Isa Mustafës do ja kishte zili edhe Nikolla Makiaveli pas veprimit politik të tij së fundi, por marrja vetëm e pjesës së shëmtuar nga real-politika mund ti kushtoj të gjithëve, përfshirë “Princit” të Makiavelit.

Servilët frigacak të LDK-së janë të kënaqur, por elektorati është i pezmatuar, i revoltuar dhe i dorëhequr nga shpresa dhe besimi ndaj LDK-së makiaveliste, ndaj LDK-së gënjeshtare dhe mashtruese. Kjo tregon se ku do të shkoj LDK, pas shkuarjes te PDK, do të bëhet pjesë e “viktimave politike” të Hashim Thaçit, si Fatmir Sejdiu, Behxhet Pacolli, Ramush Haradinaj e deri te Ferid Agani.

Shkëputja e LDK-së me elektoratin dhe përqafimi me PDK-në do ketë koston e shkatërimit përfundimtar të kësaj partie historike, vëtëm nëse një kastë e re politike vie në krye të saj, duke larguar të recikluarit, duke larguar pakurizorët, frigacakët e servilët. Kushdo që të jenë, Vjosa Osmani apo dikush tjetër, elektoratin e LDK-së do e ketë pas. Besnikria shpërblehet dikur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat