Në kujtim të Xhevat Kallajxhiut njërit prej dekanëve të gazetarisë shqiptare

Opinione

Në kujtim të Xhevat Kallajxhiut njërit prej dekanëve të gazetarisë shqiptare

Më: 24 nëntor 2014 Në ora: 19:09

Xhevatit si kryeredaktor i Diellit për një dekadë: "Ai ishte gazetari që të imponon edhe sot t'ia lexosh artikullin. Ishte mjeshtër për të thënë shumë gjëra në pak radhë. Nuk kërkonte fjalë bombastike; jo, fjalori i tij rridhte natyrshëm dhe kishte parasysh lexuesin e Diellit. I përshtatej. Stili i tij është i vecantë. Them se e kishte krijuar stilin e vet. Përherë nisej nga faktet për të shtruar idetë. Mendoj se editorialet e tij mund dhe duhet të studiohen nga shkollat e gazetarisë në Tiranë, Prishtinë, Tetovë e Shkup. Xhevati tregonte kujdes që në përcaktimin e titullit, të shkrimit; edhe sot kur i shfletoj koleksionet e Diellit, harrohem me orë të tëra sepse më fusin në kurth titujt. Pasi shoh titullin provoj një thirrje të brendshme që ta filloj dhe s'mund të heq dorë pa i shkuar në fund. Ka qenë shumë prodhimtar. Nuk ka numër të Diellit për 10 vitet që e editoi Xhevati, që të mos gjesh editorialet e tij me emër. Po përmend disa nga titujt e editorialeve të Xhevatit: "U mbars Mali dhe polli një mi"; Hakmarrja-Një zakon i keq; Të njohim njëri-tjetrin; Fati i të burgosurve të Kosovës, Gjallëria e racës shqiptare, "Arratisen nga "parajsa e Kuqe", Mirënjohje shqiptare për Amerikën", e tjera .
Është e vërtetë se bazuar jo vetëm në shkrimet e tija gjatë një dekade që ai drejtoi Diellin, por edhe në biseda private e shoqërore -- megjithëse ishte kulmi i luftës së ftohët dhe komunizmi dukej më i fortë se kurrë -- Xhevati shihte tek e ardhmja me optimizëm për kombin shqiptar. Në kryeartikujt e tij, Xhevati shtroi problemin e bashkimit Kombëtar, si ndreqje e padrejtësive të Europës, që e kishte coptuar Kombin shqiptar, tha kryeredaktori i Diellit.
Përveç kontributit të tij prej dekadash në fushën e gazetarisë me qindra artikujsh e kryeartikujsh të nënshkruar prej tij jo vetëm me emërin e tij të saktë por edhe me pseudonimet “Bardhi” dhe “Gjin Shpata” -- si njëri prej dekanëve të gazetarisë shqiptare -- Xhevat Kallajxhi është edhe autor i një numri librash e librezash botuar këtu në Shtetet e Bashkuara, me prozë dhe poezi. Ndër ato që dallohen janë libri me poezi, “Tingëllimet e Zemrës”, dhe Lot e Shpresa, të cilin ai ua ka "kushtuar me nderim shokëvet që kanë vdekur në mergim". Disa nga vjershat, Xhevati ia ka kushtuar Kosovës siç janë poezitë “Kosova Martire”, “Kosova” dhe “Marshi i Djelmënisë Kosovare”. Xhevati i këndon gjithashtu “Çamerisë”, “Arbëreshve të Italisë”, “Statujës së Lirisë” dhe vjershën kushtuar, “Dom Ndre Zadesë”, patriotit të flakët, klerikut dhe shkrimtarit, siç e quan atë Xhevati, i cili ishte nga viktimat e para që u pushkatua nga komunistët, pranverën e vitit 1945 në Shkodër.

Duke qenë me mundësi të kufizuara financiare, vjershat patriotike kushtuar dëshmorëve dhe si edhe punimet e tjera të Xhevatit janë botuar me ndihmën bujare të bashkatdhetarve të tij në Amerikë. Kjo bëri të mundur që Xhevati të botonte disa libra shqip në Shtetet e Bashkuara, përfshirë Linkolni, Xhon F Kennedy, Për të Qeshur, Bektashizmi dhe Teqeja Shqiptare në Amerikë. Thuhet se Xhevati mund të ketë lënë edhe disa dorëshkrime pa botuar, siç është edhe romani Larg Atdheut.

Xhevati njihej, bashkpunonte dhe vlerësohej pa dallim nga mbarë elita politike dhe kulturore e komunitetit shqiptaro-amerikan. Si rrallë të tjerë bashkohas të tij të cilët shpesh tregonin paragjykime mbi arsyen -- atë nuk e pengonin ndryshimet politike, krahinore ose fetare në punën e tij drejtë realizimit të qëllimeve të përbashkëta. Një bashkohes i tij, ish-profesori i njohur shqiptaro-amerikan, i ndjeri Peter Prifti ka vlerësuar se Xhevat Kalljaxhiun si gazetar, si njeri dhe si patriot duke thënë se Xhevat kallajxhiu, "Në tërësi shkruante duke pasur gjithmonë respekt për faktet dhe duke patur përmbajtje prej dijetari. Nga temperamenti ishte idealist me simpati të thella humanitare për të shtypurit. Në jetën e tij pati mjaft dhimbje e vuajtje, por fatkeqësitë i mbarti me shpirt të qetë dhe me sens humori." Duke vlerësuar Xhevat Kallajxhiun jo vetëm si njeri dhe si gazetar por edhe si patriot, si demokrat dhe si besimtar i fortë në liri dhe demokraci, Profesor Prifti ka shkruar se, "Kallajxhiu në radhë të parë ishte njeriu që tregonte vazhdimisht kujdes për kombin shqiptar. Në të njëtën kohë, ai kishte ndjenja të forta simpatie dhe admirimi për Amerikën. Nga kjo anë, ai i ngjante shumë Fan Nolit, i cili gjithë jetën ia kushtoi mbrojtjes së interesave të kombit shqiptar, duke punuar me përkushtim t’i sillte popullit shqiptar demokracinë wilsoniane”. Peter Prifti vlerëson lartë edhe spirtin demokratik të Xhevatit duke thënë se, “Kallajxhiu, po ashtu, ishte avokat i zjarrt i parimeve dhe idealeve demokratike. Përkrahja e tij ndaj parimeve demokratike të jetës daton qysh nga Gjirokastra, ku ai botoi gazetën me titull “Demokratia”. Demokracia, liria, pavarësia dhe paqeja – këto nuk kanë qenë thjesht slogane për Kallajxhiun, por kushte vitale të domosdoshme për një shoqëri të drejtë e të mirëqeverisur", përfundon vlerësimin e tij Profesor Peter Prifti.

Xhevat Kallajxhiu ishte njeri i mirë e i ndershëm, atdhetar i patundur -- e donte Shqipërinë me gjithë zemër, por donte edhe Amerikën që i kishte dhënë strehimin, lirinë dhe mundësinë për të ushtruar gazetarinë dhe për të shprehur lirisht mendimet dhe pikëpamjet e tija, të cilat tani janë bërë pjesë jo vetëm e thesarit të çmueshëm të gazetarisë dhe të kulturës shqiptaro-amerikane, por edhe të shqiptarëve në përgjithësi. Një bashkohas dhe mik i Xhevatit, Nexhat Peshkëpia ishte shprehur se i “hidhur është mërgimi dhe të hidhura janë rrugët e tija”. Edhe për Xhevatin, si edhe për shumë bashkombas të tij, që u detyruan të largoheshin nga Atdheu i tyre, rrugët e mërgimit ku vdiq me mall për Atdheun, ishin vërtetë të hidhura, por megjithëkëte ai ishte gjithmonë optimist se do të vinte dita e lirisë, shpresë që ai e kishte shprehur me vjershën, “Do të vijë dita”:
Do të vijë më së fundi dit’ e madhe e çlirimit,
Do të shuhet skllavëria, do dërmohet trathëtija,
Do gjëmojë an’ e mbanë këng’ e ëmbël gëzimit,
Do të zhduket llahtarija, do t’ shpëtojë Shqipëria.

Dhe shqiponj’ e arratisur do të zërë vend’ e saj;
Do të ndizet sërish vatra, do të hiqet fut’ e zezë,
Do të marrë frymë biri, s’do të ketë lojë e vaj,
Do qindiset Shenj’ e Kombit veç me fjalë të lirisë.

Eh, zinxhir’ i tiranisë do të thyhet më në fund.
Mbaju, mbaju Mëma jonë, si që moti, gjith’ krenare
Edhe ti o bir i shqipes qëndro burrë mos u tund,
Se së shpejti do agojë dit’ e bukur shqipëtare!
-------------------------------------------------------

Me nderim, mirënjohje dhe me mall përkujtoj mësuesin dhe bashkpuntorin, njërin prej përfaqsuesve më të denjë të diasporës shqiptaro-amerikane dhe të intelektualizmit shiqptar në përgjithësi – Xhevat Kallajxhiun – me rastin e 25-vjetorit të ndarjes së tij nga kjo jetë.

Frank Shkreli

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat