Korrupsio(Eu)lex-i

Opinione

Korrupsio(Eu)lex-i

Nga: Shkruan: Nehat Hyseni Më: 31 tetor 2014 Në ora: 21:55

Këto ditë shpërtheu si vullkan i fuqishëm në sipërfaqe e vërteta e tmerrshme mbi korrupsionin marramendës të prokurorëve dhe gjyqtarëve ndërkombëtarë që veprojnë në kuadër të misionit europian për vendosjen e drejtësisë dhe për gjykimin e krimeve të rënda në Kosovë.
Ky mision ishte paralajmëruar me shumë pompozitet kohë më parë dhe kishte krijuar imazhin për një mision i cili në sytë tanë shikohej si shpresë e madhe për çrrënjosjen definitive të krimit e korrupsionit në Kosovë. Shpresat tona ishin tek EULEX-i, që shikohej si "dritë në fund të tunelit", meqë drejtësia vendore ishte plotësisht e paaftë për ta bërë këtë.
Arsyet për paaftësinë vepruese të drejtësisë vendore konsistonin në shoqërinë skajshmërisht të politizuar kosovare, si dhe të gjyqësisë dhe sistemit politik e juridik të Kosovës të vendosur pas vitit 1999.
Natyrisht, më tepër bëhej fjalë për kaos se sa për rend e rregull. Gjyqësia vendore e politizuar, më tepër i ngjante një kamuflimi, shtrembërimi dhe stërkeqjeje të drejtësisë së mirëfilltë, se sa drejtësi korrekte dhe të paanshme, duke ambistuar kryekriminelët e Kosovës dhe duke ua hapur atyre rrugën për ta qeverisur vendin. Kështu, u krijua rrethi vicioz i shtetit dhe drejtësisë së kapur nga krimi i organizuar dhe kriminelët, të cilët më parë kishin kryer krime makabre ndaj shqiptareve të pambrojtur e jetim të Kosovës, kurse tani qeverisnin vendin, duke u shndërruar në sheikë të Ballkanit, me pasurinë e tyre marramendëse. Kështu, të vetëquajturit "çlirimtarë" në luftë, u shndërruan në robërues shembjellës të frikës, grabitjes e terrorit në paqe.
Në rethana të tilla, ndihmesa e drejtësisë europiane, që na ofrohej me anë të misionit të EULEX-it, konsiderohej si ndihmesa dhe bombardimi i armikut serb nga NATO në luftë she çlirimi i Kosovës nga Serbia.
Natyrisht, tani ishin shpresat se shoqëria kosovare do të çlirohej nga krimi dhe korrupsioni në paqe.
Mjerisht, gjithnjë e më tepër shpresat për një shoqëri dhe jetë dinjitoze që e kishim ëndërruar gjatë sundimit të çizmes së egër të soldateskës gjakpirëse e gjenocidale serbe, me dëbimin e Serbisë dhe çlirimin e Kosovës, nuk po realizoheshin dhe na dolën të ishin utopike. Sa më shumë që kalonte koha, pritja e ditëve më të mira i ngjante kotësisë së pritjes Beketiane, "Duke pritur Godonë", i cili kurrë nuk do të vijë.
Prandaj edhe ishte e natyrshme që të pritnim nga drejtësia europiane, e cila në sytë tanê ishte fetishizuar, meqë pritnim "mrekullira" nga ajo.
Afera e fundit megakorruptive e EULEX-it, që doli këto ditë në sipërfaqe lidhur me gjyqtarin e italian, i cili kishte qenë gjyqtar kryesor në gjykimin e krimit të rëndë të rastit të vrasjes së trefisht në Kaçanik, i cili kishte marrë treqind e tridhjetë mijë (330.000,00) euro ryshfet për lirimin e njërit nga tre të akuzuarit, i cili rrezikonte të dënohej me 33 vjet burg.
Pra, gjyqtari italian nga Udine e Italisë, Folit, kishte marrë 10.000 euro për çdo vit që ishte akuzuar. S'do mend se ky rast flet qartë për performansën dëshpëruese, komprometuese dhe kriminele të EULEX-it në Kosovë.
Në vend që të vente rregull, drejtësi e ligj, EULEX-i në Kosovë e bëri të kundërtën, duke qenë skajshmërisht i korruptuar, meqë këtë ia mundësonte imuniteti i prokurorëve dhe gjëmëtarëve të EULEX-it që kishin mision dhe detyrë të vendosnin drejtësinë në Kosovë, por vet qëndronin realisht mbi drejtësinë, që ua mundësonte imuniteti i garantuar, që u mundësonte që të vendosnin drejtësi selektive: ara që paguanin para të majme, i shmangeshin ligjit.
Kurse, as prokurorët e as gjyqtarët nuk i nënshtroheshin as ligjit kosovar e asnjë ligji tjetër. Kështu, na doli se EULEX-i ishte krijuar sipas parimeve të kohës sê faraonëve tek Egjiptasit e vjetër, për të cilët nuk vlenin ligjet tokësore, meqë ara ishin të deleguar të Zotit!
Prandaj, zhgënjimi i ynë në drejtësinë europiane është i madh dhe ka pasoja katastrofale, meqë nuk kemi alternativë për rrugëdalje nga kjo situatë e tmerrshme, që do i vriste shpresat e fundit për një ardhmëri më të mirë në këtë pjesë të Ballkanit.
Zhgënjimi spektakolar i shqiptarëve në drejtësinë europiane na tronditi thellë nga gjykimi i UEFA-s lidhur me ndeshjen e ndërprerë futbollistike të 14 tetorit 2014 në Beograd, ku u sulmuan fizikisht lojtarët shqiptarë nga tifozët, sigurimi dhe nga disa lojtarë serbë.
Aty u bindën të gjithë shqiptarët për (pa)drejtësinë europiane.
Pra, aktualisht ndër shqiptarët nê përgjithësi, e veçanërisht tek kosovarët keni një zhgënjim dhe humbje të plotë të besimit ndaj drejtësisë europiane.
Se "drejtësia" e EULEX-it ishte diskutabile, herë-herë e çuditshme dhe selektive vërehej me "konçidenca" të befasishme ishin koordinimet e vendimeve të tij lidhur me ngritjen e aktakuzës nda politikanëve që nuk i shkonin për shtati Qeverisë Thaçi. Rasti i Fatmir Limajt është dëshmia më eklatante e korruptimit të veprimeve të EULEX-it edhe nga PDK-ja, duke shërbyer si mjet dispilinimi të të "rrebeluarve" brenda kësaj partie.
Rasti i fundit ishte ftesa ndaj Fatmir Limajt në Gjykatë pikërisht në ditën dhe orën e mbajtjes së mbledhjes konstituie të Kuvendit të Kosovës, më 17 korrik 2014, në orën 10:00, duke ia pamundësuar atij pjesëmarrjen në mbledhjen e Kuvendit, meqë ftesa gjyqësore ishte imperative dhe e pashtyeshme.
Kështu ndodhte edhe me të tjerët, që filluan të dalin nga kontrolli politik i Hashim Thaçit.
Vallë, si mund të besohet këtu në "rastësi" dhe se EULEX-i nuk ishte vegël e Qeverisë dhe partisë së Hashim Thaçit?!
Pra, nuk mundemi kurrsesi t'i shmangemi dyshimit të bazuar se EULEX-i i koordinonte veprimet e veta hetimore konform nevojave politike të Hashim Thaçit.
Kurse, meqë tani ka ardhur koha e fundit që të aktivizohen hetimet për një mori deputetësh të PDK-së me dosje të "trashë" të listës së krimeve të rënda dhe korrupsionit, për të cilët duhet formuar Gjykata Speciale, që do merret ekskluzivisht me këto krime.
Pjesa më e madhe e këtyre "peshqëve" të mëdhenj janë deputet të zgjedhur të PDK-së në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit 2014.
Prandaj, PDK nuk është e interesuar kurrsesi që t'i konstituoj Kuvendin dhe Qeverinë e re.
Aq më pak që të mbetet në opozitë!
Sepse, po qese do të ishte jashtë qeverisjes, PDK rrezikohet t'i nënshtrohet "shpatës" së drejtësisë së Gjykatës Speciale.
Përvoja e bashkëpunimit të Qeverisë Thaçi me EULEX-in, që i shërbente si vegël e fuqizimit të qeverisjes absolute të Thaçit, synohet të përsëritet edhe tani, meqë shpresohet se edhe Gjykata Speciale do shndërrohej në dështim të radhës, ashtu si misionet paraprake europiane, UNMIK-u dhe EULEX-i.
Se si do të shkojnë proceset, mbetet të shihet.
Urojmë që sadopak t'i kthehen shpresat këtij populli të shumëvuajtur në mundësin e vendosjes së drejtësisë në këto troje, që asnjëherë më parë nuk e shijuan si duhet.
Megjithatë, duhet të përpiqemi maksimalisht që t'i kthejmë shpresat në mundësinë e vendosjes së drejtësisë në Kosovë.
Shpresojmë që të investigohet performansa e EULEX-it dhe të hapet rruga e vendosjes së Gjykatës Speciale, e cila duhet monitoruar dhe duhet t'i kontribuoj heqjes së dyshimeve dhe zhgënjimit tonë në drejtësinë europiane, që do krijonte kushte për forcimin dhe aftësimin e drejtësisë vendore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat