Serbia e ka mbushur kupën

Opinione

Serbia e ka mbushur kupën

Nga: Owen Gibson Më: 25 tetor 2014 Në ora: 18:17

“Politikanët duhet të merren vetëm me politikën, ndërsa sporti duhet të jetë një hapësirë vëllazërimi, e cila duhet t’i bashkojë njerëzit”. Kështu deklaroi Platini në fillim të këtij viti, në kuadër të nismës që, sporti dhe politika duhet të jenë të ndara.

Fluturimi i dronit mbi stadiumin e Beogradit më 14 tetor, i cili u pasua me katrahurën që e kemi parë të gjithë, përbën vetëm incidentin e fundit, i cili tregon se qëndrimi i UEFA-s për këto ndodhi, ose është naiv, në rastin më të mirë, ose është i rrezikshëm, në rastin më të keq.

Dhe kështu, Komisioni i Disiplinës në UEFA, vendosi që Serbia të fitojë ndeshjen në tavolinë 3-0, por pa i marrë pikët, ndërsa të dyja federatat u gjobitën me nga 100 mijë euro. Serbia do të luajë dy ndeshje radhazi pa tifozë, atë me Armeninë dhe me Danimarkën.

Në mungesë të provave për lëshimin e dronit, vendimi i UEFA-s penalizon shumë Shqipërinë, e cila e gjen veten pa pikë pas kësaj “ndeshje” dhe me golavarazh negativ. Kjo do të thotë se Shqipëria, e cila e nisi garën me një fitore 1-0 ndaj Portugalisë, pas 3 ndeshjeve gjendet me 4 pikë, ndërsa Serbia me vetëm 1 pikë. Danimarka ka po ashtu 4 pikë, Portugalia 3 dhe Armenia 1. Por ajo që të bën përshtypje është ankesa e palës serbe, e cila pretendonte se Federata Shqiptare e Futbollit, i kishte orkestruar të gjitha ngjarjet e Beogradit, që nga droni deri te dhuna. Kjo është më shumë se qesharake.

Të gjithë ata që ishin të pranishëm në atë ndeshje e panë qartë se atmosfera ishte e mbingarkuar nga thirrjet nacionaliste dhe raciste. Edhe pse nuk kishte tifozë miq, policia serbe dështoi dhe u tregua e paaftë të parandalonte dhunën. Gurë, fishekzjarrë, çakmakë dhe shumë sende të forta u hodhën në fushë. Banerat që glorifikonin krimet e luftës ishin prezente, po aq sa edhe koret që bënin thirrje: “Vritini, vritini shqiptarët” apo “Digjini ata të gjallë”. Shfaqja e huliganit famëkeq, Ivan Bogdanovit, në fushën e lojës, tregoi qartë mungesën e dëshirës apo paaftësinë e autoriteteve serbe për të vënë rregull. Pak dyshojnë se një dron që përmbante gjoja mesazhe fyese u bë shkaktar i asaj rrëmuje. Nuk është hera e parë që UEFA ngec në të tilla gjëra. Për t’u rikthyer te vendimi, ndërkohë që Serbia do të vuajë vetëm në dy ndeshje, të cilat do të luajë pa tifozë, Shqipëria do të vuajë më shumë nga vendimet e UEFA-s.

Shanset e Shqipërisë për t’u kualifikuar në Kampionatin Europian morën një goditje të rëndë. Po sikur Serbia të kualifikohet përpara Shqipërisë vetëm në sajë të golavarazhit? Në fund mund të them se, lista e akuzave ndaj Serbisë vazhdon të zgjatet në mënyrë absurde. Katër vjet më parë, Serbia u bë protagoniste në atë ndeshje kundër Italisë. Po kështu, në të njëjtin vit, skena racizmi dhe dhune zunë vend në Serbi në ndeshjen mes Anglisë për 21-vjeçarët. Dy ndeshje pa tifozë është një dënim që nuk e zgjidh problemin. Javën që shkoi, UEFA shpalli nismën “Java kundër racizmit”. Por ndërkohë që Komisioni i Disiplinës vazhdon me vendime kaq të buta, ka shumë të ngjarë që ajo nismë nuk do të arrijë asgjë.

Marrë nga “The Guardian”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat