E kemi thënë tash e sa kohë!

Opinione

E kemi thënë tash e sa kohë!

Nga: Flamur Shala Më: 24 tetor 2014 Në ora: 23:06

Në një nga tekstet e mia kisha shkruar tekstualisht se qasja dhe komoditeti VV ndaj procesit paszgjedhor, ndaj përpjekjeve të koalicionit paszgjedhor për formimin e qeverisë së ardhshme të Kosovës, duke ia shtuar kësaj edhe proklamimin në vazhdimësi të kushteve të saj për përkrahje dhe tani së voni edhe të njëjtat kushte për mundësinë që të bëhet pjesë e qeverisë së ardhshme të Kosovës, e kishte bërë procesin interesant dhe atraktiv. Atraktivitetit të këtij procesi paszgjedhor, për shkak të sjelljeve politike, po i vinte fundi me të ashtuquajturin ultimatum të Vetëvendosjes për koalicionin. Pranimi i kushteve ose jo nga partitë e koalicionit ishte fundi i kësaj pjese të sjelljes politike të VV.
Siç e dimë, koalicioni u bë me nënshkrimin e një marrëveshjeje me kushtin që VV të udhëheqë me dialogun! U tha, u bë! Thotë populli! Po ç’po ndodh me VV, kur ajo doli e fyeu dhe tregoi me perversitet atë që do të mund ta bënte edhe në rast të formimit të qeverisë! E pasigurt, doli me akuza dhe fyerje edhe për partitë e Lan-it! Të gjithë jemi dëshmitarë! Kjo mënyrë e paraqitjes nuk është e sotme, është e mëhershme!
Deklarimi i Shpend Ahmetit në një nga emisionet të KTV- së (PULS) se do ta denonconte dhe do ta qonte në prokurori e më shumë ish kryetarin e kryeqytetit, më kishte bërë përshtypje shumë lidhur me moralin politik të dyfishtë të kreut të VV ndaj të gjitha proceseve në Kosovë dhe edhe procesit qeverisës në Prishtinë. Krahasoni sikur të bënte veprime dhe paraqitje të tilla politike një udhëheqës i njërës nga partitë politike siç po bënte kreu i VV gjatë gjithë procesit paszgjedhor! E paimagjinueshme të ketë këso konceptesh komunikimi ndërmjet pjesëmarrësve të spektrit politik në Kosovë, ndërmjet atyre që para pak kohe shtrënguan lapsat dhe nënshkruan marrëveshjen për kryeparlamentarin e Kosovës! Lartë shtrëngohen duart e poshtë le të denoncohen!
Të ketë dyfytyrësi, kritere të brishta, rrënues të asaj që e ndërton vetë, madje me imponime dhe shantazhe politike, me pamaturi politike, sheh sot te VV! Kjo hipokrizi i pëlqeu Shpendit e Albinit! Mbase, duket që rivaliteti në mes këtyre dy udhëheqësve më autoritarë të kreut të VV po bën që të dy të gabojnë; Shpendit i “ka humbur udha në oborr” në Prishtinë! Krahasoni çfarë raporti financiar do t’i ofrojë Kuvendit në mbledhjen e tetorit 2014. Me paralajmërim suficiti dhe me përqindjen e vogël të realizimit të projekteve kapitale në 15 vitet e pasluftës në kryeqytet e Republikës së Kosovës.
Shkuarja e Sh. Ahmetit në Tiranë dhe takimi plot kurtuazi me zyrtarë të shtetit, si dhe thirrja që i bëri kryeministrit Edi Rama që të mos shkojë në Beograd, nga njëra anë mund të konsiderohet një paraqitje kontaktesh dhe komunikimi ndërshqiptar në kuadër të zhvillimeve të demokracisë dhe shprehjes së lirë politike, por dilte të jetë shumë hipokrite kur të njëjtit e VV dhe kreut të saj po vinin kushtin ndaj bllokut paszgjedhor për udhëheqje të dialogut me Serbinë, duke konsideruar veten si pjesën më përfaqësuese të Kosovës, që të jenë ata më të denjtë në atë dialog, në anën tjetër! Thënë të drejtën, asnjëherë nuk është dukur serioze kjo pamje që krijohej me këtë kërkesë të VV, përveç një shantazhi politik ndaj LAN-it!
Kështu, secili prej nesh do të shtronte pyetjen se cila është kërkesa e kreut të VV?! Çka po kërkojnë këta djem?! Pushtet! Vetëm demokracia të jep pushtet! E që të kesh pushtet duhet të kesh demokraci! E që të ketë demokraci duhet ta kultivosh atë! Por jo ta “kultivosh” gjithë ditën e ta rrënosh gjithë natën! Kjo është e dëmshme për të gjithë ata që e duan vendin e tyre, për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Ndërsa Albin Kurtit i duket se Partitë politike në Kosovë iu ngjajnë ligave e superligave dhe hajnave në kategori ligash, cili do të ishte fjalori me të cilin duhet kundërpërgjigjur një akuze aq të rëndë dhe aq banale. Ka sish që e mbrojnë këtë mënyrë komunikimi ndërmjet atyre që tani e sa muaj “u besatuan” për formimin e institucioneve, e që pa pritur ndërruan mënyrën e komunikimit si me katapultim, kur një lider i fyen e akuzon të tjerët, bashkënënshkruesit e një marrëveshjeje për shtetin. Dhe, ata që mbrojnë kreun e VV nuk flasin nga pozitat e mirëfillta analitike, por dalin si të ishin mbrojtës të “të fortëve” të VV dhe bashkaleatëve të tyre në prapavijë.
E kemi thënë edhe herë tjetër, se Kreu i VV nuk mund t’u qëndrojë të gjitha lëkundjeve politike brenda një procesi, ashtu siç ishte procesi paszgjedhor për forminin e institucioneve. I njëjti z. Kurti, duke iu kushtuar shumë parimeve të tij dhe të VV, u imponua shumë gjatë tërë procesit për t’u bashkuar me Lan-in. Kësaj ia arriti me kushtëzimin e pranimit të pesë, e më vonë vetëm të një “parimi kryesor”, me kusht që, siç u tha, procesin e dialogut me Serbinë ta udhëheqë VV. Këtë e arriti sepse Lan-i u shantazhua politikisht nga VV deri me zgjedhje të jashtëzakonshme, ose të pranonte. Sjellja e VV ishte sjellje e politikës ditore, deri në një moment tjetër, për të nxjerrë ndonjë arsye që të mos pajtohet me Lani-n. Kjo u pa dhe kjo doli për mejdani në takimin e VV, kreut të saj, me simpatizantë e saj, për të shpërthyer me akuza për të cilat po bisedohet e po polemizohet tani!
Akuzat e rënda të cilat i lëshoi Albin Kurti në adresë të partive politike, shkaktuan, menjëherë, reagimet e kreut të LDK-së dhe më pak të partive të tjera. Me to u etiketua e gjithë struktura e partive, e të gjithë aktivistëve të tyre, U fye nga kreu i VV një klasë e tërë politike, në stilin e vjetër, të keq, të papjekur dhe kundër formimit të institucioneve të Republikës së Kosovës!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat