Mbijetesa dhe pavarësia e shkollave fillore shqipe në komunën e Prishtinës 1990 - 1999

Opinione

Mbijetesa dhe pavarësia e shkollave fillore shqipe në komunën e Prishtinës 1990 - 1999

Nga: Shkruan: Zijadin Gashi Më: 23 tetor 2014 Në ora: 23:00

Raportet shoqërore-politike në ish-Jugosllavi pas vdekjes së Titos më 1980 ashpërsoheshin në kontinuitet. Ashpërsia e raporteve ndërnacio¬nale në këtë shtet doli jashtë çdo norme juridike të shtetit jugosllav dhe të përcaktimeve programore të LKJ-së, sidomos pas vitit 1986 me ardhjen e Sllobodan Milloshe¬viqit në krye të Lidhjes Komuniste të Serbisë. Si rezultat i këtyre ashpërsive e i politikës fashizoide dhe hegjemoniste serbomadhe, të cilën e udhëhiqte Sllobadan Milloshe¬viqi, Kuvendi i Republikës së Serbisë më 28 mars 1989 pa pëlqimin e popullit shqiptar, por me pëlqimin e Kryesisë së LKJ-së dhe të RSFJ-së, Kosovës i hoqi autonominë, që i garantonte asaj subjektivitet në federatë dhe të drejtën për të pasur kushtetutë, duke e shkrirë kështu Kosovën juridikisht në Serbinë unike. Shqiptarëve dhe Kosovës u hoqi të drejtën e rregullimit edhe të arsimit në mënyrë të pavarur. Menjë¬herë shteti unitar i Serbisë nxori ligjet unike të arsimit dhe shqiptarëve ua ngushtoi në minimum të drejtën për shkollimin e obliguar fillor në gjuhën amtare. Qëllimi i fundit i saj ishte që shqiptarët të shndërrohen në popull të dorës së dytë, të prapambetur dhe kështu pa ngritje intelektuale nuk do të mund të bëjnë organizim kualitativ për qëndresë dhe për përcjellje të të arriturave bashkëkohore në shkencë, kulturë, ekonomi dhe veprimtari të tjera pozitive shoqërore.
Kundër heqjes së autonomisë së Kosovës dhe tendencës së kthimit të popullit shqiptar në pozitën inferiore në shoqëri, mësimdhënësit dhe populli shqiptar reagoi përmes protestave dhe demonstratave, të cilat i përkrahnin edhe republikat federale perëndimore, sidomos populli dhe klasa politike e Sllovenisë. Në këtë kohë, në gjysmën e dytë të vitit 1989, nisën të krijohen parti dhe organizata tjera antikomuniste e që nën inercionin e këtyre lëvizjeve antikomuniste edhe në Kosovë u krijuan parti dhe asociacione të tjera demokratike me karakter edhe kombëtar, të cilat kërkonin vendosjen e sistemit shtetëror shumë¬partiak. Prandaj, këto lëvizje pozitive demokratike i detyruan edhe delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës të distancohen nga dhënia e “pëlqimit” për heqje të autonomisë dhe vendosën që statusi i Ko¬¬so¬vës të ngritet në shkallën më të lartë të autonomisë - në republikë.
Kështu më 2 korrik 1990 delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës miratuan Deklaratën Kushtetuese (të Pavarësisë), kurse më 7 shtator, po ashtu më 1990, nxorën Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Republika e Serbisë reagoi ashpër kundër këtyre akteve juridike të Kuvendit të Kosovës, dhe menjëherë suspendoi të gjitha organet legjislative dhe ekzekutive të Kosovës, vendosi masat e dhunshme në organe shtetërore e organizata punuese dhe në kontinuitet përjashtonte nga puna shqiptarët e në organet e Kosovës, të komunave dhe të ndërmarrjeve publike e ekonomike solli “kuadro” nga Serbia. Pra, Kosovën e riktheu në një territor tërësisht kolonial.
Derisa delegatët shqiptarë, të Kuvendit të Kosovës dhe qeveritarët, pas nxjerrjes së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ikën jashtë vendit, kinse për shkak të rrethanave të krijuara, kurse numri më i madh i të përjashtuarve të tjerë nga puna (administrata, ndërmarrjet publike dhe ekonomike) iu përveshën punëve të tjera private formale dhe joformale. Disa të tjerë emigruan me familje në Perëndim.
Vetëm të punësuarit në arsim (në organe dhe institucione arsimore e shkolla) nuk e pranuan fatin e determinuar nga Serbia, por vazhduan të organizojnë procesin edukativo-arsimor në shkolla dhe në shtëpi - shkolla në harmoni me Deklaratën e Pavarësisë, përkatësisht të Kushte¬tutës së Republikës së Kosovës. Ata nuk u ndalën për një dekadë përkundër faktit se në mënyrë permanente përjetuan dhunën e paparë fizike dhe psikike jo vëtëm ata, por edhe familjet e tyre, nxënësit, prindërit dhe pronarët e shtëpive shkolla.
Raportet u ashpërsuan jashtë çdo mase në vitin shkollor 1989/90 kur pushteti arsimor në Kosovë në shkolla filloi të aplikojë segregacionin klasik, duke ndarë në ndërresa mësimore sipas përkatësisë nacionale, nxënësit serbë dhe malazez të mbajnë mësimin vetëm paradite, kurse nxënësit shqiptarë pasdite, duke mos lejuar kështu asnjë kontakt fizik në mes tyre (nxënësve dhe mësimdhënësve serbë e shqiptarë!).
Kjo ndarje krijoi kushte të përshtatshme që shërbimi sekret serb në mars dhe prill të vitit 1990 të helmojë mbi 7.000 nxënës shqiptarë të të gjitha moshave. Në shkollat fillore të Prishtinës, helmimi më masiv i nxënësve është kryer më 23, 26 dhe 27 mars 1990 në Shkollën fillore “Zenel Hajdini”. Pas helmimit të nxënësve, organet arsimore të Ser¬bisë nisën presionin për imponimin dhe zbatimin e ligjeve dhe planprogrameve mësimore serbe edhe në shkollat shqipe në Kosovë. Për të arritur këtë qëllim, vetëm në Prishtinë sollën me dhjetëra inspektorë dhe “ekspertë” tjerë arsimor, të cilët bënin presione të pandërprera për aplikimin e legjislacionit, të planprogrameve mësimo¬re dhe të akteve tjera nënligjore të Serbisë në shkollat shqipe.
Ky presion i paparë nuk e theu vendosmërinë e veprimtarëve të arsi¬mit, drejtorëve të shkollave dhe të mësimdhënësve shqiptarë të mobi¬lizuar nga LASH “Naim Frashëri” për të organizuar procesin mësimor sipas Planeve dhe Programeve Mësimore të përgatitura nga Enti Pedagogjik i Kosovës dhe të miratuara më 24 gusht 1990 nga Pleqësia e Arsimit e Kosovës.
Si kundër aksion, pushteti arsimor serb i instaluar në institucionet e Kosovës dhe të komunave aplikoi masat e dhunshme në shumicën e shkollave. Në anën tjetër, policia mori në të ashtuquajtura “biseda informative” shumicën e mësimdhënësve të shkollave fillore, krye¬sisht të klasave të para dhe të pesta, drejtorët, zëvendësdrejtorët dhe pedagogët shqiptarë si dhe veprimtarët tjerë të arsimit duke i keq¬trajtuar psikikisht dhe fizikisht. Shumicën prej tyre i paditi në gjykata për kundërvajtje dhe vepra penale nën pretekstin“për rezistencë kundër aplikimit të ligjeve dhe të akteve nënligjore të Serbisë në shkollat shqipe”, të cilët gjykata serbe shumicën prej tyre i dënoi me para dhe me burg.
Meqenëse, presioni policor serb nuk rezultoi i suksesshëm, për të thyer rezistencën e shqiptarëve në arsim, pushteti serb i ashpërsoi masat duke ndërprerë edhe financimin e shkollave shqipe. Mësim¬dhënësve u ndërpreu pagat dhe në tërësi mjetet materiale për arsimin në gjuhën shqipe. Por edhe kjo masë primitive dhe raciste e pushtetit kriminal serb nuk mundi t’i dekurajojë mësimdhënësit shqiptarë për të hequr dorë nga organizimi i mësimit në harmoni me legjislacionin e Republikës së Kosovës.
Organet arsimore serbe, kinse për t’ua “njohur si legjitim” vitin shko¬llor 1990/91 nxënësve në mësim me gjuhën shqipe, i urdhëruan hyrjen në provime klase nga lënda e gjuhës serbe dhe lëndët shoqërore që nga klasa e parë e shkollës fillore, por as kjo urdhëresë nuk është zbatuar në shkollat shqipe. Prandaj, drejtorët e dhunshëm serbë, në vitin shkollor 1990/91 sekuestruan vulat e shkollave, kështu duke pa¬mundë¬suar që dokumentacioni shkollor publik (librezat dhe dëftesat) të vulosen, prandaj ky dokumentacion për këtë vit shkollor është lëshuar i pavulosur dhe vetëm me nënshkrim të drejtorëve shqiptarë të shkollave.
Masat represive vetëm sa ashpërsoheshin, kështu qysh në shtator të vitit 1991, pushteti serb me anë të policisë nuk lejoi hyrjen e mësim¬dhënësve dhe të nxënësve shqiptarë në objekte shkollore pa e nën¬shkruar deklaratën se mësimdhënësit “do ta pranojnë Serbinë si shtet të tyre dhe punën arsimore do ta organizojnë në harmoni me ligjet dhe aktet nënligjore të Republikës së Serbisë, mësimin do ta mbajnë sipas planeve dhe programeve mësimore të Serbisë si dhe evidencën e mësimit do ta mbajnë në dokumentacionin pedagogjik të miratuar nga Pleqësia e Arsimit të Serbisë”. Këtë deklaratë nënçmuese dhe robë¬ruese, mësimdhënësit shqiptarë nuk e pranuan, po ashtu nuk i njihnin si legjitime as organet arsimore serbe të instaluara me dhunë në Kosovë dhe komunë. Ata për organe arsimore njihnin vetëm organet e themeluara në mbështetje të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
Rolin kryesor në mobilizimin e shkollave shqipe për rezistencë kundër vendosjes së pushtetit serb në arsimin shqip si dhe në dhënien e udhëzimeve për organizimin e punës arsimore në kushte të okupimit e luajti LASH “Naim Frashëri”, Enti Pedagogjik i Kosovës, Grupi për Arsim i Kosovës, SBASHK-u dhe Komisioni Parlamentar për Arsim i Republikës së Kosovës, pas konstituimit të tij nga viti 1993, kurse në Komunë të Prishtinës barrën kryesore për dhënien e udhëzimeve për organizimin e punës arsimore në shkollat shqipe e mbanin Sekretariati Komunal për Arsimin shqip, pas vitit 1995 Këshilli Komunal i Arsimit, Enti Ndërkomunal Pedagogjik, Aktivi i Drejtorëve të shko-llave shqipe, dega e LASH “Naim Frashëri” për Komunën e Prishtinës dhe Sindikata Komunale e Arsimit.
Viti shkollor 1991/92 për nxënësit shqiptarë nisi më 20 janar 1992, sepse për të filluar me kohë, në shtator 1991 nuk i lejoi pushteti serb, i cili në dyer të shkollave vendosi policinë. Prandaj mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit e nxënësve shqiptarë me ditë të tëra protestuan para objekteve shkollore me kërkesë për të mbajtur mësimin në shkolla pa kushtëzime nga ana e pushtetit serb. Duke vërejtur se protestat, të cilat shpërndaheshin me forcë nga ana e policisë, e cila rrahu, plagosi dhe burgosi shumë demonstrues, sidomos arsimtarë dhe veprimtarë të arsimit shqip, subjektet arsimore të Republikës së Kosovës miratuan elaboratin për organizimin e mësimit në kushte të okupimit - organizimin e mësimit në shtëpi - shkolla dhe në objekte shkollore, ku ekzistonte mundësia për organizim të mësimit. Në mbështetje të këtij elaborati edhe Pleqësia e Arsimit e Republikës së Kosovës miratoi Planet dhe Programet Mësimore për realizimin e përmbajtjeve programore në mënyrë të përshpejtuar.
Përkundër kërcënimit të policisë ky vit shkollor (1991/92) nisi pa pengesa të mëdha në objekte shkollore. Vështirësi më të mëdha pati në shkollat, në të cilat mësonin edhe nxënësit në gjuhën serbokroate, sepse drejtoritë e dhunshme kishin uzurpuar shumicën e dhomave të mësimit dhe të gjitha kabinetet e punëtoritë dhe mësimin e mbanin vetëm paradite. Për shqiptarët kishin mbetur vetëm klasat që kishin tepruar e shumica ishin edhe pa banka e karrige, si dhe numri i tyre ishte shumë i vogël, krahasuar me numrin e nxënësve dhe të paraleleve me mësim në gjuhën shqipe, prandaj në këto shkolla për nxënësit shqiptarë mësimi mbahej në tri e katër ndërresa me orar të shkurtuar dhe nën vëzhgimin permanent të policisë serbe.
E vetmja drejtori serbe e shkollave fillore të Prishtinës, e cila nuk lejoi që nxënësit shqiptarë të mbajnë mësimin në objekt shkollor ka qenë ajo e Shkollës fillore “Aca Maroviq” (nga 20 qershori 1992 për shqiptarët “Faik Konica”), e cila drejtori për të mos lejuar hyrjen e nxënësve dhe të mësimdhënësve shqiptarë në shkollë, me polici bllokoi dyert e objektit shkollor, kurse mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit e tyre me forcë i largonte nga oborri i shkollës e që shumë prej tyre i mori në të ashtuquajtura biseda informative, i burgosi dhe i rrahu, prandaj kjo shkollë në këtë vit shkollor për klasat e ulëta (klasa I-IV) organizoi mësimin në shtëpi private, kurse për nxënësit e klasave të larta të fillores (klasa V-VIII) në shkolla tjera të qytetit, kryesisht në ndërresën e tretë ose të katërt.
Në vitet tjera shkollore, kjo shkollë mësimin e mbajti në shkollat fillore: “Naim Frashëri”, “Hasan Prishtina” dhe “Dardania”, duke e ruajtur organizimin institucional. Në shtëpi private mësimin e mbajtën edhe paralelet shqipe të shkollës fillore “Bratstvo Jedinstvo” në Jasenovik të Komunës së Novo¬bërdës.
Në qershor të vitit shkollor 1991/92, organet arsimore të Kosovës, Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës, gjegjësisht Kryesia e LASH “Naim Frashëri” shqipëruan emrat e shkollave dhe nxorën vulat e dokumentacionin shkollor, librezat, dëftesat e nxënësve dhe vulat e shkollave me preambulë të Republikës së Kosovës dhe me këtë akt shkollat shqipe të Kosovës u ndanë nga sistemi juridik arsimor i ndërtuar në mbështetje të Kushtetutës së KSAK të Kosovës të vitit 1974 si dhe nga sistemi arsimor i Republikës së Serbisë e nisi ndërtimi i sistemit të pavarur të arsimit në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Këto vendime dhe dokumente i pranoi populli dhe shtetet demokratike të Botës Perëndimore.
Organizimi i mësimit në vitet e ardhshme shkollore (deri në vitin shkollor 1998/99), përkundër dhunës permanente të policisë serbe ishte më i lehtë në organizim, sepse ishte krijuar një përvojë e punës arsimore në kushte të jashtëzakonshme – të okupimit. U miratua rregullativa ligjore dhe nënligjore në harmoni me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, u siguruan mjetet modeste financiare për funksionimim e sistemit arsimor, funksiononin organet e shkollave dhe ato arsimore në nivele lokale dhe të Republikës së Kosovës.
Pushteti okupues i Serbisë kurrsesi nuk pajtohej me këtë organizim të arsimit shqip, prandaj kohë pas kohe merrte në të ashtuquajtura biseda informative, i keqtrajtonte, i dënonte me të holla dhe i burgoste mësimdhënësit, drejtorët e shkollave dhe veprimtarët e arsimit.
Dhuna dhe terrori i pushtetit serb ishte aq i madh sa që policia edhe mbyti mësimdhënës dhe nxënës (siç ishte rasti i mësimdhënësit të Shkollës fillore “Zenel Hajdini”, Feriz Blakçori si edhe i vrasjes së nxënësit të Shkollës fillore “Elena Gjika”, Fidan Brestovci si dhe i dhjetra nxënësve dhe mësimdhënësve tjerë të Komunës së Prishtinës gjatë periudhës mars – qershor 1999).
Të gjitha këto masa gjenocidale të pushtetit serb nuk mundën të ndalin punën e shkollave shqipe për të realizuar qëllimin e shenjtë – arsimin dhe edukimin e brezit të ri. Kjo sakrificë dhe ky angazhim deri në vetëflijim e shpëtoi nga injoranca, dëbimi dhe asimilimi popullin tonë dhe si rezultat solli lirinë e shumëpritur.
Vetëm në 37 shkollat fillore amë me 31 paralele të ndara fizike të Komunës së Prishtinës për çdo vit shkollor mësimin e vijonin prej 25.000 deri në 30.000 nxënës. Mbi 30.000 nxënës vijonin mësimin vetëm në vitin shkollor 1998/99, ngase rreth 7.000 prej tyre ishin të zonave të luftës, të cilët me familje u strehuan në Prishtinë, ku gjetën ngrohtësinë në shkollat e kësaj komune. Në shkollat fillore të Prishtinës e mbajtën mësimin 1.200 -1500 mësimdhënës, të cilët me një disiplinë të idealizuar dhe me përkushtim organizuan procesin edukativo-arsimor. Në kushte të tilla të okupimit, u miratuan Planprogramet e përbashkëta me Republikën e Shqipërisë për lëmitë gjuhësore –shoqërore, po ashtu edhe nxënësit u pajisën me një numër tekstesh shkollore të përbashkëta me shtetin e Shqipërisë.
Ekziston vlerësimi i përgjithshëm se në këtë periudhë kohore, Plani dhe Programi Mësimor është realizuar në një shkallë të lartë të kualitetit dhe kuantitetit, thuajse është punuar në kushte normale e jo nën trysninë dhe dhunën permanente të pushtetit policor dhe ushtarak serb. Këtë e vërtetojnë mungesat minimale të mësimdhënësve dhe të nxënësve nga procesi mësimor e nga aktivitetet e ndryshme shkollore dhe jashtëshkollore si dhe bashkëpunimi shumë i mirë me komuni¬tetin.
Mbikëqyrjen e realizimit të ligjshmërisë dhe të akteve nënligjore në shkolla të Komunës së Prishtinës e bënte Sekretariati Komunal për Arsimin shqip, kurse realizimin kualitativ të Planeve dhe Programeve Mësimore me përkushtim e përcillte Enti Ndërkomunal Pedagogjik. Sekreatriati Komunal për Arsimin shqip dhe Enti Ndërkomunal Pedagogjik nga 1 shtatori i vitit 1995 u fuzionuan në Këshillin Komu¬nal të Arsimit, i cili organ me ndërgjegje dhe kompetencë profesionale kreu punën në dhënien e udhëzimeve pedagogjiko-psikologjike, profe¬sio¬nale dhe juridike të institucioneve arsimore që punonin në territorin e Komunës së Prishtinës.
Në saje të obligimit ligjor dhe të dhënies së udhëzimeve nga Këshilli Komunal i Arsimit në shkolla janë formuar dhe kanë funksionuar organet qeverisëse dhe profesionale, si: këshilli i shkollës, këshilli i prindërve, bashkësitë e nxënësve, drejtori dhe zëvendësdrejtori i shko¬llës, këshilli i arsimtarëve, këshillat e klasave dhe aktivet profesionale.
Bashkëpunimi me komunitetin dhe përformanca e shkollave ka qenë në nivel të lartë, prandaj edhe besimi për punën e bërë ishte në nivelin e duhur. Sigurimi i të ardhurave personale bëhej përmes Këshillit Komunal të Financimit. Megjithëse, nga 1 janari, përkatësisht 1 prilli i vitit 1991 e deri më 1 prill 1992, mësimdhënësit punuan pa të ardhura personale. Në ndërkohë disa shkolla u ndihmuan materialisht nga mësimdhënësit e shkollave shqipe të Maqedonisë. Mirëmbajtja e objekteve shkollore, furnizimi i shkollave me material higjienik dhe me lëndë djegëse, kryesisht bëhej nga këshillat e prindërve, por fatmirësisht kishte edhe donatorë privatë, të cilët i ndihmonin shkollat, por kërkonin të mos evidencohen, sepse frikësoheshin nga masat represive të pushtetit serb.
Në nivel tejet të kënaqshëm bëhej edhe mbrojtja shëndetësore e nxënësve dhe e mësimdhënësve, e cila mbrojtje ishte organizuar për¬mes Sekretariatit Komunal të Shëndetësisë dhe më vonë Këshillit Komunal Shëndetësor, me ç’rast në të gjitha shkollat e qytetit dhe në disa shkolla të fshatrave punonin ambulancat shëndetësore. Kurse, në nivel të Komunës funksiononte edhe Ambulanca Specialistike e Arsimit.
Kështu, nga viti shkollor 1990/91 në Kosovë është krijuar dhe funksio¬noi sistemi i pavarur i arsimit shqip e që për krijimin e këtij sistemi kontribut të pamohueshëm dhanë shkollat e Komunës së Prishtinës, të cilat ishin shembull edhe për komunat tjera për rezis¬tencë kundër pushtetit okupues serb, si për organizimin e mësimit në mënyrë institucionale ashtu edhe për realizim kualitativ të Planeve dhe Programeve Mësimore të Republikës së Kosovës.
Shumë gazetarë, politikanë dhe veprimtarë të arsimit këtë sistem arsimor e quanin arsim paralelel, duke aluduar se ishte paralel me sistemin arsimor serb. Kjo tezë ishte e përhapur nga propaganda e pushtetit serb, e cila këtë e bënte me qëllim që arsimin shqip ta paraqesë si të inkriminuar dhe të jashtëligjshëm.
Kjo tezë nuk qëndronte, sepse shkolla shqipe organizonte mësimin në objektet shkollore dhe shtëpi - shkolla në mënyrë të pavarur, ku kishte legjislacionin, planprogramet dhe tekstet autentike mësimore, mësimin e organizonin mësimdhënësit shqiptarë të pranuar në procesin mësimor në bazë të konkursit publik në mbështetje të rregullativës ligjore e harmonizuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, shkollat kishin edhe sistemin e pavarur të financimit dhe mbrojtjen shëndetësore, e të tjera, gjë që nuk kishte asgjë të përbashkët me sistemin serb të arsimit dhe ky organizim nuk bëhej për inat të Serbisë, por si nevojë permanente për arsim dhe edukim të brezit të ri në mbështetje të tabanit kombëtar dhe të kërkesave pedagogjike e shkencore të botës bashkëkohore, prandaj si i tillë as që mund të llogaritet si sistem paralel.
Duhet cekur se shkollat e Komunës Prishtinës prinin edhe me organizimin e aktiviteteve jashtëmësimore, si në: gara të diturisë, gara të recitatorëve, dhënien e programeve kulturo-artistike para prindërve, komunitetit dhe më gjerë, gara sportive në shah, futboll të vogël, hendboll, basketboll dhe kros pranveror e vjeshtor e të tjera.
Pra, arsimi dhe shkollat shqipe e kthjellën shoqërinë shqiptare për rezistencë kundër pushtetit gjenocidal të Serbisë. Ato ishin institucion¬ne, të cilat me punën e tyre i konkretizuan kërkesat për të drejtën e vetëvendosjes. Përmes pavarësisë së punës së tyre, procesi i të drejtës për vetvendosje dhe mvehtësi po merrte përmasa në ritëm, të cilin ritëm institucionet tjera nuk mund ta siguronin.
Edhe bisedat e para Kosovë – Serbi, me ndërmjetësimin e ndër¬kombë¬tarëve, janë zhvilluar pikërisht për arsimin.
Veprimtaria e Arsimit përgatiti dhe krijoi edhe terren të volitshëm për lindjen, formimin, zhvillimin dhe veprimin e UÇK-së në radhë të së cilës u rreshtuan shumë mësimdhënës dhe veprimtarë të arsimit. Po të mos kishte punuar shkolla shqipe në vitet 1990-1999, atëherë pas çlirimit, në qershor 1999, në klasën e parë të fillores do të ishin regjistruar 7 vjeçari me 17 vjeçarin dhe popullatën do ta kaplonte analfa¬betizmi dhe çrregullimet e ndryshme jetësore do të ishin fatale.
Veprimtarinë dhe funksionimin e shkollave shqipe, në kushte të okupimit klasik e përkrahnin edhe organizatat ndërkombëtare të arsi¬mit. Shumica e shteteve të Demokracisë Perëndimore i pranonin dëftesat dhe diplomat e lëshuara nga shkollat shqipe, të cilat doku¬mente kishin preambulën e Republikës së Kosovës dhe ishin të vulosura me vula, të cilat në tekstin e tyre e kishin të shkruar Republika e Kosovës. Puna e shkollave shqipe në mënyrë permanente përcillej edhe nga mjetet e informimit (shtypi) vendor dhe ndërkom¬bëtar, të cilat për punën e tyre jepnin mendime shumë pozitive.
Pati edhe shkencëtarë vendorë dhe të huaj që janë marrë me këtë periudhë të arsimit shqip e që njëri prej më të njohurve është edhe profesori i Universitetit të Kanberas në Australi, dr. Majkël Salla, i cili mahnitet me organizimin e shkollës shqipe në kushte të okupimit, meqë një organizim si i tillë ndoshta ishte edhe unikat në botë, prandaj lidhur me veprimtarinë e arsimit në Kosovë 1990-1999 mbrojti edhe temën e disertacionit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat