Kryeministri nga LDK qetëson procesin paszgjedhor!

Opinione

Kryeministri nga LDK qetëson procesin paszgjedhor!

Nga: Flamur Shala Më: 22 tetor 2014 Në ora: 21:55

Procesi paszgjedhor i 8 qershorit për formimin e institucioneve të Republikës së Kosovës po shkon drejt fundit?! Fundi mund të jetë shkuarje në zgjedhje të parakohshme! Ose, procesi po del nga faza më bllokuese, nëse do të ketë ndryshime të qëndrimeve politike që kanë dhe po mbajnë partitë politike! Qëndrimet e partive politike kanë bërë që procesi të vështirësohet edhe më shumë, të dëmtohet demokracia kushtetuese dhe të dëmtohet qytetari! Kjo po ndodh ende për shkak të papërgjegjësisë politike ndaj shtetit nga PDK, që doli e para në zgjedhje po s’do kush të ketë punë me të dhe ndaj qytetarëve dhe përmes mosrespektimit të mundshëm të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi! Në këtë kontekst, e drejta e pamohueshme e bllokut politik paszgjedhor është mosvotimi i kandidatëve të PDK-së, si shprehje e vullnetit politik kundër, qoftë për kryeparlamentar, qoftë për kryeministër! Të tjerat anë që kanë të bëjnë me procedurat dhe respektimin e normave demokratike janë thënë nga Gjykata kushtetuese dhe eventualisht presidentja e Republikës së Kosovës!
VV po mëton se e realizoi qëllimin e vet lidhur me kushtet, të cilat i ktheu në “parime”! Kushtet i ktheu në qëndrime vendimtare për marrëveshje me koalicionin dhe i ishte bashkuar LAN-it. Iu bashkua me qëndrimet për dialogun dhe privatizimin! Këtë e bëri për dy arsye: E para, se deshi t’u qëndrojë besnik kushteve të veta, me karakter regresiv historik, dhe e dyta për përfitime politike si reflektim ndaj votuesve të saj. VV e di mirë se këto janë “përfitimet politike më të mëdha” të saj. Duke shfrytëzuar deri në maksimum pozicionin e brishtë të LAN-it, procesin e dyshimtë kushtetues, vetëm për përfitime momentale politike, VV arriti të paktën në pikën e të diktuarit të tempos politike të skenës bllok dhe të koalicionit paszgjedhor.
VV që nga fillimi i këtij procesi ka luajtur lojën politike, në njërën anë duke mbajtur LAN-in me sy prej saj dhe në anën tjetër duke vënë kushte gati të pakapërcyeshme për koalicionin paszgjedhor. Këtë brishtësi Vetëvendosja e kishte shenjuar që nga 10 qershori, ditën e formimit të koalicionit. VV e shfrytëzoi mirë pafuqinë e tij dhe në çdo hap po e kushtëzonte, edhe me të ashtuquajturat parime, të cilat në esencë janë antievropiane! Edhe kështu, LAN-i, ndonëse me hezitime, po i përqafonte kushtet, sepse mospranimi i tyre do t’i rrëzonte edhe ato skenare të mbetura, me gjithë qëllimin reflektiv të tij!
Pse ndodhi të reflektohet kështu, me pozicione bllok? Janë disa faktorë që lidhen varg e vijë e që sollën këtë situatë të paqartë për formimin e institucioneve!
Në Kosovë, është i paprovuar rasti i formimit të koalicionit paszgjedhor i përbërë nga tri parti politike bllok kundër të parit, pas një procesi zgjedhor. Formimi i koalicionit pas zgjedhjeve dhe ndarja e posteve për kryeministër dhe për kryeparlamentar të dy partive më të mëdha të këtij koalicioni komplikoi procesin. Kjo, pra koalicioni paszgjedhor, sa duket demokratik dhe legjitim, doli të jetë jolegal në veprime, sipas kushtetueses. Askush s’do ta dëshironte shkeljen e normave demokratike dhe askush s’do të dëshironte të mohonte dhe t’i kontetstonte normat kushtetuese!
Koalicioni i treshes ishte bërë shpejt, me transparencë dhe me një përmbajtje qeverisëse dhe programore, me parime të përbashkëta mbi zhvillimin. Ai e kishte dhe ka synim rrëzimin e piramidës korruptive që lidhet me qeverinë që po shkon! Rruga dhe mënyra e formimit të institucioneve nga koalicioni nuk u analizua deri në fund! Kështu, koalicioni i brishtë për nga numrat po priste të tjera parti për marrëveshje. Ngase ishte dhe mbeti si i tillë, por duke vazhduar të jetë legjitim, problemet i dolën rrugës deri në Kuvend. Legjitimiteti i vjen nga vota e qytetarit, legaliteti i vjen nga gjykata kushtetuese. Jofunksionliteti vjen edhe nga joparimësia, sidomos në ndarjen e pozitave për të dy liderët, atij të LDK-së dhe atij të AAK-së. Sepse, pozita e kryeministrit do t’i takonte partisë që ka fituar më shumë vota dhe jo e kundërta! LDK është partia që ka fituar më së shumti vota, është partia që ka fituar vota disa herë më shumë se AAK! LDK duhet t’i prijë legjitimitetit në çdo rrethanë, në çdo kombinim dhe në çdo dizajnim të marrëveshjeve për formimin e institucioneve të Republikës së Kosovës!
Dihet mirë nga të gjithë se çdo tentim që të ketë proces të kandidimit dhe të zgjedhjes së kryetarit pa propozim të kandidatit nga PDK, si parti fituese e shpallur nga KQZ dhe nga komisioni për verifikimin e mandateve, i formuar në seancën e parë konstituive të 17 korrikut, del jokushtetues dhe si i tillë i pavlefshëm. Çdo tentim i tillë do të ishte përsëritje e një skenari të mëparshëm, çdo tentim i tillë do të thellonte dhe do të rriste papërgjegjësinë ndaj instiutucioneve dhe formimit të tyre. Çdo tentim i tillë, siç dihet, do të degradonte shumëçka nga procesi demokratik i zgjedhjeve dhe çdo tentim i tillë do ta kthente çështjen në pikën zero!
Partitë politike të implikuara në këtë proces duhet të dinë se cilat duhet të jenë sjelljet e tyre kushtetuese e rrjedhimisht edhe politike. Pra të gjitha grupet parlamentare të partive politike, përkatësisht të gjithë deputetët dinë se cilat janë obligimet dhe detyrat e tyre kushtetuese, eventualisht se cilat janë mundësitë për marrëveshje me bazë kushtetuese për formimin e institucioneve. Nëse kjo nuk është kuptuar mirë, ose po bëhet që të mos duket se nuk është kuptuar mirë, të gjithë bashkë, pjesëmarrës të drejtëpërdrejtë, aktivistë politikë, funksionarë të lartë të partive, qytetarë etj., një ditë do të kuptojnë dhe do të shënojnë se ky proces, historikisht i shënuar, është dhe do të mbetet një nga proceset më interesante të përpjekjeve për formimin e institucioneve, i cili është me bazë legjitime për marrëveshje, por jo me veprime legale të bërjes së institucioneve, në bazë të interpretimeve kushtetuese të sotme. Nga pretenduesit se procesi është legjitim, nuk do të duhej të humbin ata që kanë fituar me mund e me bindje votën e qytetarit, ata të cilëve ende u beson qytetari, pra nuk duhet të humbë Kosova dhe deputetët e saj!
Ky proces shënon një fazë të zhvillimeve demokratike në Kosovë, për të parë edhe se si nuk mund të punohet, se si nuk mund të procedohet dhe se si nuk mund të ecet përpara! Nuk mund të ecet mirë përpara me parti të vogla e të ambicieve të mëdha! Janë partitë e mëdha me ambicie normale që i çojnë përpara proceset e ardhshme për Kosovën evropiane! Të voglat shkojnë me to! Është Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kryeministri nga radhët e saj që duhet t’u prijë këtyre proceseve! Kryeministri nga LDK qetëson procesin paszgjedhor!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat