Zonja Pack, Ramush Haradinaj nuk është Fatos Nano!

Opinione

Zonja Pack, Ramush Haradinaj nuk është Fatos Nano!

Nga: Nga Lavdrim Lita Më: 22 tetor 2014 Në ora: 21:46

Eurodeputetja Doris Pack është njohësja më e mirë e Ballkanit nga një jo ballkanase. Deputetja gjermane e Parlamentit Europian Pack ka shkruar në profilin e saj në një rrjet social se z. Ramush Haradinaj, që fitoi vetëm 10 % të votave, nuk ka bazë të kërkojë të bëhet kryeministër i një vendi. Nisur nga përvoja në vendin e saj ku ka një “Große Koalition” mes CDU-së dhe SPD, deputetja pro-shqiptare Pack ka ripërsëritur idenë e saj të thënë edhe më parë se Kosova ka nevojë për koalicionin PDK – LDK. Në fakt, koalicionin e madh PDK-LDK e kemi parë më parë në veprim dhe është treguar i pasuksesshëm; dhe s’mund të sjellë ndonjë ndryshim për vendin. Madje marrëveshja e bërë PDK-LDK prodhoi edhe një president jo kushtetues. Padyshim votuesit tradicional të LDK-së më shumë se për projektin politik të z. Isa Mustafa, në zgjedhjet e fundit kanë votuar kundër mënyrës së qeverisjes së kryeministrit Hashim Thaçi dhe jo të mbajtjes së tij në pushtet. Ideja e një koalicioni paszgjedhor PDK-LDK është më e pamoralshmja nga të gjitha logjikat e koalicioneve të tjera. Ndërkaq, ideja që një parti politike që merr veç 10 % të votave në zgjedhje dhe brenda një koalicioni nuk ka bazë të kërkojë që një kryetari i saj të bëhet kryeministër i një vendi ngjan pak i pavend duke parë eksperiencat në vendet e tjera të Bashkimit Europian. Në Itali qeveria më jetëgjatë ka qenë ajo e kryeministrit Betino Kraksi, që kishte me pak se 10 % dhe falë koalicionin me demokristianët e DC-së arriti të qeveriste për disa vite. Në Slloveni ish-kryeministri Janez Jansa, me 10 % të votave në zgjedhjet e 2011 arriti të bënte bashkë 5 parti për të qeverisur vendin. Po ashtu në Serbi, Ivica Daçiç me 14 % të votave u bë kryeministër në 2012 duke bërë koalicion me radikalët e Nikoliqit. Kësisoj precedentët e marrjes së mandatit për kryeministër me 10 % të votave brenda një koalicioni janë të shumtë dhe vendimi i LDK-së në marrëveshje me AAK është krejt realist. Teoria e politikës e pranon. Kreu i LDK-së, z. Isa Mustafa, iu ka treguar anëtarëve dhe simpatizantëve të tij se pse hoqi dorë nga posti i Kryeministrit – për t’ia dhënë atë z. Ramush Haradinaj. Zotni Isa Mustafa nuk do të kishte hequr dorë kurrsesi nga përgjegjësia e Kryeministrit në asnjë rast, sikur LDK të arrinte vendin e parë në zgjedhje, por rrethanat e marrëveshja politike kërkonin një kompromis. Këtë kompromis e ka bërë edhe lideri historik Ibrahim Rugova. Kompromisi i firmosur nga LAN është që me zgjidhjen e ngërçit të zgjidhjes së kryeparlamentarit, z. Ramush Haradinaj të votohet për postin e kryeministrit të Kosovës. Mund të thuhet pa droje z. Ramush Haradinaj, deri më sot, ka qenë kryeministrin më efikas që ka pasur Kosova, pas konfliktit të armatosur. Zotni Haradinaj është burgosur dy herë padrejtësisht, të herë i liruar me vendime gjykate, por kurrë pas burgut nuk është sjellë fjala vjen si z. Fatos Nano pas burgut të Tepelenës. Ish-kryeministri Nano pas viteve në burg mori veset e të burgosurve dhe europarlamentarja Pack prandaj e kritikonte ashpër. Mirëpo z.Ramush Haradinaj, ka treguar largpamësi si politike ashtu dhe kulturore, pasi ishte ndër të vetmin që fill konfliktit kuptoi se serbët e Kosovës, në çfarëdolloj llogarie, do të ishin pjesë e Kosovës së pavarur. Dhe kjo është meritë politike e intelektuale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat