Frika nga nacionalizmi është frikë e paarsyeshme!

Opinione

Frika nga nacionalizmi është frikë e paarsyeshme!

Nga: Shkruan: Fadil Maloku Më: 22 tetor 2014 Në ora: 16:58

(Ad hoc analizë sociologjike)

1. Obsesioni për t’u (mos)identifikuar me të tjerët
Duke u nisur nga modeli i sjelljes sociale në demokracitë akoma të brishta në Shqipëri dhe në Kosovë pas ndeshjes: Shqipëri Serbi, është e pamundur që syri i një sociologu të vëmendshëm të mos hetojë dhe evidentojë përpjekjen apo edhe mënyrën e sjelljes së kësaj qytetarie (në ndërtim në Shqipëri dhe asaj ende të brishtë në Kosovë) të re. Dhe këtë jo vetëm për të provuar aftësitë dhe gatishmërinë e sajë për të ndërtuar kapacitetet e reja shtetërore demokratike që akoma janë me përplot mangësi dhe defekte, por natyrisht edhe për të kuptuar e dëshmuar si sensin e akomodimit, ashtu edhe atë të refuzimit të sjelljeve tjera të huaja sociale, politike, sportive e kulturore që u nënshtrohen për çdo ditë ata që nga disa cilësohen edhe si modele sociale të “importuara” nga të katër anët e meridianëve!

Pra, duke u pajtuar me konstatimin se Kosova e pas luftës në një mënyrë u bë një lloj shtrati i Prokrustit të absorbimit të vlerave dhe mënyrave të sjelljeve gjithsesi vërtetët të importuara, tani pas gjithë kësaj kohe është interesant të shihen dhe të matën si shkaqet ashtu edhe pasojat e këtij ndikimi në jetën tonë të përditshme politike, sociale e kulturore. Kështu që për të analizuar denjësisht dhe me dioptri tipike sociologjike, këtë proces gjithandej në përditshmërinë tonë shoqërore për këtë dekadë të tërë që u ushtrua në forma dhe përmbajtje në gjitha poret e jetës shoqërore, duhet natyrisht me një kujdes e vëmendje të posaçme të përpiqemi ta shpjegojmë; ose si një demonstrim të muskujve të tendencës se globalizimit në mënyrë që “faktet” sociologjike e jo paragjykimet, të flasin me gjuhën e argumenteve; ose si një domosdoshmëri e kohës që paraqitet si pasoje mbylljes se tepërt nga ana e shoqërisë sonë shkaku i represionit qe ushtronte regjimi serb gjate sundimit te tij në Kosove. Ndryshe kujtoje ky proces s'mund të ketë një përgjigje sociologjike. Por, të shohim se çfarë s'duhej të mbindërtonim si vlerë dhe si model të sjelljes qytetare në Kosovë dhe besojë padyshim edhe në Shqipëri, njëherë tjetër.

2. Modelet e sjelljeve që s'duhet të zënë vend
Vrojtuesi i kujdesshëm gjithashtu në këtë proces të eksplorimit të raporteve dhe mënyrës së marrje dhënies së vlerave të reja që krahas ndryshimit të sistemit u imponuan si formë dhe ligjësi e re e sjelljes së qytetarëve të Kosovës, padyshim që do të mund në vija të trasha të hetoj se ky proces i “këmbimit” ndikoj dosido edhe në procesin e formimit të identitetit qytetar kosovar. Proces ky që s'ishte as i lehtë e as i padhembshëm për procesin tjetër qe prodhonin sferat morale, sociale, e do të thosha sidomos ligjore dhe kulturore autoktone. Ndodhi kështu, për mendimin tim edhe për shkak se shoqëria kosovare si ish shoqëri totalitare në kuptimin e dyfishtë (ndajë regjimit serb dhe ndajë autoritetit brenda vetvetes)tani po provon të ndërtojë raporte të atilla shoqërore, ku individi dhe grupet e ndryshme etnike do të jetonin në harmoni dhe tolerancë të shoqëruar me ligje dhe institucione të konsoliduara demokratike ashtu si edhe e gjithë Evropa. Por, skeptiku do pyeste: Athua detyrimisht jemi te shtrënguar te marrim çdo gjë qe na vjen si nga perëndimi ashtu edhe nga Lindja? Pra, dilema nuk është se nga duhet të ia mbajmë, por çfarë vlerash sociale, politike e sosh kulturore ne si shoqëri qe e synon Evropën, duhet te kultivojmë? A duhet këtë ta bëjmë ne mënyrë selektive, në mënyrë qe ta ruajmë thelbin e identitetit tone kombëtare, apo duhet t'i "rrëmbejmë" pa u hamendur ashtu siç po ndodhë ne jetën tone të përditshme? Apo duhet të mbesim vetvetja, pa frikën se “Evropa plakë”, “Evropa kurvë”, do na refuzojë?

Në fakt, për mendimin tim sociologjik, shoqëria kosovare për ngjatë gjithë periudhës së procesit të tranzicionit i është ekspozuar ne mënyrë obsesive dy tipe modelesh të identifikimit të vetës me të tjerët, apo më mirë me thënë dy formave te frikës: asaj ksenocentriste dhe asaj ksenofobiste. Të shohim se çfarë është njëra e çfarë tjetra?

3. Frika ksenocentriste (xenocentrism)
Thënë më thjeshtë ka kuptimin e minimizimit apo edhe ngandonjëherë kuptimin tej mase të mbivlerësimit të kulturave të huaja (aktualisht tek ne kjo ndodhë me identifikimin e tepruar të asaj perëndimore) që pas luftës së ndodhur ishin modele shumë atraktive identifikuese, në kuptimin e një hasjeje të pakontestueshme edhe për shkak se ishte përveç tjerash edhe një lloj satisfaksioni moral për gjithë ndihmën që shtetet perëndimore i ofruan Kosovës gjatë kohës së kërcënimit fizik dhe gjenocidit që ushtronte atëbotë regjimi serb. Shikuar me këtë dioptri s’ka asgjë të keqe në ketë drejtim, ngase të gjithë jemi të pajtimit se ne si vend, si shtet dhe si popull i përkasim perëndimit si gjeografikisht ashtu edhe politikisht. Por, ajo që po ngjanë në fakt me këtë proces të identifikimit tonë të tepruar, ka të bëjë me ato vlera dhe atë sistem deviant vlerash që në çdo vend dhe shtet perëndimor kontestohen si me fuqinë e ligjit ashtu edhe me normat dhe rregullat morale të këtyre vendeve.

Tani, ajo çka po ndodhë në Kosovën e pasluftës është një lloj inferioriteti i çuditshëm edhe me faktin, se po ndodhë një inferioritet total sidomos në sferën politike, ku asnjë vendim s’mund të merret pa “konsultimet” konstruktive me miqtë dhe shpëtimtarët tanë! Pra, është duke ndodhur një përçmim të vetvetes, një mahnitje të skajshme me të huajën, me botën jashtë nesh, me përbërësit e kulturës globale. Thuajse, ne jemi aq fëmijëror në këtë kontekst sa as shtetin, as ekonominë, as kulturën e as... s’mund ta bëjmë vetë dhe për vetën?!

Kjo ndjenjë e fatëpajtimit ngandonjëherë mund të shkojë edhe deri te refuzimi tërësor i unit kulturor vendor që për pasojë mund të ketë apatinë dhe ndjenjën e mos të qenit si thotë populli”Zot shtëpie, në shtëpinë tënde”. Fenomeni i identifikimit apo akulturimit është e qartë se në kohën tonë të globalizimit, është një fenomen që ballafaqohen pothuajse të gjitha shoqëritë e tranzicionit, bile do thosha edhe ato me traditë të gjatë demokratike. Të gjithë ëndërrojnë të amerikanizohen, pra të shijojnë të arriturat e një shoqërie tipike konsumuese, pra të mirëqenies, ku çdo gjë është me bollëk. Por, ajo çka ne harrojmë me këtë rast ka të bëjë me faktin, se e gjithë kjo mirëqenie nuk është arritur në perëndim vetëm duke pirë psh. një coca cola, apo duke përdorë një iphone apo ipad të sofistikuar, por duke krijuar një sistem të atillë ligjesh dhe një respektim institucionesh dhe vetë shtetin me të gjitha të metat e tij që aktualisht i ka në agjendë.

4. Frika ksenofobiste (xenophobia)
Është një tip tjetër i identifikimit apo përpjekjes për t’u mos identifikuar me vlerat dhe mënyrën e sjelljeve të tjerëve, që kujtojë se gjithnjë e më tepër është duke u ambientuar në jetën tonë të përditshme kosovare. Ksenofobizmi, për të mos hyrë tani në prejardhjen e vetë fjalës (që nënkupton: frikë nga e huaja, urrejtje dhe frikë ngandonjëherë edhe patologjike nga të huajt. Pra, një mohim dhe përçmim tej mase e çdo gjëje që vjen nga popujt dhe vendet tjera) , ngase kujtojë që shumica e kuptojnë për çfarë e kam fjalën. Në realitetin tonë kosovar kjo dukuri mund të konceptohet si një lloj obsesioni tani për rrezikun nga vlerat dhe sistemi i sjelljeve sociale e para së gjithash kulturore të tjerëve, pra si një antipod i frikës nga gjithçka që është e huaj për kulturën, mentalitetin, mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit social të vendit. Ky obsesion i këtillë me gjithë këtë potencial paragjykues e injorues ndajë çdo gjëje të huaj, në të ardhmen mund të prodhojë jo vetëm situata të rrezikshme deviante (mbyllje në vetvete, stres dhe pasiguri totale në vetveten dhe të tjerët), por situata të atilla që realisht do të mund ta pengonin si funksionimin e sistemit të sjelljes morale autoktone ashtu edhe sistemin ligjor atë politik e sidomos atë social e kulturorë .

I gjithë ky obsesion për ksenocentrizmin dhe ksenofobinë, në realitetin tonë s’do të duhej të paktën të këndvështrohej irracionalisht dhe me tone paragjykuese etnike, ngase lehtë ato mund të eskalojnë në shovinizëm, racizëm dhe urrejtje fetare. Vendet dhe shtetet ksenofobe gjykojnë të drejtën e tyre pronësore mbi kulturën dhe vlerat kombëtare, si të drejtë të patjetërsuar edhe për shkak se ata mendojnë që ekspozimi i tepërt i vlerave kombëtare në një mënyrë fashit idealet e tyre mbi pastërtinë kombëtare, racore e fetare!?. Në fakt, ksenofobia detyrimisht në kushtet dhe rrethanat e një procesi apo tendence globalizuese na del si një tipar dobësie dhe paaftësie për t’u integruar në familjet e mëdha, siç është psh. kjo Evropiane. Në anën tjetër, ekstremi tjetër i skajshëm i cilësuar si ksenocentrist, gjithashtu ka mangësitë dhe defektet e veta ngaqë i mbivlerëson vlerat dhe modelet e huaja të sjelljeve: sociale, politike, ekonomike e sidomos kulturore.

Në kushtet dhe rrethanat e një procesi nëpër të cilin po kalon shoqëria kosovare si ksenocentrizmi ashtu edhe ksenofobia, kujtojë që janë dy frika të pa arsyeshme edhe për një shkak tjetër: ofrojnë vetëm ndasi dhe tëhuajsim të skajshëm të vlerave kombëtare shqiptare, në vend që të ofrojnë ballafaqim me kulturat e tjera, sepse vetëm kështu mund të futemi në garën ndërqytetërimore dhe ndërkulturore.

Po jetojmë në një ambient dinamik social e kulturor, ku vlerat globale gjithnjë e më shumë po lokalizohen dhe anasjelltas. Kështu që ky proces i “dhënie – marrjes”, në fakt është bë edhe një agjentë shtesë lëvizës që na bënë të kuptojmë se na si shoqëri e re demokratike, duhet me masë (por jo edhe me rezerva paranoike!) të ndjekim rrugën Aristoteliane të “mesit të artë.

Ngaqë kalimi në ekstrem në cilëndo model të sjelljes sociale apo kulturore do të mund të na sjell në situata konfuzioni dhe animi të panevojshëm se jemi për apo kundër sistemimimit të këtyre vlerave në mënyrën e të menduarit dhe të vepruarit të jetës sonë të përditshme. Në fakt mendojë që barrikadimi prapa vërshimit të këtyre vlerave, nuk do të duhej të paktën të na bëjë më pak apo më shumë patriot e qytetar të Kosovës, ngase cilësimi i vlerave negative qoftë nga perëndimi apo lindja në një mënyrë janë pengesa tejet serioze në procesin e demokratizimit dhe zhvillimit të vendit. Andaj, nacionalizmi siç keqkuptohet shpesh nga modernistet dhe kozmopolitët s’ mbetet “strehë e fundit e horrave”, por një mbështetje e fuqishme e zhvillimit, emancipimit dhe progresit të kombit, nëpër etapat kritike kur ai refuzohet dhe kontestohet fuqishëm nga të tjerët! Sikurse, komshiu i jonë Serbia. Tekefundit, ne as që mund (dhe duhet) të bëhemi më “katolik se Papa”!

(Autori është Kryetar i Shoqatës së Sociologëve të Kosoves)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat