Rama nuk e ndihmon dot Serbinë

Opinione

Rama nuk e ndihmon dot Serbinë

Nga: Alma Lama Më: 21 tetor 2014 Në ora: 10:44

Nëse ata nuk distancohen dot nga një grup huliganësh në një stadium, si do të distancohen nga e shkuara kriminale e shtetit të tyre? E nëse nuk distancohen dot nga e shkuara kriminale me fqinjët, si do të mund të ndërtojnë një të ardhme të paqme me ta?

Këto dy pyetje do të duhej t’ia bënin vetes këto ditë të gjithë ata zyrtarë të lartë europianë, që gjithë këto vite janë munduar të ndërtojnë një iluzion, atë të një Serbie europiane. Dhe nuk është fjala vetëm për një iluzion të padëmshëm. Ky iluzion është ndërtuar në kurriz të Kosovës, të cilën e kanë detyruar të ulet në një tryezë me bashkëpunëtorët më të ngushtë të kriminelëve të luftës, të Millosheviçit e Sheshelit. E kanë detyruar Kosovën të nënshkruajë marrëveshje në disfavor të saj, me qëllimin që t’i jepet diçka Serbisë, të përkëdhelet egoja e saj, ta bëjnë të duket jo-humbëse në sytë e popullit të saj dhe të botës.

Përveç kësaj, më e rëndësishme për BE-në është zvogëlimi i influencës së shtetit rus mbi Serbi, prandaj i mbyllën sytë përballë nacionalizmit të sëmurë, përballë shtetit të kriminalizuar e të pareformuar dhe ia dhanë statusin e vendit kandidat para Shqipërisë. Edhe kjo në kurriz të Kosovës, pasi këtë të fundit e detyruan të bëjë show-n e shtrëngimit të duarve me përfaqësuesit e Kosovës në Bruksel.

Sikur të mos mjaftonin këto shfaqje, që para botës e bënë Serbinë të duket e moderuar, pra e maskuan shovinizmin e vërtetë, një tjetër shfaqje, edhe pse e një natyre jo kaq të rëndë sa kjo e Kosovës, e cila u detyrua të bëjë lëshime ne raport me sovranitetin, po përgatitet.

Kryeministrit Edi Rama, për të cilin s’kam dyshimin më të vogël se po peshon me shumë përgjegjshmëri fjalët dhe veprimet e tij, i kërkohet që të shkojë në Beograd, një vizitë historike kjo nëse realizohet pasi do të jetë thyerja e një akulli shtatë dekadësh mes dy vendeve. Nëse dikur akulli ishte ideologjik, dekadat e fundit kanë pasur në mes Kosovën.

Janë zyrtarët e Bashkimit Europian ata që po ushtrojnë presion mbi kryeministrin shqiptar, gjithmonë në funksion të hedhjes së një hapi tjetër në drejtim të pajtimit të konfliktit historik shqiptaro-serb. Unë nuk e vë në dyshim asnjëherë qëllimin e BE-së, ajo me të cilën nuk pajtohem janë mjetet, është strategjia, është rruga e tyre për të mbyllur sytë rreth realitetit të politikës serbe.

Kryeministri shqiptar, sidomos pas ngjarjeve të fundit, ku shovinizmi ndaj shqiptarëve dhe dhuna nacionaliste u shfaqën turpshëm në stadiumin “Partizani” të Beogradit, ku lojtarët e ekipit shqiptar u goditën jo vetëm nga huliganët, por edhe nga vetë policia, ku krerët e lartë të shtetit nxituan të bëjnë fajtor shtetin shqiptar për këtë, nga njëra anë, dhe kërkesës për sjellje dinjitoze shtetërore nga qytetarët e tij, është mes disa zjarresh.

Atij i duhet të gjejë një kompromis mes BE-së, vullnetit të qytetarëve të tij dhe dinjitetit shtetëror, i cili do të fyhej nëse shkon në Beograd këto momente dhe shtrëngon duart me kryeministrin serb, që madje ka deklaruar se nuk dihet a do ta presë.

Në cilësinë e një qytetareje të thjeshtë, jashtë përkatësisë politike të subjektit që përfaqësoj në Kuvendin e Kosovës, unë do të them mendimin tim. Kryeministri i shtetit shqiptar nuk duhet të shkojë të mërkurën, vizita duhet të shtyhet për një kohë tjetër, të papërcaktuar. Ky është kompromisi i domosdoshëm tani për tani. Një tjetër kompromis do të ishte dërgimi i një zyrtari të nivelit më të ulët, p.sh, zv.kryeministër apo ministër.

Janë disa arsye për të cilat unë mendoj kështu. E para lidhet me pyetjen që kam shtruar në fillim: nëse krerët e lartë të shtetit serb nuk distancohen dot nga dhuna raciste ndaj shqiptarëve e një grupi huliganësh, por përkundrazi, bëhen palë me të, a ka se si t’i shërbejë vizita e tij pajtimit shqiptaro-serb? Ku mbetet qëllimi këtu?

Qartësisht, para gjithë botës u shpërfaq realiteti i kësaj klase politike serbe që nuk është e gatshme për pajtim. Këtë duhet ta ketë të qartë jo vetëm shteti shqiptar, edhe pse unë besoj se ata e dinë mirë këtë, por përfundimisht ta marrë vesh edhe BE-ja. Kjo e fundit, realisht e kryesuar nga zonja e hekurt gjermane Merkel, duhet ta ushtrojë presionin më të madh mbi Serbinë. Për këtë shtet të padenacifikuar, apo demillosheviçizuar, karota ka qenë shumë më e madhe se shkopi dhe ky ka qenë një gabim i BE-së, për mendimin tim.

Shqipëria pra, edhe pse jetësisht e interesuar për BE-në, nuk duhet të luajë rolin e rehabilituesit të Serbisë. Në fakt edhe po ta bënte këtë gjë, kjo prapë nuk e ndihmon Serbinë. Ky vend ka probleme me vetveten; duhet të bëjë katharsisin. As BE nuk i ndihmon dot edhe sikur sot ta bëjë anëtare me të drejta të plota. Serbia është e sëmurë prej shumë kohësh. Serbia sot nuk ka politikanë vizionarë që do ta nxirrnin nga llumi i nacionalizmit dhe krimit. Ata që janë, pra Nikoliç, Vuçiç dhe Daçiç, janë pjesë e korit nacionalist serb.

Pastaj unë nuk besoj se po ndodh rastësisht acarimi i gjuhës në Beograd në raport me Shqipërinë, edhe pse në mendjen e tyre gjithmonë është Kosova. Mendoj se kjo strategji lidhet me raportet që sot ka Putini me BE-në dhe SHBA-në, pas përshkallëzimit të konfliktit në Ukrainë. Vizita e Putinit dy ditë pas ndeshjes, show i armatimit për nder të tij, përqafime e shtrëngime duarsh me “carin” rus që po sfidon hapur Europën dhe SHBA-në, janë shenja të qarta që u dërguan në drejtim të BE-së nga ana e Serbisë. Ngritja e zërit këto ditët e fundit, i cili ngjall makthin e dy dekadave më parë në Ballkan, pra është kërcënim i hapur nga ana e saj. Edhe në këtë rast, vizita e kryeministrit shqiptar vështirë se ndihmon ndonjë gjë në qetësimin e raporteve rajonale, pasi në skenë janë kthyer superfuqitë.

Nuk duhet të harrojmë kurrsesi as dinjitetin shtetëror. Deri tani kemi thirrje ambasadorësh dhe dorëzim notash proteste, deklarata dinjitoze të Ministrisë së Jashtme Shqiptare, që dënojnë dhunën dhe shpifjet e shtetit serb, si dhe mbrojtjen e simboleve kombëtare; shkëmbime deklaratash mes dy kryeministrave, ku qartësisht Vuçiç akuzon Shqipërinë me gogolin e Shqipërisë së madhe, edhe pse fluturakja që mbante flamurin nuk ka kurrfarë lidhje me shtetin shqiptar; Nikoliç fyeu rëndë shqiptarët duke i quajtur të paaftë për të bërë shtet; pra në vend që të merrnin përgjegjësinë për dhunën në ndeshje, filluan akuzat dhe fyerjet në stilin “mbrojtja më e mirë është sulmi”. Në një situatë kaq të acaruar, ku madje është deklaruar nga kryeministri serb se nuk di a do ta presë kryeministrin shqiptar, ndërsa kori primitiv nëpër stadium vazhdon thirrjet e padënuara nga autoritetet serbe “vrisni shqiptarët”, do të ishte fyese për Shqipërinë të shkonte në Beograd e të bënte sikur nuk ka ndodhur asgjë, me një fjalë të sillej pa dinjitet.

Nga ana tjetër, për mua ka rëndësi dhe nuk duhet thyer një kohezion kombëtar i krijuar këto ditë, i cili kurrsesi nuk është nacionalist dhe nuk ngjan në asgjë me atë të Serbisë. Kryeministri shqiptar, edhe pse kurrsesi nuk do t’i sugjeroja të fliste me gjuhën e turmave, megjithatë nuk duhet të lëndojë ndjenjën që na përbashkon, pasi kjo ndjenjë është e nevojshme që ne të ecim përpara si komb. E kam fjalën në lidhje me kontekstin e rrethanave, kur pikërisht identiteti ynë po lëndohet nga rryma të rrezikshme të fanatizmit fetar, të cilat po na përçajnë e vënë kundër njëri-tjetrit. Ne si komb nuk mund të bëhemi më të moderuar sa francezët apo gjermanët, sa anglezët apo italianët, përsa i përket përkatësisë kombëtare, me një fjalë nuk mund të bëhemi më katolikë se Papa. Kohezioni kombëtar, i nxitur qoftë edhe nga një flamur, sot na duhet për ta luftuar të keqen që ka depërtuar brenda nesh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat