Mje(r)kësia në Kosovë Betimi i Hipokratit

Opinione

Mje(r)kësia në Kosovë Betimi i Hipokratit

Nga: Shahin Sallahu Më: 20 tetor 2014 Në ora: 10:24


“Në çastin kur po hy në radhët e anëtarëve të profesionit mjekësor premtoj solemnisht se jetën time do ta vë në shërbim të humanitetit. Ndaj mësuesve do ta ruaj mirënjohjen dhe respektin e duhur.

Profesionin tim do ta ushtroj me ndërgjegje e me dinjitet. Shëndeti i pacientit tim do të jetë brenga ime më e madhe. Do t’i respektoj e do t’i ruaj fshehtësitë e atij që do të më rrëfehet. Do ta ruaj me të gjitha forcat e mia nderin e traditës fisnike të profesionit të mjekësisë. Kolegët e mi do t’i konsideroj si vëllezër të mi. Në ushtrimin e profesionit ndaj të sëmurit tek unë nuk do të ndikojë përkatësia e besimit, e nacionalitetit, e racës, e politikës, apo përkatësia klasore. Që nga fillimi do ta ruaj jetën e njeriut në mënyrë apsolute. As në kushtet e kërcënimit nuk do të lejoj të keqpërdoren njohuritë e mia mjekësore që do të ishin në kundërshtim me ligjet e humanitetit. Këtë premtim po e jap në mënyrë solemne e të lirë, duke u mbështetur në nderin tim personal.”

Në vitin 1995, kur Kosova ishte pushtuar në çdo shkallë të organizimit nga shteti serb, më ndodhi një aksident trafiku mua dhe dy kushërinjëve të mij! Unë kisha shtypur një krah, njëri nga kushërinjtë kishte shtypur brinjët dhe i treti kishte kaluar pothuajse pa asnjë plagë. Siç ndodh shpesh në aksidente, unë nga përplasja kisha humbur vetëdijën, dhe kur u zgjova pashë vetën në një veturë të huaj që më dërgonte me shpejtësi në spitalin e QKUK-së.

Spitalet në atëkohë ishin mbushur me infermiere serbe nga Bosna e Kroacia (të cilat sot kërkojnë hise në tokën e Kosovës!), si dhe mjek të shumtë serb, e aty-këtu shqiptar që nuk i kishin larguar nga puna. Pasi arritëm aty, më futën në një dhomë për të më fotografuar në kokë, pasi kisha edhe disa gërvishje dhe pikoja gjakë. Nga përplasja në aksident, isha në një gjendje, herë i kthjellët e herë gjysëm të fikët dhe çdo sekondë më bëhej një javë! Papritmas dëgjoj një zë të një infermiereje “Šta se foliraš“ (Çka po shtiresh), dmth unë sipas saj gënjeja! U ngatërrova me të ashtu i shtrirë deri sa një kushëri më tha “lëre se nuk të kontrollojnë fare”, “edhe” i thashë, “kjo shtrigë serbe do më tregon se shtirrem unë apo jo”?

Unë shpëtova mirë nga ai aksident dhe u shërova shpejt! Në vitin 2014, 19 vite më pas, QKUK-ë, spitalet me mjek dhe infermiere shqiptarë. Shteti i Kosovës, ministritë shqiptare! Spitalet si shtallë lopësh! As të urinosh nuk ke ku, sepse banjot ose nuk kanë ujë fare, ose mund të bësh not të!

Dhoma të stërmbushura, dritare pa perde, dysheme me gropa, mbajtëset e infuzionit të ndryshkura! Në një dhomë të ortopedisë, nëna ime pret të operohet. I duhët vënë mjë pjesë në anën e majtë të belit, që zëvendëson ashtin që është përpjekur në ashtin tjetër dhe është gërryer. Ajo pjesë kushton 3000 euro dhe natyrisht duhet paguar nga xhepi i familjës sime. Për të njëjtin operacion, spitalet private kërkonin shuma deri në 6000 euro, dy doza gjaku nga familja dhe vetëm dy ditë qëndrim në spital! Çdo ditë tjetër duhej paguar 50 euro.

Unë, një vëlla dhe një motër, udhëtojmë enkas nga Gjermania për të iu gjendur pranë nënës sonë, si në aspektin moral, ashtu edhe material. Hy në dhomën ku gjindej nëna ime, për pak sa nuk e theva këmbën. Një gropë ishte hapur që në hyrje! Në dhomë ishin katër shtretër (gjatë ditëve u bënë pesë!). Pacientit të parë i ishte lidhur një shishe 1.5 litërshe me ujë në këmbë, për të ia mbajtur këmbën drejt!!! Nënës sime pas çdo vizite të mjekut i cili i linte një copë letër te koka, i duhej blerë nga qesja e urinës deri tek hapat për dhimbje, që çdo ditë kushtonin 10-30 euro! Kishte pacient dhe familjar të tyre, që mirrnin atë copë letre dhe silleshin nëpër oborret e spitaleve, në pamundësi të blejnë barëra fare.

Në ditën e tretë, në dhomë kishin sjellur një foshnje 5 muajshe dhe asaj i kishin lidhur një shishe 0.5 litërshe në këmbë, e cila virrej në fundin e shtratit 2 metërsh! Foshnje 5 muajshe në dhomë me të rritur bashkë?! Nëna ime është operuar, edhe pse operacioni kaloj me sukses, ajo ende nuk është shëruar plotësisht. Vazhdojmë me vitin 2014. Vëllau im i vogël, për herë të parë do bëhet baba! Kunata ime kishte kaluar një shtatëzani pa ndojnë problem serioz!
Vije dita të sjell fëmiun e saj të parë në jetë. QKUK-ë, spitali i Gjinekologjisë. Lindja duhet kryer me operacion! Në jetë vije vajza e tyre, mbesa ime. Pas një jave dhimbje në shtëpi, kunata ime kthehet në spital përsëri.

Qepja e bërë pas operacionit ishte infektuar! I hapin plagën përsëri duke pastruar qelb me litra! 10 ditë tjera i kalon në spital, me plagë të hapur. Pastaj, i qepet plaga prapë, sikur të qepej ndonjë rrobë që punohet me punë dore!
Kunatës sime, mjekët për pak sa nuk i humbën jetën. Atë e shëmtuan me qepje barbare! Dy javë më vonë, një i afërm tjetër sjell gruan e tij për të lindur fëmiun e dytë, po në të njëjtin spital! Lindja, prapë duhet kryer me operacion! Ajo sjell në jetë një vajzë, por pas operacionit i kalon mbi dy javë në repartin intenziv! Mjekët e pakujdesshëm e kishin lënduar në organe tjera gjatë operacionit, saqë jeta e saj në ditet e para pas lindjes ishte tejet në rrezik!

Sot, që të dyja nënat e reja, janë në shtëpi por me gjendje jo të mirë shëndetësore! Thonë se në këtë jetë ndodhin gjëra në rastësi! Unë nuk besoj në rastësi. E kanë lexuar vallë mjekët në Kosovë Betimin e Hipokratit? Athua, gjendja e rëndë politike i detyron mjekët të gabojnë? Si ka mundësi që mjekët në ordinancat dhe spitalet private të jenë të “suksesshëm” e në ata shtetëror jo?

Pse, në spitalet e Kosovës, pacienti edhe dorëzat duhet të ia blej mjekut? Pse, gënjejnë qeveritë e Kosovës se i mbajnë gjallë spitalet, kur ato paguhen kryekëput nga pacienti? Pse, nuk i ra “ndër mend” asnjë qeverie të formojë sigurimet shëndetësore qe 15 vite? Mos vallë, nuk duan të prishin partneritetin me mjekët dhe spitalet private? Mjeku, do duhej të ishte human, e jo kasap!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat