A do të ketë (pa) drejtësi?!

Opinione

A do të ketë (pa) drejtësi?!

Nga: Autor: Besnik B. Avdiaj Më: 19 tetor 2014 Në ora: 15:12

Shtetet e Gadishullit Ballkanik janë të njohur historikisht për konflikte e luftëra për zgjerime territoriale, veçanërisht pas dyndjeve sllave nga Malet Karpate, gjatë shekujve 7 dhe 8. Këto konflikte, qoftë politike, qoftë të armatosura, janë përcjellur edhe në ditët tona. Kryesisht ngjarjet kanë ndodhur mes popujve autoktonë në Ballkan, shqiptarëve, grekëve, maqedonëve dhe sllavëve të ardhur nga Karpatet. Me theks të veçantë, historia ka shënuar përplasje të fuqishme mes shqiptarëve dhe popujve sllavë, të cilët gjithmonë kanë pasur qëllime zgjeruese territoriale në dëm të shqiptarëve. Në mbi njëqind vitet e fundit, shteti serb, me projektin e “Serbisë së Madhe”, të udhëhequr nga liderët serb që para shekullit 20. Çështja shqiptare mbeti e tensionuar edhe pas vitit 1913, ku shumë territore me popullsi etnike shqiptare u lanë jashtë Shqipërisë së vitit 1912, duke u ndarë në mes shteteve fqinjë, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia dhe Greqia. Vetëm në vitin 2008 Kosova, si territor me rreth 90% popullsi shqiptare, shpalli pavarësinë nga Serbia, duke pranuar njohjen e mbi 105 shteteve anëtare të OKB-së, deri tani. Tensionet mes popullsive etnike të këtyre vendeve kanë pasur gjithmonë pasoja. Madje ç’është më e keqja këto përplasje janë përcjellur edhe në ditët e sotme, madje edhe në futboll, sport i cili duhet të jetë urë lidhëse mes popujve.
Një ngjarje shumë e përfolur jo vetëm në mediat shqiptare, por edhe botërore, është ndeshja Serbi-Shqipëri për eliminatoret e Evropianit 2016, e cila u ndërpre nga gjyqtari anglez Atkinson për shkak të futjes së tifozëve në fushë.
Por, çfarë ndodhi në të vërtetë para, gjatë dhe pas ndeshjes?
Para së gjithash, shorti i grupeve caktoi Shqipërinë dhe Serbinë në grupin I të kualifikimeve. Ndonëse ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë u konsiderua si një ndeshje e rrezikshmërisë së lartë, nuk u anulua një short i tillë, ashtu sikurse ndodhi me Gjibraltarin dhe Spanjën, dhe me Armeninë e Azerbajxhanin. Pse UEFA nuk bëri të njëjtën gjë me Serbinë e Shqipërinë?
Pas kësaj erdhi deri tek përgatitjet për organizimin e ndeshjes në stadiumin e Partizanit në Beograd të Serbisë. Kombëtarja serbe bëri insistime të shumta në strukturat më të larta të UEFA-së për të mos lejuar vajtjen e tifozëve shqiptarë në Beograd, për shkak të rrezikshmërisë së kësaj ndeshje. Kombëtarja shqiptare ishte për zhvillimin e ndeshjes në Beograd dhe asaj kthyese në Elbasan të Shqipërisë, me pjesëmarrjen e tifozëve nga të dyja palët. Por, me gjithë insistimin e të dyja palëve, UEFA mori vendim që ndeshjet të luhen pa pjesëmarrjen e tifozëve të skuadrave kundërshtare. Ndoshta, pas atyre që ndodhën, edhe ishte vendim i duhur. Si rezultat i kësaj, në stadiumin me mbi 32 mijë ulëse, nuk u lejua të futej asnjë tifoz shqiptar, përveç një numri të caktuar shumë të vogël të vendeve VIP.
Gjatë kohës së përgatitjeve për zhvillimin e ndeshjes, mediat serbe u deklaruan disa herë se tifozët dhe lojtarët e kombëtares së tyre kanë frikë se do të humbin.
Shqiptarët, duke mos pasur mundësinë e pjesëmarrjes direkte në stadium për të mbështetur skuadrën e tyre, shfrytëzuan rrjetet sociale duke përdorur hashtaget si: #unebesoj #jeminje, etj.
Por, ajo që ndodhi gjatë ndeshjes ishte një vulë mbi tensionin shekullor serbo-shqiptar.
Sipas renditjes në kohë, gjatë zhvillimit të ndeshjes, ndodhën ngjarjet si në vijim:
Para fillimit të ndeshjes, flamuri zyrtar shqiptar ishte fshehur dhe tifozët serb fërshëllejnë interpretimin e himnit kombëtar të Shqipërisë. Gjithashtu para fillimit të ndeshjes, ata djegin flamurin e aleancës së NATO-së.
00’08” shfaqet pankarta “Kosova është Serbi”.
Që nga fillimi i ndeshjes, dëgjohen thirrjet e tifozerisë serbe në kor “Vritni! Vritni shqiptarët!”
12’40”, pasi lojtari i kombëtares shqiptare, Lila, u godit me top në fytyrë, u dëgjuar shpërthimi i një mjeti piroteknik.
14’29” hidhet një kapsolle në fushë nga ana e tifozëve serb.
24’33” ngritën flamurin e Greqisë, në mënyrë të qartë anti-shqiptare, duke ditur tensionet që edhe sot pëcjellin këta dy popuj.
35’11” disa kapsolle të tjera hidhen në drejtim të lojtarit shqiptar Agolli, i cili tërhiqet nga ekzekutimi i rivënies fundore (kornerit). Gjyqtari Atkinson pezullon ndeshjen për pak sekonda për shkak të mjeteve piroteknike dhe kapsolleve që hidhen në fushë. Lojtarët serb Kolarov dhe Lazoviç qetësojnë tifozët, teksa ndeshja rifillon pas 40 sekondave.
40’45” një shishe hidhet në drejtim të lojtarit shqiptar Balaj.
41’13” gjyqtari Atkinson pezullon ndeshjen për shkak të hedhjeve të mjeteve plasëse në fushën e gjelbër. Ai bën thirrje që të mos hidhen objekte të tilla në fushë.
41’57” pas hedhjes së atyre objekteve në fushë, shfaqet një mini-helikopter (dron), i cili mban një flamur me hartën e Shqipërisë Etnike. Në këtë flamur janë edhe dy fotografi të dy heronjve të historisë së popullit shqiptar, Ismail Qemali dhe Isa Boletini. Nën hartë shkruhet “Autochthonous” që do të thotë “Autokton”. Lojtari serb Stefan Mitroviç vrapo dhe në mënyrë të egër kapi flamurin. Pas kësaj lojtarët shqiptarë, Taulant Xhaka dhe Andi Lila, vrapuan duke ia marrë flamurin nga dora.
Pas kësaj, porta që lejon tifozët serb të hyjnë në fushë, është e hapur. Forcat policore nuk ndërhyjnë. Me tifozët, në fushë futet edhe Ivan Bogdanov me grupin e tij.
Pak para minutës 45’, gjyqtari kryesor, Atkinson, ndërpren lojën dhe dërgon lojtarët në zhveshtore.
Le të përmendim këtu dhunën e ushtruar ndaj lojtarëve shqiptarë gjatë incidentit që u shënua në minutën 42’, ku tifozë nga tribunat u futën në fushë dhe goditën lojtarët shqiptarë me stola dhe me boksa. Ata u vetmbrojtën, çka do të bënte cilido njeri që merr frymë. Përveçse nga tifozët, dhunë fizike mbi lojtarët shqiptarë u ushtrua edhe nga personat e sigurimit fizik si dhe nga disa lojtarë serb. Duket që gjyqtari Atkinson ka kërkuar kthimin e lojtarëve në fushë, dhe ka spekulime se ata nuk kanë pranuar, por duke marrë parasysh gjendjen e tyre fizike dhe psiqike pas dhunës së ushtruar, as që do të duhej t’u kërkohej një gjë e tillë.
Më lartë u përmend Ivan Bogdanov. A s’është ky huligani që shkaktoi ndërprerjen e ndeshjes Itali-Serbi në Gjenova të Italisë në vitin 2010? A s’është dënuar ky që të mos iu afrohet stadiumeve për një periudhë relativisht të gjatë? A nuk u lejua ky të futej në stadium si tifoz, madje edhe në fushë, si huligan? E pra, kush do të marrë përgjegjësinë për këtë?!
Jo vetëm kaq. Gjatë largimit të lojtarëve nga fusha për në tunelin që dërgon në zhveshtore, ka video dhe foto të qarta se si huliganët serb të futur në fushë i godasin ata me shqelma. Këtu mund të shihen edhe stolat që fluturojnë nga tribunat në drejtimin e tyre.
Gjithçka që ndodhi, a nuk do të duhej të ishte përgjegjësi e organizatorëve mikpritës? Madje, jo vetëm mungesë përgjegjësie, por edhe deklarata të ndryshme politike anti-shqiptare pasuan këtë ndeshje nga krerët më të lartë të shtetit serb, duke përfshirë këtu ministrin e punëve të jashtme, Ivica Daciç dhe kryeministrin Vuciç, të cilët e konsideruan si provokim flamurin e ardhur nga ajri me mini-helikopter. Si mund të konsiderohet provokim një flamur me përmasa normale, në mesin e qindra flamujve serb?!
Olsi Rama, vëllai i kryeministrit shqiptar, Edi Rama, u arrestua nga policia serbe, me dyshimin që ai ka kryer manovrat me dronin, me anë të telekomandimit. Por, doli të jetë thjesht një kapje për një fije kashte e forcave policore serbe. Personi i cili lëshoi dronin dhe e dirixhoi atë është i panjohur. Duket që vjen nga radhët e tifozëve të quajtur “Shvercerat” nga Shkupi. Pra UEFA nuk ka asnjë fakt se shqiptarët e kanë bërë një gjë të tillë. Madje supozohet se ekipi rival i qytetit të Beogradit ndaj Partizanit, ka mundur të jetë i përfshirë në këtë akt, për shkak të konflikteve që i përcjellin gjithmonë ndeshjet e tyre, ashtu si edhe ndeshjen e datës 18 tetor, ku jo vetëm që u vendos një pankartë me mbishkrimin “Kosova është Serbi”, që haptaz shpreh racizëm, por edhe pati probleme mes tifozëve duke sjellë dëmtim të pjessshëm të stadiumit. Këta janë tifozë futbolli, e jo mahi!
Mediat serbe konsiderojnë gjithçka si “një skenar i përgatitur për të provokuar krenarinë e Serbisë”, madje shkojnë aq larg sa ta konsiderojnë edhe futjen e Bogdanovit në stadium si “i paguar nga shqiptarët”.
Ishin të papritura deklaratat e zyrtarëve të lartë europian. Zëdhënësja e baroneshës Ashton, Maja Kocijanciç përmes një deklarate për media i përgëzoi forcat policore serbe për “profezionalizmin” e treguar gjatë ndeshjes. Vërtet quhet profesionalizëm kur lejohen të futen huliganë të tillë në fushë dhe të kryejnë akte të pështira mbi lojtarët mysafirë? Vërtet quhet profezionalizëm ku vetë persona të këtyre forcave policore ushtruan dhunë mbi lojtarët shqiptarë? Vërtet quhet profesionalizëm ku mysafirët luajnë futboll në një ambient ku thirret për vrasje të tyre? Janë deklarata favorizuese për Serbinë dhe aspak të drejta, duke marrë parasysh se Shqipëria dhe Serbia janë dhe duhet të jenë të barabarta në rrugëtimin e tyre drejt strukturave euro-atlantike.
I pari i UEFA-së, Michel Platini thotë se të dyja kombëtaret do të ndëshkohen, madje ai shprehet edhe në dyshimin se çka nëse droni do të mbante një bombë në vend të flamurit?
Do të doja t’i përgjigjesha Platinit me një kundër-pyetje: I nderuar z. Platini, çfarë nëse mjetet shpërthyese që hodhën tifozët serb drejt shqiptarëve të kishin qenë bomba? Çka nëse ata do të mbanin armë zjarri dhe t’i përdornin ato? Ja, kaq ka qenë sigura në stadium! E patë edhe vetë se kush ishte i pranishëm dhe çfarë bëri!
Do të doja të përmendja këtu disa deklarata të lëshuara nga lojtarë me emër të futbollit, të cilët ndërtojnë ura mes njerëzve dhe nuk i shkatërrojnë ato, ashtu siç bënë tifozët serb në Beograd. Christiano Ronaldo ka thënë se ka frikë të luajë në Beograd. Beckam e Gatuzo përgëzuan shqiptarët për mbrojtjen e krenarisë së tyre. Ibrahimoviç deklaroi se Kosova është Serbi nëse nëna e tij do të ishte e virgjër. Në përgjithësi vlerësojnë se Serbia duhet të ndëshkohet, sepse është fajtore për gjithçka ndodhi.
Nëse pas gjithë kësaj që ka ndodhur në Beograd, natën e 14 tetorit, a duhet vallë të dënohet Shqipëria nga Komisioni i Disiplinës i UEFA-së në vendimin që pritet të merret në nëntor, pas atij që me 23 tetor do të vendosë për fatin e ndeshjes? Nëse do të merrej një vendim i tillë që nuk do të dënonte Serbinë për të gjitha aktet e kryera nga tifozët, forcat e policisë, lojtarët dhe deklaratat politike të krerëve të lartë të shtetit serb, atëherë do të vihej në dyshim mikpritja pa hile evropiane për shqiptarët, të paktën në aspektin e sportit.
Më poshtë janë disa fotografi që janë të pakontestueshme për çfarë shprehin (Janë marrë nga rrjete sociale, portale online të mediave dhe faqeve zyrtare).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat