Historia e hidhur në bashkëkohësi!

Opinione

Historia e hidhur në bashkëkohësi!

Nga: Flamur Shala 19 tetor 2014 Më: 19 tetor 2014 Në ora: 12:23

Shqiptarët dhe serbët jetojnë në fqinjësi! Se cila është dhe do të jetë cilësia e kësaj fqinjësie në mes dy popujve do të varet nga sjelljet politike dhe shtetërore shqiptare dhe serbe, midis shteteve të tyre! Politika shtetërore që nxit dhe ndërton komunikimin e mundshëm sistematik dhe cilësor si dhe zhvillon marrëdhënie të fqinjësisë normale, do të jepte shembullin më të mirë. Ndërkaq, politika shtetërore që i prin politikës ditore me qasje nga e kaluara e hidhur kundërshqiptare ose kundërserbe, pra me të gjitha premisat nacionaliste dhe të urrejtjes ndaj fqinjit tjetër, do të jetë politikë komprometuese, regresive dhe gjithsesi e dëmshme për fqinjësi korrekte në mes dy popujve.
Shqiptarët e fituan luftën ndaj shtetit serb, e fituan luftën e drejtë për çlirim nga regjimi dhe shteti serb. Përkundër luftës, ku duhej të fitonte njëra palë, shqiptarët dhe serbët duhet ta fitojnë bashkë paqen, por jo duke i gjasuar paqja luftës, po, gjithsesi, duke i gjasuar ajo, paqja, bashkëkohësisë. Sot, bashkëkohësia evropiane e shqiptarëve dhe serbëve është integrimi i tyre evropian, zhvillimi i mirëfilltë ekonomik, që mund t’i lë anash të gjitha pengesat e domosdoshme edhe ato të fqinjësisë së mirë midis dy popujve dhe shteteve të tyre.
Fqinjësia e mirë në mes të popujve dhe shteteve është shembulli më i mirë i bashkëpunimit, i komunikimit normal dhe ndihmesës së ndërsjellë, i zhvillimit ekonomik, arsimor e kulturor dhe ku popujt e vendeve fqinje e ndjejnë, e kultivojnë jetën fqinjësore duke komunikuar lirshëm dhe duke shkëmbyer të gjitha përvojat, kulturore, arsimore, institucionale shtetërore. Fqinjësia mbi bazën e edukimit të mirë qytetar, duke respektuar të gjitha vlerat, kombëtare, të traditës, të gjuhës dhe të të gjitha arritjeve, duhet të lë anash dhe të ikën nga të gjitha kurthet e mundshme, nga ato nacionaliste kriminale. Shkalla e arritjeve e një fqinjësie të mirë është shkalla e marrëdhënieve ndërmjet shteteve fqinje, e edukimit sistemor të qytetarëve, marrëdhënieve kulturore, e bashkëpunimit ekonomik në mes të popujve fqinj. Përgjithësisht, ende, asnjë nga këto premisa të fqinjësisë së mirë nuk i gjejmë mirëfilli në marrëdhëniet shqiptare serbe, mbi bazë të edukimit qytetar dhe sistemor brenda institucioneve dhe shteteve të tyre!
Koha jo e gjatë e ndarjes me dhunë e Kosovës nga shteti serb, duke qenë e involvuar për ndihmë e gjithë diplomacia amerikane dhe evropiane në radhë të parë, e më pas edhe Alenaca Veriatlantike-NATO, bashkë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, për largimin e forcave ushtarake dhe policore dhe të tjera militare serbe nga Kosova, ka lënë pasojat e veta zhgënyjese nacionaliste serbe, të regjim pas regjimi deri te ky i sotmi, që udhëheq me Serbinë. Si kudo, në parim, regjimet janë vetë pushtetet e vendeve dhe shteteve. Ato udhëheqin me sistemet shtetërore me të gjithë resorët e tyre, me të gjithë sistemin shoqëror dhe ekonomik, arsimor-edukativ, shëndetësor e juridik e më shumë se kjo. Krahasoni, për një shekull e më shumë, në mënyrë sistematike, shteti serb, sipas resorëve, atij edukativ e arsimor, kishte mbjellë në gjenerata e breza informacionet sipas historisë së tij, për pasurinë dhe “tokat e veta”, për Kosovën djep, e bashkë kishte mbjellë edhe urrejtjen ndaj qytetarëve që po jetonin me shekuj në tokat e veta, ndaj qytetarëve shqiptarë të Kosovës dhe jashtë saj.
Serbia gjatë një shekulli e kultivoi hapur nëpërmes politikës së saj shtetërore urrejtjen ndaj të tjerëve në mënyra të shumanshme, institucionale, shtetërore, “shkencore” dhe akademike, letrare dhe kulturore, okupuese e ushtarake. Qëllimi i saj për mitin për Kosovën, promovuar para botës me vite e dekada, i doli të jetë i rrejshëm. Duke qenë kështu, shteti serb po arrin ende të mos mund ta fshehë këtë zhgënjim me veprimet e tij, kudo që mund ta tregojë, qoftë edhe në sport, në futboll!
Pushteti aktual serb, nëse nuk po mund të gjejë as për së afërmi model tjetër për komunikim normal me shqiptarët, pos atij që kishte gjatë gjithë shekullit të kaluar, që nga vitet e aneksimit e të rianeksimit të Kosovës nga ana e Serbisë, duhet të kthehet e t’i rishikojë sjelljet e tij vetëm 15-20 vjet më parë, e të shohë si në pasqyrë, brutalitetin, dhunën, urrejtjen që kishte ndaj joserbëve. Mentaliteti i pushtetit në Serbi nuk është vetëm se i gjason atij të para një shekulli, nuk është vetëm se është i njëjtë me atë të pushtetit paraardhës, por se lë të kuptohet kryekëput se është mentalitet aktual i dhunës e i urrejtjes. Ky kryeministër që ka sot Serbia është njeriu më i afërt i atyre udhëheqësve shtetërorë që shkaktuan tragjedi në luftërat e fundit në ish Jugosllavi. Ky model i udhëheqjes serbe, fyes dhe denigrues ndaj shqiptarëve, duke qenë deklarues se “Shqipërisë i duhen edhe njëqind vjet që të bëhet shtet normal”, pa kujtuar se mund të thuhet se Serbisë i duhen po aq vjet pune sistemore arsimore dhe kulturore që të bëhet shtet me pushtet normal ndaj fqinjve, pa urrejtje ndaj popujve dhe shteteve të tyre. Aq më keq, këto deklarata dalin nga kreu i shtetit serb, Nikoliq, pak ditë para se kryeministri shqiptar Edi Rama të shkojë për vizitë zyrtare në Beograd. Këto paraqitje nacionaliste dhe fyese me doza të mëdha populliste po gjejnë terrene të mjaftueshme mediatike për konsum të brendshëm politik në Serbi.
Sot, duhet të na vijë keq për të gjithë ata zyrtarë që i thanë kryeministrit të Shqipërisë që të mos shkojë për vizitë në Beograd! Sot, duhet të na vijë keq ta dëgjosh kryeministrin serb, Vuçiq, të thotë se nuk e di a do ta lejojë kryeministrin shqiptar t’i bëjë vizitë Beogradit, sipas marrëveshjes për të. Sot, do të na vinte keq, po që se kryeminstri Rama do të binte pre e njërit ose tjetrit deklarim, pavarësisht se kush e thotë atë! Pse do të na vinte keq?! Sepse, udhëheqësit shqiptarë veprimet e veta duhet t’i mbështesin në parimet shtetërore dhe evropiane të bashkëpunimit dhe fqinjësisë. Është shteti shqiptar me mekanizmat e tij brenda dhe jashtë tij, ai që do të shqyrtonte, analizonte dhe do të vendoste për këtë vizitë, mbështetur në parimet integruese evropiane dhe të zhbllokimit e jo të bllokimit të kufijve shtetërorë në relacion me fqinjët.
Lufta mediatike, që po përpiqet ta bëjë Beogradi, po bën që të reflektojë se në Serbi nuk ka kushte të realizohet vizita e kryeministrit të Shqipërisë. Udhëheqja e Serbisë, që nga mbrëmja e 14 tetorit, po zhvillonte luftën e saj për të ndikuar që vetë kryeministri Rama të dorëzohet e të mos shkojë në Beograd. Dorëzimi i Ramës para kësaj sfide do ta hidhte në defanzivë politikën shqiptare ndaj parimeve integruese evropiane, ndaj fqinjve të saj dhe e kundërta, këmbëngulësia se vizita duhet të realizohet mbi parimet integruese evropiane, do të shënonte një hap para në zbatimin e këtyre parimeve. Është tjetër nëse Vuçiq nuk e përballon dot Ramën në Beograd!
Mund të dalë që një skenari të nisur në lojën e futbollit Serbi-Shqipëri t’i ketë shpëtuar vetëm një gjë! Nuk ishte parashikuar ajo që, kushdo që ta ketë dirigjuar valëvitjen e hartës me flamurin shqipar dhe me dy kolosët e Pavarësisë së Shqipërisë në stadium, flamuri të mbrohet ashtu siç u mbrojt për t’u mos përdhosur kurrë, me dinjitetin më të madh kombëtar të djelmoshave, futbollistë të reprezentacionit shqiptar. Të tjerat që ndodhën në fushë janë çështje e FIFA-s!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat