Riaktualizohet kërkesa për Konzullatën e Kosovës në Trevizo

Diaspora

Riaktualizohet kërkesa për Konzullatën e Kosovës në Trevizo

Nga: Gëzim MUÇOLLI Më: 1 tetor 2014 Në ora: 10:10

Edhe pas 6 muajsh pritjeje, qytetarët e Republikës së Kosovës, tashmë banorë të integruar në shtetin italian ende nuk morën asnjë përgjegjje zyrtare nga institucionet përgjegjëse në Kosovë.

Në javën e parë të marsit 2014 anëtarët e këshillit inicues të Peticionit për Konzullatën e Trevizos në Itali, dorëzuan në zyrat e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Diasporës dhe të Kryeministrit të Kosovës, kërkesën për hapjen e konzullatës së shumë kërkuar nga shtetasit e mërguar kosovarë dhe të premtuar në takimet e shpeshta të mërgatës kosovarë me zyrtarë të qeverisë së Kosovës në verilindje të Italisë.

Gjithashtu bashkë me kërkesën qenë dorëzuar edhe dokumentet e peticionit me firmat e mijëra bashkëatdhetarëve tanë që me shumicë e përkrahin këtë nismë duke ditur përvojën e tyre me peripeci të shumta për sigurimin e dokumenteve të ndryshme .
Kanë kaluar qe 6 muaj zvarritje të paarsyeshme nga atëherë dhe ende në pritje të përgjegjjes pozitive nga ana e faktorëve përgjegjës nga qeveria kosovare. Pothuajse përditë është aktuale përballja me pyetjet e mërgimtarëve tonë, nënshkrues të këtij peticionit të cilët me mijëra në emër të vet dhe të familjeve të tyre e kanë përkrahur kërkesën mëse legjitime që të kenë më afër përfaqësinë konsullore diplomatike.

Dihet se pritja nuk është përherë shenjë e urtësisë prandaj para disa ditësh Këshilli inicues i Peticionit të kërkesës së mërgatës kosovare në Trevizo të Italisë zyrtarisht dorëzoi në zyrat e sipërpërmendura një dokument të ri , Promemorie për Konzullatën e Trevizos, duke dashur të dëshmojë edhe njëherë ligjshmërinë e kërkesës përherë aktuale që të kenë një konzullatë aty ku është e koncentruar me shumicë mërgata jonë më shumë se kudo tjetër në Itali.

Në Promemorie midis tjerash konfirmohet edhe një herë roli që mund të ketë hapja e kësaj konzullate që është edhe nevojë parësore e mërgimtarëve tonë duke pasur parasysh se në këtë hapësirë gjeografike jetojnë shumica e mërgatës kosovare. Hapja e konzullatës shumë të dëshiruar në Trevizo do të ishte hap i konsiderueshëm në rritjen e shkëmbimeve të pasura kulturore , artistike dhe turistike duke e lansuar prezentimin dhe pjesmarrjen e Kosovës në iniciativa të shumta me peshë që organizohen shpesh në këto hapsira evropiane.

Diaspora kosovare në Itali është e koncentruar sidomos në provincën e Trevizos,me kapacitete të mëdha ekonomike dhe industriale ; në provincën e Padovas të njhohur për zhvillimin e saj kulturor , shkencor dhe humanist që ka Universitetine saj me mbi 800 vjet histori ku në mesin e 40 figurave më të ndritura të tij janë edhe 2 shkencëtarë me origjinë shqiptare, në provincën e Venecias si qendër kulturore , historike dhe turistike me përmasa globale ku artistët kosovarë ka vite që janë prezent në institucione me peshë internacionale si Bienale di Venezia dhe Festivali i filmit në Lido di Venezia e deri te provinca e Triestes në kufirin verilindor italian të njohur si urë lidhëse midis popujve dhe kulturave të Adriatikut dhe mesdheut juglindor.

Është i mirënjohur roli që patën mërgimtarët në këtë pjesë të Italisë verilindore të cilët ishin përherë aktiv në nismat e tyre patriotike dhe solidare në përkrahje të atdheut si në kohën e paraluftës kur populli i Kosovës po vuante pasojat e okupimit nga Serbia poashtu edhe për ndihmat e mëdha gjatë luftës për çlirimin e Kosovës dhe në rindërtimin e saj. Prandaj ata presin me dinjitet që kërkesa e tyre të përmbushet sa më parë që të mund të jenë faktor i realizimit të projekteve të reja me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare në zhvillimin ekonomik, industrial dhe kulturor të vendlindjes.

Adresa elektronike e grupit inicues është [email protected] .

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat