Papa Françesku në Shqipëri – porosi dhe trashëgimi për ne

Opinione

Papa Françesku në Shqipëri – porosi dhe trashëgimi për ne

Nga: Nga Don Lush Gjergji Më: 28 shtator 2014 Në ora: 17:50

Gjithnjë jetoj dhe përjetoj skenat madhore të kësaj vizite baritore Kishës Katolike në popullin shqiptar, Shqipërisë, të gjithë shqiptarëve në Ballkan, në Evropë dhe në botë. Ishte një takim, edhe më tepër përqafim, mes Papës dhe neve, kur hapte dorën për të përshendetur dhe bekuar morinë e popullit nga aereoporti “Nëna Tereze”, nëpër sheshin “Nëna Tereze”, nëpër rrugët e Tiranës. Kudo brohoritje, gëzim, ngazëllim, kënaqësi, shikime në sy ndaj Atit të Shenjtë, pastaj ndaj njëri-tjetrit, si ta pyesnin njëri-tjetrin: a është e vërtetë, e mundshme, reale kjo, apo po ëndërrojmë?

Fatbardhësisht është e vërtetë! Papa Françesku ishte në Tiranë, në Shqipëri, në vizitë baritore mbarë popullit shqiptar. Unë këtë ngjarje e kam cilësuar si “mrekulli” dhe dhuratë të Zotit, të Kishës, të Papës për shumë arsye, ndër të cilat janë ato që vetë Papa Françesku i ka cekur: martirizimin dhe bashkëjetesën ndërfetare.
“E para sepse shqiptarët kanë arritur të krijojnë një shtet të unitetit kombëtar midis tri feve kryesore të shqiptarëve, islamizmit, ortodoksisë dhe katolicizmit, falë një Këshilli Ndërfetar që vepron me shumë ekuilibrim”. Kjo tha Papa është një gjë e mirë dhe shtoi se, “Prania e Papës (në Shqipëri) do të shërbejë për t’i thënë të gjithë popujve të botës se është e mundur të punohet dhe të veprohet së bashku.”
Arsyeja e dytë me rëndësi pse ai po viziton Shqipërinë në shtator, ka të bëjë me historinë e Shqipërisë, e cila sipas tij, ishte unike ndër vendet ish-komuniste, kushtetuta e së cilës ndalonte me ligj fenë dhe se ishte shpallur vend ateist. “Të merrje pjesë në meshë, ishte kundër kushtetutës” së regjimit komunist, u tha Papa gazetarëve të huaj. Sipas Radio Vatikanit, gjatë përgjigjes ndaj pyetjes mbi vizitën e ardhëshme në Tiranë, ai përmendi gjithashtu edhe shkatërrimin e kishave gjatë sundimit komunist dhe si përfundim, ai sot e ndjenë si detyrë që të vizitojë atë vend fisnik”, është cituar të ketë thënë Papa.
Papa Françesku ndër të tjera tha kështu në intervistën lamtumirëse nga Shqipëria: “Shqiptarët nuk janë tolerantë, ata janë vëllezër pa dallime feje. Së bashku kanë përballuar martirizimin, së bashku kanë ndërtuar demokracinë, së bashku jetojnë dhe veprojnë...”.

Cila ishte porosia kryesore e pranisë dhe fjalës së Papës Françeskut në Shqipëri? Çka tha, çka gjeti në Shqipëri, çka na la si porosi dhe trashëgimi? Sigurisht se për një kohë të gjatë mjetet pamoro-dëgjimore, njerëzit, analistet do të mundohen nga këndvështrimet e ndryshme ta ndriçojnë, interpretojnë, shqyrtojnë, trajtojnë këtë vizitë, çastet kulmore, fjalimet, gjestet, mbi të gjitha jehonën dhe domethënien për ne dhe për botën e sotme. Unë do t’i theksoj disa elemente të rëndësishme dhe shumë aktuale.

1. LASHTËSIA E KRISHTËRIMIT NDËR NE

PapaFrançesku ndër të tjera ka çmuar dhe përkujtuar, për ne dhe për botën, një gjë të madhe dhe të rëndësishme, që shpesh harrohet apo anashkalohet, historinë e krishtërimit tonë që nga kohët apostolike, pra, lashtësinë tonë si të krishterë, sepse ishin ndër të parët e këtyre trojeve që e kemi pranuar Krishtin dhe porosinë ungjillore. Ja fjala dhe theksimi i Papës Françeskut në homeli lidhur me lashtësinë e krishtërimit tonë: “Paqe në shtëpitë tuaja, paqe në zemrat tuaja, paqe në Kombin tuaj!... Ata që kishin frikë nga e vërteta e nga liria, bënin ç’ish e mundur ta dëbonin Hyjin nga zemra e njeriut e ta përjashtonin Krishtin e Kishën nga historia e vendit tuaj; ndonëse ai që më të hershmit që mori dritën e Ungjillit... Në Leximin e dytë, dëgjuam të përmendet Iliria, në kohën e apostullimit të Palit, përfshirë edhe trojet e Shqipërisë së sotme...”.
Të mërkurën, më 24 shtator 2014, në Audiencën e Përgjithshme në Romë, Papa Françesku përkujtoi dhe komentoi kështu udhëtimin e tij në Shqipëri: “Falënderoj edhe një herë Zotin, sepse, në këtë Udhëtim, më dha mundësinë të takohem me një popull të guximshëm e të fortë, që nuk u përkul para dhimbjes. Vëllezërve e motrave të Shqipërisë u përsëris ftesën për të pasur guximin e së mirës, për të ndërtuar të tashmen e të ardhmen në vendin e tyre e në Evropë”.

2. MARTIRIZIMI SHEKULLOR

Kjo gjë na ka kushtuar shumë gjatë shekujve, nën sundimin e parandorisë romake, gjatë dyndjeve të popujve sllavë, në sundimin pesëshekullor turko-otoman, sidomos nën sundimin e egër komunisto-ateist me martirët e lavdishëm. Papa Françesku ndër të tjera në homelinë e Meshës në Tiranë tha“Duke sjellë përsëri në mendje dhjetëvjeçarët e vuajtjeve mizore e të pesekutimeve të egra kundër katolikëve, ortodokëve, myslimanëve, mund të themi Shqipëria ka qenë tokë martirësh: shumë ipeshkvij, meshtarë, rregulltarë e besimtarë laikë e paguan me jetë besnikërinë e tyre... Zoti ishte pranë jush, të dashur vëllezër e motra, për t’ju mbajtur në këmbë; Ai ju priu e ju ngushëlloi e, së fundi, ju ngriti lart mbi krahët e shqiponjës, siç pati bërë me popullin e lashtë të Izraelit... Uroj që Shqiponja, të cilën e shikojmë në flamurin e vendit tuaj, t’ju kujtojë gjithnjë shpresën, për të mbëshetur përherë besimin tuaj në Hyjin, që nuk zhgënjen, por është gjithnjë afër nesh, posaçërisht në çaste të vështira... Kishë, që jeton në këto troje të Shqipërisë, falëinderit për shembulliun e besnikërisë ndaj Ungjillit. Shumë nga bijtë e bijat tuaja vuajtën për Krishtin, edhe deri në flijim e jetës...”.

Përshtypja më e thellë e Papës Françesku ishte mbrëmësorja në katedralen “Shën Pali” në Tiranë, pas dëgjimit të vëmendshëm ta dy dëshmive rrënqethëse të Don Ernest Troshanit dhe motrës Maria Kaleta. Papa qau. Së bashku me të qajtem edhe ne. Ishin lot gëzimi, rrënqerhjeje, tronditjeje, aq sa Papa e la tekstin e përgatitur dhe foli në mënyrë spontane. “Nuk e kam ditur se keni vuajtur kaq shumë... Sot kam prekur me dorë martitrët...Feja e vëretë është burim paqeje e jo dhune! Askush nuk mund ta përdorë emrin e Hyjit për të ushtruar dhunë. Të vrasësh në emër të Hyjit është sakrilegj i madh. Të diskriminosh në emër të Hyjit është çnjerëzore...Vijoni të jeni për vendin tuaj, e jo vetëm, shenjë që tregon se janë të mundura marrëdhëniet e përzemërta të bashkpunimit të frytshëm ndërmjet njerëzve me përkatësi të ndryshme fetare... Jam befasuar shumë... nuk e dija që populli juaj ka vuajtuir kas shumë...”.

Në Audiencën e Përgjithshme të mërkurën pas vizitës në Shqipëri, Papa Françesku, prapë iu kthye përjetimeve dhe vlerësimeve të këtij takimi, ku ndër të tjera tha kështu: “Prandaj, martirët nuk janë të mundur, por fitimtarë: në dëshminë e tyre heroike shndrit sërish gjithpushteti i Zotit, që gjithnjë e ngushëllon populline vet, duke hapur udhë të reja e horizonte shprese. Këtë mesazh shprese, bazuar në fenë e Krishtit e në kujtimin e së kaluarës, ia besova krejt popullsisë shqiptare, të cilën e pashë entuziaste dhe të gëzuar në vendet e takimeve e në kremtime, ashtu si edhe në rrugët e Tiranës...”.

Papa Françesku duke folur në mënyrë spontane për simbolin tonë kombëtar, Shqiponjën, ndër të tjera përkujtoi dhe tha seajo e ka çerdhen e vet, por fluturon në lartësi, figurë tejet e bukur dhe domethënëse për popullin tonë, dhe di rishtas të kthehet në çerdhen e saj.

“Shqiponja jonë” e Lumja Nëna Tereze, është pa dyshim fryt i martirizimit dhe bashkëjetesës, vëllazërisë gjithshqiptare, që ajo e ka realizuar në mbarë botën me fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë.

3. POPULL I RI DHE SHPRESËDHËNËS

Jemi populli më i ri në Evropë, me shumë gjallëri dhe vullnet për jetë dhe për punë. Këtë e ka hetuar edhe Papa Françesku, i cili risnisë sonë ia dha një frymëzim për jetë, ardhmëri, duke u ruajtur prej “tundimeve” të sotme, siç janë materializmi, konsumizmi, hedonizmi, relativizmi dhe ateizmi praktik. Ai në mbarim të meshës në Tiranë, ndër të tjera ia la këtë porosi rinisë shqiptare. “Me forcën e Ungjillit e me shembullin e martirëve, të dini t’i thoni “jo” idhujtarisë së parasë; “jo” lirisë së rreme individualiste; “jo” varësive e dhunës; e t’i thoni “po” kulturës së takimit e të solidaritetit; “po” bukurisë së pandashme nga e mira e nga e vërteta; “po” jetës së shkrirë për ideale të mëdha, por besnike edhe në gjërat e vogla. Kështu, do të ndërtoni një Shqipëri më të mirë e një botë më të mirë...”.

4. VËLLAZËRIA DHE BASHKËJETESA NDËRFETARE SHQIPTARE

Në takimin e Papës Françesku me udhëheqësit e feve tjera ai ndër të tjera tha: “Është e rëndësishme që jeni këtu së bashku: është shenjë e dialogut që jetoni ditë për ditë, duke u përpjekur të lidhni me njëri-tjetrin marrëdhënie bashkëpunimi vëllazëror, për të mirën e mbarë shoqërisë... Nuk mund të dialogohet, nëse nuk nisemi nga identiteti vetjak, nuk shërben. Secili nga ne ka identitetin e vet, është besnik ndaj tij... E kështu, si vëllezër, ecim së bashku. E secili nga ne ia ofron tjetrit dëshminë e identiteti të vet e dialogon me tjetrin, së bashku, pa tradhtuar identitetin e fesë, pa e maskuar, pa hipokrizi... Të dashur miq, ju bëj thirrje të mbani dhe të thelloni traditën e marrëdhënieve të mira ndërmjet bashkësive fetare në Shqipëri dhe të ndjeheni të bashkuar në shërbim ndaj atdheut tuaj të shtrenjtë... Të gjithë bashkë, për të mirën e Atdheut e të njerëzimit! Vijoni të jeni për vendin tuaj, e jo vetëm, shenjë që tregon se janë të mundura marrëdhëniet e përzemërta dhe të bashkpunimit të frytshëm ndër njerëz me përkatësi të ndryshme fetare...”.

Ja përjetimi dhe dëshmia bindëse e Papës Françeskut dhënë të mërkurën pas vizitës së tij në Shqipëri, në Audiencën e Përgjithshme, duke thënë: “Për këtë, në qendër të këtij Udhëtimi, qe një takim ndërfetar, në të cilin pata mundësi të shoh me mkënaqësi të thellë se bashkëjetesa paqësore dhe e frytshme ndërmjet njerëzve e bashkësive, që u përkasin feve të ndryshme, jo vetëm mund të dëshirohet, por është konkretisht e mundur dhe e zbatueshme në praktikë. Ata e praktikojnë! Është fjala për një dialog të vërtetë e të frytshëm, larg relativizmit, duke pasur parasysh identitetin e secilit. Në fakt, ajo që i bashkon shprehjet e ndryshme të fesë, është udha e jetës, vullneti për t’i bërë mirë të afërmit, pa e mohuar e pa e nënvlerësuar identitetin e secilit...”.
Nëpërmjet Papës Françesku ishim edhe një herë në “skenën botërore” për ta treguar dhe dëshmuar para Papës, para mbarë botës, kush kemi qenë dhe jemi si shqiptarë dhe si fetarë, çka duam, presim dhe kërkojmë prej njëri-tjetrit, prej botës, cili është orjentimi dhe përcaktimi ynë kulturor, shpirtëror dhe shoqëror, për të tashmen dhe për ardhmerinë tonë sa më të mirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat