Identiteti ynë si Kishë kufiri

Opinione

Identiteti ynë si Kishë kufiri

Nga: Nga RROK MIRDITA Më: 22 shtator 2014 Në ora: 22:07

Atë i Shenjtë,

Në emër të vëllezërve ipeshkvij, të meshtarëve, rregulltarëve, rregulltareve, seminaristëve e besimtarëve laikë të pranishëm, Ju shpreh ndjenjat e gëzimit e të mirënjohjes së thellë për praninë Tuaj mes nesh. Jemi këtu së bashku me Ju, në praninë e Zotit, e ngushëllohemi duke e ndier veten popull i Hyjit, popull i shikuar me dashuri e i prirë nga Shpirti i të Ngjallurit. Jemi këtu, në praninë Tuaj, praninë e Pasardhësit të Shën Pjetrit, me mendje të hapur e zemër të gatshme për të dëgjuar fjalë ngushëllimi, korrigjimi, drejtimi.

Jemi Kishë e lashtë, me zanafillë apostolike, e një kombi, gjithnjë në kufi të perandorive të kësaj bote. Mjafton të mendohet se në mijëvjeçarin e parë nëpër Shqipëri kalonte vija e kufirit ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit të krishterë, ndërsa në mijëvjeçarin e dytë, ajo ndërmjet Perandorisë Otomane e Perëndimit. Kufiri i fundmë dramatik ishte ai i shekullit të kaluar, që ndau bllokun e vendeve komuniste nga pjesa tjetër e Europës. Kufijtë shpesh përpiqen të ndajnë, të mbyllin shtigjet, të kufizojnë. Por shpirti i Zotit i nxit burrat e gratë drejt bashkimit, hapjes, pafundësisë. Kështu, Kisha në këto troje, për dy mijëravjeçarë, vijoi të jetonte në teh të kufirit ndërmjet pushteteve të kësaj bote e pushtetit të Shpirtit Shenjt, që nuk njeh kufij! Në këto kushte, u bëmë Kishë kufiri.

Identitetin tonë si Kishë kufiri nuk e shprehëm përmes krijimit të mendimit teologjik, por përmes flijimit e martirizimit. Martirizimi është tipar i përhershëm i jetës së Kishës sonë, që nga shekulli i parë e deri më sot. Shumë nga bijtë e trojeve tona rrokën kryqin e Birit të Hyjit e, me besim të gjallë në ringjalljen, dhuruan jetën, duke përvijuar kështu udhën më fisnike të dialogut. Lidhja e pandarë me Krishtin nuk i pengoi shqiptarët të takohen si vëllezër me besimtarë të feve të tjera e edhe me
ata, që nuk besojnë. Sa më shumë u lidhën bijtë e Kishës me Krishtin, aq më shumë u lidhën edhe me të tjerët, duke dhuruar gjithçka patën, deri jetën. Paqja e harmonia ndërfetare, që kemi arritur në Shqipëri, është fryt i flijimit të themeluar mbi fenë e, njëkohësisht, dëshmi e fuqishme e dashurisë, që të bën për vete.

Po, jemi Kishë e lashtë, sa vetë krishterimi, por edhe Kishë e re. Jo vetëm për shkak të përtëritjes, që Shpirti i Shenjtë dikton në çdo Kishë, por edhe pse po rilindim nga asgjësimi i persekutimit ateist. Vetë kjo katedrale, e shuguruar para dymbëdhjetë vjetësh, pa të lindin nga gurra e pagëzimit mijëra të krishterë të rinj. Jemi Kishë, që Shpirti i Zotit e mblodhi nga të katër anët, duke sjellë këtu misionarë bujarë nga vende të ndryshme të botës, që ndihmojnë për rilindjen e Kishës vendase. E shijojmë ditë për ditë bukurinë e universalitetit të Kishës, pa i fshehur mangësitë njerëzore, që nganjëherë i kundërvihen bashkimit të përkryer
ndërmjet nesh. Për të gjitha mëkatet tona kundër bashkimit lypim përvujtërisht ndjesën hyjnore e impenjohemi të ndërtojmë, së bashku me rregulltarët, rregulltaret, priftërinjtë shqiptarë të shuguruar pas rënies së regjimit, e edhe me bashkëpunimin e domosdoshëm e të shumëçmuar të laikëve, një Kishë, që të jetë shtëpia e bashkimit, ku të mbretërojë Shpirti i të Ngjallurit e, njëkohësisht, trashëgimtare e denjë e Kishës së hijshme, që na e lanë paraardhësit.

Kështu, si Kishë e lashtë dhe e re, përplot me lumninë e martirëve, por edhe me vetëdijen e kufizimeve të veta, u mblodhëm para Jush, Atë i Shenjtë, me dashurinë e pakufishme, që ushqejmë për Papën e me mirënjohjen e thellë për vëmendjen që Papa na kushton e për të cilën kemi vërtet nevojë.

Vizita historike e Gjon Palit II, në vitin 1993, e prania e Shenjtërisë Suaj sot, mes nesh, janë shenjat më shprehëse të dashurisë së Papës për Kishën tonë e për vendin tonë, dashuri që nuk na mungoi kurrë në rrjedhë shekujsh.

Jam i sigurt se martirët shqiptarë, lumnimin e të cilëve e presim sa më shpejt, njëherësh me Nënë Terezën, me Shën Gjon Palin II e me tre ipeshkvijtë e shuguruar së bashku, njëzet e një vjet më parë, galdojnë me ne nga qielli, në këtë ditë të madhe gëzimi e feste. Me këtë dritare të hapur në qiell, që më duket se e plotëson paraqitjen e shkurtër të realitetit tonë, dëshirojmë t’i dëgjojmë Fjalët Tuaja, forcën dhe ëmbëlsinë e të cilave e njohim mirë. Duam t’Ju dëgjojmë, Atë i Shenjtë, me mirënjohjen e thellë, që Ju e ngjallët në shpirtin tonë gjatë gjithë shërbesës Suaj, me gëzimin e pashoq, që sillni me këtë vizitë e me vullnetin e patundur për të ndjekur udhën, që Shpirti i Shenjtë do të na tregojë përmes udhëheqjes Suaj prej ati e bariu.”

*Përshëndetje e Shkëlqesisë së Tij Rrok Mirdita, Kryeipeshkëv i Tiranës,
në Meshën kremtuar në sheshin “Nënë Tereza”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat