Koha për ndryshim në Universitetin e Prishtinës

Opinione

Koha për ndryshim në Universitetin e Prishtinës

Më: 22 shtator 2014 Në ora: 20:16

Në 15 vitet e fundit Universiteti i Prishtinës ka qenë çdo gjë tjetër përveç universitet. Institucioni që dikur ishte qendra e mendimit intelektual është shndërruar në një fabrikë diplomash, ku thirrja akademike fitohet duke shkelur mbi kritere dhe duke u shërbyer grupeve të interesit dhe të fortëve të partive politike. Ky Universitet, i tillë çfarë është, prodhon injorancë e cila dëmton në vazhdimësi të ardhmen e Kosovës. Gjendja në institucionet e shtetit dhe ekonomi dëshmon më së miri se cilat janë rezultatet e kësaj injorance. Duke marrë parasysh rolin që ka arsimi i lartë për zhvillimin shoqëror dhe ekonomik nuk mund të pritet ndonjë përmirësim në këto fusha pa u përmirësuar gjendja në Universitetin e Prishtinës, institucionin më të madh të arsimit të lartë në vend.

Zgjedhja e rektorit të ri të Universitetit të Prishtinës mbi bazën e një platforme programore ambicioze na ka dhënë shpresë se Universiteti mund të shpëtojë nga kthetrat e grupeve kriminale që po e shkatërrojnë atë. Lufta kundër korrupsionit, transparenca, respektimi i standardeve akademike, përmirësimi i cilësisë janë pikat më shpresëdhënëse të programit të rektorit të sapozgjedhur Ramadan Zejnullahu. Prapavija akademike, platforma programore dhe paraqitjet e tij publike tregojnë se kemi të bëjmë me një njeri i cili ka vullnet dhe mund ta ndryshojë gjendjen në Universitetin e Prishtinës.

Ne njohim të drejtën e grupeve të studentëve që të sfidojnë nga aspekti ligjor procedurën e zgjedhjes së rektorit, madje edhe të protestojnë për këtë, madje edhe ta bllokojnë Universitetin. Mirëpo, bëhet fjalë për studentë dhe organizata studentore të cilat me vite të tëra e kanë keqpërdorur Universitetin, duke instaluar në të logjikën e shantazhit dhe të korrupsionit, në emër të krijimit të përfitimeve personale dhe të klaneve të cilave u takojnë. Jemi të bindur që qëllimi i aktivitetit të tyre po bëhet vetëm për t’i ruajtur privilegjet e fituara pa të drejtë.

Ne aktivistët shoqëroro-politikë ftojmë të gjithë qytetarët, mësimdhënësit dhe studentët e Universitetit të Prishtinës ta mbështesin reformën e nisur në Universitetin e Prishtinës dhe personat që janë në gjendje t’u kundërvihen strukturave kriminale dhe t’ia kthejnë Universitetin publik të Prishtinës, publikut të Kosovës, qytetarëve të saj.

Lista e nënshkrimeve është e hapur dhe ftohen të gjithë ata që pajtohen me çështjen e ngritur ta konsiderojnë këtë letër edhe si të tyren dhe të nënshkruhen në të.

Prishtinë, 20.09.2014

Nënshkruesit:

Agim Morina

Besa Luzha

Bleron Baraliu

Eli Krasniqi

Fitim Salihu

Halil Matoshi

Imer Mushkolaj

Nexhmedin Spahiu

Rron Gjinovci

Shkëlzen Gashi

Shkumbin Brestovci

Shpend Kursani

Shqiptar Oseku

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat