Vështrim freudian mbi kafshët

Opinione

Vështrim freudian mbi kafshët

Nga: Nga Reis Mirdita Më: 21 shtator 2014 Në ora: 18:56

Muzgu ia lëshonte dalëngadalë hapësirën mbi tokë e në qiell errësirës që ngjizej bashkë me korbat krrokatës e të zi gjer në kob. Dhe korbat nuk krrokatnin që nga sondja; ata ia kishin nisur ndjellakeqes qe disa mote! Sondja ishte një nismë lakuriqe për tu ngazëllyer epshet e shtrigave, e shtrigat e kishin dorën... Atyre dorën kush iu dha?! Po pak shpendët e zemërbutë e më shumë e morën ata vet me korbërinë e tyre amorale, perverse, ndryshkamane...

Prej ditëve të një vjeshte të kamotshme, korba, laraska, nga një hut e shumë lakuriqë, mandej derra e derrkuca, e lidhën një besëhile ndaj pëllumbave të bujarë e shpezëve të tjera të butë dhe ia mësynë; së pari me metoda qensh langarë se kafshonin, sqeponin e grithnin tinëz, pak me të mirë e pak me të keq por gjithmonë me shumë dredhi. Dredhi e mëri gjer në gjakpirësi.

Në besëhilen e lidhur, hutave iu dha detyra më inteligjente që mund të bënin në këto fëlliqësira që ia venduan korbat e laraskat për ideal të tyre. Punët e fëlliqura për ideal. Po, po!!!

Korbat rinin në kolltuqe të errëta dhe i drejtonin laraskat të sulmojnë, por kujdes, sulmi duhej të bëhet me zuzari. Hutave iu caktua detyra e kukatjes, sikur pësonin nga keqtrajtimi i pëllumbave dhe shpendëve të butë... Lakuriqet ishin ata që sulmonin më së shumti, dhe haptas por duke ia nderuar kahjen, bënin sikur e mbronin kodrën nga e keqja. Ata nuk kishin as cipë as fytyrë, as gjini as vendosmëri. Në të vërtetë vendosmëria e tyre më e madhe ishte lëpirja e zuzës së korbave, laraskave, hutave; qofshin ata nga afërsia qofshin nga vende të largëta.

Mirëpo nga të gjithë këto besëhilexhinjsh më të neveritshëm ishin (dhe janë) ata që i ndërronin puplat si tyxhari kuajt. Disa i ngjitën puplat në koshtarin e turpit që ia shitnin hajvanatit si mrekullinë më të madhe. E hajvanati e hante taxhinë, nganjëherë nga skamja në lukth por më shpesh nga skamja në trû e në zemër.

Në këto kohë të shtazëve të egra, bylbylat ishin në hall edhe të këndonin këngën e tyre të haresë. Sa delte zëri nga kordhat delikate, ata akuzoheshin së pari nga vëllezërit e tyre të shitur e stërshitur korbave, për “filizëm”, “shakizëm” e shumë izma tjera që zakonisht nuk i posedonin shtazët e origjinës. Mandej arrinin akuzat e lakuriqëve e pasonin në vijim korbat e zi, për t’i ngujuar shpendët këngëtarë.

Atëherë nata nisi të shtrohet në pesë kahjet e syrit, derrat ia mësynë fushave të njoma ku bashkëjetonin qengja dhe flutura të bukura. Qengjat e pa mbrojtur paguajtën haraçin me flijim, kurse fluturat për mbijetesë, i tubuan larvat e tyre nën sqetulla dhe iu rrekën trojeve të largëta. Derrat nujk ishin derra të thuash të rëndomtë! Ishin mishëngrënës të ndyrë e të pangopshëm. Ia shtrinë ahengut të përgjakur gjer maje koke dhe nuk bënin dert se trazuan botën, edhe atë më të egrën besa.

Kur vala e parë e mbrëmjes merrte fund, ia mësynë lakuriqët se korbat e muzgut iu lëshuan hapësirën e kosës mbi shpendët në gjumë. Nata u bë e gjatë e lakuriqët vetëm bënin e mblidhnin

viktima an’e mb’anë. Huti me aradhat e veta i mbushte birucat e oxhaqeve të kullave me kulme të shtrembëruara dhe kënaqej duke ua thyer krahët shpendëve të zënë në jermi.

Pas mesnata u përkeqësua edhe me mot të trazuar, dukej sikur u bënë troç: mjegull, vetëtimë, kërdi shtazësh mbi shtazë të egra e të buta... Zoologjia zgurdulloi sytë. Tmerri rritej se tmerruesi u përçart nga që ndjeu afrimin e dritës së diellit. Në këto kohë Dielli nuk lindi 113 vjet. Tash i tmerroi shpend e shtazë toke e nëntoke. Bylbylat që deshën të cicëronin, u ngutën vallë?!!! Korbat e dirigjuar nga huti, u lëshuan çerdheve nga ku buronte cicërima dhe bënë kërdi.

Një ketër deshi të tregonte historinë e ujkut e qengjit te procka por aq shumë puna kish marrë të prapën sa që vetë gjinia e saj e akuzuan për mbjellje të urrejtjes ndërshtazore dhe ia shtruan rrugën me ar korbave që të reagojnë ashpër kundër kitrës dhe disa shoqeve te saja, me akuzë për antikorbianizëm, antilaraskizëm, anti..., anti...

Të gjitha shtazët kaluan në rangjet mishngrënëse ku bënin pjesë që nga mijëvjeçarët e kaluar vetëm korba e laraska, hut e ... Ata zgjodhën edhe të parin e ri që vinte nga radhët e derrave të egër të racës jo vendore, ashtu, nga se ishte më i egri.

Jo mishngrënës u përcaktuan vetëm zogjtë e butë, ca peshq të vegjël, dy tre kafshë fushe e pylli dhe presin rrezet e para që të mëkëmben rishtazi e përgjithmonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat