Kosova drejt anarkisë

Opinione

Kosova drejt anarkisë

Nga: Zef Morina Më: 20 shtator 2014 Në ora: 12:40

Kosova ndodhet në një situatë shumë delikate. Shih për këtë, nga institucionet e vendit kërkohet që të jenë shumë më të përgjegjshme dhe më të përkushtuara për interesat e vendit dhe të qytetarëve të saj. Kosova ka nevojë të udhëhiqet nga njerëz politikisht të përgjegjshëm dhe të devotshëm për ta çuar vendin përpara si në aspektin ekonomik, po ashtu edhe në atë politik.
Populli i Kosovës ka vuajtur shumë nën diktaturën komuniste dhe për të dalë nga ky sistem është dashur të sakrifikohet mbarë populli, i cili për të fituar lirinë dhe demokracinë gëzoi edhe mbështetjen e botës demokratike perëndimore të udhëhequr nga SHBA-të dhe NATO-ja. Kaluan 15 vite nga çlirimi dhe mbi 6 vite nga pavarësia e vendit, por, siç duket, disa nga liderët e partive politike nuk e kuptojnë se qështë demokracia, ose nuk dëshirojnë që vendi ynë të jetë shtet demokratik.
Zgjedhjet e 8 qershorit treguan se Kosova vërtet është shumë larg demokracisë; ndonëse këto zgjedhje po konsiderohen ndër më të mirat, është për tu diskutuar nëse vërtet ishin më të mira se ato që u administruan nga ana e OSBE-së e UNMIK-ut. Vërtet, ishin më të mira se ato të vitit 2010, për të vetmin fakt se vjedhja e votës qe më e vogël, por blerja e votës ishte shumë e theksuar. Me gjithë këtë zgjedhjet u pranuan dhe u konsideruan si demokratike. Është shumë e dëmshme për imazhin e Kosovës kjo çfarë po ndodh pas zgjedhjeve. Kosova si shtet parlamentar funksionon mbi bazë të demokracisë parlamentare, që do të thotë në bazë të shumicës parlamentare, e cila si kurrë më parë është e organizuar nga subjektet politike parlamentare LDK-AAK-NISMA-VV. Këto partinë zgjedhjet e fundit fituan mbi 54,51% të votave (gjegjësisht 391465 vota), ndërsa koalicioni me PDK-në morën gjithsej 30,94 %, gjegjësisht 222181 vota të qytetarëve të Kosovës. Siç shihet, dallimi është shumë i madh, rreth 24% në favor të shumicës parlamentare. Bazuar në votën e qytetarëve, nuk mund të kuptohet se me çfarë guximi dhe të drejte PDK-ja dhe z. Thaqi e pengojnë demokracinë në vend; mbase mendojnë që demokracia në Kosovë është e njëjtë me atë të Turqisë së Erdoganit.
Në asnjë mënyrë nuk duhet të tolerohet bllokimi i formimit të institucioneve nga ana e PDK-së dhe z. Thaqi, sepse kjo do te ishte rrënim i demokracisë në vendin tonë të ri. Më këtë rast ë bej apel bashkësisë ndërkombëtare e veçanërisht ambasadores së SHBA-ve, që përmes qeverisë së saj të bëjë me dije PDK-në dhe z. Thaqi se nuk ka të drejtë të pengojë krijimin e institucioneve, duke ia kujtuar se SHBA-të janë duke luftuar që në mbarë botën të vihet rendi demokratik. Pikërisht për këtë rend dhe rregull dhe për çlirimin e Kosovës nga diktatura e Millosheviqit intervenuan ata, dhe se nuk do të lejojnë që në këtë vend te krijohet një diktature tjetër, çfarëdo qoftë ajo.
Mendoj se më shumë të drejtë koalicioni i dalë pas zgjedhjeve, nuk dëshiron të hyjë në qeveri me PDK-në dhe z. Thaqi. Na kujtohet kërkesa dhe presioni që z. Thaqi dhe PDK-ja i bënin parlamentit të kaluar për ndryshimin e kushtetutës,nën pretekstin e shndërrimit të FSK-së në FARK, me kusht që tu lejohej minoriteteve vazhdimi vendeve të rezervuara. Thaqi, patjetër, do ketë llogaritur diku 28 vende në parlament për minoritetet, në mënyrë që të mos kishte fare nevojë për partitë “minoritare”shqiptare. Duke e konsideruar veten si parti shumicë shqiptare, me listën SRPSKA, të dirigjuar nga Beogradi dhe me ndihmën e partive të minoriteteve jo serbe,PDK-ja pretendonte kalimin e 50 % të votave të nevojshme për krijimin e institucioneve: të Kuvendit e Qeverisë, siç e kishte bërë edhe në legjislaturën e mëparshme. Për këtë do falënderuar LDK-në,në radhë të parë, por edhe VV-në që nuk u mashtruan, por qëndruan të vendosur në parimet e tyre. Besoj se edhe kësaj radhe koalicioni i quajtur LVAN,do jetë stoik dhe i pa lëkundër në qëndrimet e veta përballë presionit dhe manipulimeve që po mundohet t’i bëjë PDK-së së bashku me institucionet e ashtuquajtura të pavarura.
Propaganda dhe demagogjia e PDK-së për numrat e mjaftueshëm për themelimin e institucioneve, u dëshmua e pafuqishme në seancën e 18 shtatorit. Pamundësia e PDK-së për të ndërtuar institucionet e vendit, duhet t’i shërbejë për reflektim PDK-së dhe udhëheqësve të saj, se ata nuk kanë asnjë të drejtë të pengojnë shumicën parlamentare për themelimin e institucioneve. Pse duhet ta paralizojnë vendin ata? Kanë të drejtë? Sigurisht që jo.
Sot, kur Kosova ka vetëm institucionin e presidencës, duke qenë i paralizuar Kuvendi e me një qeveri pa mandate dhe jofunksionale, duhet veprimi i Presidentes së vendit, në mënyrë që PDK-ja t’mos vazhdojë më me bllokimin e formimit të institucioneve në vend, të heq dorë nga veprimet jo demokratike e të mos e përdhos vullnetin e shumicës së qytetarëve të Kosovës. Nga takimi i Presidentes me partitë politike parlamentare, menduam se tashmë dihet qartë se kush është shumica,se kush duhet të formojë organet demokratike shtetërore, se reflektimi PDK-së nuk do mungojë...
Vërtet, nëse presidentja nuk është në gjendje rë veprojë konform kushtetutës dhe interesave të popullit të Kosovës, për mungesë guximi, për ta kundërshtuar PDK-në, do ishte e rrugës që ajo të jepte dorëheqje, sepse Kosova ka nevojë për një president të guximshëm, i cili do ta kryente detyrën konform kushtetutës, duke qenë personi i vetëm që siguron unitetin e popullit dhe assesi një president që bie a i nënshtrohet PDK-së, siç ndodhi me Gjykatën Kushtetuese, në të kundërtën do bëhet bashkëfajtore në bllokimin e institucioneve shtetërore.
Kosova dhe populli i saj nuk e meritojnë të jenë shembull për të keq në rajon e më gjerë, për shkak të interesave meskine të një grupi të vogël të njerëzve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat