Dasma e “shtatë penxhereve”!

Opinione

Dasma e “shtatë penxhereve”!

Nga: Nga Nebil Çika Më: 15 shtator 2014 Në ora: 21:11

Këto ditë në shtypin shqiptar ka pasur shumë komente, deklarata e akuza për dasmën në Kalanë e Gjirokastrës dhe në shtëpinë e Myslim Pezës në Pezë, të ministrit Erion Velia. Akuzohet publikisht për abuzim me pushtetin, përdorim të parave dhe pronave publike për një aktivitet privat siç është dasma, ndërkohë që kundërpërgjigja e tij është pretendimi se qëllimi është qe nëpërmjet dasmës të promovohen vende historike e turistike etje broçkulla si këto . Ku debat ka thënë e thotë shumë gjëra të vërteta apo jo, por ka “harrur”apo anashkaluar një nga gjërat më kryesore, atë çfarë përfaqësojnë Kalaja e Gjirokastrës dhe Peza në kujtesën historike afatshkurtër të shqiptarëve në gjysmën e dytë të shekullit të XX.

Gjithnjë e kam parë me dhimbje e trishtim Kalanë e Gjirokastrës dhe kurrë edhe pse jam ndodhur me mijëra herë pranë sajë nuk kam guxuar ta vizitoj atë. Për këtë kam një arsye të fortë sa personale aq edhe të përgjithshme që lidhet me funksionin e saj dhe ngjarjet në të nga 1994 deri në mesin e viteve 1950. Shumë shqiptarë sidomos brezi i ri nuk e kujtojnë apo nuk e dinë se ne këtë periudhë Kalaja e Gjirokastrës ishte një nga burgjet më të tmerrshëm të komunizmit. Mijëra shqiptarë kundërshtarë të diktaturës komuniste kanë kaluar atje kalvarin e tmerrshëm të torturave të hetuesive barbare komuniste dhe vetëm një pjese e vogël ja kanë ka munduar të dalin të gjallë nga ky ferr mbi tokë. Të burgosurit dhe familjarët e tyre e kishin pagëzuar burgu “7 penxheret “ për shkak të numrit të dritareve të Kalasë dhe për ta mbyllja në këtë burg nënkuptonte vdekjen pasi kish pak apo aspak mundësi të dilje i gjalle prej tij . Këtë perceptim kishin për të edhe qeveritaret komuniste kur kërcënonin : “Do të çoj tek 7 penxheret” . Njeri prej atyre që provoi dhunën e shtetit komunist të “7 penxhereve ” ishte edhe im atë , tregimet e të cilit për burgun kala dhe krimet e ndodhura atje, kanë lenë gjurmë të forta në kujtesën dhe perceptimin tim për atë vend, atë tokë, ata gurë të larë me gjakun e shumë shqiptareve patriotë .

Shumë ish të burgosur politik të mbetur gjalle kanë dëshmuar në mënyrë fragmentare për ferrin e “7 penxhereve” por historiografia zyrtare është përpjekur ta fshijë nga librat e sajë atë krim kundër njerëzimit që ka ndodhur pikërisht ne Kalanë e Gjirokastrës. Edhe udhëzuesit turistik të përgatitur nga Bashkia , Ministria e Turizmit apo agjenci private turistike nuk e përmendin fare faktin qe ky vend për më shumë se një dekadë ishte burgu me tmerrshëm i diktaturës komuniste, ku qindra njerëz kanë lënë atje shpirtin e mijëra te tjerë njerëzit e tyre të dashur. Por kjo nuk është një risi ne Shqipërinë demokratike. Ndoshta as unë nuk do te isha nxituar ti shkruaj këto radhë sikur ministri Velija të mos kishte zgjedhur këtë vend të larë me gjak njerëzish të pa fajshëm për të kurorëzuar martesën e tij.

Dasma ne Kala e z. Velija më kujtoi dhe me improvizoi një nga tregimet më të tmerrshme të babait tim për “7 penxheret”. Torturat e të burgosurve nga hetuesit dhe xhelatët bëheshin kryesisht natën dhe që qyteti të mos dëgjonte klithmat dhe ulërima në kupë të qiellit e në tarracën e Kalasë , pikërisht ne vendin ku ministri Velia kurorëzoi martesën e tij, vendosej një orkestër me artopalantë të fuqishëm , ku njerëzit e pushtetit kryesisht oficere te burguat dhe sigurimit me familjare të tyre këndonin hanin pinin e kërcenin si në dasmën në fjalë . Këtë tregim të babait tim që e solla në mënyre të shkurtuar ma kujtoi madje edhe konkretizoi si një simulim origjinal dasma e Veliajt e transmetuar live nga media.

Sot në bodrumet e kalasë nuk ka te burgosur, tortura e dhimbje fizike por ka shumë eshtra e ndoshta edhe shpirtra rreth e rrotull Kalasë dhe shumë dhimbje e sidomos mallkim. Shume prej të burgosurve nuk ja dalim të përballonin, torturat, urinë, sëmundjet , te ftohtit dhe kushtet e tjera çnjerëzore në bodrumet e thella të Kalasë së Gjirokastrës dhe trupat e tyre nxirreshin natën dhe hidheshin nga bedenat apo dritaret ne tokën rreth e rrotull sajë ku mbuloheshin me dhe pa asnjë shenjë identifikimi. Sa krime janë kryer në ketë vend mendja njerëzore mund ta mendojë një ish burg apo varreze masive si vend për çfarëdo lloj aktivitetit publik a privat por qe te behej një vend dasme e kurorëzim vetëm një mendje si e Velisë mund ta mendonte.

Sipas tregimeve të tim ati atje ishin burgosur shumica e elitës sonë kombëtare, shfarosja e te cilës ishte një nga krimet më të ënda të diktaturës komuniste. Prof. Arshi Pipa ishte njeri prej tyre ! I sëmurë rendë e me temperaturë të lartë kishte nevojë për ujë që të mbijetonte por rojet e burgut nuk u jepnin. Pipa, atëherë në fillesat e tij si shkrimtar e intelektual gëzonte respekt e simpati sidomos nga të rinjtë ne burg , një pjese ish nxënës se tij. Ata i mblidhnin ujin e ndryshkur që pikonte nga një tub i vjetër që mblidhte ujërat e shiut nga tarraca , ja kullonin disi me bluzat e tyre për ti lagur buzën profesorit që luftonte me vdekjen e lëngonte edhe për një pike ujë. Vete Pipa ka shkruar për “7 penxheret “ dhe llahtarinë e tij por gjëma është me e madhe. E pa mundur ta përshkruash me shkrime e fjalë ndërkohë që shteti është kujdesur e po kujdeset qe kjo faqe e përgjakur e historisë të fshihet e të harrohet të paktën zyrtarisht.

Nuk dua të abuzoj por besoj që z. Velija si deputet i Gjirokastrës e ka dituar apo të paktën e ka dëgjuar atë çfarë ka ndodhur në Kala në vitet 1950 gjë që e bën vendimin e tij për tu kurorëzuar këtu një veprim të ndërgjegjshëm dhe ndoshta edhe qellim politik po të kemi parasysh edhe krahun politik që ai përfaqëson . Por nuk jam i sigurt ne se zonja e tij tashmë e kurorëzuar e ka dituar apo jo një gjë të tillë. Në se po , me vjen vërtet shumë keq për të. Jo me kot përmenda më lart Prof . Arshi Pipën. Jo vetëm ata që e kanë ndjerë dhimbjen e diktaturës i dinë e i përsërisin vargjet e tij rrëqethëse për diktatorin shqiptar Hoxha : “Paç mallkimin e një nënë / Pizeveng doç i sat ëme!” nuk e di ne besojnë në Zot çifti Velija por fakti qe i kurorëzoi një pastor më bën ta marr të mirëqenë besimin e tyre te Krijuesi por megjithatë dyshoj dhe sigurisht pyes: Cili, besimtar apo besimtare do të guxonte të lidhte kurorë pra Zotit në një vend kaq të mallkuar sa Kalaja e Gjirokastrës ose burgu i “7 penxhereve” .

Duke pasuar parasysh zonjën dhe angazhimin e sajë publik, shpesh herë moralist e human dua ti tërheq vëmendjen e ti theksoj se kurorëzimi në Kala është njësoj sikur ta kishe kryer ketë ritual të shenjtë e të të rëndësishëm për jetën e çdo njeriu normal, në burgun e Spaçit , Burrelit , Mathauzenit e çdo kamp shfarosjeje apo varrezë tjetër masive në botë. Nuk e di , Zoti i faltë .por kjo nuk më duket aspak një gjë normale veç në kanë zgjedhuar si model paraardhësit e tyre politikë e ndoshta edhe gjenetik që bënin te njëjtën gjë në tarracën e Kalasë kur shokët e tyre xhelatë merrnin shpirtra njerëzish në bodrumet e sajë . “Historia përsërit vetveten. Një herë si tragjedi, pastaj si farsë” , thotë ideologu i tyre Karl Marks , nuk besoj të mos ta dinë këtë . Ajo Kala , ai burg , ajo kasaphanë , ajo varreze masive , ka mallkime mijëra nënave , garave , motrave dhe fëmijëve të atyre që patin fatin e zi të provonin burgun e “7 penxhereve” , përfshi edhe atë me gjithë shpirt të gjyshes time. A e dinë , arrijnë ta kuptojnë vallë ç’do të thotë : MALLKIM NENE!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat