Nëpërkëmbja e popullit dhe zhvillimet politike

Opinione

Nëpërkëmbja e popullit dhe zhvillimet politike

Nga: Dr.sc. Nikë GJELOSHI Më: 1 shtator 2014 Në ora: 22:40

Asnjë shumë parasheh që do të shpenzohej për zgjedhjet e reja parlamentare nuk do të jetë aq barrë e rëndë financiare sa dami përmes ngërçit politik e institucional që i shkaktohet shtetit të Kosovës.

Nëpërkëmbja e popullit
Tashmë dihet botërisht se shqiptarët, sipas prejardhjes, janë populli më i vjetër në Evropë dhe shqipja një ndër gjuhet më të vjetra. Jemi: bashkëndërtues të qytetërimeve të lashta, pjesëmarrës në formimin e qytetërimit evropianë dhe përqafuesit e hershëm të krishterimit. Kemi patur libër e Bibël (Meshar) shqip, baras me popullin Gjerman. Kemi patur gjithmonë trima e familje bujare; kemi patur besën dhe heronj me nam ndërkombëtarë. Mund të përshkruhen edhe shumë e shumë merita tjera për fisnikërinë e popullit shqiptarë, identitetin evropian dhe kulturën e Krishterë, gja që dëshmon edhe historinë tonë të lavdishme dhe pasurinë tonë kulturore.
Kur isha i ri, sadoqë mezi siguroja para për të blerë ndonjë libër apo atë e siguroja nga ndonjë bamirës siç ndodhte më “Shejzat” e Ernest Koliqit, kisha shumë problem të kuptoja lavdinë e shkruar në libra dhe nëpërkëmbjen e përbuzjen e popullit që i takoi. Nuk arrija të kuptojë: Si ishte e mundur të lexoja për një histori aq të lavdishme të popullit e Ne gjendeshim në robëri? Si ishte e mundur të mësoja për traditën, kulturën dhe shkrimet e hershme kurse në realitet shihja sa ishim të varfër, të prapambetur e të pashkolluar?
Në qarqet intelektuale dhe kulturore, por edhe në Odat e burrave (kur ato qenë një Universitet popullor), krijohej bindja pothuajse e përgjithshme: fajin për këtë gjendje e kishin të Tjerët kurse Ne ishim viktimë e një padrejtësie historike! Shumë prej nesh fajin e kërkonte te komunizmi si një sistem qe përvetëson pronën, centralizon ekonominë dhe cenon të drejtat e liritë e njeriut… Faji binte gjithsesi edhe mbi okupuesin e fundit - Serbinë e cila, de facto, sipas shkollës së sundimit kolonialist duke qeverisë me të dëgjueshmit (kjo madje u vërtetua botërisht dhe kur e aneksoi sërisht Kosovën sipas vendimeve të Kuvendit të Prizrenit me 8, 9 e 10 korrik 1945, të cilat vendime i morën përfaqësuesit shqipfolës në emën të popullit, patën dhe privilegje të mëdha ç`prej atëherë e deri sa jetuen, ndonjëri ende jeton dhe s`e turpëron vepra e bërë antikombëtare e as shpifjet që terë jetën i bënë për tjerët) në mënyrë sistematike kishte eliminuar, shtypë, turturuar e persekutuar të ndërgjegjshmit e popullit.
Një pjesë jona në kërkimin e fajit (mëkatit) kishim krijue bindjen se faje kishte edhe Perandoria Osmane gjatë okupimit 500 vjeçar, e cila, kishte rrënuar kulturën tonë të lashtë, traditën pozitive kanunore dhe identitetin tonë si popull europian. Po ashtu, sikur ishte e ditur se periudha osmane kishte bërë damin më të madh historik ndaj shqiptarëve. Sepse, gjatë sundimit të saj shqiptarëve u mori gjithçka e nuk ua lejoi Shtetin si tjerëve dhe në fund të ramjës së asaj Perandorie, siç thotë historiani Skender Rizaj, “ua shitën tokat shqiptare sllavëve për një Pallat Mbretëror Ylli-Ylldis”! Ne na lanë në një gjendje aq të mjerueshme në Ballkanin e trazirave e copëtimeve të tokave tona nga fqinjët serb, malazez e grek; na lanë në udhëkryq historik…
Si shumë të tjerë pikë referimi e frymëzimi kisha rilindësit, të cilët përmes letrave - shkrimeve na mësonin se liria është gjëja më e shtrenjtë dhe dashuria ndaj atdheut është pasuria më e madhe për të cilat ide ia vlente të sakrifikohet gjithçka, dhe jeta! Frymëzoheshim edhe nga patriotë të cilët dergjeshin nëpër burgje e kazamate jugosllave për shkak të idealeve rilindëse; frymëzoheshim nga guximtarë të pathyeshëm që iu kundërvunë regjimit okupues të Serbisë, pa marrë parasysh pasojat. Ndihem krenarë që atyre ideve rilindëse, si protagonist aktiv i shumë zhvillimeve politike, u kam qendre pathyeshëm besnik dhe kam kontribue për të mirën e popullit e vendit!
Rezistenca jonë, ku u përfshin të gjitha gjeneratat e popullit pa dallim moshe e gjinie, pati tre faza të shënuara: fazën e protestës studentore, fazën e rezistencës paqësore, fazën e luftës. Si njeri nga protagonistet bashkë me shumë tjerë jam nga ata që krenohem me popullin tim, i cili u bë unik dhe mblodhi forcë t`i mbijetoj rrebeshet e kohës, mbështeti bianko fijet e idealit rilindës; u mbijetoi padrejtësive, shtypjeve e persekutimeve, gjenocidit dhe nuk iu dorëzue armikut - Serbisë. Po ky popull lindi aq shumë njerëz të ndershëm me dinjitet e integritet të pa thyeshëm dhe dha aq shumë djem e vajza të sakrificës që i lartësuan vlerat kombëtare në nivel vendi dhe ndërkombëtarë.
Në anën tjetër, jam dhe një dëshmitarë fatkeq si shumë shokë e miq te mijë, i cili pa me sy, se si në veprimet tona për liri e pavarësi na ndiqte hija e zezë e pranisë së armikut përmes hienave shqipfolëse në vend, Europë e deri në Amerikë.
Burra të mëdhenj të këtij vendi, ishim miq por shumë prej tyre s’janë ma në jetë (janë heronj, martirë, prijës historik), më shumë duhej të ruheshim nga shqipfolësit mbase nuk dinim se çfarë krushqie kishin ata me okupuesin serbë (ishin dhëndurë, nipa, dajë, të vëllaznuem, kishin kumari, ishin bashkëpunëtorë…) se sa nga vet serbet te cilëve u kishim dalë përballë: me paqe o me luftë! Shpesh herë hamendeshim mos vihej në pikëpyetje çdo gja që bënim, apo mos po `bënim çdo gja kot`? Ishin kohë të vështira të besoje apo të mos besoje asgjë.
Protestat studentore përfunduan pa sukses, humbëm dhe ekonominë, shkollimin cilësor, shëndetësinë, punën, sigurinë… Rezistenca jonë paqësore, po ashtu, mori fund keq, sepse: përjetuam tortura, vrasje, rrënime të ekonomisë familjare, dëbim nga trojet tona dhe gjenocid. Për ta ruajt substancën kombëtare dhe atdheun u dashtë të hymë në luftë kundër okupuesit - Serbisë, dhe me luftë ta fitojmë lirinë e pavarësinë, u ndihmuam nga miqtë Europerëndimor dhe Aleanca Veri-Atlantike, NATO.
Hija e zezë e pranisë së armikut na ka shoqëruar edhe gjatë luftës 1998/99. Na munguan frytet e një rezistence të armatosur: pasi u fitua lufta mbetem pa Ushtri të rregullt, pa integritet territorial, pa administrim vetjak të shoqërisë ne terë territorin e vendit; mbetem dhe pa pavarësi politike si një popull të cilin po duhej ta administronin të tjerët.
Falë SHBA-ve e Europës arritëm minimumin e synimeve shekullore për unifikim kombëtar; u detyruam të kemi “Atisarin 1”, ta shpallim “pavarësinë e cunguar”, pavarësisë t’i vihet Fussnota; integriteti e sovraniteti ynë edhe pas 15 viteve serisht diskutohen me Serbinë duke iu mundësuar minoritetit serb, rreth 5%, ta kenë “Atisari+” ose “Atisari2”. Mbase, Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund ti `detyrojë` shqiptarët politikbërës te kemi kufirin kulturorë, ekonomik e politik te Ura e Ibrit kurse serbet të shtrihen deri në `Sharpllaninë`.
Shkaku i kësaj gjendje te identitetit tonë na del të jetë edhe e trashëguara shumë shekullore Otomane që në zemrat dhe mendjet tona ka kultivue laramanin e identitetit tonë; hilet e dredhitë i ka shëndërrue në normë individuale dhe kolektive; ka kultivue lakminë që ka përfshi zemrat tona sidomos tek klasët politike e intelektuale në vazhdimësi. Dhe aty do arri kulmin korrupsioni i zemrës - tradhtia!
Shumëkush akoma mbanë shpresën për të kaluarën dhe te ardhmen europiane kurse me kokë e zemër gjurmon e gërmon mos ndoshta do të gjejë ndonjë `vlerë` në errësirën e së kaluarës ose ndonjë `meritë` në gabimet dhe tradhtitë që u bënë shekuj më parë.
Nder faktorë tjerë që patën ndikim do na dali dhe “shterpësia intelektuale” të cilën e prodhuan shkollat tona. Ajo `shterpësi` si produkt solli ”paaftësinë gjithëpërfshirëse”.
Këto realitete, me të cilat u përballëm si popull, sot, na dalin faktorë të degradimit tonë; na dalin faktor qe kanë nëpërkëmbë identitetin, dinjitetin dhe integritetin tonë.
Për pasojë, 15 vjet pas lufte, përvoje lirie e mundësie për të ngritë shtetin demokratik e ligjor, në vend qe të kemi burrështetas që adhurohen dhe meritojnë mbështetjen e besimin e qytetarëve qe ta ushtrojnë pushtetin dhe ta drejtojnë shtetin, në vend qe te kemi në pozita shtetërore burrështetas qe luftojnë për drejtësi e mirëqenie te të gjithë qytetarëve dhe udhëheqin vendin drejtë përparimit e zhvillimit, ne sot kemi `burreca minipartishë` me begraund shumë të dyshimtë të cilët kontrabandojnë, vjedhin e shesin vota për deputet e për pozita institucionale.
Kjo gjendje sigurisht i kurajon dhe grupet e korruptuara, krimin e organizuar, organizatat e dyshimta islamike, shoqëritë civile që vjelin fonde të dyshimta dhe nuk u dihet roli që e ushtrojnë.
Kështu, Ministria e kulturës në vend se të hulumtoj trashëgiminë kulturore, e cila padrejtësisht u rrënua nga armiqtë, në mënyrë që Ne ta rikthejnë identitetin tonë kulturorë, ajo është vërë në shërbim të ruajturës së trashëgimisë kulturore të okupatorëve të dikurshëm duke u marrë me rinovime të kishave serbe-ortodokse, me restaurime te ndonjë Xhamie bejlerësh e pashallarësh apo ndonjë Hamami turk. Me këso politikash institucionale rrezikohemi të mbetemi popull pa trashëgimi kulturore. Rrjedhimisht edhe çdo i huaj që viziton apo kryen punët e ngarkuara nga organizatat ndërkombëtare, si ndihmës për tu ngritë ne këmbët tona, po mëson për këto `vepra` institucionale.

Neve na duhen më pak parti shqiptare

Akademia, institutet dhe universitetet, në vend se të prodhojnë ide të qarta, për kulturën, historinë dhe të ushqejnë shoqërinë me dije për një t’ardhme të popullit ca nga ata ende ndahen në perceptime: Cili është identiteti faktik i shqiptarëve dhe sa nënidentitete na lanë okupuesit? A ishin osmanët administrues apo okupues të tokave shqiptare? A duhet apo nuk duhet …
Në anenë tjetër, ca opinionistë dokrragji, gazetarë fallexhinjë e hoxhallarë ekstremistë, kanë arritur ta indoktrinojnë e edukojnë gjeneratën e re dhe një numër të tyre ua kanë kthyer mendjen e zemrën në errësirën e së kaluarës.
Degradues që mundëson indoktrinimin dhe edukimin asisoji pa dyshim na dalin dhe ca intelektual që për interesa personale vejnë dijen e tyre në shërbim të së keqes ashtu që mashtrimi, gënjeshtra, hilet e dredhitë të mos mbetën lakuriq, por të mbështjellen me firmën e dijes duke u bërë servil te politikës, lakmues të posteve apo shërbëtorë të disa prijësve fetar sunnit. Ky soj i personave që unë do i emërtoj “intelektual prostitutë”, për perfitime personale e urdhra të padronëve, është i gatshëm ta gozhdoj të ardhmen tonë në shtyllën e së kaluarës ashtu siç e gozhduen Jezusin në Kryq!
Mungesa e qeverisjes se drejtë me njerëz të dijes, me njerëz te ndërgjegjshëm e te përgjegjshëm të popullit, e të gjitha qeverive të dala 13 vitet e fundit; mungesa e përhapjes së mendimeve dhe edukimit me njohuri shkencore; mungesa e paperspektives së të rinjve për një jetë normale na kanë prodhuar ma në fund edhe xhihadistë e terroristë për Kalifatin Islamik, na kanë prodhue celula ekstremiste që dëshirojnë të na imponojnë diktaturën e Sheriatit që mund ta dëmtojnë të ardhmen tonë si popull (mjafton të shihen ca masakra që bëjnë pjesëtarët e Shtetit Islamik - IS-is në Siri, të publikuara nëpërmjet TV stacioneve perëndimore, dhe njohurive se sa qindra pjesëtarë të atyre formacioneve na janë edhe nga vendi ynë, rreth 40 prej tyre u burgosën këto ditë). Shtrohet pyetja: A dinin qeveritë tona ç’prej pasluftës e këndej, se po ngriteshin celula vehabiste në Prishtinë e qytete tjera të Kosovës? A dinin se ato celula vehabiste po financoheshin nëpërmjet okupuesit të deridjeshëm – Serbisë me qellim që ta pengojnë apo çrregullojnë shtetin e Kosovës dhe ta bindin Botën se bëhet fjalë për një shtet islamik të krijuar padrejtësisht? A do të ketë dhe kur do ketë përgjegjësi institucionale për krijimin e atyre celulave?
Në gjithë këtë vorbull zhvillimesh aspak të parrezikshme nuk i shoh as “celulat servile ndaj Perëndimit” të cilat për interesa meskine janë në gjendje të bëjnë çdo gja.
Zhvillimet politike
Kosova si një vend i vogël me aq resurse njerëzore; pa industri e ekonomi të zhvilluar, pa investime, me papunësi e probleme sociale të 3/4 se popullsisë, me probleme të arsimit, shëndetësisë; me krim ekonomik e korrupsion të lartë (vendi i 110 në Botë) si një sëmundje kancerogjene; ende ka rreth 25% të territorit ku faktikisht nuk ushtrohet autoriteti shtetëror konform Nenit 1 pika 2 të Kushtetutës së Republikës Kosovës, me çka rrezikohet të mbetet problem i pazgjidhur apo problem që rrezikon vetë Shtetin.
Pakënaqësitë sociale mund të bëhen burim tjetër i mjaftueshëm per realizimin e qëllimeve të atyre interesave dhe të te gjithë atyre që dëshirojnë qe ky vend dhe ky popull të mos jetojë në paqe e mirëqenie, as me veten dhe as me të tjerët në fqinjësi. Dhe lëvizjet tektonike të tipit “pranvera Arabe” mund të ndodhin dhe tek Ne.
Po dialogu që do të vazhdojë bashkë me `Parkun e paqes` te Ura e Ibrit? Po Fundamentalizmi islamik në rritje që rrezikon të ardhmen tonë? E qarkullimi i lirë i njerëzve e mallrave? Po krijimi i Ushtrisë së Kosovës? E fëmijët tanë? Kush vallë do t’u jep përgjigje këtyre pyetjeve.
Situata politike, sot: opozitë e `ngrirë` në një bllok dhe `pozitë` pa fuqi pushteti institucional, na del si pasojë e gjithë asaj që u tha. Mbase një qytetar i varfër i pa formuar intelektualisht dhe i indoktrinuar fetarisht (pa dallim përkatësie fetare) nuk mund të bëjë zgjedhje sipas bindjes e besimit dhe as ta ruaj e ta ushtrojë pushtetin e votës së tij. Duke mos qenë të bindur kujt ti jepet vota, edhe më tutje, rreth 60% e votuesve nuk arrin ta ushtrojnë të drejtën qytetare te votimit, ajo e drejtë që në tërë botën demokratike është fituar me shumë sakrificë. Nuk e ushtrojnë atë të drejtë sepse janë të dëshpëruar dhe nuk besojnë se vota e tyre do të shkoj tek ata që i votojnë.
Si rezultat të kësaj gjendje, edhe nga ata qe votojnë, kemi vazhdimisht shkapërderdhjen dhe humbjen e fuqisë së votës “në parti e partiçka” siç thoshte Sali Berisha. Edhe sot mendoj se partitë politike duhet të rigrupohen sipas ideologjisë politike dhe programeve; edhe sot mendoj se na duhen më pak parti shqiptare, siç pata shkrue edhe para 10 vitesh. Shkapërderdhja e votës ka prodhuar dhe “ngërçin politik e institucional”. Si pasojë: në njërën anë, kemi fitimtarë të pafuqishëm me numra, mbase e kanë të vështirë ta realizojnë fitoren zgjedhore, e në anën tjetër kemi `bllokun` që konsideron se e ka të drejtën në anën e vet. Sidoqoftë, të dyja palët daljen nga kjo gjendje tashmë e kanë në letër, sipas Vendimit të Gjykatës Kushtetuese dt. 26 gusht 2014.
Megjithatë, nëse partia fituese e zgjedhjeve të 8 qershorit – PDK nuk arrin të sigurojë shumicën e votave për të konstituuar një Parlament funksional dhe për të zgjedhë një Qeveri me kompetenca të plota, apo nëse nuk arrihet krijimi i qeverisë nga pala tjetër, apo marrëveshje të reja mes shqiptarëve, dalja nga ky ngërç politik e institucional mund të bëhet vetëm përmes zgjedhjeve të reja Parlamentare. Asnjë shumë parash që do të shpenzohej për ato zgjedhje të reja Parlamentare nuk do të jetë barrë aq e rëndë financiare sa dëmi politik e institucional që do i shkaktohet shtetit të Kosovës me këtë gjendje në të cilën është vënë.
Padyshim po u vazhduen këto politika edhe mëtej humbësi më i madh do të jetë populli që e barti sovranitetin e vet tek reprezentantet e papërgjegjshëm, tek ata që nuk e duan popullin e as vendin. Kurse, fitimtarë do na dalin: Pakica serbe e dirigjuar nga Beogradi mbase faktorizohet mbi papjekurinë politike të liderëve shqiptarë dhe me kërkesat e reja krijon mundësi për një “Atisari 3”; minoritetet tjera që u ofrojnë mbështetje shqiptarëve mbi baza të përfitimeve; islamikët në pushtet edhe se në numër të pakët që do kushtëzojnë prapë politikën dhe qeverinë duke ngritë tema për të drejtat e islamit, shamitë, Gjergj Kastriotin - Skënderbeun, Nënë Terezën ….
Po u vazhdue kështu, të paktën para historisë, e cila do shkruhet si në kohën e rilindësve dhe para fëmijëve, mbase edhe ata do kërkojnë llogari, nuk do mbeten pa përgjegjësi të gjithë ata protagonistë, të gjithë ata njerëz të mirë të shpërndarë nëpër parti politike e shoqëri civile, por edhe ata ndërkombëtarë që kanë marrë të drejta te veçanta e përgjegjësi për ta bërë Kosovën shtet demokratik e ligjor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat