Qeveria e Kosovës, pa PDK-në!

Opinione

Qeveria e Kosovës, pa PDK-në!

Nga: Faik KRASNIQI Më: 1 shtator 2014 Në ora: 11:25

Ka pasur tendenca të vazhdueshme nga ana e SHIK-ut dhe PDK-së, për ta përçarë koalicionin LDK-AAK-NISMA, me lloj-lloj propagande, madje nga ato më të ulëta. Por u pa që kjo gjë është e kotë. Ata nuk ia arritën ta bëjnë një gjë të tillë. Madje as pas vendimit skandaloz të Gjykatës Kushtetuese, nuk i luhati në besëlidhjen e tyre. Koalicioni për asnjë moment nuk u thye, por u forcua akoma më shumë dhe ia dëshmuan edhe elektoratit të vetë, se do i qëndrojnë besnik deri në fund marrëveshjes dhe Qeverinë do ta formojnë pa PDK-në.

Tash koalicioni LDK-AAK-NISMA, është duke pritur thirrjen e seancës së Kuvendit. Nëse zonja Flora Brovina nuk i thërret deputetët këtë javë për mbajtjen e seancës konstituive, atëherë deputetët mund ta bëjnë vetë një gjë të tillë me mbledhjen e firmave të 40 deputetëve. Në seancën konstituive të Kuvendit, ka mundësi që PDK-ja edhe pse nuk i ka numrat dhe nuk mund ta zgjedh kryetarin e Kuvendit, ta provojë një gjë të tillë. Atëherë herën e dytë e ka të drejtën koalicioni LDK-AAK-NISMA- për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit, sepse e parasheh edhe Pika 127 ku thotë: “Është e drejtë dhe detyrë e të gjithë deputetëve të Kuvendit që të gjejnë mënyrën për të zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, në pajtim me dispozitat kushtetuese në lidhje me Rregulloren relevante të Kuvendit dhe të bëjnë Kuvendin funksional” - Gjykata aludon se, pas raundit të parë apo të dytë - ata që kanë shumicën, duhet të lejohen të propozojnë zgjidhje, dhe kështu të zgjedhin kryetarin e Kuvendit!

Nëse PDK-ja ngul këmbë që atyre iu takon zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe ta provojnë herën e parë- atëherë herën e dytë në bazë të kësaj pike koalicioni LDK-AAK-NISMA, ka të drejtë ta propozojë dhe ta zgjedh z. Isa Mustafa kryetar Kuvendi.

Dhe pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, Presidentja është e obliguar ta thërras koalicionin e shumicës LDK-AAK-NISMA, dhe ta mandatoj për krijimin e Qeverisë. Kështu që çdo gjë do të shkoi sipas planit dhe në shtator do kemi Qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga koalicioni LDK-AAK-NISMA- mundësisht edhe VV-ja, dhe me PDK-në në opozitë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat