Kryepremi dhe një qiri për James Foley

Opinione

Kryepremi dhe një qiri për James Foley

Nga: Nga Dom. GJERGJ META Më: 29 gusht 2014 Në ora: 09:04

Ekzekutimi i gazetarit James Foley më ka tronditur thellë. Jam ulur disa herë të shkruaj diçka për atë që po ndodh në Irak e në Siri kohët e fundit në lidhje sidomos me vrasjen e gazetarit amerikan free lance, James Foley. Nuk do të mund t’i shlyej për një kohë të gjatë imazhet nga ajo skenë, pak të thuash rrëqethëse për një njeri normal. Ndërsa shihja ato imazhe më shkoi ndër mend një kryepremeje tjetër në historinë e Biblës, ajo e Shën Gjon Kryepremit, që të krishterët katolikë e festojnë mw 29 gusht. E ndaj prej aty vendosa që të hedh këto mendime e bashkë me famullinë time të organizoj pikërisht në vigjiljen e Shën Gjon Kryepremit mw datë 28 gusht, një mbrëmje lutjeje për të gjitha viktimat në Irak, Siri në Lindjen e Mesme si dhe për James Foley dhe familjen e tij.
Nuk di ç’ndjesi mund të provohet ndërsa ndien përreth qafës tënde afrimin e një hekuri të mprehtë që për pak çaste do të tw marrë jetën. E vërteta është se në qëndrimin dhe shikimin e atij djaloshi, reporter i lirë, pashë dinjitet dhe krenari, jo që ishte amerikan a ku ta di unë se çfarë, por që ishte njeri dhe po vdiste si i tillë. Këtë e provojnë edhe fjalët e familjarëve të tij, të cilët ndihen krenarw me djalin e tyre. Ka shumë elemente për të folur për këtë reporter dhe për misionin e gazetarit në përgjithësi, e sidomos sakrificat e shumta që ata bëjnë për të na dhënë lajmin neve. Duke menduar për historinë e Gjon Kryepremit më ranë ndër mend dy gjëra me të cilat, si atëherë edhe sot, njeriu duhet të përballet.
Më së pari marrëdhënia jonë me të vërtetën. Gjoni nuk e mohoi të vërtetën, e tha atë me zë të lartë dhe nuk bëri kompromis me gënjeshtrën. Këtë e pagoi. E shoh këtë të lidhur ngushtë me historinë e James Foley-t, por në përgjithësi me shpirtin e misionit të çdo gazetari: marrëdhënia me të vërtetën. Sa pak do të kishim ditur për botën, për gjërat që ndodhin në të, për krimet e shumta nëse nuk do të kishte gazetarë të gatshëm që të sakrifikonin për të na e dhënë lajmin? Sa shumë prej tyre janë në front, aty ku gatuhen dhe konsumohen tmerre të llahtarshme lufte dhe konfliktesh. Misioni i tyre është të na thonë të vërtetën jashtë çdo subjektivizmi apo interesi. Sigurisht, nuk është e lehtë gjithmonë kjo gjë, pasi shpesh dëshira për të thënë të vërtetën ndeshet me dobësinë e njeriut, por dhe me interesa që gjenden mbrapa kompanive të informacionit, të llojit politik apo ekonomik. Shpesh lajmi, e vërteta është e deformuar apo çon ujë në lulishten e atyre që duan të shohin të bukur vetëm kopshtin e tyre. Gazetaria është misioni i së vërtetës, një e vërtetë e cila shpesh prek jetën e njerëzve, të cilën duke mos e thënë, duke e fshehur, apo duke e shtrembëruar dëmtojmë rëndë jetën e individëve dhe të popujve. Megjithatë, shembuj si James Foley na tregojnë se është e mundur një gazetari në shërbim të së vërtetës me gjithë të gjitha, me gjithë rrezikun që i kanoset një njeriu. Diku kam dëgjuar një fjali që më ka prekur shumë, se nëse një njeri ka një motiv për të cilin jeton, për atë motiv është i gatshëm edhe të vdesë. Në dëshmimin e së vërtetës, sidomos kur je përballë të fuqishmëve dhe atyre që kanë në dorë mjetet e pushtetit, është mëse normale që njeriu të shoqërohet nga frika. Të gjithë kemi frikë, të gjithë drithërohemi kur mendojmë se dikush mund të na bëjë ta paguajmë besnikërinë tonë ndaj së vërtetës. Është një frikë që na shoqëron, është bashkëjetuese e jona, me të cilën duhet më së pari ta përballojmë brenda nesh. E një mënyrë për ta përballuar është gjetja e atyre idealeve dhe motiveve ekzistenciale për të cilat një njeri shpenzon mundin dhe jetën e tij. Nëse gjenden këto motive, atëherë edhe armiku më i madh do të jetë thjesht një Goli gjigant, por që do të mundet nga një David i vogël, i cili ka të vërtetën me vete.
Lidhur ngushtë me këtë aspekt të së vërtetës është edhe diçka tjetër: marrëdhënia e pushtetit me të vërtetën. Herodi i prêt kryet Gjonit pasi mendon se është mbi të vërtetën dhe se mund të ketë pushtet mbi jetën e tjetrit. Atë çka sot po bëjnë xhihadistët e ISIS-it është pikërisht kjo gjë. Ata mendojnë dhe janë të bindur se janë pronarët e së vërtetës, jo vetëm së vërtetës kuranore, por edhe të vetë Zotit, derisa në emër të tij vrasin të pafajshmit, apo thjesht sepse të tjerët mendojnë e besojnë ndryshe prej tyre. Konteksti në të cilin i priten kryet Gjonit është një kontekst krejt banal, një festë ditëlindjeje, një vendim i marrë në dehje e sipër, por motivi i vërtetë mbetet i thellë: e keqja nuk e duron të vërtetën dhe çon peshë krejt fuqitë e saj për ta mposhtur atë. Unë kam bindjen se edhe ISIS do të kalojë edhe pse jo pa kosto, por do të mbetet shija e hidhur e një makabriteti që menduam se e kishim lënë në mesjetë: vrasjen në emër të Zotit, pse Zoti e do!
Është një moment kur bota duhet të reflektojë thellë, duke qenë se po kalon krizë pas krize, nga ato ekonomiket tek ato politike, por mbi të gjitha ato ekzistenciale. Janë pikërisht këto boshllëqe e krisje-kriza që mbushen nga njerëz dhe ideologji të papërgjegjshme si ata të ISIS. Nëse një djalë i ri si James Foley ka shkuar pikërisht në fole të gjarprit për të marrë informacionin e për t’ia shpërndarë botës me aparatin e tij fotografik, po ashtu ka edhe shumë djem nga Perëndimi të brezit të dytë dhe të tretë, me kombësi angleze, austriake, italiane apo franceze, por fatkeqwsisht edhe shqiptarw, që kanë përqafuar kauzën e xhihadistëve. Si është e mundur? Çfarë është lënë mangët?
Bashkë me James Foley-n do të doja të ndizja një qiri për të gjitha viktimat e këtij absurdi, gra e fëmijë të krishterë e yazidi, shiitë dhe sunitë, burra dhe gra që po vuajnë pa faj një regjim që është antinjerëzor e antifetar. Jam i bindur se po ta bëjmë të gjithë, me një lutje të heshtur brenda nesh, bota do të ketë më dritë dhe më shumë ngjyra.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat