Biznesmeni bamirës Dod Doçi me ngritjen e kishës katolike Shën Maria dhe Lura e tij janë një shembull i bashkëjetesës fetare për botën

Opinione

Biznesmeni bamirës Dod Doçi me ngritjen e kishës katolike Shën Maria dhe Lura e tij janë një shembull i bashkëjetesës fetare për botën

Nga: Ramiz LUSHAJ Më: 27 gusht 2014 Në ora: 21:42

1.
-Zoti, patjetër, ishte artist, kur me shpirtin e dorën e tij hyjnore e krijoi Lurën kaq të bukur në luginë e mes maleve, me liqene...- pohon me të madhen dashuri për vendlindjen, Dod Doçi, një nga biznesmenët e fuqishëm të kohës shqiptare, i cili e ka themelue lartësisht edhe një tjetër Lurë në bregdet, fshatin turistik “Lura” në Gjinin e Lalëzit në Durrës.

Aty, tek një nga liqenet e Lurës, në mbi 1.700 m. lartësi mbidetare, e shpreh një dëshirë të dlirtë: Pse Lura të mos jetë një vend turistik botëror si principata e Andorës në një luginë midis Francës e Spanjës, me sipërfaqe rreth katër herë ma të madhe se Lura?! Gjithësesi mbetet i mendimit se Lura mund të ketë shembullin e vet në botë, me emrin e vet: Lura.

Doçi ndjen dhimbje teksa i sheh pyjet e vendlindjes, të shkatërruara nga flaka e sakica, nga masakra mjedisore, pasi ato dekada ma herët ishin përplot me lisnajë, pisha të gjelbërta. Edhe mua të porsa ardhurin aty më helmatis ky realitet i hidhur, pasi tek “Parku Kombëtar i Lurës” ka një punë antikombëtare. Pushtetarët vargavijë në vite, si aty e në rrethet fqinjë, si kryekomunarë, kryepolicë, kryespecialistë të pyjeve e të mjedisit, kryeprokurorë, etj. kanë lejue kit’ masakër në sytë e tyne e të kohës, ndokush ndoshta edhe i klucun me rrfanë prej vetes e nga të tjerët. Në Lurë njerëz të varfër apo të babëzitur, barbarë vendali e të ardhun kahmos, prej tre dekadash, edhe sot, kanë “liçencë” me i shkrumue e shkretanue përditë pyjet - “mushkëritë” e veta, të Shqipërisë, Europës e Botës.

I lurasi dinjitar, Dod Doçi, djali i fisnikut Llesh Zef Doçi i Lurës, flet me dije e shpresë se për Lurën ka një mastër-plan qeveritar të mirë prej se nga viti 1996 që do t’ia kthente ndryshe faqen krahinës së tij, do të ndryshonte rrjedhën e pasojat e saj. Sivjet, pohon ai, Ministria e Mjedisit e Lefter Kokajt në Tiranë ka akordue një fond të madh për pyllëzimet. Për pos kësaj, biznesmeni vizionar Dod Doçi ka edhe idetë e tij mjaft origjinale për Lurën turistike, të cilat do të ishte me interes t’ia dëgjonin e reflektonin edhe Qeveria e Tiranës, edhe Bashkimi Europian.

Ai sadoqë ka maraze e merake, prapëseprapë e ka devizën e tij: “Si Lura, vend tjetër s’ka”!

Edhe shteti ma i lodhur do ta bante Lurën një vend turistik të rrallë. Çdo shtet i kuq, blu apo rozë qyshse nga ngritja e Flamurit Shqiptar në Vlorë e deri në marrjen e statusit vend kandidat për në BE, nuk është lodh’ aq fort për Lurën. Tue ecë rrugës për në Lurë përjetova tmerret: “infrastrukturë e shkatërruar”,”shfrytëzim çnjerëzor”, etj. Prej n’dalje të Rrëshenit e deri brenda në komunën e Lurës rruga është si të ketë dalë nga ndonjë luftë botërore! E pabesueshme. Rruga kalon nëpër miniera bakri të shumta si ato të Perlatit..., kah fabrika e pasurimit të bakrit në Kurbnesh, e ngritur që më 1959, që edhe në vitin e skamjes 1990 përpunonte 800 mijë tonë bakër, etj. çka do të thotë se kjo rrugë do të ishte shtrue krejt me flori e jo ma me asfalt! Ing. Redrit Baholli, më tronditi me thanien e tij: këtu malësorët hynin fëmijë e vdiqnin të rinj, se mosha e tyre mesatare ishte 40 deri 55 vjeç. Po askush nuk paska respekt as për jetë-vdekjet e tyre për t’ua çue rrugën kah oborret e vorret e tyre?! Apo duan që banorët e Lurës të shpërngulen si Mërkurthi fqinjë ku nuk tymon astenji shtëpi, edhe pemët po iu bahen të egra, edhe lumi vetëm në pjesën e këtij fshati e kishte tha shtratin e vet në kit’ gusht?! Lurasit presin. Zoti sheh... Rruga rrangalle e rrgalle një ditë ka me i gjuejt qeveritë e veta me gurët e vet!

Lura është një mjaltë i shijuar nga pak kush. Nuk e kam fjalën vetëm për të quajturin “Mjalti i njëmijë luleve” që e shijuam tek kulla mbi shekullore “Monument Kulture” e atdhetarit Bibë Kolë Doçit, tek mikpritësi Zef Doçi, kryekomunar demokrat i shembulltë në Balldre të Lezhës, që ka ardhë me pushime në trollin e vet. Një mjaltë të tillë nuk mund ta prodhonte as mbreti Gent, që shpiku ilaçin tremijë vjeçar Gentianus, pasi ai është vetëm i markës “Lura”, vetëm i vendit të saj.
Lura me shtatë liqenet e saj mund të priste mijëra turistë jo veç në pak muaj të verës. Po ti kishte kësisoj ndonjë krahinë në Çeki do të kishin jo veç rrugë me shumë kalime e tunele, po edhe teleferik e deri linjë ajrore, do iu vinin turistë nga Australia e Amerika.

Lura mund të ketë edhe turizmin e gjelbër, edhe të bardhë, edhe verës, edhe dimrit. Një i luras emigrant, Hajri Kaci, më thotë se Lura mund të kthehet në një vend ideal për ski, pasi edhe vet është i apasionuar pas këtij sporti në Itali. Lura me bukuritë e mrekullitë e saj është një ftesë e hapur me dyer të mbyllura nga shteti i vet(!)

I madhi Gjergj Fishta kur e vizitoi Lurën në kohën e tij patë thanë: Kush nuk njeh Lurën nuk njeh Shqipërinë”. Kjo vlen edhe për politikën e sotme e të nesërme shqiptare, për biznesmenët kombëtar shqiptar, për ndërkombëtarët e Bashkimit Europian. Për të gjithë.

2.
I përkushtuari ing. Dod Doçi, që se ndali kurrnjiherë hapin, po më duket si misionar në Lurë, vendlindjen e tij, të cilës nuk ka ndërmend me ia kthye shpinën, edhe në koft se ndokush don me ia kthye pranverat në dimër

. Ai ka ardh’ edhe sot në Lurë, bashkë me zonjën e tij të nderuar, Alda Laçi-Doçi, dibrane dinjitare në vetvete e në genet e saj prindërore dhe financiere universitare.

Ka ardh’ me tre nga arkitektët emër njohur të kompanisë “Lura”, etj.

Ai don me dhanë sa të mundet nga shpirti i tij, sadopak nga financat e tij, të familjes e firmës së tij “Lura Group”, për me i dhanë sa ma shumë e sa ma mirë shpresë, forcë e madhështi tokaqiell Lurës së tij.

Mësuesi doktorant, poeti i këtij vendi poetik, Llesh Doçi, na e thotë publikisht tek një nga liqenet e Lurës: “Dod Doçi është një “kishë” ku jemi “falur” ne lurasit, po nuk e kemi dit’ e prit që do të vinte kjo ditë me e ngrit edhe kishën Shën Maria në Lurën tonë”.

Sigurisht për Dod Doçin, njeriun bajemirë e të nderave të mëdha e të shumta për Lurën e lurasit, për gjithë ata bashkvendas nga fise të ndryshme të saj. patjetër kyendera e bamirësisë së tij është “Shtëpia e Zotit”, kisha Shën Mëria e Lurës. Është një nder, një rast unikal, që e vno’ Dod Doçin për mirë në kryevend. Shqiptarët filantropist e të thjeshtë kanë dhanë mijëra dollarë e euro sponsorizime për ngritje të kishave katolike jo vetëm në Shqipëri, po astenji e asnjerë nuk ka ndodh kësisoj:

E para: Me e nxjerrë vet’ lejen për kishën tek dioqeza e Rrëshenit e interesue deri në Selia Metropolite – Kryedioqeza Tiranë-Durrës, ku nuk e lè pa ia permend emnin për mirë ndihmatarit fisnik, don Gjergj Meta.

E dyta: me shkue vetë e me e blè edhe me mirëkuptime rrethatimin e tokës së bekuar të kishës, pasi kisha katolike e Lurës së shpejti do të ketë edhe një oborr të madh, edhe livadhin e vet të gjelbërt. Me t’u kënaq syni e shpirti.

E treta: me lyp e me pa projekte të kishave katolike nga shumë vende të botës. Ing.Doda e vet/përzgjedhi një model prej tyre. Po jo vetëm kaq. Me shkue me grupin e arkitektëve në Lurë, me të cilët ka ardhë edhe sot me i ndjek punimet drejt përmbylljes së tyre. Aty panë trollin e kishës, luginën, malet, ndërtimet e krahinës. E të tre së bashku, si ekip, ark. Blerta Foto, ark. Dea Gora, ing. Redrit Baholli, me përvojën e vet të vyer banë një punë të shkëlqyer. Një projekt të vetin të veçantë, ku gjen edhe antiken, edhe modernen. Origjinal. I tipit alpin. I rrallë. Ndoshta i vetmi si ky.

E katërta: ia zbuloi themelet kishës katolike të moçme. Ia ka lanë ashtu, të paprekuna, nëse jam i sakt nja 50 cm mbi tokë, po brenda kishës së re. Jo siç ndodh rëndom: mbi themele të së vjetres me e ngrit’ një të re. Edhe brenda do të jenë së bashku: kisha e moçme dhe e sotme.

E pesta: i ka sjell këtu edhe mjeshtrit që dinë e janë marrë me ndertime kishash katolike. I sjell gurët e skalitshëm nga Rubiku. I gdhendin edhe aty, edhe në lartësim të murit të kishës katolike. Gurët janë të bukur, krejt të veçantë. Kanë koston e vet të transportit. Ing. Baholli, demokrat idealist, më flet për njëzet rrugë transporti vetëm për një muaj e disa makina të dëmtuara pjesërisht nga rruga e tepër e keqe. Kumona e kishës po vjen nga Italia, nga një firmë e njohur në kit’ lami. Paraprakisht ka ardhë nga Milano specialisti shqiptar Hysni Balliu për me e pa vendin e vendosjes së këmbanës., konsultohet aty me i projektuesit e zbatuesit e kishës, flasin për akustikën e saj të jehonshme, etj.
Këmbana e kësaj kishe do të ketë mbishkrimin e vet kushtimor: “KISHA SHËN MËRIA. DHURATË KOMUNITETIT. DOD LLESH ZEF DOÇI. LURË, 2014”. Ajo, tekeshumta, sot dy javë, është në vendin e vet. Këto porosi të largëta në Rubik e deri në Itali kanë kostot e veta. Gjithçka e vetdinë shefi bamirës, misionari Dod Doçi. Kisha së shpejti do të jetë gati për përurim. Doda pyet shumë mendje e ecë me mendjen e vet. Po kjo ka të bajnë edhe me disa të veçanta.

E gjashta: Përurimi i kishës do të jetë në kuadrin e veprimtarive të vizitës historike të Papa Françeskut në Shqipëri? Kisha e Lurës a do të ketë (krye)datën e vet të përurimit? Diçka është e sigurt: në një nga ditët e shtatorit 2014, Dod Doçi, presidenti i kompanisë së madhe shqiptare “Lura”, do t’i ketë në dorë çelsat e kësaj kryevepre të tij e të komunitetit katolik në Lurë.

Kit’ të shtatën deshta ta marrin vesh gjithë bota. Kështu i thashë me mesazh në fb edhe mikut tim luras, Bardhok Zef Rajta, që i dveta atje në Lurë disa luras trojenik, kishën e re, malet e reja, lisnajat e reja: ku e ka trollin e kullën ky burrë i mirë, i derës së mirë. Kujt ka me ia dhanë çelsat misionari bamirës, Dod Doçi? Kushërinit të tij musliman, Sali Doçi, një luras flokë bardhë, që po punon prej disa kohësh të ndërtimit të kishës katolike si “kryepunëtor” i kishës, kryekordinator dorator për mjeshtrit e saj, etj.
Ky, muslimani Sali Doçi, ka një kontratë pune për 10 vjet me Dod Doçin, sipërmarrës i kësaj (krye)vepre bamirëse: do të paguhet për kishën, do të jetë kujdestar i saj edhe pasi të vijnë prifti i saj aty. Ai do të kujdeset për mirëmbajtjen e kishës në dimër e verë, për vorret rreth saj, për oborrin e livadhin e saj. Për gjithçka. Ky është një rast i rrallë.

Këta shtatë hapa të misionarit bamirës Dod Doçi për ndërtimin e kishës katolike nuk i gjen askund në trevat shqiptare në Ballkan, as ndër shqiptarët në botë. Unë nuk e njoh krejt botën e madhe të sotme me iu thanë se nuk ka askund një rast të tillë, veç di t’iu them këtë:

Dod Doçi i jep një shembull të mirë shqiptar botës në shek. XXI. Do dëshiroja të isha një këmbanë fjale që të më dëgjonin të gjithë. Kudo.

3.
Lura e lurianëve, Lura e Dod Doçit, përsa i përket anës etno-fetare të saj, është një monument i madh politik e kulturor i Shqipërisë dhe për botën në këta tre shekujt e fundit kalendarik. Një shembull i përkryer që i peshon e rrezaton edhe Vatikanit në thesarin e propogandën e tij, veçse kjo i duhet ba ma shumë e ma mirë e njohur vet Shkelqësisë së Tij - Papa Françesku para apo gjatë vizitës historike në Tiranë.

Lura i ka pasë në trojet e veta priftërinjtë misionarë qyshse në shekujt e parë pas Krishtit, të cilët kur përndiqeshin nga perandorë romakë të Romës apo Konstadinopojës gjenin aty strehë e kryenin predikime fetare, etj. Nëse ndokund tjetër jetonin në shpella, në Lurë me rrethina bashkëjetonin në vatrat e malësorëve të atyshëm.

Lurasit besonin shumë tek Zoti dhe tek njerëzit e Zotit. Albanologu Johan Georg von Hahn, i cili e ka vizitue edhe Lurën, në veprën e tij: “Udhëtime nëpër viset e Drinit e të Vardarit” dokumenton: “Lurasit ia dëgjojnë fjalën vetëm famulltarit të tyre...”.

Lura ka tre kisha të kahershme. Kisha e Shën Marisë, pothuaj në qendër të Lurës, të cilën po e ndërton si vepër dhuratë Dod Doçi i Lurës, i Lurës në rrethin e Dibres, i Lurës në rrethin e Durrësit, i Lurës në rrethin e Tiranës. Tjetra është kisha e Shën Nikollit (Shën Kollit) në hymje të Lurës, kur vjen prej Mirdite, që pas rikonstruksionit është e hapur për besimtarët e saj. Kisha e Shënpremtja (Shnaprenda), në krahun tjetër të Lurës, një kishë tashma e heshtur. Flasin rrënojat e saj. Mund të ketë pasë edhe kisha të tjera. Ne kaq dijmë në ditë të sodit.

Në biseda me lurasit më thonë Kisha Shën Mëria është ma e vjetra. Edhe unë kështu kisha me thanë. Do shtoja edhe diçka tjetër: sipas një fakti që kam gjet’ më del se kjo u lartangrit në Lurë në vitin 1418. Boll e moçme. Kështu qoftë.
Veçse po shtoj edhe diçka tjetër: tek Kisha Shën Mëria edhe kur ishte me themele të mblueme nëntokë vinin njerëzit edhe prej largtit deri aty. E kanë përcjellë në breza besimin ndaj saj si një Vend i Shenjtë.

Edhe vepra bamirëse e Dod Doçit është e shenjtë, ka shenjtërinë e saj.

Në listën me 275 kisha të hershme, që na i paraqet albanalogu Fulvio Cordignano, 143 kisha, mbi gjysma e tyre, iu përkasin katër shenjtorëve: Shën Maria, Shënpremtja, Shën Kolli (Nikolla) e Shën Gjergji. Ndër këto 275 kisha katolike shqiptare renditen: 42 janë kisha Shën Mëria, 41 janë kisha Shën Nikolli dhe 34 janë kisha Shënpremtja.
Të tre këto kisha katolike kanë rranjë prej hejcekurit në Lurë: Edhe kisha Shën Mëria, edhe kisha Shën Kolli (Shën Nikolla), edhe kisha Shënpremtja. Komuna e Lurës me sipërfaqe tanësore 125.5 km2 i ka këto tre kisha që në emër të Zotit i ka zgjedh shpirti i madh e i mirë i besimtarëve të saj në shekuj.

4.
Lura ka lidhjet e saj besimtare shqiptare me këto tri kisha.

Së parit, me kishën Shën Maria. Shën Konstandini i Madh, perandori romak me origjinë ilire – i lindur në Nishin shqiptar të Dardanisë, e shpalli Krishtërimin Fe Zyrtare. Një akt i përbotshëm nga një shqiptar ndër dhjetë ma të mëdhenjtë e historisë botërore, që disa enciklopedi të kohës së sotme e renditin edhe pas Krishtit e Muhametit, e cilësojnë edhe “I barabartë me Apostujt”, etj. Nana e tij, Shën Elena e ka zbulue Varrin dhe Kryqin e Krishtit, një arritje e pamatë për Krishtërimin e derisotëm. Përpos kësaj duhet të kujtojmë se Maria, përndryshe: Shën Maria, ishte Nana e Jezu Krishtit. E, në vijim të kësaj lidhjeje, sado (i)ndirekte, të largët apo të afërt në kohë, vjen edhe kjo tjetra: Shënpremtja (Shnaprenda) ishte hyjni parakrishtere e, vetëm tevona, u njejtësue me Nanën e Shën Maria, u pagëzue Shenjtore e Krishtërimit. Në kit’ linjë vjen lidhja tjetër krejt simbolike me Shën Nikolli (Shën Kolli).

Këta shenjtor kishin ditët e tyre të kthyera në festa tradicionale për Lurën, si e Shën Marisë, Shën Kolli, Shën Gjergji, Shënpremtja, etj. të cilat në shekujt e fundit i kanë festue bashkarisht edhe katolikët, edhe myslimanët.

Historianët e studiuesit dhe vet fetarët si At Loro Mihaçeviq, At Domeniko Pazzi, akademik Kristo Frashëri, akademik Mark Tirtja, doktorant Nikollë Loka, Agron Tufa, Xheladin Tollja, Ahmet Përleka, Hysen Dervishi e të tjerë thonë se lurasit myslimanë shkonin sëbashku me katolikët në kishë për Krishtlindje e Pashkë, po edhe lurasit katolikë shkonin sëbashku me myslimanët në xhami për Bajramin e Madh dhe për Bajramin e Vogël.

Në të gjithë Shqipërinë, shkruan poeti e shkrimtari, përkthyesi e studiuesi Agron Tufa, është përhap legjenda se gratë e krishtera janë gatuar në të njëjtin kazan si mishin e deles dhe mishin e derrit dhe gjatë ngrënies ua kanë ndarë në sofër sipas përkatësisë fetare të secilit.

Një thesar dinjitar që i vlen edhe Qiellit, edhe Tokës, edhe krejt Botës.

Ky është një model i jashtëzakonshëm i bashkëjetesës shqiptare në Lurë, në shekuj.

-Atë ditë kur filluam çplimin e themeleve të kishës së vjetër të Shën Mëria e ngulëm themelet e kishës së re, po më kallxon biznesmeni bamirës Dod Doçi, ishte Ditë Ramazani. Po vjen aty Sheh Haliti. E mirëpritëm vllaznisht. Plot mirënjohje. Na uroi: Ju priftë e mira në ndërtimin e kësaj “Shtëpie të Zotit”! Ta gëzojmë bashkarisht gjithë Lura jonë”.

Dhe iku fytyrqeshur. Kjo nuk ndodh shpesh. Kudo.
Ky është një akt tjetër shembull për botën e sotme, ku misionari biznesmen Dod Doçi, djali i fisnikut Llesh Zef Doçi, i hedh themelet e kishës Shën Maria edhe me bekimin e Shehut të Lurës, Sheh Halitit.

Ndokush me e kuptue ma plotësisht kit’ mesazh, kit bashkëjetesë, kit akt, duhet të dijnë edhe këto fakte historike. Lura vetëqeverisej nga “Kararet e Lurës” (kanuni i saj, ligjet e saj), që zbatoheshin nga 12 pleq, 12 çekiç dhe 6 dhetarë. Kararet e Dheut të Lurës u shenjtëruan me duvanë e Teqesë së Murat Dedës para rreth dyqind vjetësh nga Sheh Murati i Parë, rreth vitit 1800 kur filloi procesi i islamizimit në Lurë, i kthimit në kushte normaliteti të katolikëve në myslimanë. Me kit’ ndërhyrje edhe në Të Drejtën Zakonore krahinore të Lurës duhet thanë se Teqja e Cerenit u legjitimua në Lurë si një institucion ma i randësishëm se vet Kisha, ishte faktor shoqëror i madh prej atëherit e deri më sot, në shek. XXI. Kaq i madh ishte ky ndikim saqë edhe në raste të mos shkyemjes të menjëhershme të Sheh-ut në vendin e ngatërrëses të dy lurasve (qoftë edhe të besimeve të ndryshme) dhe ai për arsyet e tij të moshës etj. në koft se i çonte tespijet e shkopin e tij aty njerëzit bindeshin menjëherë, ulnin gjakrat e arnët, ia fillonin prapë bashkëjetesës në komunitet. Pajtimi ishte krye përgjithnji, për mirë, për mbarë.

5.
Lura ka edhe disa lidhje të tjera të bashkëjetesës fetare ndërveti.

Heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu i cilësuam “Kalorës i Krishtërimit” dhe “Atlet i Krishtit”, ka qënë edhe në Lurë. Djaloshi i fismë e i muskultë i Lurës, Hekurani, njëherash shoferi i parë tek firma “Lura”, më tregon vendet ku ka qëndrue e nga ka kalue Skënderbeu si “gjurmët e kalit të tij n Qafë Lurë”, se si e sillte një pjesë të madhe të ushtrisë së tij në Lurë në kohë dimni pasi e shihte si vend shumë të sigurtë e plot bujari, si i farkëtonte armët në Livadhin e Xharrit, etj.

Tradita iu dijenon breznive, se një nga paraardhësit ma të hershëm të Derës së Doçëve, të biznesmenit humanitar Dod Doçi, Prengë Nikollë Doçi ka marrë pjesë në Kuvendin historik të Beslidhjes së Lezhës më 1444.

Kjo është një lidhje e shumëfishtë, tejet e hershme, mjaft dinjitare për Dod Llesh Zef Doçin e Lurës e të Shqiptarisë.

Don Nikollë Kaçorri është i luras, prej Krej-Lure, i cili e kishte babën katolik e nanën myslimane, ndërsa vet u
shkollua prift, ishte një përfaqësues i Kataloçizmit Shqiptar në Shpalljen e Pavarësisë në Vlorën e 1912-tës dhe nënkryetar i Qeverisë së Ismail Qemalit.

Ky është një tjetër shembull i lartë i bashkëjetësës
fetare në Lurë.

Dod Doçi nuk është rastësisht një bamirës i ndërtimit të kishës katolike Shën Maria në Lurë, pasi ai, më 19 tetor 2003, ishte në Romë, në ceremoninë e Lumturimit të Nanë Terezës nga Papa Gjon Pali II. Nuk ishte vetëm, po me 50 vetë nga kompania “Lura”. Ai na tregon për ato ditë në Selinë e Shenjtë në Vatikan, për bisedat me Imzot Rrok Mirdita, Dom Marjan Paloka, e të tjerë.

Në Lurë më rrëfejnë se në vitin 1992 ishte edhe At Zef Pëllumbi e na japin detaje tejet interesante të takimeve të tij me Sheh Muharremin, si ia respektoi besimin e ritin e tij. Kjo ndikoi, më thotë Llesh Doçi i penës shqiptare e biznesit lokal që të nesërmen në meshë tek kisha të mos shkonte vetëm Sheh Muharremi po 300 luras.

Dera e parë e Doçit, kusherinjtë e parë të Dod Llesh Zef Doçit të Lurës, pikërisht ata të kullës lurase, monument kulture, ku hangrëm “mjaltin e njëmijë luleve”, Bibë Kolë Doçi me djemtë, Zefin (krebashkiak), Gjonin (poet) e Lleshin bashkëjetonin me kushëririn Hazis doçi e fëmijët e tij. Akademik Mark Tirtja e doktorant Nikollë Loka dëshmojnë se kjo familje e madhe me 31 vetë kur u ndanë në vitin 1966 kishte në trungun e vet 14 myslimanë e 14 katolikë.

Ky shembull luras në Derën e Parë të Doçit rrallëkund ndodh në botën e sotme, në kohën e sotme.

6.
Ky shembulli i biznesmenit Dod Doçi me aktin e tij bamirës për ngritjen e kishës katolike Shën Maria në Lurë tregon shkallën e zhvillimit e të emancipimit të vet shoqërisë kapitaliste shqiptare. Kur biznesmenët të fillojnë e të ndërtojënë shkolla, spitale, kisha, qëndra kulturore, korpus me vepra letare të të mëdhenjëve të kombit, etj. atëherë duhet t’i gëzohemi ma shumë e ma mirë të ardhmes, pasi shoqëria nuk bie në konflikt pronësor, politik e ideologjik me biznesmenët e vet, siç ndodh jo rrallë në histori. Këto raste nuk i kemi të shumtë. As të përditshëm. Sidoqoftë t’iu japim mirënjohje. E meritojnë ata dhe shoqëria e sotme kapitaliste demokratike shqiptare.

Akti i biznesmenit humanist Dod Doçi për ndërtimin plotor të kishës katolike Shën Maria dhe Lura e tij e bashkëjetesës së jashtëzakonshme për mirë e mbarë ndërmjet feve katolike e myslimane janë një shembull i rrallë e i madh që Shqipëria i jep botës së sotme, të nesërmes të njerëzimit, demokracisë në glob. Një shembull thesar për kohërat, epokat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat