"Kushtetuesestani"

Opinione

"Kushtetuesestani"

Nga: Nehat Hyseni Më: 23 gusht 2014 Në ora: 12:35

Republika e Kosovës është shteti më i ri në Europë dhe njēri nga shtetet më të reja në botë, i cili mund të pagëzohet edhe si "Kushtetuesestan", dmth si "shtet i Kushtetueses".
Arsyen për këtë "emërtim të ri", besoj se duhet ta dijnë të gjithë banorët e Kosovës, pa marrë parasysh përkatēsinë e tyre etnike, fetare apo politike.
Sepse, ky shtet, edhepse shumë i ri për nga "mosha", megjithatë ka përvojën më të madhe të ndërhyrjes së Gjykatës së vet Kushtetuese në çështjet e institucioneve vitale të shtetit, duke i shkarkuar dy President, një kryetar dhe dy nënkryetar të Kuvendit të Kosovës, në një afat të shkurtër kohor, madje rekord të ekzistencēs së vet.

Nuk ka asnjë shtet tjetër në rajon që përveç Republikës së Kosovës të ketë ndërhyrë Kushtetuesja në çështjet kaq të rëndësishme të shtetit se sa këtu, sa që ka krijuar bindjen se këtu Kushtetuesja është mbi shtetin e Republikës së Kosovës, apo udhëheqësja dhe menaxhuesja e këtij shteti, duke e vendosur dhe aplikuar realisht diktaturën e Gjykatës Kushtetuese, si institucion mbishtetëror, mbiparlamentar dhe mbipresidencial!

Pushteti i Kushtetueses në këtē vend ballkanik, me plotë halle e probleme reth nivelit më të ulët të zhvillimit ekonomik në rajon dhe në Europë, është i pakufizuar!

Kredibiliteti i (pa)kontestueshëm) i Kushtetueses?

Ky pushtet i pakufizuar i Kushtetueses manifestohet në çdo hap, si pjesë e ndikimit shtesë të një subjekti politik, pra Partisë Demokratike tē Kosovës, nëpërmes gjyqëtarëve militantë e partiak të saj.
Është evidencuar së paku një gjykatës i Kushtetueses, si thonë "me presh në dorë" nga mediat, si pjesëmarrës në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014. Ky është gjykatësi Kadri Kryeziu dhe ndaj tij nuk është marrë masa ligjore e shkarkimit të menjëhershëm, por Kushtetuesja është mjaftuar me një shqiptim qesharak për kinse suspendimin e tij nga gjykimet e rasteve dhe lëndëve të natyrës politike (Sic!) Dhe me kaq e mbyllë çështjen!
Ndërkaq, dihet botërisht afria e kryetarit Enver Hasani me PDK-në dhe kryetarin e PDK-së, z.Hashim Thaçin personalisht!
Pra, imponohet pyetja se, vallë, a mund të jetë në krye të detyrës Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ky institucion i lartë (mbi) shtetëror, me gjyqëtar të politizuar dhe të dëshmuar si militantë dhe mbështetës të njē partie politike, dhe sa janë neutral dhe të paanshëm politikisht, për të ndarë drejtësi në rastet e kontesteve politike në këtë vend me demokraci të brishtë?
Aq më parë, meqë tek ne Gjykata Kushtetuese ka rëndësi të madhe, sepse nuk radhitet në asnjërin pushtet, siç është rasti në shumë vende ku ajo radhitet në gjyqësor, do të thotë se tek ne i është dhënë roli i "arbitrit" midis pushteteve (ekzekutiv, legjislativ e gjyqësor), duke u bazuar në respektimin e Kushtetutës së Kosovës, "interpretuese e fundit" të së cilës është.
Pra, Kushtetuesja tek ne ka rëndësi tejet të madhe.
Por, shtrohet pyetja se sa është në gjendje Gjykata Kushtetuese e Kosovës ta ushtroj këtë detyrë?
Gjykuar sipas asaj që pamë më heret, si dhe performancës së deritanishme të saj, len shumë për të dëshiruar!
Sepse, siç u pa gjatë këtyre gjashtë vjetëve, Kushtetuesja ishte në anën e PDK-së dhe të gjitha aktgjykimet e saja të deritanishme janë kryekëput në favor të kësaj partie dhe kundër LDK-së dhe partive tjera.

Ky realitet i hidhur e bënë PDK-në shumë më të pushtetshme dhe në vend të mbrojtjes së balancës midis pushteteve, Kushtetuesja tek ne funksionon si rrënuese e asaj balance.

Kjo u dëshmua edhe me rastin e fundit të pranimit të kërkesës së PDK-së për pezullimin e zgjedhjes së Isa Mustafës kryetar dhe dy nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës në mbledhjen konstituive të 17 korrikut 2014, duke anuluar vullnetin politik të 83 deputetëve të Koalicionit paszgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje dhe minoritetet, që përbëjnë mbi 2/3 e Kuvendit të Kosovës, në favor të pakicës prej 37 deputetëve të koalicionit të PDK-së.

Kushtetuesja gjeneruese e krizës?

Seanca dëgjimore e 21 gushtit, sa duket, doli se ishte organizuar vetëm formalisht dhe i ngjante një ndeshje futbolli apo boks meçi, ku referi (Kushtetuesja) favorizon skajshmërisht njerën palë, pa marrë parasysh se cili e meritonte "fitoren", me argumentet e parashtruara!

Madje, fitohet përshtypja se vendimi Kushtetueses ishte i parapëgatitur dhe, sa duket, ishte marrë para fillimit të kësaj séance.
Në vend që të jetë në krye të detyrës për zgjidhjen e ngërçit politik, që tani po merr karakteristika të krizës së thellë politike, Kushtetuesja është bërë bllokuesja e zgjidhjeve politike dhe prodhuese apo gjeneruese e kësaj krize, duke i dhënë të drejtë pakicës parlamentare , PDK-së (1/3) ndaj shumicës me 2/3 e deputetëve.
Tani të gjithë jemi në pritje të aktvendimit të plotë të Kushtetueses. Nga kjo varet fati i mëtutjeshëm I (mos)zgjidhjes së krizës politike, meqë është anuluar pjesa e mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës që nuk është udhëhequr nga z.Brovina, deputete e PDK-së.
Kushteuesja ka përcaktuar se kjo mbledhje konstituive duhet vazhduar. Kurse, kryesimin e saj do ta bëjë prap z. Brovina, e cila do ta hedhë në votim propozimin e kandidatit të PDK-së pë kryetar Kuvendi.
Poqese nuk i merr minimalisht 61 vota, atëherë duhet dhënë të drejtën që Koalicioni LDK-AAK-Nisma, si grup më i madh parlamentar të propozoj kandidatin e vet (Isa Mustafën). Nëse nuk përcaktohet në aktgjykimin e Kushtetueses të ndodhë kjo, atëherë duhet shpallur zgjedhjet e jashtëzakonëshme.
Prandaj, fati politik i Kosovës dhe zgjidhja e krizës aktuale poltike është në vullnetin e Kushtetueses dhe kryetarit të saj z. Enver Hasani, si dhe të PDK-së dhe z. Thaçi, që do të realizohet nëpërmes deputetes më të vjetër të Kuvendit të Kosovës, z. Flora Brovina.

Ndërkaq, Presidentja e Kosovës, z. Atifete Jahjaga, si duket, është “vetëdorëhequr” nga ky rast dhe nga kjo krizë politike me hedhjen e topit të përgjegjësisë në Kushtetuese dhe nuk dëgjohet fare zëri i saj si shefe e këtij shteti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat