Kush i kontrabandoi vrasësit në hero?

Opinione

Kush i kontrabandoi vrasësit në hero?

Nga: Gani MEHMETAJ Më: 1 gusht 2014 Në ora: 00:03

Ka disa ditë që mediet shqipfolëse na vërshuan më një krim të tmerrshëm, ku shihet L. M. duke e ther në fyt adoleshentin diku në Siri. Ish punëtori fizik i Kampit të Bonstillit nga mediet tona një kohë të gjatë propagandohej hero- kontrabandë. Citohej ky anonim nga një lagje e humbur e një qyteze të varfër të Kosovës më shumë se sa personalitetet historike a liderët e vendit. U bë yll mediatik me kërcënimet e tij, në vend që të shpërfillej dhe t’i ndalohej paraqitja në medie. Shpërndaheshin deklaratat pa asnjë distancim a shkurtime në faqet elektronike. Ai u bë heroi i ditës nga mediet shqiptare pa e vra asnjë armik të shqiptarëve, përkundrazi kërcënonte çlirimtarin tonë SHBA-të.
Shtabe shërbimesh sekrete të huaja (serbe, ruse, turke e arabe), të ndihmuara nga shqipfolësit e paguar, kujdeseshin ta plasonin sa më shpesh në opinion dhe t’i siguronin sa më shumë hapësirë me pagesë si askujt tjetër. Me figurën e fjalët e tij synohej t’u mbyllej goja laikeve, pra shumicës shqiptare në Kosovë dhe t’u jepej hapësirë veprimi e propagandimi ideologjisë më antishqiptare që i ka mbërthyer ndonjëherë territoret shqiptare-islamizmit.
Krimet e tmerrshme të mjekërzinjve vazhdonin, ndërsa hoxhallarët në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni nuk e thanë asnjë fjalë kur ata kërcënonin, nuk e thanë asnjë falë as kur u masakruan mijëra sirianë e irakianë myslimanë e të krishterë, as kur paralajmëruan se do të gjymtoheshin 4 milionë femra në Siri e Irak. Sikur qeshnin nën buzë me heroizmat e xhihadistëve kundër popullatës civile.
Nëpër xhamitë e Kosovës, Maqedonisë e Shqipërisë, ku predikojnë hoxhallarë me mjekra e pa mjekra, i përgatitën të rinjtë trushpërlarë të bëjnë krime, vazhdojnë t’i mbështesnin lukuninë e vrasësve edhe tash. Lufta fetare e grupeve shqiptare në Siri e Irak mbështetej edhe nga ndonjë mjeran i tipit të Lutfi Hazirit, i cili për të neutralizuar kritikët e kësaj lufte mesjetare bëlbezonte: ata që luftojnë në Siri, bëjnë të njëjtën gjë që bënin dikur shqiptarët në luftën e Spanjës! Mentorët mafiozë që e kishin mësuar të thoshte kështu mejtepliun shkretan, e dinin fare mirë se në këtë rast nuk ka asnjë përngjasim, madje është kriminale të bëheshin krahasime të këtilla, por donin t’u thoshin trushpërlarve, shkoni ju e vrani sa më shumë “të pafe” në Siri, ne jemi me ju. Me shembujt e “trimave” që vrasin fëmijë në Siri e Irak si serbët dikur kur i thernin në fyt shqiptarët e Kosovës, shtabi i propagandës islamike donin të dërgonin porosi: “sot në Siri, nesër në Kosovë, Shqipëri e Maqedonie!”. Po ashtu i ftonin të tjerët të ndiqnin rrugën e “kaçanikliut”, që të bëheshin yje mediatik nga hiqi i provincës. Kjo pati shumë efekt, sepse drejtë Sirisë u nisën pastaj qindra shqiptarë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia. Disa burime thonë se regrutimi vazhdon.
Luftëtarët e xhihadit kanë mbështetës në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni nga hoxhallarët me mjekra e pa mjekra. Klerikët myslimanë gjithë ditën në predikimet e tyre nxisin urrejtje fetare, predikojnë dhunë, luftë fetare, fyejnë vajzat tona duke i quajtur të përdala, sepse arsimohen nëpër shkolla e fakultete laike pa shami; hoxhallarët me mjekra e pa mjekra mbështesin me para këngëtarë të repit që propagandojnë dhunën islamike kundër shqiptarëve. Është dyfytyrësi cinike kinse dënimi që u bëjnë tash krimeve në Siri e Irak. Ta kujtojmë vetëm spotin muzikor të reperit trushpërlarë, ku ai me një shkop bejsbolli nga ata që përdornin dikur kriminelët serbë kundër të rinjve shqiptarë në Kosovë, duke ua shkallmuar kafkën, reperi mysliman i rrah virtualisht shqiptarët që nuk janë mysliman. Pas këtij vidioklipi, hoxha me i tërbuar antishqiptarë i Kosovës, Sh. Krasniqi e fton në xhami për t’i bërë pritje myslimanit që “rrahu” shqiptarët. Radiostacionet e paguara nga xhihadistët e transmetonin natën e ditën këtë këngë të pështirë.
Nëpër xhamit e Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë u rekrutuan vrasësit e fëmijëve e të grave në Irak e Siri. Ndërkaq qeveritë e të tri shteteve bënin sehir: e tumirnin në heshtje këtë rekrutim. Mbase edhe e kanë ndihmuar, ku e dinë ne? Është qesharake të thuhej që shërbimet sekrete vendëse nuk e dinin këtë gjë, kur gazetat vendëse raportonin xhamitë ku bëhej rekrutimi i xhihadistëve, tregonin cili hoxhë merrej më këtë punë dhe shumat që u jepeshin mercenarëve islamik. Madje diheshin botërisht edhe portalet e gazetat që mbështesnin regrutimet e propagandën islamike, krahas me denigrimet që përpiqeshin t’u bënin kritikëve të kësaj lufte të pistë, me komente, thirrje publike për kinse mbrojtje të islamit nga ateistët e laikët etj. Shërbimi sekret maqedonas kuptohej pse nuk e pengonte rekrutimin e shqiptarëve në një luftë fetare të pistë, por si ta shpjegojmë pse shërbimi i fshehtë shqiptar (ShISH E SHIU) apo ai i Kosovës (SHIK-u e AKI) e lejuan këtë gjë? Me tumirën apo presionin e pushtetarëve? Me solidarizimin e shtetarëve tanë më shërbimet sekrete që e bënë rekrutimin: Turqinë, Rusinë, Serbinë e shoqatat e Arabisë Saudite? Apo shërbimet tona të fshehta i ka mbërthyer aq keq Rusia e Turqia sa s’mund të bëjnë asgjë, edhe atëherë kur rrezikohet interesi kombëtar e shtetëror.
Dihet botërisht se rekrutimi i mercenarëve islamikë në Kosovë është bërë nëpër xhami që qeveriseshin nga Bashkësia Islame e Kosovës, ndërsa qeveria jonë e mbështeste pa rezerva këtë grup zyrtarësh të BIK-ut, duke shpërfill me arrogancë grupin e hoxhallarëve shqiptarë që e predikonin tolerancën në mes të feve dhe vëllazërinë e gjakut, pavarësisht fesë së ndryshme.
Dihet botërisht se egërsia islamike vinte nga shoqatat turke e arabe të cilat financojnë pjesën dërmuese të xhamive e hoxhallarëve në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni . Ato shoqata veprojnë në Kosovë pa asnjë vështirësi, shpërndajnë e shpërlajnë para të Serbisë e të Rusisë, thonë shërbimet tona të fshehta. Pa i penguar askush. Ndërkaq, gazetat tona botojnë fytyra terroristësh pakistanezë e arabë të cilët shoqëroheshin me hoxhallarët e Kosovë. Asnjë prej këtyre terroristëve nuk u arrestua. Po ashtu dihet se njëri nga eksponentët më antishqiptarë, i cili vazhdimisht ka propaganduar për islamin radikal, Sh.Krasniqi e të tjerë hoxhallaër primitiv katundesh, në vend të arrestoheshin për nxitjen e urrejtjes fetare, përçarjes kombëtare, fyerjes së personaliteteve historike, apo shpifjeve ndaj personaliteteve të tashmë, mbështeteshin si nga pushteti ashtu dhe nga një pjesë e opozitës.
Kreu i BIK-ut ka toleruar e mbështetur urrejtjen, ka propaganduar mos durimin fetar, prandaj me të drejtë ambasadorja amerikane nuk e ftoi në darkën myslimane-iftarin, por në vend të zyrtarëve të dhunshëm të BIK-ut, ftoi hoxhallarët e Sindikatës të cilët kultivojnë vëllazërinë ndër shqiptare dhe tolerancën fetare.
Ndërkaq, opozitarët që përgatiten të marrin pushtetin, në vend të respektonin vendimin e drejt të ambasadores amerikane, si për inat iu përkulën krye hoxhës- nxitës të mos durimit fetar. E bënë këtë përkulje denigruese për inat të SHBA-së, apo sepse prisnin mbështetjen e shteteve që janë prapa këtyre zyrtarëve islamikë?
Prandaj para se të vjellim helm e vrer kundër një anonimi që doli në sipërfaqe me vrasjet rrëqethëse, duhet të jemi shumë më kritikë ndaj çerdhes që i kultivoi e i frymëzoi ata, sepse çerdhja zhapinjsh helmues është ende në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat