Grykësia e pangopëshme për pushtet po e dëmton rëndë shtetin e Republikës së Kosovës

Opinione

Grykësia e pangopëshme për pushtet po e dëmton rëndë shtetin e Republikës së Kosovës

Nga: Shkruan: Nehat Hyseni Më: 28 korrik 2014 Në ora: 08:28

Në situatën aktuale të bllokimit të punës së legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, të dalur nga zgjedhjet e parakohëshme parlamentare të 8 qershorit, gjithënjë e më tepër po shtrohet pyetja, por dhe dyshimi se Kosova po shkon kah zgjedhjet e reja, kësaj radhe të jashtëzakonëshme parlamentare.

Pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014, kemi një situatë të re në skenën politike të Kosovës në historinë e pasluftës dhe ndërtimit të demokracisë..

Koalicioni paszgjedhor, risi në skenën politike të Kosovës

Praktika e vjetër e llogaritjes së “fituesit të zgjedhjeve” në Kosovë, kur partia politike e cila merrte më së shumti vota në zgjedhje parlamentare dhe krijonte një shumicë relative, që i jipte të drejtën e mandatarit për formimin e mazhorancës absolute prej 50% plus për formimin e Qeverisë, kësaj radhe pësoi ndryshim.
Cili është, pra ky ndryshim?

Ndryshimi që ndodhi pas zgjedhjeve të 8 qershorit konsiston në faktin se kësaj radhe, dy ditë pas përfundimit të zgjedhjeve, akoma pa u shpallur rezultatet definitive të zgjedhjeve, por vetëm në bazë të rezultateve preliminare, kur secila parti e pa se ku gjendet, u formua koalicioni paszgjedhor nga tri parti politike LDK,AAK dhe Nisma me mbështetjen e Lëvizjes VV, e cila e la mundësinë edhe të kyçjes së mëvonëshme në këtë koalicion.
Formimi i koalicionit paszgjedhor ndodhi pikërisht në momentin kur LDK mësoi se nuk i arriti pretendimet e saja për të qenë parti e pare në zgjedhje, meqë doli e dyta, me 5% më pak vota se sa PDK, e cila kishte formuar koalicion parazgjedhor me pesë parti politike dhe doli si parti “fituese” e zgjedhjeve të 8 qershorit, me mbi 30 % të votave të fituara, ose me gjithsej 37 deputetë, kurse LDK me 30 deputetë, VV me 16 deputetë, AAK me 11 dhe Nisma me 6 deputetë, që do të thotë se poqese bashkoheshin, do të kishin shumicën prej 47 deputetëve pa Lëvizjen VV. Kurse, me VV, ata do të kishin shumicën absolute prej 63 deputetëve shqiptarë në Kuvendin e Kosovës.

Duke e parë situatën e tillë dhe duke studiuar praktikat e koalicioneve në vendet e ndryshme europiane, me nivel shumë më të lartë të demokracisë, si psh. atë të viteve 80-ta të shekullit të kaluar në Gjermani, etj., si dhe me paraqitjen publike të kryetarit të VV, Albin Kurtit se duhej të bashkoheshin të gjitha partite e mëparëshme opozitare për ta larguar nga skena politike Hashim Thaçin, I cili gjatë fushatës parazgjedhore ishte identifikuar nga të gjitha këto parti politike si “burim i së keqes”, keq qeverisjes, korrupsionit, etj., dhe nga të gjithët ishte shënjestruar se poqese Kosova synon të përparoj, atëherë duhej ndryshuar dhe hequr nqa puishteti PDK dhe Hashim Thaçi.

Por, meqenëse asnjëra parti, si e vetme nuk mund ta bënte këtë, atëherë ato vendosën ta bëjnë koalicionin paszgjedhor LDK-AAK-Nisma, me mbështetje të VV.
Koalicioni paszgjedhor e befasoi Thaçin
Ky Koalicion paszgjedhor solli huti tek PDK dhe Hashim Thaçi, i cili me kohë ishte kujdesur të formonte koalicion parazgjedhor me 5 parti të vogla, për dallim nga LDK, e cila shprehëte një kokëfortësi dhe arrogancë të pakuptueshme, meqë si duket, i shihte vetëm dobësitë e PDK , si rivale të saj, që ishte dobësuar me ndarjen e fraksionit politik të kryesuar nga Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi dhe mendonte me naivitet se kjo do t’I mjaftonte për ti fituar zgjedhjet.

Stafi profesional i LDK , karshi atij të PDK-së ishte joserioz dhe plotësisht joprofesional, thuase nuk kishte në vete asnjë ekspert, madje as të nivelit më të ulët professional, për të krijuar një ide reth parashikimeve dhe pritjeve reale nga zgjedhjet.
PDK e kishte mirëkompensuar humbjen nga fraksionini i Nismës, madje kishte shënuar edhe prurje më të madhe në parti, duke formuar koalicion parazgjedhor me pesë parti të vogla, që ia plotësuan boshllëkun e krijuar nga fraksioni i Nismës.
Por, mbetet enigmë se pse LDK nuk kishte bërë koalicion parazgjedhor as me AKR-në e Behxhet Pacollit, as me PD-në e Ferid Aganit, të cilat kishin shprehur gadishmëri dhe disponim për të qenë në koalicion me LDK-në.

Fitohet përshtypja se në LDK edhe gjatë zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit mbisundoi bindja e pabazuar dhe joreale se LDK do të fitoj gjithësesi, si dhe arroganca që doli në sipërfaqe në zgjedhjet lokale 2013 e fitores “me duar në xhepa”, që i solli asaj humbjen që i befasoi të gjithë.
Sido që të jetë puna, kjo mbetet për t’u analizuar e studiuar më vonë, qoftë nga vet grupi i ekspertëve Brenda LDK-së, natyrisht poqese u krijohet atyre hapsirë dhe liri e mjaftueshme për ta bërë këtë, qoftë nga jashtë. Por, bindja e opinionit është se LDK-së I është kërrusur kurrizi nga barra e “meritokracisë”, që moti kohë ia ka zënë frymën risive dhe ndryshimeve brenda saj.

Ndërkaq, partitë tjera politike, përveç LDK-së, vështirë se mund ta marrin me mend pozitën e të qenit fitues të zgjedhjeve si të vetme.
Ndoshta Lëvizja VV, e cila u trimërua nga fitorja e befasishme dhe e papritur e komunës së Prishtinës, që e mori vitin e kaluar në zgjedhjet lokale dhe tani mund të ket ambicie, por që tani për tani duken “utopike”, dmth të paarritëshme, aq më parë, kur në zgjedhjet parlamentare nuk pati rritje.
Pra, Koalicioni paszgjedhor është e vetmja mundësi për ta realizuar ndryshimin e shumëpritur të qeverisjes në Kosovë.
Obstruksionet e PDK-së, Kushtetueses dhe Presidentes
Por, obstruksionet e PDK-së, të ndihmuara nga “filiala” e sajë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, si dhe nga mbështetja e heshtur, por e koordinuar mirë dhe mjaftë aktive e Presidentes Jahjaga, e cila për çdo imtësi po i drejtohet Gjykatës Kushtetuese me qëllim të zhagitjes së pafund të proceseve, ka gjasa reale se mund ta çojnë vendin në zgjedhje të jashtëzakonëshme parlamentare.

Cilat do të ishin pasojat e zgjedhjeve të reja parlamentare?
1.Pasoja e parë do të ishte zgjatja e qëndrimit në poushtet të PDK-së dhe Hashim Thaçit edhe për disa muaj, edhe poqese PDK i humbë sërish zgjedhjet nga Koalicioni LDK-AAK-Nisma dhe mbështetja e VV.
2.Pasoja e dytë do të ishte shtyerja e formimit të Gjykatës Speciale për Kosovën, meqë varet nga shumë vendime të Kuvendit të ardhshëm të Kosovës. Si duket, ky edhe është pikësynimi i PDK-së dhe Hashim Thaçit personalisht, meqë personat që do të ndiqen nga kjo Gjykatë janë kryesisht kreu i PDK-së.
3. Motiv shtesë është fakti se në shtator pritet transferimi i një numri të madh të kompetencave të EULEX-it tek institucionet vendore, që mund ta ket motivuar PDK-në dhe Hashim Thaçin që ta zhagisin procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë së re. Sepse, ndikimi i tyre në institucionet vendore është i madh dhe kjo do t’I amnistonte personat e inkriminuar të PDK-së që do të përgjigjen para drejtësisë.
4. Kostoja e pasojave të dëmtimit të mëtejmë të imazhit ndërkombëtar të Kosovës dhe izolimit e getoizimit të mëtejmë të Kosovës, shtyerja e procesit të liberalizimit të vizave, etj.
5. Kostoja materiale e zgjedhjeve të reja parlamentare do ta rëndoj shumë buxhetin e Kosovës, që do të ndikoj drejtpërdrejtë në uljen e shkallës së zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies në Kosovë.

Pra, pasojat negative të zgjedhjeve të reja parlamentare do të ishin tejet të rënda për ekonominë dhe popullin e Kosovës në përgjithësi.
Pangopshmëria për pushtet po e shkatërron shtetin
Kurse, për Partinë Demokratike të Kosovës dhe shefin e saj, Hashim Thaçin, levërdia do të ishte e shumëfishtë, duke ia zgjatur vetes afatin e qëndrimit në pushtet dhe katandisjes dhe vuajtjes së mëtejme të Kosovës nga keqqeverisja, korrupsioni dhe dukuritë e tjera negative, që ia kanë zënë frymën zhvillimeve pozitive dhe shpresdhënëse në këtë vend të shumëvuajtur e të varfër.

Natyrisht se mund të konkludojmë se proceset e bllokimit të funksionimit të Kuvendit të Kosovës nga PDK dhe Hashim Thaçi, të ndihmuar nga Presidentja Jahjaga dhe sidomos nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, janë dëshmi e pamohueshme se në Kosovë është “kapur” shteti dhe se me këmbëngulje fanatike synohet të ruhet pushteti nga pushtetmbajtësit actual, që nuk e kanë shumicën në Parlamentin e Kosovës.
Përkundrazi, PDK dhe Hashim Thaçi i ndihmuar edhe nga z. Hasani dhe z. Jahjaga, mjerisht i kanë bllokuar institucionet e Kosovës, duke pretenduar që ta imponojnë vullnetin e pakicës që numron gjithsej 37 deputetë , që janë më pak se 1/3, karshi 83 deputetëve, që janë më shumë se 2/3 e 12o deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Me këtë veprim, të verbuar nga etja e pashuar dhe e pangopshme e tyre për pushtet ,duke e shkatërruar shtetin, ata si duket kanë harruar, apo nuk e kanë ditur fare se demokracia ka parim themelorë sundimin e shumicës, kurse diktatura ka parimin e kundërt, sundimin e pakicës mbi shumicën në shoqëri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat