Vetëvendosja mban ende qëndrim antievropian!

Opinione

Vetëvendosja mban ende qëndrim antievropian!

Nga: Flamur Shala Më: 27 korrik 2014 Në ora: 17:41

Qëndrimet e Vetëvendosjes me kushte për koalicionin paszgjedhor, për të hyrë ose jo në qeverinë e ardhshme, janë kundër konceptit integrues evropian për Kosovën, kundër zhvillimit të saj politik dhe ekonomik në partneritet me ndërkombëtarët. Mospranimi i hapur i kushteve nga ana e koalicionit, e që mund të jetë i tillë mbase, i ka futur dhe i mban ende partitë e bllokut në relacone të varura politike nga veprimet e Vetëvendosjes. Kjo e fundit po vazhdon me lojën e vet politike, duke konsideruar se nuk ka çka humb e as çka fiton më shumë. Fitoren më të madhe e konsideron shkuarjen e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Në këto rrethana politike, partitë e koalicionit paszgjedhor i kanë jo të lehta veprimet politike. Që nga fillimi i procesit paszgjedhor kanë pasur vështirësi për të mbajtur qëndrimin politik unifikues për një koalicion që do të mund t’i siguronte numrat në Kuvend, e për të mos shkelur asnjë normë kushtetuese dhe ligjore në konstituimin dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Abstenimi i deputetëve të Vetëvendosjes në procesin e votimit të kryetarit të Kuvendit në mbledhjen e kontestuar dha shenjën se ajo është më shumë, se për gjithçka tjetër, për zgjedhje të reja parlamentare në Kosovë.
Beteja politike e partive të koalicionit pasgjedhor ndaj PDK është më e lehtë se sa me Vetëvendosjen. Është më e lehtë sepse gjithçka është e qartë nga aspekti i rivalitetit politik dhe pretendimit për formimin e institucioneve. Lufta politike po zhvillohet përballë njëri-tjetrit. Ndërkaq, Vetëvendosja i ka vënë disa kushte tani të njohura për opinionin, të cilat, që të pranohen nga koalicioni, ato duhet trajtuar krejtësisht me ngjyrat politike të vetë kushtëzimit, për dialogun dhe privatizimin. Një koncepti të ditur kaherë, politikisht të kthimit prapa, krejtësisht antievropian, koalicioni nuk mund t’i bashkëngjitet!
Nuk është se dialogu me Serbinë është zhvilluar mirë, nuk është se marrëveshjet me Serbinë po zbatohen mirë dhe nuk është se nuk ka mundësi të përmirësohen për zbatim secila nga pikat e dialogut, por një gjë dihet se dialogu ka marrë rrugën e vet dhe ka hapur rrugë besimi politik të ndërsjellë, me ngjyra të theksuara kurtuazie në këtë fazë të procesit dhe ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Në këtë rast BE me ndërmjetësim krejt të hapur ka reflektuar parimësi dhe paanshmëri. Krejt ky proces do të çonte rrugës jo të shkurtër drejt anëtarësimit në BE të të dyja shteteve, Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
T’u dilet përpara proceseve evropiane për Kosovën me kushtet e llojit të Vetëvendosjes, është njësoj sikur t’u kthehemi situatave politike të para disa viteve, kur Vetëvendosja kishte kundërshtuar me ngulm dhe në forma të ndryshme shpalljen e pavarësisë së Kosovës, kërkesat politike të Pakos së Ahtisarit, aprovimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës etj. Të gjitha këto sjellje politike, me kalimin e kohës, ndryshuan dhe ato që u kundërshtuan u pranuan një nga një, u përqafuan nga VV. Kushtet që po i vihen koalicionit, pa ndryshuar qëndrim, dialogu dhe privatizimi, sipas VV tani për tani, janë të pakapërcyeshme, ndërsa koalicioni herë herë del i paqartë politikisht karshi tyre. Që të ketë proces politik dhe demokratik për formimin e institucioneve duke rrezikuar edhe me shkuarje në zgjedhje të jashtëzakonshme, duhet të ketë reflektim politik nga partitë e koalicionit, të cilat asnjëherë qartazi nuk i pranuan dhe as nuk i hudhën kushtet për përkrahje të Vetëvendosjes. Kush çka po pret? VV do të jetë në qeveri me konceptet e saj; pra kushtet janë krejtësisht qëndrime konceptuale politike. Rrjedhimisht, qasja ndaj formimit të institucioneve në krejt procesin paszgjedhor në mes bllokut dhe VV ishte dy anëshe: Blloku luftoi për numra mbi bazë programi, ndërsa Vetëvendosja për kushtet konceptualisht të papranueshme për partitë e koalicionit. E tëra kjo situatë e krijuar për shkak të qasjeve të ndryshme ndaj qëllimit përfundimtar kërkon qasje të re për dalje nga ngërçi politik.
Pozicionet e këtilla të partive politike çojnë pashmangshëm në zgjedhje të reja! Ndryshe, duke e pasur parasysh këtë proces drejt ngërçit të plotë politik, të gjitha partitë duan të dalin me përfitime politike. Opinioni publik pyet: A do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme?!
PDK po konteston çështje për të cilat pret që të japë zgjidhje Gjykata Kushtetuese e vendit. Pikërisht se po i mungojnë tani për tani numrat, e ka gjetur rrugën e saj: Gjykatën. Një betejë për mandatarin për formimin e qeverisë po konsideron se e ka fituar, duke pasur parasysh edhe pozicionin e presidentes, pozicionin me diskrecion. Po, prapë numrat nuk i ka! Që të ketë numra, PDK duhet ta ketë një skemë të re politike në duar! E pamundshme! Përfundimi i procesit sipas këtij koncepti çon drejt e në zgjedhje të reja!
Cila do të ishte zgjidhja më e mirë? Vlerësimi real i situatës së krijuar politike duhet të nxjerrë përpara alternativën më të mirë në rrugë ligjore për formimin e institucioneve për mandatin e ardhshëm qeverisës në Kosovë. Një koalicion më ndryshe se ky që ka lidhur fjalët për formimin e institucioneve, do të bënte që secila parti t’i kthehet pozicionit të saj brenda dhe jashtë koalicionit paszgjedhor. Një koalicion nga i cili do të dilnin institucionet e Kosovës me numra të mjaftueshëm për vendime politike të Kuvendit dhe qeverisë, të këtij mandati, do të ishte një nga alternativat për dalje nga kjo gjendje dhe për një stabilitetit politik numrash, si gjithherë, të nevojshëm për Republikën e Kosovës. A ka mundësi të ndodhë formimi i një koalicioni të gjerë për formimin e qeverisë me gjithpërfshirje politike? Kjo mund të ndodhë! Që të ndodh kjo, duhet vullnet politik i partive që vendi të mos shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme! Gati e pamundshme, por jo dhe e domosdoshme!
Dihet, pengesë për formimin e institucioneve të Kosovës me koalicionin paszgjedhor është Vetëvendosja, e cila aq më pak e dëshiron gjithpërfshirjen, sepse ajo kudoqoftë e sheh veten me kushte.
Qeverisë së ardhshme të Kosovës mund t’i prijë Lidhja Demokratike e Kosovës, partia më e votuar në zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit 2014.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat