Kryepolici Rama dhe oficerët që mbrojtën vrasësit e Artan Santos

Opinione

Kryepolici Rama dhe oficerët që mbrojtën vrasësit e Artan Santos

Nga: Kastriot Myftaraj Më: 26 korrik 2014 Në ora: 23:55

Videoregjistrimin e nxjerrë nga telekamerat e sigurisë, që tregon vrasjen e bankierit Artan Santo, me siguri që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Artan Didi, Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, por edhe Kryeministri Rama, e kanë parë që në ditën kur ndodhi ngjarja, pra në 26 qershor. Falë teknologjisë mund të arrihej lehtë të nxirreshin, së pari, pamjet e regjistruara në momentin kur ndodhi ngjarja. Të tjerat mund të kërkoheshin më vonë. Dhe meqënëse ngjarja ndodhi në mëngjes, me siguri që e shumta në mesditë, atë që ne të gjithë e pamë vetëm 25 ditë më vonë, kur u publikua nga një faqe private online, e kishin parë tashmë personat e përmendur më lart.
Në 23 korrik, dy ditë pas shfaqjes privatisht të videoregjistrimit të vrasjes së Santos, Kryeministri Rama mbajti një fjalim të gjatë në një auditor të gjerë policor, me rastin e analizës për punën 300-ditore të Policisë së Shtetit. Nga ky fjalim u bë e qartë një gjë. Kryepolici i Shqipërisë jam unë, Edi Rama, na tha Kryeministri. Kryeministri, në këtë fjalim, hyri deri në detaje të punës së Policisë së Shtetit, çka do të thotë se aq sa ai ka meritë për arritjet e saj, aq edhe ka përgjegjësi për dështimet e saj. Në çdo vend të botës ku Kryeministri do të dilte të mbante një fjalim publik para një auditori të gjerë policor, dy ditë pasiqë ishte bërë publik një videoregjistrim si ai i vrasjes së bankierit Santo, nëse Kryeministri do të kishte qenë i përgjegjshëm, ai do t’ ia kishte rishfaqur këtë videoregjistrim auditorit. Kryeministri do t’ ia kishte treguar videoregjistrimin auditorit policor duke e ofruar si një lloj manuali se si nuk duhet të sillet një polic në detyrë, në vendngjarjen e një krimi, dhe si nuk duhet të dëshmojë ky polic duke gënjyer kur merret në pyetje gjatë hetimit të krimit.
Nëse krahasohen pamjet që tregon videoregjistrimi, me dëshminë që ka dhënë polici i qarkullimit rrugor, i pranishëm në vendngjarje, del e qartë se ky polic ka gënjyer në krejt dëshminë e tij. Nga fillimi deri në fund. Por ajo që është më e rëndë, polici ka gënjyer kur thotë se vrasësi i Santos, sapo zbriti nga motori i drejtoi armën atij (policit). Në të vërtetë, polici është duke zbritur nga motori pikërisht në momentin që vrasësi është me shpinë nga polici dhe po shkon te viktima që gjendet e shtrirë në tokë, për t’ i dhënë goditjet e fundit me armë. Polici ishte në pozicion shumë të përshtatshëm për ta qëlluar vrasësin dhe bashkëpunëtorin e tij, se të dy qenë me shpinë të kthyer nga ai. Në vend që të vepronte kështu, polici u largua me vrap, duke braktisur motorin e vet, me të dëgjuar krismat. Polici i kishte shumë afër vrasësit, jo më tepër se tre-katër metra larg, kështu që nuk kishte gjasa që të rrezikonte jetën e kalimtarëve të tjerë nëse do të qëllonte me armë. Por polici do të kishte rrezikuar veten nëse do të kishte vepruar kështu, mund të thotë dikush. Ashtu është, por e tillë është detyra e policit.
Në çdo shtet të botës mund të ndodhë që një polic të sillet si frikacak në një situatë krimi. Por është shteti i cili më pas, me reagimin e tij ndaj këtij polici, vendos standardin se çfarë sjellje pret nga policët. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një krim të profilit të lartë. Polici që ishte me shërbim në zonën ku u vra Santo duhet të ishte përjashtuar nga Policia e Shtetit dhe të ishte arrestuar që atë ditë në të cilën ndodhi krimi. Atë videoregjistrim që u shfaq privatisht rreth një muaj pas ngjarjes, duhet ta kishte shfaqur vetë Ministria e Punëve të Brendshme që ditën e ngjarjes, duke iu bërë me dije policiëve dhe qytetarëve se ky ishte pikërisht lloji i policimit në komunitet që jo vetëm nuk do të tolerohej, por edhe do të ndëshkohej rëndë në të ardhmen. Publikimi i videoregjistrimit që ditën e ngjarjes nuk do të dëmtonte aspak hetimet, se në videoregjistrim nuk janë veçse vrasësit, viktima dhe polici. Të tjerët nuk kanë asnjë rëndësi. Si mund t’ u kërkohet të dëshmojnë qytetarëve që janë gjendur rastësisht si kalimtarë në vendngjarje, kur punonjësi i Policisë së Shtetit është larguar me vrap nga vendngjarja? Kur një punonjës i Policisë së Shtetit vepron kështu në qendër të qendrës institucionale të kryeqytetit, lind pyetja se si veprojnë në raste të ngjashme policët në zona të tjera të Tiranës, apo të Shqipërisë, ku nuk gjenden nën vëzhgimin e videokamerave? Në sa e sa raste ka ndodhur që kriminelët kanë ikur të qetë nga vendi i krimit se policët kanë vrapuar para tyre si gomari kur ndeshet me ujkun?
Mosndëshkimi i policit të pranishëm në vendngjarje kur u vra Santo, është një provë shtesë që tregon se Policia e Shtetit, nën urdhrat e Edi Ramës, nuk ka dashur që t’ i kapë vrasësit e Santos. Eprorëve të këtij polici, të cilët nuk donin që t’ i kapnin vrasësit, u konvenoi gënjeshtra që bëri ky polic sikur u vu menjëherë në ndjekje të motorit të vrasësve dhe se i ndoqi deri të ura, te Liqeni Artificial. Në të vërtetë, kur ky polic u rikthye te motori i tij, pas largimit të vrasësve këta me siguri që janë larguar aq sa ky të mos mund t’ i shihte më. Dhe pastaj fantazia e këtij polici, sikur e kishte ndjekur motorin e vrasësve deri te ura e Liqenit Artificial, u bë premisë për sajimin e një legjende nga eprorët e tij, sikur ndjekja vazhdoi më tutje, në një itinerar të gjatë dhe të ndërlikuar.
Qëndrimi qeveritar ndaj policit i cili u ndodh me shërbim në vendngjarjen e krimit ndaj Santos, është një tjetër provë e fortë në zinxhirin e provave që tregojnë se ai që urdhëroi vrasjen e Santos kishte miratimin dhe garancinë e Kryeministrit Rama për kryerjen e kësaj vrasjeje. Nëse Kryeministri Rama nuk do të kishte qenë i implikuar në vrasjen e Artan Santos, atëherë, së paku në fjalimin e gjatë me temë policore që mbajti në 23 korrik, para një auditori të gjerë policor, videoregjistrimi i vrasjes së Artan Santos, do të përmendej gjerësisht në fjalim, duke u quajtur si një provë e asaj lloj sjelljeje të policore (sot përdoret edhe fjala “policim”) që është e papranueshme dhe kriminale. Madje, Kryeministri Rama nuk do të kishte pritur publikimin e videoregjistrimit në një faqe online private, por do ta kishte publikuar atë zyrtarisht, dhe do ta kishte komentuar po zyrtarisht. Se Kryeministri ynë i pëlqen shumë fjalimet me temë policore, para auditorëve policorë, dhe ka mbajtur disa të tillë qëkurse ka marrë detyrën e tij të lartë. Por nëse Kryeministri Rama do të kishte vepruar kështu, atëherë duhej që ai ta shihte në këtë mënyrë të gjithë policimin, apo veprimet e krejt hierarkisë së Policisë së Shtetit sa i përket vrasjes së Santos. Dhe kështu do të zbulohej se krejt hierarkia e Policisë së Shtetit ishte sjellë në këtë rast pak a shumë si ai polici në vendngjarje. Dhe arsyeja e gjithë kësaj është se vetë Kryeministri është i implikuar në vrasjen e Santos.
Kryeministri Rama është mbajtës i një diplome universitare të Pikturës Monumentale. Kështu quhej ajo degë e pikturës së realizmit socialist për të cilën studioi Edi Rama. Piktura monumentale ishte dega më e e ideologjizuar e pikturës së realizmit socialist, që e paraqiste realitetin shqiptar të deformuar, sipas përthyerjes nën prizmin e propagandës së diktaturës komuniste. Videoregjistrimi i vrasjes së Santos është realiteti policor i Shqipërisë së qeverisur nga Edi Rama, që karikaturizon tablonë e llojit propagandistik të pikturës monumentale që Kryeministri Rama paraqet në fjalimet e tij.
Me heshtjen e tyre ndaj sjelljes së policit që u ndodh në vendin e krimit ndaj Santos, Edi Rama dhe Saimir Tahiri megjithatë e dhanë një mesazh për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit: Ne nuk duam një Polici të Shtetit, ndonëse flasim shumë për të, thanë, ata. Ajo që duam ne është Policia e Pushtetit. E pushtetit tonë. Një Polici që të mbrojë pushtetin tonë dhe kur polici e ka kryer këtë detyrë, për të tjerat mund të bëjë si të dojë.
Por Policia e Pushtetit a nuk është një fjalë që përmbledh gjithcka për të cilën Edi Rama e kritikonte Policinë e Shtetit në kohën e paraardhësit të tij, Sali Berishës? Standardet një qeveri i krijon me veprime ose me mosveprime. Dhe mosveprimi qeveritar ndaj policit që u ndodh me shërbim në vendin ku u vra Santo vendos një standard në llojin e vet për policimin që kërkon Qeveria nga policët e shtetit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat