Presidente, mandato koalicionin!

Opinione

Presidente, mandato koalicionin!

Nga: Faik KRASNIQI Më: 23 korrik 2014 Në ora: 11:03

Pasi të gjitha partitë shqiptare nuk po dëshirojnë të bëjnë koalicion me PDK-në për krijimin e Qeverisë dhe duke e parë që i janë shterrur të gjitha mundësitë, ajo me çdo kusht po dëshiron zgjedhje të jashtëzakonshme.

Ajo duke e ditur që pashmangshëm do të shkojë në opozitë, përmes padisë që ka bërë në Gjykatën Kushtetuese, do të mundohet paligjshëm që përmes kryetarit dhe anëtarëve të Kushtettueses (dihet që një pjesë e madhe e tyre nga Gjykata Kushtetuese janë njerëz të PDK-së), ta bëj antikushtetuese zgjedhjen e kreut të LDK-së z. Isa Mustafa kryetar të Kuvendit, në mënyrë që vendi të shkojë prapë në zgjedhje.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës nuk ka të drejtë ta interpretojë çështjen e propozuesit të kryeparlamentarit e as atë se çfarë është Grupi Parlamentar apo se kush është grupi më i madh parlamentar. Propozuesin e as Grupin Parlamentar, as z. Hasani e as Gjykata Kushtetuese nuk mund ta komentojnë, sepse kjo është një çështje politike.

Ajo çështje quhet politike, sepse nuk mund të zgjidhet me mjete juridike. Kësisoj kërkesa e PDK-së për interpretim të kësaj çështjeje duhet të shkoj huq. Këtë gjë e ka thënë edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enveri Hasani ''baba'' në një intervistë që e ka dhënë para një muaji në emisionin ''Rubikon'' të KTV-së. Për hir të respektimit të Gjykatës Kushtetuese, duhet të pritet derisa ajo të jap verdiktin e saj këtë javë.
Gjykata Kushtetuese nuk guxon kurrësesi të veproj njëanshëm, vetëm për hir të tekeve të PDK-së. Nëse Gjykata Kushtetuese nuk e jep verdiktin e saj këtë javë, atëherë do shihej ashiqare që ky organ është në shërbim dhe satelit i PDK-së. Nëse ajo e zvarrit këtë çështje, me apo pa verdiktin e saj, Qeveria duhet të formohet. Kthim prapa nuk ka. Kosova s'mund të ngelet me një Qeveri në ikje, vetëm shkaku i inateve politike nga një parti që s'po arrin ta bëjë një gjë të tillë. Pastaj i takon Presidentes që ta zgjidh këtë ngërç politikë të shkaktuar nga PDK-ja, e eventualisht edhe nga mosdhënia e një përgjigje nga ana e Gjykatës Kushtetuese.

Presidentja ka të drejtën ta thërras koalicionin që ka shumicën ta mandatojë për krijimin e Qeverisë. Duke e ditur që PDK-ja nuk i ka numrat për krijimin e Qeverisë, do të ishte humbje kohe nëse Presidentja herën e parë e mandaton koalicionin e PDK-së. Për herë të dytë nëse e mandaton të njëjtin koalicion që ka dështuar herën e parë për ta krijuar Qeverinë, do të ishte katastrofale dhe shkelje e Kushtetutës nga ana e Presidentes.

Kosova nuk ka kohë për të humbur, dhe në mënyrë që Qeveria të krijohet sa më parë, Presidentja duhet ta mandatojë koalicionin LDK-AAK-NISMA për krijimin e Qeverisë. Sa më shpejt, aq më mirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat