Ndarje administrative

Opinione

Ndarje administrative

Nga: Nga Edison YPI Më: 22 korrik 2014 Në ora: 22:28

Nga Edison YPI“Komuna Shqisat”, me iniciativën e banorëve të katundeve që përfshin, ka zbatuar një ndarje administrative për tu pasur zili dhe për tu marrë shembull edhe nga komunat e tjera.

Haber i këndshëm. Duhet vajtur.

Në të hyrë të katundit të parë të “Komunës së Shqisave”, që është katundi i qorrave i quajtur Syç, pashë një burrë pak si të hutuar me vështrimin drejt infinitit.

-Katundin e paskeni të bukur. Si është puna e asaj ndarjes administrative që e keni shpikur vetë ?

-Me këto sy që kam, ose s’kam, s’mund të kem asnjë ide për bukurinë e katundit dhe ndarjen e re administrative të “Komunës së Shqisave”. Ik në katundin tjetër të Komunës, në katundin e shurdhave, në Shurdhës, se ata, pavarësisht se s’dëgjojnë, shohin mirë.

Në Shurdhës preka në sup të parin shurdh që pashë me një thes mbi shpinë. Shurdhi i Shurdhësit më tha se as ai nuk dinte gjë për ndarjen e re administrative dhe se e mira do ishte të veja në katundin ngjitur, katundin Gagaç.

Pash-ç’pash vajta në Gagaç.

Gagaçi që hasa, edhe ai ngriti supet lidhur me pyetjen për ndarjen e re administrative. Shkroi diçka me stilolaps mbi një copë letër, ma la letrën në dorë, dhe iku. Në letër shkruhej; Me ndarjen e re administrative jemi të lumtur. Por unë nuk ta spjegoj dot. Ik gjej ndonjë qurranjos në Qurrs, t’i spjegon qurranjosi të tëra.

Vajta në Qurrs.

Qurranjosi që më doli përpara ishte një mesoburrë me shamia qurresh nëpër duar.

-Nuk t’i numuroj dot të mirat e ndarjes së re administrative me qorra, gagaça, shurdha dhe qurranjosa, tha qurranjosi, se po të flas më rrjedhin qurret. Ik në Hams. Hamsat dinë të spjegojnë më mirë se qurranjosat.

Në Hams, i gjeta të gjithë duke ngrënë mbi sofra, kush një tavë me patllëxhana, kush një fërgesë me gjizë, pilaf, fasule, të gjitha të mirat e dynjasë. I pyeta hamsat për krenarinë e “Komunës Shqisat”, ndarjen e re administrative. Ca me bullçinjtë e fryrë plot me pilaf, ca me kofsha viçi të pjekura ngulur dhëmbët dhe kapura me të dyja duart si fizarmonikë, pa fjalë, vetëm me gjeste, të gjithë hamsat më bënë të ditur të njëjtën gjë; Ik na ler rehat të hamë mos na e ndal të ngrënët, ik se me pyetje dhe administrata, ndarje dhe reforma, do gjesh belanë.

U largova nga “Komuna e Shqisave” pik e vrer pa qartësuar asgjë mbi ndarjen e re administrative.

Duke u kthyer ndala në një kafene ku nisa muhabet me një tip.

-Ore, i them tipit, di gjë ti për ndarjen e re administrative që kanë iniciuar ata të “Komunës Shqisat” ?

-Nuk jam nga “Komuna Shqisat”. Jam nga nga një komunë tjetër këtu afër, nga “Komuna Tallavaja”, tha tipi. Reforma e re administrartive që shqisarakët kanë shpikur aplikuar, si në përgjithësi zgjidhjet gjeniale, është e thjeshtë. “Komuna Shqisat”, nuk është aspak, si mund të duket nga një vështrim i përciptë, komunë budallenjsh, por komunë si gjithë komunat. “Komuna Shqisat” nuk ka budallenj për banorë as më tepër as më pak se të gjitha komunat e tjera. I vetmi ndryshim është se shqisarakët patën inteligjencën, nuhatjen dhe vizionin, që handikapatët e shkartisur të komunës t’i veçonin duke i grupuar në katundet me emrat përkatës. Ky grupim, përveç rritjes së efikasitetit të punës së zyrave qëndrore të komunës, që është kryesorja, u bë edhe sepse, siç dihet, qorrat, shurdhat, qurranjosat, hamsat, është më mirë të rrinë pranë e pranë se veç e veç ngaqë në këtë mënyrë paqja e komunës është më e garantuar nga afërsia dhe ngrohtësia njerëzore e të ndejturit afër e afër. Konkretisht, ndarja e re administrative u bë sebep që rrugët e katundit të qorrave, katundit Syç, të bëhen të drejta në mënyrë që qorra si ai që takove ti të mos rrëzohen nëpër hendeqe. Në Shudhës, ku investimi në drejtvizoritetin e rrugëve nuk do kishte ndonjë leverdi, rrugët janë lënë dredha-dredha, por për tu ardhur sa më tepër në ndihmë shurdhave që nuk dëgjojnë por shohin, janë vendosur tabela me drita. Përroit që kalonte mes katundit Qurrs j’u ndërrua lëngu. Tani përroi shekullor nuk shërben më për të frymëzuar poetët inekzistentë të katundit të qurrsave me fëshfërimë gjethesh dhe ujë të rrjedhshëm, por për shkarkimin dhe dërgimin në det të një lëngu viskoz, qurreve të qurrsave të Qurrsit. Me Hamsin ishte më e thjeshtë. U blenë disa sofra që nuk kushtuan kushedi se çfarë, dhe u la me aq. Kështu pra, tani pas kësaj ndarje administrative lokale, që pas pak do bëhet edhe kombëtare, pse jo pas pak rajonale dhe më pas edhe ndërkombëtarte, banorët e “Komunës Shqisat”, të cilët trutë i kanë në rregull por shqisat nuk u funksionojnë si duhet, do kenë pranë secili shokun e vet, secili qurren e vet, secili sofrën e vet. A ka më mrekulli se kaq ? Ti mund të thuash se nuk mund të rrijë hamësi pa përfolur shurdhin, apo qurrsi pa spiunuar qorrin. Po, por tash e tutje që qorrat do rrinë me qorrat dhe qurrsat me qurrsat, përfoljet dhe spiunimet nuk do mund të bëhen dot nga afër por vetëm nga larg, çka nuk është fort e kollajtë. Me fjalë të tjera, me ndarjen e re administrative do realizohet ëndërra shekullore shqiptareske për ndejtjen bythë-më-bythë duke u ndjerë edhe më të bashkuar edhe më të dashuruar, çka është në thelb, është risia e kësaj ndarje administrative, e cila do t’i ngjajë paksa kazanave të ndara të mbeturinave për riciklim të kollajtë, por sa kohë një qorr nuk mund të krahasohet me një shishe qelqi dhe një shurdh me një bidon plastike, ngjashmëria është vetëm ilustrative. Ndarja e re administrative e “Komunës Shqisat” nuk ka synime aq të mëdha sa të pretendojë se pas zbatimit të saj banorët e komunave ku kryepleq do jenë kryeqorri, kryeshurdhi, kryequrranjosi dhe kryehamsi, të heqin dorë nga kultivimi i Hashishit. Ata janë mjaftuar me faktin se ndarja e re, duke qënë jo konvencionale por shqisore, pra natyrale, instinktive, fiziologjike, do jetë më e qëndrueshme se çdo ndarje tjetër. Është e vërtetë gjithashtu, se me këto emërtime ajo komunë duket si spital, dhe ato katunde si pavione, por s’prish ndonjë punë, se s’është “Komuna e Parisit”, Komuna e Shqisave” është. Shumë shpejt këtë ndarje të re do ta zbatojmë, dhe këto grupime, do t’i bëjmë edhe ne të “Komunës së Tallavasë”. Provova të bëhesha banor i Komunës së Shqisave”, katundi Hamës. Nuk munda. Ishte plotësuar numuri, ishin zënë sofrat. Do pres të shoh si do vejë ndarja administrative te “Komuna e Shqisave”. Po edhe po s’pati sukses nuk do jetë ndonjë humbje e madhe. Kthehen përsëri ata tek shkartisja e qorrave me qurravecat dhe hamsat. Në fund të fundit eksperiment po bëjnë. Ti mund të pyesësh se përveç katundeve të qorrave, shurdhave, llupsave, qurranjosave, në cilat katunde do vendosi reforma e re administrative, “të tjerët” ? Pyetje e kotë. S’ka “të tjerë”. (Nga Mapo)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat