Rama dhe “Dita” e tij nuk e mbulon dot kufomën e Artan Santos me kufomën e Azem Hajdarit

Opinione

Rama dhe “Dita” e tij nuk e mbulon dot kufomën e Artan Santos me kufomën e Azem Hajdarit

Nga: Nga Kastriot Myftaraj Më: 21 korrik 2014 Në ora: 14:44

Kufoma e bankierit dhe pronarit mediatik Artan Santo në vendin që mund të quhet si lagjia rezidenciale e establishmentit institucional-financiar të Shqipërisë, vazhdon të përbëjë një shqetësim të madh për Kryeministrin Rama prandaj ai po bën përpjekje që ta mbulojë këtë kufomë me të tjera kufoma. Për këtë qëllim, pak kohë pas vdekjes së Santos, u sajua me shpejtësi një intervistë e gazetës “Dita” (gazetë shumë pranë Edi Ramës) me Jaho Salihin (Mulosmani), i cili është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Azem Hajdarit. Merret vesh, shumë të dënuar përjetë për çështje të bujshme, do të donin që t’ u mundësohej dhënia e intervistave të gjata, aq më tepër si ajo e Jaho Salihit (Mulosmani), e cila edhe u filmua nga kamerat e dërguara nga televizioni i parapëlqyer i Kryeministrit, Top Channel, duke u shfaqur praktikisht edhe si intervistë televizive. Një intervistë e tillë është bërë e mundur vetëm me lejen e Kryeministrit Edi Rama. Si mund të bëhet e mundur ndryshe që një i dënuar me burgim të përjetshëm të japë një intervistë televizive, ku të flasë gjerësisht për çështje politike, madje të adresojë edhe kërcënime? Nuk është rastësi që kjo gjë ndodhi pikërisht tani, pak kohë pas vrasjes së Santos.

Kufoma e Azem Hajdarit ishte e para që Rama hodhi mbi atë të Santos, për ta mbuluar atë. Por si duket e pa se kjo nuk mjaftonte, prandaj vendosi që të bëjë një pirg me kufoma mbi atë të Santos, duke hedhur mbi të edhe kufomat e katër protestuesve të 21 janarit 2011, me kallzimin në Prokurori që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, iu ka bërë dy drejtuesve të Policisë së Shtetit të cilët qenë në detyrë në 21 janar 2011. Kuptohet se edhe kjo gjë është bërë me urdhër të Kryeministrit Rama. Dhe nuk është rastësi që edhe kjo gjë ndodhi pikërisht tani, pak kohë pas vrasjes së Santos. Pesë kufoma, mendon Kryeministri Rama, janë të mjaftueshme për të mbuluar kufomën e Santos. Në të vërtetë vërtetë, Kryeministri Rama ka arritur efektin e kundërt. Vrasja e Santos, nga një pikëpamje ngjan me vrasjen e Azem Hajdarit dhe vrasjet e 21 janarit.
Vrasja e Azem Hajdarit ka disa fakte të pakundërshtueshme kuptimplotë. Këto fakte janë: U çua pothuajse krejt efektivi i një komisariati policie i një rrethi (Tropojës) dhe me automjetet e Policisë së Shtetit, me armët e Policisë së Shtetit, me uniformat e Policisë së Shtetit, shkoi në Tiranë ku vrau një nga deputetët më të rëndësishëm të partisë më të madhe të opozitës. Kjo gjë nuk mund të ndodhte pa miratimin e Kryeministrit, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe pjesës tjetër të shtetit, që në atë kohë kontrollohej totalisht nga Partia Socialiste. Këtë së pari e them për faktin se ish-shefi i Komisariatit të Policisë së Tropojës, major Fatmir Haklaj ishte shpallur në kërkim si kriminel, që në janar të atij viti (1998) për vrasjen e një oficeri policie në zyrën e tij, dhe ishte shkarkuar nga detyra e shefit të Komisariatit. Megjithatë Fatmir Haklaj vazhdonte të ishte oficer policie, dhe të ruante gradën e majorit?! Fatmir Haklaj ishte emëruar shef i Komisariatit të Policisë së Tropojës me ardhjen e Partisë Socialiste në pushtet, në 1997, ndonëse ai kishte vrarë tre vetë dhe ishte në kërkim si kriminel. Ishte Fatmir Haklaj ai që, me emërimin e tij, e mori në punë në Polici nipin e tij Jaho Salihin (Mulosmani), të cilin e bëri shef të Policisë Kriminale (shefi i krimeve) në Komisariatin e Tropojës, ndonëse ky i fundit ishte vetëm 21 vjeç. Jaho Salihi vazhdoi ta ruante këtë detyrë edhe pasi Fatmir Haklaj u shkarkua nga posti i shefit të Komisariatit, të cilin megjithatë e drejtoi faktikisht deri në ditën kur u vra. Qeveria kishte përgjegjësi për vrasjen e Azem Hajdarit se vrasësve iu mundësua që të lëviznin lirisht nga Tropoja në Tiranë dhe gjithandej Tiranës, falë qenies së tyre anëtarë të Policisë së Shtetit. Këta njerëz nuk duhet të ishin anëtarë të Policisë së Shtetit, dhe fakti që ishin të tillë e ngarkon me përgjegjësi Qeverinë. Fatmir Haklaj, Jaho Salihi (Mulosmani) dhe miqtë e tyre duhet të kishin qenë përjashtuar nga Policia e Shtetit, së paku që në janar 1998. Fakti që kjo nuk ndodhi tregon se ata qenë të ngarkuar me një mision të posaçëm që kishte të bënte me kryerjen e akteve terroriste. Në vitin 1998, vetëm rruga që nga Miloti në Tiranë, ku kanë kaluar vrasësit, kishte disa postblloqe policie, me përforcim nga forcat speciale, për të mos folur për postblloqet në hyrje të kryeqytetit. Nëse Qeveria donte t’ i kapte vrasësit, e kishte shumë të lehtë që t’ i bllokonte gjatë rrugës së kthimit të tyre nga Tirana në Tropojë. Kur shteti është i implikuar kështu, atëherë ai nuk ka të drejtë që të pretendojë se reagimet e dhunshme të palës tjetër janë grusht shteti, apo kryengritje.
Vrasja e Azem Hajdarit u krye me qëllim që t’ i jepej një kumt një grupimi të caktuar të shoqërisë shqiptare, kundërshtarëve politikë të Partisë Socialiste në pushtet, dhe posaçërisht veriorëve, që të largoheshin nga Shqipëria. Pra bëhej fjalë për një vrasje që synonte të iniconte një proces të një lloj spastrimi etnik në Shqipëri.
Vrasjet e 21 janarit 2011 qenë kundërpërgjigjia që Kryeministri Berisha i dha ultimatumit të Edi Ramës të 20 janarit 2010, për të dhënë dorëheqjen dhe për t’ u larguar nga Shqipëria. Ato që quhen si ngjarjet e 21 janarit 2011, në fakt kanë nisur një ditë më parë, në 20 janar me deklaratën e Edi Ramës në emisionin “Top Story” të Sokol Ballës, në Top Channel, në mbrëmjen e kësaj dite. Edi Rama tha: “Do ta largojë populli Saliun ose Saliu do të pranojë zgjidhjen e re, zgjidhjen politike. Nuk mundet më të kapërcehen, siç kapërcehen të vdekurit në një fushë me të vdekur, pas një lufte.”
Këto fjalë të Edi Ramës qenë një ultimatum i qartë, po të kihet parasysh konteksti në të cilin u thanë ato, kur tashmë Partia Socialiste kishte bërë një njoftim zyrtar gjatë asaj dite (20 janar) se të nesërmen do të mbante një demonstratë, për të cilën nuk mbante përgjegjësi nëse dilte jashtë kontrollit. Në këtë kontekst, deklarata e Edi Ramës kishte kuptimin e një ultimatumi adresuar Kryeministrit Berisha se ky të nesërmen do të rrethohej në selinë e Kryeministrisë dhe do të mbahej i rrethuar deri kur të dorëzohej dhe të pranonte dorëheqjen (“do ta largojë populli Saliun”). Berisha mund ta çante rrethimin vetëm duke vrarë demonstrues, pra mund të largohej vetëm duke shkelur mbi të vdekurit, por edhe në këtë rast do të ishte i detyruar që të jepte dorëheqjen.(“Nuk mundet më të kapërcehen, siç kapërcehen të vdekurit në një fushë me të vdekur, pas një lufte.”)
Berisha vrau në 21 janar 2011 për t’ i treguar Ramës vendosmërinë e tij për të mos u dorëzuar. Unë do të shkel edhe mbi të vdekur i tha Berisha Ramës në 21 janar. Në tërësi, për atë që ndodhi në 21 janar, duhet të mbanin përgjegjësi kriminale, si Sali Berisha ashtu edhe Edi Rama. Ultimtatumi i Edi Ramës, i 20 janarit, është një vepër penale e parashikuar nga më tepër se një dispozitë e Kodit Penal. Gjithashtu, nuk është kurrë e tepërt të kujtohet se demonstrata e 21 janarit u bë si protestë për videoregjistrimin e pretenduar si kompromentues të aleatit të atëhershëm të Berishës, dhe të sotëm të Ramës, Ilir Metës.
Vrasja e Santos është gjithashtu një vrasje e llogaritur për të dërguar një kumt te një shtresë e caktuar shoqërore, posaçërisht te biznismenët të cilët nuk janë të pëlqyeshëm për PS-në dhe të cilëve disa nga biznismenët e rrethit të ngushtë të Edi Ramës, kërkojnë që t’ ua marrin biznisin fitimprurës dhe tekefundit atë pjesë të tregut përkatës që zotërojnë ata. Këtyre biznismenëve u dërgohet mesazhi që të shesin ose braktisin bizniset e tyre dhe të largohen nga Shqipëria. Kuptohet se Rama nuk ka pasur nevojë që të organizojë vrasjen e Santos, madje as ta urdhërojë atë. Ashtu siç ndodhi me vrasjen e Azem Hajdarit, e cila nuk mund të kryhej pa lejen dhe miratimin e Kryeministrit Nano, edhe vrasja e Artan Santos nuk mund të kryhej pa lejen dhe miratimin e Kryeministrit Rama. Pra Rama dha lejen dhe miratimin që “Fatmir Haklaj” i cili kishte konflikt me Santon, të kryente vrasjen, nga e cila do të përfitonte edhe Kryeministri. Nga rrethanat e vrasjes shihet qartë se Edi Rama pati vënë vetëm një kusht, që vrasja të ndodhte pasi të mbahej mbledhja e nivelit të lartë e Bashkimit Europian, ku do të merrej vendimi nëse do t’ i jepej apo jo statusi i vendit kandidat Shqipërisë. Dhe vrasja e Santos ndodhi më pak se 48 orë pasi mbledhja e BE në Luksemburg mori vendimin që Shqipërisë t’ i jepej statusi i vendit kandidat.
Por vrasja e bankierit më të madh të Shqipërisë bëri bujë në botë dhe ishte lajm në të gjitha gazetat dhe televizionet e mëdha të botës. Brenda Shqipërisë vrasja e Santos ka shkaktuar alarm që shkon deri në panik në rrethet e biznismenëve, veçanërisht te ata që nuk janë pagëzuar “rilindas” nga “Kryerilindasi” Edi Rama. Por edhe biznisimenët “rilindas” nuk janë të sigurt për shkak se në traditën e së majtës shqiptare lufta brenda llojit është më e egra. Prandaj Kryeministri Rama kërkon ta mbulojë kufomën e Santos me kufoma të tjera, duke bërë gjithçka që ajo të harrohet. Më kot. Kryeministri nuk e bën dot këtë as me ndihmën e Mero Bazes të cilin e ka vënë me zorrën e ujit në dorë që të lajë gjakun e Santos në kryqëzimin e ish-Bllokut (editorialet e Meros kanë pikërisht këtë qëllim), profesion ky që Meroja e bëri pak muaj në thertoret e Greqisë ku shkoi si emigrant në 1991, para se të rikthehej për të nisur një karrierë të madhe në media. Të gjitha lëvizjet e Kryeministrit Rama për të mbuluar kufomën e Santos me të tjera kufoma janë paralajmëruar në editorialet e Meros, çka është veçanërisht domethënëse. Dhe pastaj Suela, 007 personale e Kryeministrit, me porosi të këtij, kërkon që ato gjëra të cilat i shkruan Meroja në editoriale, SHISH t’i konsiderojë si informacione serioze nga burimet e hapura.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat