Kosova s'ka nevojë për zgjedhje!

Opinione

Kosova s'ka nevojë për zgjedhje!

Më: 21 korrik 2014 Në ora: 10:57

Kosova nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Deri sa ka koalicion që mund ta formojë Qeverinë, Kosova nuk ka nevojë të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Zgjedhjet e jashtëzakonshme do të ishin zgjidhje dhe të paevitueshme vetëm në rast se asnjë parti nuk do t'i kishte numrat për krijimin e Qeverisë. Deri sa ka mundësi të formohet Qeveria, e këtë mund ta bëjë koalicioni LDK-AAK-NISMA, atëherë për teket e palës tjetër, në këtë rast koalicioni idhnak i PDK-së që nuk po arrijnë ta bëjnë Qeverinë, nuk kemi pse të shkojmë në zgjedhje dhe të shpenzojmë milionat. Nuk e kemi luksin që brenda 10 muajve të shkojmë në tre palë zgjedhje, me buxhetin e varfër të Republikës së Kosovës t'i shpenzojmë edhe 12-13 mio euro të tjera vetëm shkaku i dëshirave e tekeve të një partie që me çdo kusht po tenton të mbetet në pushtet, edhe pse nuk i ka numrat. Paramendojeni t'i kemi në qeverisje edhe një mandat një parti që bën veprime të tilla vetëm e vetëm të mbetet në pushtet!

Gjykata Kushtetuese duhet të veprojë drejt!

Thaçi duke e ditur që pashmangshëm do të shkojë në opozitë, do të mundohet që përmes Gjykatës Kushtetuese ta bëj antikushtetuese zgjedhjen e z. Isa Mustafa kryetar të Kuvendit.
Asgjë nuk ishte antikushtetuese në zgjedhjen e z. Mustafa kryetar Kuvendi, por çdo gjë ishte konform rregullores së Kuvendit. Gjatë zgjedhjes së z. Mustafa kryeparlamentar të pranishëm ishin 83 deputetë dhe çdo gjë shkoi sipas ligjit. PDK-ja ishte ajo që shkeli Kushtetutën, sepse e shfrytëzoi anëtaren e saj zonjën Flora Brovina si kryesuese, me një skenar të përgatitur për ta devijuar seancën e Kuvendit.
Dihet që kryetari i Gjykatës Kushtetuese z. Enver Hasani ''baba'' dhe shumë anëtar të saj janë njerëz të PDK-së, por si organ i pavarur ajo duhet të veproj drejt dhe jo në mënyrë të njëanshme.
Gjykata Kushtetuese është e obliguar të veprojë drejt dhe jo të veprojë sipas skenarit të PDK-së, e ta shpallë antikushtetuese zgjedhjen e z. Isa Mustafa kryetar të Kuvendit, sepse zgjedhja e z. Mustafa ishte konform ligjeve të Kuvendit dhe Kushtetutës. PDK-ja ishte ajo që shkeli në mënyrë flagrante Kushtetutën, duke uzurpuar Kuvendin si të ishte pronë e saj dhe mospërfillur rregulloren e Kuvendit, dhe ajo duhet dënuar për shkelje të Kushtetutës.

Presidentja duhet ta mandatoj z.Haradinaj!

Presidentja është ajo që mund t'i evitojë zgjedhjet. Ajo duhet ta mandatojë për kryeministër nga koalicioni që i ka numrat e nevojshëm për krijimin e Qeverisë. Është edhe detyrë e saj ta bëjë një gjë të tillë, sepse nuk guxon ta mandatoj dy herë të njëjtën parti apo koalicion dhe të dështoj në të dyjat raste. Besoj dhe kam bindjen që Presidentja do të veprojë në këtë mënyrë për t'i evituar zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat