Ura e paqes dhe dialogu me Serbinë

Opinione

Ura e paqes dhe dialogu me Serbinë

Nga: Flamur Shala Më: 13 korrik 2014 Në ora: 14:21

Interesi i të gjithë qytetarëve në Kosovë është paqja dhe zhvillimi ekonomik i vendit. Paqja s’ka çmim, kudo në botën e qytetëruar! Kur ajo cënohet ka reagime, sikurse ato që i shohim përditë në mënyra të ndryshme, në vende të ndryshme. Paqja në Kosovë përveçse është e nevojshme është edhe e domosdoshme, cep më cep të saj. Duke e kuptuar mirë këtë nocion fjale, me të gjitha kuptimet që sjell, në të gjitha funksionet e saj, duhet të dalë që të gjithë ne ta ruajmë dhe avancojmë përditë kuptimin dhe materializimin e saj. Këtë duhet ta bëjmë të gjithë, në të gjitha format legale të shoqërisë, të sistemit dhe shtetit ligjor.
Kosova është ballafaquar tash e sa vjet me njëfarë përpjekjeje, ndarjeje të saj deri edhe te ndarja e Mitrovicës. Simbolika e kësaj përpjekjeje ishte dhe mbeti në kujtesën e qytetarëve bllokimi i urës së Ibrit nga ana veriore e saj me mjetet e një imazhi të keq me plot vrazhdësi dhe me plot porosi të keqe. Asnjëri s’do të besonte se dheu e betoni i vënë do të qëndrojë me vite mbi urë, në shenjë ndarjeje, force, shantazhi, hidhërimi e pezmi për gjendjen, gjithnjë me tensione, në veri të Mitrovicës. Asnjëri nuk do të besonte se procesi i integrimit të qytetarëve të veriut të Kosovës do të jetë jo i lehtë dhe jo i shpejtë.
Fillimi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në funksion të normalizimit të marrëdhënieve midis dy shteteve kishte hapur debatin në Prishtinë dhe në Beligrad. Të gjitha forcat politike po merrnin pjesë, duke shprehur pikëpamjet politike lidhur me procesin e këtij dialogu. Edhe në Kosovë edhe në Serbi pati mospajtueshmëri duke hedhur në opinion pikëpamje politike krejt të kundërta për, siç thuhet, parimet dhe kriteret e dialogut, me ato që po i prinin këtij procesi jo të lehtë për të dy palët. Mospajtueshmëria po vinte nga subjektet politike brenda Kosovës kundër mostransparencës së kreut të bisedimeve, kryeministrit të Kosovës.
Në kushtet e zhvillimit të demokracisë investimi i madh në dialog është edhe sot investim në zhvillimin e një komunikimi institucional normal dhe integrues edhe me pjesën veriore të Kosovës, tej Ibrit. Veprimet politike transparente në funksion të invesimit për inegrimin e veriut hedhin poshtë çdo përpjekje tjetër, sidomos ato që janë kundër dialogut dhe kundër integrimit të veriut të Kosovës.
Zhvillimi i dialogut të Kosovës me Serbinë duhet të vazhdojë si një proces i duhur për vazhdimin e integrimit të plotë të qytetarëve të veriut në institucionet dhe në sistemin e shtetit të Kosovës. Kjo është rruga më e mirë e zhvillimit dhe arritjes së mirëqenies, ku secili qytetar do ta ndiente të jetë pjesë e një shoqërie të integruar dhe të zhvilluar. Këtij integrimi do t’i ndihmonte dhe do t’i hapte rrugë simbolika e urës së paqes, sepse ura është ajo që lidh realisht një pjesë me tjetrën, kudo qoftë dhe në cilin do vend qoftë. Kështu, asnjëherë një urë e paqes nuk mund të zëvendësohet me asgjë, as edhe me një park të paqes, aq më pak i vendosur mbi urë.
Parku i paqes mund të jetë i paqes aty ku zhvillohet lëvizja e lirë sipas parimeve të demokracisë së zhvilluar e jo aty ku ndalohet ajo, lëvizja e lirë dhe paqja. Është i paqes vetëm atëherë kur qytetarët zgjohen në mëngjes dhe ata i gjejmë të buzëqeshur duke lëvizur në urën e paqes, pa dallim, qytetarë të Kosovës e ngado që vijnë.
Dialogu i mirëfilltë i Kosovës me Serbinë do ta bënte urën e paqes lidhjen më të mirë të qytetarëve me institucionet dhe shtetin e tyre, Republikën e Kosovës. Ura e paqes do të hapte rrugë dhe do ta bënte një park të paqes më të mirë dhe funksional dhe njerëzit do ta shijonin duke lëvizur e duke e prekur. Parku i paqes i këtyre ditëve mbi urën e Ibrit-është parku kundër paqes sepse është kundër standardeve e parimeve mbi lëvizjen e lirë të qytetarëve të Mitrovicës.
Imazhi i urës së paqes nuk është më ai i mbylljes me zhavor e me gurë, është imazhi një përpjekjeje të re të ndarjes me lule të një parku me emër tanimë, i paqes dhe me pisha e lule, por i paqes në vetvete, i ndaluar dhe pa njerëz. Derisa gur e dhe mbi urë, të një imazhi të vrazhdë për këdo, shënonin po aq vrazhdësi me përpjkeje për ndarje të Kosovës, i ashtuquajturi parku i paqes, në mos tjetër e ka thyer atë imazh për të krijuar një tjetër për urën dhe ndarjen. Krahasoni të quhet parku i paqes vendi ku njerëzit ndahen, njerëzit ndalohen, vendi ku njerëzit hidhërohen, vendi që nuk i ngjan asnjë vendi a qyteti në Evropën demokratike.
Për habi, ndodhi një ngjarje interesante e heqjes së dheut dhe vrazhdësisë që kishte sjellë me vite. Ndodhi në kohën e një vakumi institucional në Kosovë, kur askush nuk mund të mirrte një hap shteti, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit politik, për të qenë më afër ngjarjes dhe gjithë asaj që po ndodhte mbi urën e Ibrit.
Shpjegimi që u dha për heqjen e barrikadës me gurë e zhavor mbi urë, po justifionte veprimin e serbëve mbi vendosjen e parkut të paqes. Kështu, e rëndësishme ishte të lëvizte diçka, të bëhej një hap, të heqej imazhi i vrazhdësisë me zhavor e gur e të vihet një imazh tjetër me vazo e lule. Me çka do të ketë lidhje kjo? Me paqen, me integrimet apo me ndarjen (më shumë me formën shantazhuese), me vetë Serbinë? Një imazh me më shumë ngjyra! Kështu, duket se të gjithë duan më shumë imazh të mirë! Edhe paqja, edhe integrimet, edhe Serbia në relacion me shtetin e Kosovës, edhe Kosova vetë!
Qeveria e re duhet të vazhdojë deri te përmbyllja e plotë e dialogut me Serbinë për intergrimin e plotë të serbëve të veriut në institucionet e Kosovës. Kjo do të ndodhë me një qeveri stabile, me qasjeje krejtësisht evropiane për integrime të të gjithë qytetarëve në jetën institucionale, për zhvillim dhe mirëqenie më të mirë të secilit qytetar të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat