Skena politike brenda një ultimatumi!

Opinione

Skena politike brenda një ultimatumi!

Nga: Flamur Shala Më: 12 korrik 2014 Në ora: 11:23

Fundi i pjesëmarrjes aktive politike të Vetëvendosjes për formimin e institucioneve të Kosovës po shkon drejt pikës që partitë politike të koalicionit paszgjedhor të mund të tfillojnë pozicionin e tyre brenda dhe jashtë koalicionit. Varësia e koalicionit LDK-AAK-NISMA nga Vetëvendosja po shkon drejt një fundi të mundshëm. Shënimet publike kanë nxjerrë para nesh se Vetëvendosja ka qenë nxitëse dhe nismëtare e këtij procesi të formimit të koalicionit paszgjedhor dhe duket që fundi po i vjen nga i njëjti subjekt. Nuk është se kjo nuk është kuptuar dhe nuk është ditur. Nuk është se kjo nuk është kuptuar dhe nuk mund të thuhet nga të tjerë, përkundrazi është kuptuar dhe është ditur, mund të thuhet me dije dhe me prehtësi nga shumë kush, mund të thuhet nga brenda dhe nga jashtë këtyre subjekteve politike, të LDK-së, AAK-së dhe NISM-ës!
Por, çka po ndodh?! Se çka po ndodh, edhe kjo është e ditur, mbase!
Në një shkrim timin para pak ditësh i përmenda disa nga sjelljet politike të VV të pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014. Qasja dhe komoditeti i saj ndaj procesit paszgjedhor, ndaj përpjekjeve të koalicionit paszgjedhor për formimin e qeverisë së ardhshme të Kosovës, duke ia shtuar kësaj edhe proklamimin në vazhdimësi të kushteve të saj për përkrahje dhe tani së voni edhe të njëjtat kushte për mundësinë që të bëhet pjesë e qeverisë së ardhshme të Kosovës, e ka bërë procesin interesant dhe atraktiv. Atraktivitetit të këtij procesi paszgjedhor, për shkak të sjelljeve politike, po i vjen fundi me të ashtuquajturin ultimatum të Vetëvendosjes për koalicionin. Pranimi i kushteve ose jo nga partitë e koalicionit është fundi i kësaj pjese të sjelljes politike të VV.
Në të njëjtin tekst i përmenda disa arsye dhe mundësi dhe parime të mundshme të LDK në këtë process dhe kthimin e saj sa më parë vetvetes, votës dhe legjitimitetit të saj elektoral, si parti më e madhe dhe çelës për formimin e një qeverie të ardhshme stabile për Kosovën. Hapur e thashë se stabiliteti qeverisës në Kosovë është i lidhur me pozicionin e LDK-së, me qasjen e saj ndaj procesit, me ruajtjen e parimeve të saj të proklamuara dhe me konceptin për qeverisje stabile, si gjithëherë, për një qeverisje aq të nevojshme për proceset politike, në raport me zhvillimin e shtetit dhe integrimet evropiane të Kosovës.
I gjithë ky proces pasgjedhor, i cili nxori koalicionin për formimin e mundshëm të qeverisë, po shkon drejt zbatimit të mundshëm të afateve ligjore për konstituimin dhe formimin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Në këtë kuadër, presidentja e vendit ka caktuar datën 17.07.2014 të mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës. Sipas ligjit, në këtë seancë parlamentare duhet të zgjedhen organet udhëheqëse, kryetari, kryesia dhe nënkryetarët e Kuvendit. Ligjërisht, pa u zgjedhur këto organe, mbledhja nuk konsiderohet e përfunduar. Janë dy anë të kësaj çështjeje: E para, ende nuk dihet krejt se sa do të mund të procedohet e të themi realisht se kjo është apo jo ajo që duhet dhe do të ndodhë lidhur me procesin e zgjedhjes së organeve të Kuvendit, përkatësisht zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Dhe, e dyta, ende nuk dihet pozicioni i VV lidhur me mbështetjen që do t’i japë ose jo koalicionit për konstituimin e institucioneve të Kosovës. Kushtet e saj do të jenë temë qendrore në mes të partive të koalicionit paszgjdhor dhe Vetëvendosjes.
Lidhur me të dytën, sonte u konfirmua përmes një lajmi (10.07.2017), sipas shumë portaleve informative dhe mediave të tjera elektronike, se VV, pas takimit disa orësh me partitë e koalicionit, doli t’iu ketë dhënë ultimatum lidhur me pranimin ose jo të kushteve të saj për përkrahje dhe edhe për t’u bërë pjesë e qeverisë së ardhshme!
Ultimatumi vjen e bëhet pjesë e skenës politike në këtë proces, i cili mund të çojë drejt fundit të lojës, me akterin kryesor Vetëvendosjen. Ultimatumi del e bëhet një instrument i kësaj loje, si një fishkëllimë arbitri për një gol të shënuar a në fund të lojës, madje me minuta shtesë, ngjashëm si në kampionatin botëror të futbollit të këtyre ditëve, finalja e të cilit do të luhet më 13 korrik 2014. Për koincidencë është kjo datë kur partitë duhet të japin përgjigje lidhur me kushtet e Vetëvendosjes për përkrahje ose jo ndaj koalicionit, gjithnjë thënë sipas mediave. E besueshme apo jo, varësia e partive të koalicionit ka shkuar deri në atë masë sa ka mbërri deri në skajshmërinë e një procesi bisedash, deri te ultimatumi i një partie, e cila, që nga fillimi është paraqitur si partnere e përkrahjes së këtij procesi duke zhvilluar lojën e saj për përfitime ekskluzive politike.
Ose, Vetëvendosje ka bërë përpjekje për të reflekruar evoluimin e saj aq shumë sa të gjitha paraqitjet e saj, qoftë edhe me ashpërsinë politike për kushtet ndaj koalicionit, po arrin t’i kamuflojë me paraqitjet drejtuar një koalicioni dhe opinionit të gjerë, për të arritur qëllimin e fundit, reflektimin politik dhe edhe hyrjen e mundshme në qeverinë e ardhshme! Duke qenë kështu, pra vënia e kushteve dhe varësia e madhe që u ka shkaktuar partive të koalicionit, shpejt do të bëhet e qartë se brenda një ultimatumi të VV nuk do të mund të qëndrojë e varur skena politike e Kosovës.
Ultimatumi është ecenca e paraqitjeve dhe e veprimeve politike të Vetëvendosjes, jo vetëm në procesin e pas zgjedhjeve të 8 qershorit, por edhe më përpara këtyre zgjedhjeve. Ultimatumi përbën thelbin antidemokratik të marrëveshjeve dhe të mbështetjes mbi bazën e marrëveshjeve. Ultimatumet kanë lënë gjurmë e vrragë në mentalitetin tonë, gjurmë të së kaluarës social-komuniste dhe diktatoriale. Se a do të ketë marrëveshje për shkak të ultimatumit, mbetet të shihet! Po, pat e s’pati, tani skena politike e Kosovës është brenda një ultimatumi!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat