Lajme të këqija nga Kosova

Opinione

Lajme të këqija nga Kosova

Nga: AGRON GJEKMARKAJ Më: 8 korrik 2014 Në ora: 20:54

Nga Kosova po vijnë lajme të këqija! Prejkohësh ka tendenca për të denigruar figurën e Gjergj Kastriotit -Skënderbeut. Po ashtu po veprohet edhe ndaj Pjetër Bogdanit, i cili në kërkim të lirisë për vendin e vet pat udhëhequr një kryengritje kundër pushtuesve, veç librave që kontribuan për të mbajtur gjallë gjuhën shqipe. Me të njëjtën furi sulmohet Nënë Tereza, simboli i humanizmit shqiptar e botëror! Vite më parë, denigruesit shfaqeshin si zëra të vetmuar, ndërsa sot protagonistë kumtesh. Kosova e udhëhequr nga Ibrahim Rugova, qoftë në kërkim të lirisë e pavarësisë, qoftë më pas, nuk ngjet me Kosovën e sotshme. Deputetë të saj, pak muaj më parë artikuluan tezat më antishqiptare kundër Skënderbeut dhe një shurdhëri dhe mosreagim imoral, pasoi qëndrimin e klasës politike dhe të elitave kosovare. Një rrepër, m’u në zemër të Prishtinës, realizoi një video duke bërë gjeste të turpshme te monumenti i Skënderbeut. Tani ekstremistë islamikë në Kaçanik bëjnë të njëjtën gjë. Reagon veç akademik Mark Krasniqi. Politika kosovare mesa duket bën llogari votash. Ajo ua shkel syrin edhe atyre që ëndërrojnë kalifatin e vilajetin, në vend të shtetit demokratik, laik e europian. Pushteti i tyre është mbi shtetin. Kësaj gare po i përshtaten të gjitha partitë. Kështu ka ndodhur me fashizmin dhe nazizmin në Europë. Në fillim i konsideruan si margjinal dhe menduan t’i përdornin, pastaj si aleatë dhe në fund i patën komandantë. Kjo është një shenjë ogurzezë në raport me të kaluarën tonë historike e po aq ogurzezë në raport me të ardhmen. Në qoftë se e përmbledhim me pak fjalë, Skënderbeu është personaliteti më madhështor që ky komb ia ka dalë të nxjerrë gjatë gjithë historisë së tij, i papërsëritshëm, i vetmuar. Por jo vetëm kaq. Ai, fatmirësisht, nuk mbeti vetëm i yni, por u bë njëkohshëm emblemë e qytetërimit europian, mbrojtës i këtij civilizimi. Europa vazhdon ta njohë për të tillë pa u shqetësuar nga logoritë e Fatos Lubonjës. E bën këtë në enciklopedi, tekste, romane, por edhe në gjuhën e emisarëve të saj që dërgon në vendet tona. Gjatë shekujve ne e humbëm e harruam, u tjetërsuam aq shumë sa kujtimi i tij na mundonte, kauza e qëndresës që ai mbajti gjallë po aq na bezdiste. Donim të çliroheshim nga kujtimi i tij në emër të pragmatizmit tonë dhe projektimeve të të tjerëve. Stina e heroizmit ishte mbyllur duke i hapur rrugën flirtit me robërinë që vazhdon ende. Europa e mbajti e njohu për të vetin, shkroi opera, drama, histori pa fund për të, rreth 1800 libra, i ndërtoi monumente, u mëson fëmijëve të vet në shkolla që Gjergj Kastrioti është një nga strategët më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe atëherë kur kontinenti po na jepte pavarësinë, na e ktheu prapë- tha – ju duhet, nuk bëni dot pa të- por shumëkujt iu duk trashëgimi e rëndë, kompleksuese. Rilindësit dhe elitat e përqafuan me mall, e pranuan, u identifikuan me të, pavarësisht se cilit besim tashmë i përkisnin. Ata e kuptuan se vetëm te shpata dhe vizionet e tij merrte legjitimitet historik Pavarësia kombëtare. Mjafton të shikojmë shkrimet, letërkëmbimet, fjalimet e dërgatave të tyre për ta kuptuar këtë, nëse e kemi harruar apo në qoftë se nuk e dimë. I tillë shfaqej heroi edhe për Hasan Prishtinën, Bajram Currin, Mic Sokolin, për ata mijëra luftëtarë që tronditen Perandorinë Osmane me Kryengritjet e Kosovës, si prelud i 28 Nëntorit 1912. Po kaq simbolik e i nevojshëm pat qenë Gjergji Skënderbeu për nacionalizmin kosovar, qysh prej vitit 1913 e deri në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Nuk kishte si të ndodhte ndrshe! Pakkush si ai frymëzon kauzat e lirisë e të qëndresës së popujve të vegjël, duke sfiduar formulat e fuqisë dhe gjeopolitikës! Në ligjërimin klandestin e publik, në letërsi e politikë, në fatkeqësi e festë, në legjenda e këngë e gjejmë në 100 vitet e fundit të historisë së Kosovës. Menjëherë sapo Kosova me ndihmën jetike të Perëndimit fiton shtetin e saj, diçka fillon e ndryshon për keq. Në fillim fshehtas, qosheve a në ndonjë objekt fetar, pastaj në sajte interneti, deri në sheshe publike në zemër të kryeqytetit. Nostalgjia për flirtin nxjerr krye. Gjuha e urrejtjes e ndasisë fetare e instrumentalizimit fetar fiton terren dhe mbështetës. Shqetësues është pranimi i këtij realiteti si normalitet, minimizimi i tij si fenomen. Dikur nuk ndodhte kështu. Atëherë ishte Ibrahim Rugova në krye, patriot e vizionar europianist i pashoq në Ballkan, ndërsa sot një çetë politikanesh që bëjnë aleancë edhe me dreqin e mallkuem për karrigen e vet, ndërkohë që serbët forcojnë pozitat diplomatike duke provokuar ndërgjegjen e Europës. Ata vigjilojnë dhe fërkojnë duart tek shohin sesi sillen shqiptarët me heroin e tyre, që edhe ata vetë në librin më antishqiptar të Gjergjoviçit e lëvdojnë! Një hero i pazakontë që prej shekujsh mban këtë popull në Europë në mënyrë metafizike. Barbaria e grupit nga Kaçaniku është triumfi i çetnikëve në Kosovë, përligjje e propagandës 100-vjeçare që ata kanë bërë kundër nesh. Po aq shembja e monumentit të Nënë Terezës në Mitrovicë, muaj më parë. “Çlirimi” nga Skënderbeu është lajmi më i keq që vjen nga Kosova! Pyetja që lind është me çfarë do ta mbushin boshllëkun që ai lë në histori dhe me kë do ta zëvendësojnë në të ardhmen? Monumentet e tij kanë fuqi mistike, shihen si pengesë ndaj si fillim duhen deligjitimuar, përqeshur, fyer e më pas hequr. Ndërsa në Itali, tek Arbëreshet, ai është i gjallë; kudo në sheshe shkëlqejnë monumentet e tij, festohen betejat dhe fitoret, flitet kudo e çdo herë, ndër fëmijë e pleq! Ka ditë të posaçme për të, valle e përshpirtje. Ai është shenjtori i tyre mbrojtës, vetëdija e tyre arbërore. Kush i kujton në Shqipëri e Kosovë betejat dhe fitoret e tij? Cilat kambana bien për to? Na ka vënë përfundi banaliteti dhe kompleksi që po krijojnë aleanca osmano-komuniste e sharlatanë në televizione apo YouTube. Çfarë ndryshimi i frikshëm brenda së njëjtës racë! Kush nuk e di, le ta mësojë: pa të historia kombëtare shndërrohet në histori vilajeti, le ta themi në histori robërish, ndërsa me të kemi një histori heroike europiane. Mes tyrbes së Sulltan Muratit dhe Monumentit të Skënderbeut aty është e hkuara dhe e ardhmja e Kosovës. Çështje vetëdije, e cila nuk imponohet me shiring.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat