Jo 'Tre gjermantë e trashë', po 'Tre spiujt e hollë'

Opinione

Jo 'Tre gjermantë e trashë', po 'Tre spiujt e hollë'

Nga: Kimete Berisha Më: 7 korrik 2014 Në ora: 14:14

Tash është përhapur fjala se gjermanët nuk e duan më Hashim Thaçin për Kryeministër të Kosovës. A e duan a s'e duan përnjëmend, e vërteta tash është e parëndësishme mbasi fjala e ka marrë dhenë.
Për arsyen pse gjermanët janë ftohur nga Hashim Thaçi, përmendet skandali i arrestimit me TV-kamera nga Policia e Kosovës e 'Tre agjentëve gjerman'.

Po pse priti Angela Merkel kaq gjatë, 6 vite, për t'ia kthyer 'shpinën' dhe për t'ia dhënë 'hakun' Kryeministrit Hashim Thaçi, plus për të dalë publikisht në përkrahje të Isa Mustafës, i cili kurrë nuk u dëgjua i gjallë kundër Kryeministrit Hashim Thaçi!
Gjermanët 'nxehen' ngadalë, ka thënë Claudia Schiffer, veç kur 'nxehen' nuk 'ftohen' më.
Karakteristikat dhe temperamentin e gjermanëve i kam lexuar edhe vet nga Kanti, por Kanti aseksual, flet më shumë për 'dashnorin gjerman', që e paraqet si të ftohtë, dhe pa imagjinatë për ta shprehur me romantikë dashurinë, siç dinë varianta romantike francezi me italianin.

Prandaj, çdo gjë madhështore u krijua nga gjermanët gjakftohtë. Gjermania është vendlindja e muzikës klasike dhe e psikologjisë, por jo edhe e filmave dhe humorit të lehtë dhe të bukur anglez.
Kur Gjermania u hidhërua me Marlene Dietrich, shkaku se aktorja këndonte, kërcente dhe e argëtonte armikun gjerman, Marlene e syrgjynosur udhëve të botës, e lënë dhe e braktisur nga vendlindja e saj tha se 'Unë e gjermanët nuk e flasim më të njejtën gjuhë'!

Por, kështu si Dietrich, nuk mund të thotë Kryeministri Hashim Thaçi!
Prej vitit 2004, OJQ-teatri 'Oda' bën humor të dhimbshëm për misionin ndërkombëtar në Kosovë, nëpërmjet humoreskës që jo me qëllim të keq, po prej padijes e ka titulluar 'Tre gjermantë e trashë'.
Prej naiviteti bash në emër të gjermanëve,me personazhe Hanca, Ç'Hanca, të shembur nga kolesteroli negativ HDL u mahiten pa kufij me misionin ndërkombëtar në Kosovë.
Aktori i parealizuar i Partisë Demokratike, arriti ta realizojë këtë nasihat edhe në KTV. Kur hyp në KTV, dihet cilat kritere lypen.

Edhe kriteri diskriminues. Sepse, është diskriminim të tallesh me dikë vetëm pse është i trashë, dhe këtij diskriminimi mbi baza të fizikumit, në Gjermani i thonë lookizëm.
Po, shqiptarëve ende u qeshet me të metat e njerëzve, me trashësi, me belbëzime e me shurdh-memecë, që shpreh nivelin nekrofil dhe jofisnik të humorit.Ka mundur të zgjedh rumunë, rusë, indian, e ta bëjë hajgare me ta më pa dhimbtë.
Po, siç nuk ka ditur ta pagëzojë OJQ-teatrin e tij me emrin 'Oda', teatër ky, që aktivitetin e tij, me bismilah e nisi me shfaqjen 'Monologu i vaginave'.

Aktori privat i PDK-së, që financohet rregullisht nga shteti i Kosovës, në kohën kur më 2004 merrej me 'monologë vaginash', serbët për vete bashkë me shtetin e tyre xhironin filma anti-shqiptarë, ndërsa Bekim Fehmiu ishte ende gjallë midis Beogradi, dhe i pavendosur që bile një poezi ta lë për amanet në gjuhën tonë. Prandaj edhe amanetin e la serbisht: 'Ja sam gazio u krvi do koljena-i nemam vise snova...' !

Jo, si Marlene, prej të cilës u hidhërua Gjermania mbarë!
Personazhet e humorit ordiner 'Tre gjermantë e trashë', më 2008 për metaforë u bënë Hansa të vërtetë.
Tre agjentët e shërbimit informativ gjerman BND, u arrestuan dhe u mbajtën në burg nga Policia e Kosovës.
Ata të tre akuzoheshin se në nëntor 2008 kishin marrë pjesë në një sulm me bombë në selinë kryesore të BE-së në Prishtinë.

Spiujt nuk arrestohen, e nuk dalin me duar lidhur në TV kronika televizive, agjentët sekret duhet të arrestohen në mënyrë sekrete, po faji ishte i Piter Faith-it, që i mashtroi shqiptarët e papërvojë dhe e joshi policinë evropiane-ruse kundër gjermanëve. Gjermania duhet të hidhërohej në Piter Feith-in dhe në policinë evropane.
Spiujve gjerman u doli punë me Parlamentit gjerman dhe drejtësinë gjermane, e cila nuk gjeti fakte për fajin e tyre dhe i liroi!

P.S. Tash, ish-agjentë të shpërndarë të SHIK-ut po përhapin fjalë se si shërbimi sekret gjerman as nuk ka ditur ta përshkruaj Kadri Veselin, dhe sipas raporteve të tyre Kadriu ka qenë një burrë i trashë me mustaqe! Dhe, se si shërbimi sekret gjerman ka pasur qasje në 'dosjet e SHIK-ut' vetëm nëpërmjet amerikanëve.
Sido që të jetë, mustaqet rruhen, e kolesteroli hiqet, nëse nis e hyp si Ramush Haradinaj, kodër mbas kodre, si macat kulm mbas kulmi kur shqiptarët jetonin afër njëri-tjetrit e kur shtëpitë ishin 'një mbi një'! /Blogu i saj Facebook/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat