Nuk është vetëm protestë

Opinione

Nuk është vetëm protestë

Nga: Burhan SEFERI Më: 7 korrik 2014 Në ora: 11:07

Mediat pro qeveritare mundohen që ngjarjet e fundit në Maqedoni t’i prezantojnë thjeshtë si një protestë për Monstrën. Edhe disa media të pavarura, janë ndikuar nga ky fenomen dhe besoj se e gjithë kjo ka ndodhur pa qëllim të keq. Thjeshtë, të gjitha mediat këto ditë, mundohen që ngjarjet e fundit t’i quajnë protestë nga pakënaqësia e një procesi që dënon disa shqiptarë me burg të përjetshëm, për të cilët faktet flasin se janë plotësisht të pafajshëm.

Them: Nuk është thjeshtë vetëm një protestë për një proces. Gjatë protestave mund të shohësh gjithçka. Nga videot e prezantuara shihet se pakënaqësia nuk është vetëm për procesin, por për gjithë jetën e zezë që shqiptarët në çdo anë janë të bojkotuar, terrorizuar, manipuluar dhe dhunuar.
Sot, nuk po protestojmë, por po klithim nga ajo që e kemi mbajtur në shpirtin tonë vite me radhë. Klithmë e cila vije nga një shpirt i lodhur, shpirt i mashtruar nga partitë që shitën kombin dhe fenë për interesat e tyre personale.

Sot, shqiptarët nuk kërkojnë që vetëm të lirohen të burgosurit e pafajshëm, por kërkojnë që vetë shqiptarët të lirohen nga këta politikanë të shitur që në emër të votës së tyre bëjnë pazarllëqe për tenderë të veta që mbushin barqet, ndërsa varfërohen shqiptarët.

Sot, shqiptarët nuk kanë sulmuar thjeshtë se kanë dashur, por kanë sulmuar kur policët, qofshin shqiptarë apo maqedonas, punojnë me standarde të dyfishta. Argumenti më i mirë është rasti i Gjorçe Petrovit dhe ky i fundit. I sheh policët e njëjtë me komandantët e njëjtë, me dy fytyra gjatë sulmeve të tyre.

Sot, shqiptarët nuk kanë protestuar thjeshtë, por kanë ngritur zërin kundër “proceseve të mallkuara” që nuk i dinë populli, por vetëm BDI-ja në pushtet dhe gjatë gjithë kohës, i kanë lodhur dhe manipuluar me papagajt e tyre mediatik se kjo e dëmton procesin. I pyesim cilin proces? Procesin e rrejshëm? Procesin e tradhtisë? Procesin që pretenduat se e keni nën kontroll dhe në fund doli se nuk është ashtu?

Apo ndoshta proceset për euro-integrim, që me vite të tëra na lodhni, ndërkohë që ne edhe në muajin e Ramazanit vuajmë nga varfëria e skajshme? Ndoshta këto procese do ta heshtin çdo person që ju e keni kushtëzuar të heshtë, por mos harroni se shqiptarët në Maqedoni janë thuajse një milion, ndërsa juve ju votuan vetëm 15% e asaj popullate, që në emër të tyre mundoheni të na tregoni se ne përfaqësojmë shqiptarët dhe mburreni me këto numra. Në qoftë se edhe ata 15% janë të kënaqur nga kjo politika juaj, atëherë mallkuar qofshi ju dhe ata që ju votuan, sepse më mirë është të vdesim krenarë, sesa të jetojmë të nënçmuar.

Sot, heshtë vetëm një tradhtarë, një dyfytyrësh që për interesa personale ka shitur popullin e tij dhe ik si dinak, mundohet të na tregon se e gjithë kjo qenka në dëm të shqiptarëve, duke mos na treguar opsionin se cili qenka dobia e shqiptarëve? Varfëria, papunësia, burgosjet e pafajshme, dhunimi i motrave tona, terrorizmi psiqik, frika maksimale, apo cila? Nëse këto janë në dobi të shqiptarëve, atëherë e dimë, sepse këto po i përjetojmë.

Shumë prej neve nuk mund ta definojnë se nga rrjedh problemi? Prej kur filloi kjo? Me plot përgjegjësi them se ky problem ka filluar pas vitit 2001, kur ushtarëve të UÇK-së iu dha leje që nga fronti i shqiptarëve të kalojnë në frontin e atyre që luftuan, por “në mënyrë” legale u bënë komandanta, ushtarë dhe zëvendës në ushtrinë dhe policinë e tyre, ndërsa sot, përderisa neve na rrahin, ata heshtin duke na treguar pallavrat e “dëmtimit të procesit”.

Sot në kufirin e Bllacës, mbi 100 kosovarë janë ndaluar të futen në Maqedoni, me arsyen se janë “të rrezikshëm” për shtetin, nga frika se do jenë pjesë e protestave dhe çka është më interesante, shumica e kufitarëve që i kanë ndaluar, kanë qenë shqiptarë, që në emër të shqiptarisë ndalojnë shqiptarët t’i vizitojnë vëllezërit e tyre shqiptarë, e pastaj na tregoni për largpamësinë, politikën dhe mençurinë tuaj?
Procesi u dëmtua nga ju, e jo nga ata që protestojnë. Ju e dëmtuat atëherë kur heshtët, ditët kur duhej të flisnit. Kush nuk e pranon këtë, ose është i shitur, ose është naiv.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat